Përpara zgjedhjeve të 26 majit 1996, në mars të këtij viti kandidatët për deputetë duhet të kontrollonin pastërtinë e figurës së tyre në një komision që u quajt Komisioni i Kontrollit të Figurave dhe që drejtohej nga Hajri Mezini. Ky ishte një komision që u ngrit me nismën e maxhorancës së atëhershme që është edhe maxhoranca e sotme, nëpërmjet një ligji të veçantë që u miratua që në vitin 1995. Përpara zgjedhjeve të 26 majit, ky komision la jashtë garës për zgjedhjet parlamentare të 26 majit një sërë kandidatësh për deputetë, për të cilët u verifikuan “njolla” në të kaluarën si “spiunë” apo “bashkëpunëtorë të komunizmit”. Kështu sipas fakteve të asaj kohe, pas gati një muaj pune, ky komision eliminoi nga lista e kandidatëve të PS-së për garën elektorale rreth 35 prej tyre. Servet Pëllumbi, Gramoz Ruçi, Kastriot Islami, Dritëro Agolli, Sabit Brokaj, Leontiev Çuçi, Shkëlqim Cani, Ndre Legisi, Fehmi Abdiu, Fatmir Kumbaro etj., janë disa nga figurat që u eliminuan nga komisioni i verifikimit të pastërtisë së figurës. Në atë periudhë, menjëherë pas vendimit të komisionit “Mezini”, kryesia e PS-së e cilësoi “vendim arbitrar”.
Prej 268 emrave që ka pasur lista e kandidatëve të PS-së për deputetë që i janë dërguar komisionit të verifikimit të figurave, 35 prej tyre nuk u lejuan nga komisioni të vijojnë garën elektorale. Ndër ta konsiderohen se 12 kanë qenë ish-funksionarë të lartë të shtetit deri në 31 mars 1991, ose anëtarë të forumeve drejtuese të Partisë së Punës të Shqipërisë. Prandaj edhe nga ky komision janë cilësuar si bashkëpunëtorë të komunizmit. Zëdhënësi i PS-së në atë periudhë, Kastriot Islami ka sqaruar se ai ishte eliminuar nga gara e zgjedhjeve parlamentare të 1996-ës, vetëm për faktin se guxoi të kandidonte përballë Berishës për postin e Presidentit të Republikës. Nga ana tjetër, eliminimi nga gara e Servet Pëllumbit, nënkryetarit të parë të PS-së ishte paralajmëruar që në fund të shkurtit 1996, kur zyra e informacionit e Berishës e quajti “spiun”. Një prej të eliminuarve, Ndre Legisi, i cili atëherë militonte në radhët e PS-së ka sqaruar se vendimi i komisionit ndaj tij ishte një vendim ndaj papërkulshmërisë së tij përballë presioneve të pushtetit të Berishës”. Në listën e konsideruar si “lista e zezë” në atë kohë, ka qenë edhe ish-nënkryetari i Kuvendit Shaqir Vukaj. Sabit Brokaj në atë kohë i është drejtuar Gjykatës për këtë vendim të komisionit. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani renditet mes emrave të kandidatëve të PS-së që u eliminuan, për faktin se ai kishte qenë vetëm 41 ditë ministër i Ekonomisë para 31 marsit 1991.
“Lista e zezë” e PS-së
Servet Pëllumbi
Gramoz Ruçi
Dritëro Agolli
Kastriot Islami
Ylli Bufi
Ndre Legisi
Fehmi Abdiu
Shkëlqim Cani
Moikom Zeqo
Leontiev Çuçi
Sabit Brokaj
Mehmet Loci
Vladimir Metani
Fatos Muço
Zyhdi Pepa
Fatmir Kumbaro
Bashkim Koçi
Spartak Poçi
Kristaq Tumani
Xhevdet Alibali
Murat Kaçi
Gjeto Çutaj
Marko Dhamo
Rexhep Kërçiku
Fehmi Xhema
Shahin Çela
Mefail Belia
Zamira Caka
Leonidha Gjermeni
Spartak Braho
Mexhit Hajdari
Muhamet Bela
Lato Lato
Bardhyl Kondo
Baftjar Malo