2019-03-02

Dije Ferati: A e kontrollon Serbia imazhin dhe mentalitetin shqiptar? I

Dije Ferati


E postova një mesazh në Facebook në lidhje me Hefestionin, dashnorin e Lekës së Madh. Një “miku” im u shokua. Sikur e kuptoi se qëllimi im ishte ta zbrisja Lekën e imagjinatës së tij nga kali në pelë, pastaj nga pela fare në tokë…në bajga. Më shau sheshit me bollëk aq të madh sa, po të ngelte dikush me barrë nga sharjet, unë dhe nëna ime do i kishim secila nga 30 fëmijë. Dhe jo vetëm kaq! Edhe babai im do i kishte nja 30 fëmijë të tjerë në një lidhje homoseksuale me sharësin vetëm e vetëm që Leka i “mikut ” tim të mbetej në horizontin e tj të ngushtë ashtu si e kishte mësuar historinë në fillim!

Ta them të drejtën, nuk më pëlqen fare Leka, as ai i madhi as ata të vegjëlit! Në një anë, nuk ma do fare qejfi t’i dal në mbrojtje atij të birit të Filipit të Dytë, i cili i ka dhënë një grusht të fuqishëm Perandorisë Ilire të udhëhequr nga mbreti Bardhyli. Pastaj, në kohën e dashnorit të Hefestionit, Iliria e ka përjetuar një çorientim i cili e ka shpier gradualisht drejt rënies.

Në anën tjetër, emri “Leka” më zgjon ndjenjën e dhimbjes së plagëve që ka përjetuar familja ime në kohën e Rankoviqit vetëm se ishte shqiptare dhe se kishte anëtarë të shkolluar. Rankoviqi e ka bartur nofkën Leka. (Vërtetojeni në Wikipedia me fjalët: Aleksandar Rankovic-Leka). Ndoshta ka ndonjë lidhje simbolike ndërmjet tyre: Leka donte t’ua punonte shqiptarëve, siç ua ka punuar Leka ilirëve.

Shumë të tjerë si Leka i kanë bërë dëme popullit shqiptar, ndërsa njerëzit tanë të cektë, jo vetëm që i kanë mbrojtur por edhe i kanë ngritur lartë. Dy nga këta njerëz janë Mary-Edith Durham dhe Robert Elsie.

Si filloi historia e përlyerjes së imazhit?

Kur perandoria osmane po dobësohej, popujt e pushtuar si populli ynë, filluan të afirmohen. Në atë kohë, Serbia po përgatitej të luante rolin e policit ndaj shqiptarëve të cilët i etiketonte si mbeturina të perandorisë osmane, si të ardhur nga vendet arabe dhe si armiq të civilizimit evropian. Me kohë, Serbia i shpiku dhe i përforcoi disa mjete apo instrumente që t’i argumentojë afirmimet e saj.

Në vitin 1908, një ngjarje shumë e rëndësishme për shqiptarët e zhgënjeu pa masë Serbinë. Në Kongresin e Manastirit, me gjithë punën e rëndë të aktivistëve serbë me qëllim që shqiptarët ta adoptonin alfabetin arab (jo alfabetin e tyre çirilik?!) si alfabet kombëtar, ndodhi ajo që qëllim këqijtë nuk e pritën: Shqiptarët e adoptuan alfabetin latin. Megjithatë, edhe pse shumë e zhgënjyer, Serbia nuk e ndali luftën. Ajo i përdori shumë të huaj dhe shumë vendorë për të vazhduar me përlyerjen e imazhit shqiptar.

Fotografitë e montuara

Akademia Serbe e Shkencave e punësoi një grua nga përendimi, Mary-Edith Durham, të cilën e përgatiti të bëhej “mike e shqiptarëve”. Ajo grua, e cila në fillim u paraqit sikur vinte në Ballkan për terapi, sepse kishte probleme mendore, e përvetësoi mirë skenarin gjatë disa viteve qëndrimi në Serbi për rolin i cili iu caktua në trojet shqiptare. Roli i saj ishte që të punojë në krijimin e imazhit arab të shqiptarëve të cilët duhej pastruar nga kultura evropiane.

Qëllimkeqja arriti të inflitrohej dhe i shpalosi talentet si fotografe, piktore, etnografe… Çka nuk pretendoi se ishte?! E filloi aktivitetin me disa çarçafë të stërmëdhenj të bardhë të cilët ua vuri në kokë fillimisht burrave pastaj edhe grave. I fotografoi, i pikturoi dhe i përshkroi me atë farë pëlhure të shëmtuar në kokë e cila e mbulon kokën dhe qafen, si të burrit ashtu edhe të gruas. Ai çarçaf, në origjinë, përdoret si ekran për tu mbrojtur nga dielli dhe rëra në dezert apo shkretëtirë arabe dhe afrikane. Në trojet shqiptare, ajo pëlhure do të marrë dalëngadalë një simbolikë makabre, siç do ta shpjegoj më vonë.

“Shqiptarët janë egërsira që i dua”!?

Në një nga librat ku ndodhen fotografitë e montuara dhe përshkrimet e falsifikuara sipas skenarit serb, Durham shprehet: “Shqiptarët janë me të vërtetë egërsira, por janë egërsira që i dua”. Çfarë zemërgjerësie! Nuk ka dyshim se i donte… sepse i duheshin për eksperimentim.

Ky qëndrim i saj ndaj shqiptarëve i është shpërblyer me çmimin më të lartë që mund ta jepte i pari i vendit shqiptar në atë kohë. Kur shprehet për serbët, Mary-Edith Durham i paraqet si njerëz të qytetëruar edhe pse i shton disa fjalë simpatie ndaj shqiptarëve afësisht të njëjta si ato ( shumë vite më vonë) të ministrit të jashtëm të Rusisë ndaj krimeve të Millosheviqit në Kosovë.

Shqiptarët filluan ta kundërshtonin dhe ta mohonin, si brenda ashtu edhe jashtë trojeve, imazhin qe serbët ua veshnin. Disa intelektualë shqiptarë i shpalosën argumentet e tyre në pozitë vetëmbrojtjeje: Jo jemi evropianë! Jo jemi autoktonë në këto troje! Jo kemi një alfabet latin! Jo kemi disa fe! Jo kemi një hero kombëtar i cili e ka mbrojtur civilizimin evropian… e kështu me radhë.

Sajimi i një libri diabolik

Meqë shqiptarët filluan të afirmoheshin edhe me shkrim, serbët e ndien nevojën për një dokument të shkruar, për një argument të fuqishëm për t’i thënë botës se shqiptarët, jo vetëm se nuk kanë kulturë evropiane, por nuk kanë as kulturë arabe… se nuk kanë fare kulturë njerëzore. Kështu, e bazuar në planin e të bardhëve për shfarosjen e amerindianëve në Amerikën e Veriut, si në formë ashtu edhe në përmbajtje, Akademia Serbe e Skencave në Beograd e përgatiti një nga dokumentet e planit të saj makiavelik afatgjatë të kodifikuar me emrin “Kanuni i Lekës” apo “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.

Për sajimin e këtij libri 106 faqesh, u gjet emri i një shqiptari (i cili ka folur gjithashtu serbisht) gjoja se ka qenë mbledhës i përmbajtjes. Pastaj u gjet edhe një shqiptar tjetër (i cili po ashtu ka folur serbisht) për shkrimin e parathënies. Ironikisht, përmbledhja e gjepurave u botua në vitin 1933 dhe iu dedikua, apo iu vesh në mënyrën më të padrejtë, Lekë Dukagjinit, një personaliteti i cili mund të ketë jetuar në kohën e Skënderbeut, në shekullin e pesëmbëdhjetë. Ky libërth me përmbajtje primitive e makabre e përlyen emrin e Lekë Dukagjinit.

U vu në kopertinë një fotografi e kohës së botimit (jo pikturë, siç do të na vinte nga shekulli i 15-të) të një njeriu me flokë të gjata në shpinë pikërisht si në librat e botuar nga të bardhët për shkatërrimin e identitetit të amerindianëve. Për ta bërë lançimin më të suksesshëm, u vra “mbledhësi i përmbajtjes” ndërsa shkruesi i parathënies u ngrit në niveline autorit të propozuar për çmimin Nobel.



Krijimi i një shkrimtari të oborrit dhe të fisit

Vite më vonë, u fabrikua një autor tjetër shqiptar, i cili i ka mbaruar studimet në letërsi në Rusi. Edhe ky shkrimtar oborri u ngrit nga keqbërësit në nivelim e çmimit Nobel për letërsi duk e pasur si rol vulosjen e afirmimeve se plani makiaveli serb (Kanuni i Lekës) paraqet mentalitetin dhe kulturën shqiptare. Sipas kësaj logjike, shqiptarët jetojnë si në kohën parahistorike të organizimit shoqëror, atë të klaneve dhe të fiseve.

Ky i ashtuquajtur shkrimtar e ka një stil dhe një mjeshtri të veçantë. Di si ta bëjë të voglën të madhe dhe të shëmtuarën të bukur! Di si t’i japë negatives kuptim pozitiv e anasjelltas. Për shembull, e përdor shpesh në letërsi dhe paraqitje publike fjalën “fisnik” (shikojeni prapashtesën serbe “nik” si në fjalën “çektnik”) me kuptimin “bujar”, “i çmuar”… Ndërsa rrënia e kësaj fjale është termi “fis”.

Këtu jemi në një aspekt të nivelit shumë të sofistikuar të psikolinguistikës (të nivelit të Institutit Gorki) të cilën e kanë përdorur rusët për ta krijuar një mentalitet të të pushtuarit, tek popujt… e pushtuar. Fjala “fis” është futur në fjalorin shqiptar me kuptimin “pozitiv” të cilin kuptim kanë arritur t’ia japin qëllimkëqinjtë. Kemi mashkuj që quhen Fisnik…. (Ku ka faj Fisniku i shkretë se babai i tij e quan atë primitiv që në ditën e lindjes?!)

Unë mendoj se në hapsirën shqiptare nuk jetohet sipas fiseve. Jam e bindur së shqiptarët dinë të kenë interesa kombëtare sepse sot jemi popull relativisht i shkolluar. Po t’i kisha 4 vite shkollë, do e dija se cili është fisi im ose do e shpikja një fis vetëm sa për të rënë në kurthin e serbëve duke e zbukuruar organizimin shoqëror primitiv. Nuk e bëj këtë gjë sepse e kam një master në ekonomi nga një univerzitet perëndimor, ku kam mësuar edhe për psikolinguistikën (në rastin tim, për ta përdorur sidomos në negociata). Pra, nuk kam fis as nuk dua të kem. I gjithë njerëzimi ka kaluar në etapën primitive parahistorike fisnore (po e evitoj këtu prapashtesën serbe “nik”si në “çetnik”) dhe pjesa dërmuese e kombeve jetojnë në kohën e sotme duke e lënë mbrapa kohën e fiseve.

Dimensioni makabër i çarçafit të dezertit arab

Me botimin e Kanunit, serbët arritën ta lidhin çarçafin e dezertit arab, jo vetëm me fenë por edhe me një dimensionin tjetër: Me vrasjen me paramendim apo me gjakmarrjen tek të gjithë shqiptarët pa dallim feje. Për shembull, në filmin “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, ku rolin kryesor e luan Ljuba Tadic, kryepersonazhi Uka e bart në kokë çarçafin e stërmadh sepse e ka në mendje vrasjen me paramendim. Ajo pëlhurë e bardhë (si në fotografitë e asaj “burrneshës” qëllimkeqe të cilën e përmenda më lart) do t’i shërbejë atij që ta mbulojë kufomën kur do ta realizojë vrasjen perfekte me paramendin si burrë zakoni. (Dihet se fjala “zakon” është fjalë serbe e cila në shqip përkthehet “ligj”!!!)

Edhe pse populli nuk e adoptoi kurrë në jetën e përditshme, dalëngadalë, ajo pëlhura e gjerë (e formatit të çarçafit të shtratit duble king size) u impozua si tek burrat ashtu edhe tek gratë nëpër filma, koncerte, pjesë teatri, fotografi “artistike”…. me subvencionet nga shteti ish-jugosllav (i kontrolluar nga serbët) gjoja për kulturën shqiptare. A keni parë ndonjëherë përveç në filma… atë farë bezi të shëmtuar?

Fjala “burrneshë” – pjellë e imagjinatës së sëmurë



Edhepse në jetën reale askush nuk ka parë “burrnesha” apo “virgjëresha”, në shkrimet zonjës Durham, burrnesha e bart çarçafin e desertit në kokë dhe rreth qafës si burri, jo për t’u mbrojtur nga dielli dhe rëra (sepse nuk jeton në Afrikë) por edhe ajo e ka në kokë vrasjen me paramendin siç bën burri.

Është e mundur se ajo e shtriga e çmedur e ndiente veten burrë në trupin e gruas dhe ka ardhur tek neve për terapi. Ndërkohë, ka bërë eksperimente me shqiptarët e shkretë të Malësisë. Në ditët tona, në shoqëritë e civilizuara, respektohet identiteti i mashkullit në trupin e gruas dhe identiteti i gruas në trupin e mashkullit. E kemi, për shembull, shprehjen “shemale” e cila në anglisht “she” do të thotë “ajo”dhe “male”do të thotë “mashkull”. Por , askush nuk ua vë një çarçaf të madh në kokë me simbolikë se janë vrasës me paramendin dhe se to ta mbullojnë viktimën e tyre me të.

Ansambli “Shota” – viktimë e manipulimit

Ansambli “Shota” është përdorur, për shembull, për të bërë promovimin e planit makiavelik serb në vend dhe nëpër botë. Nëse dikush e ka bërë pyetjen: Pse në ish-Jugosllavi financohej ansambli i cili e mban emrin e heroinës shqiptare, Shote Galica, e cila e ka vrarë shkaun?, tani do ta deduktoni një pjesë të përgjigjes.

E kam parë, në një festival ndërkombëtar në perëndim, një paraqitje të Shotës. Të gjithë mendonin se ishte një grup nga një vend arab apo afrikan. Shqiptarët, si burrat ashtu edhe gratë, u paraqitën me atë pëlhurën e bardhë të tepruar në kokë e rreth qafës që të shihen sa më mirë e sa më larg. Fytyrat e vrazhda shprehnin se valltarët donin ta vrisnin njëri-tjetrin me shpatë apo me kobure.

Pas pak u paraqit një ansambël nga një vend arab me gra të bukura (pa atë pëlhurën e shëmtuar) duke e bërë bukur atë vallen e barkut të zbuluar me buzëqeshje e pozitivizëm. Ato zgjonin ndjenjën e së bukurës tek partnerët e tyre dhe tek publiku. (Çka është definicioni i artit, nëse nuk është zgjimi i ndjenjës së bukurisë?)


II.



Qëllimkeqi, Robert Elsie

Një i ashtuquajtur “albanolog”, njëfarë Robert Elie, e ka ndjekur në kohën tonë rrugën e rrahur nga nga ajo “burrnesha” qëllimkeqe e cila u përmend më lart. Edhe pse ka “vdekur?” vitin e kaluar, Robet Elsie ende nuk i heq fotografitë e asaj qëllimkeqes nga sajti i tij. Nuk e kuptoj dot se çka po pret?!

Para se ta paraqes një rast flagrant ku “albanologu” u ka bërë dëm të madh shqiptarëve, do të filloj me disa shprehje anti-shqiptare të cilat ai na i lë për kujtim në Youtube.

Për dallim nga ajo tjetra e cila i quan shqiptarët “egërsira”, ky e përdor fjalën “kafshë”. Afirmon se shqiptarët ishin më të qytetëruar nën regjimin e Lekës (Rankoviqit) në Jugosllavi sesa në Shqipërinë e pavarur. Në një emision me gazetaren Rudina Xhunga, thotë se po të jetonte në Shqipëri, do të çmendej sepse është si në Perandorinë osmane. Në një simpozium për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ky “shkencëtar” shpif se shqiptarët bëjnë biznes me qenie njerëzore duke i shitur gratë sikur të ishin kafshë.

Një fyçkël interesante: Robert Elsie deklaron se nuk ka marrë ndihma nga qeveritë shqiptare për shkrimet e tij. Atëherë kush e ka paguar për falsifikimet e tij antishqiptare dhe antinjerëzore?

“A i pengon Robert Elsie sponsorizimet në Kanada?”

Ja rasti flagrant të cilin e paralajmërova: Duke kërkuar me fjalë kyçe (që ta analizoj pak edhe unë atë, jo vetëm ai shqiptarët), e gjeta shkrimin me titull: “A i pengon Robert Elsie sponsorizimet në Kanada?”

Një shqiptar në Kanada e bën kërkesën për ta sponsorizuar bashkëshorten. Agjentja e imigracionit e thërret dhe e pyet se sa groshë a e ka blerë gruan. Njeriu i përgjigjet se nuk e ka blerë fare dhe se groshi nuk është, as nuk ka qenë kurrë, monedhë në trojet shqiptare por është një lloj fasuleje.

Agjentja ia refuzon sponsorimin duke u bazuar në informacionet e “studjuesit” Robert Elsie se shqiptarët ende jetojnë sipas Kanunit. Neni i 19-të i këtij dokumenti i jep edhe çmimet në monedhën “grosh” për këtë lloj tranzakcioni.

Referenca: http://kanuniilekedukagjinit.blogspot.ca

I refuzuari e merr një avokat dhe kërkon një revizion të dosjes. Avokati e gjen një përkthyes zyrtar për përkthimin e fjalës grosh e cila del me kuptimin fasule. Gjithashtu, avokati afirmon se nuk ka ligje në përmbledhjen me të cilën Robert Elsie i identifikon shqiptarët duke e dhënë, ndër të tjera, si provë paragrafin “§.135. Thirre e, s’t’u pergjegj kush, a rrî e prit, a nisu në pûnë tande.”.

Nga këto prova, agjentja e imigracionit e kupton se ky farë “Kanuni” nuk përmbaka logjikë ligjesh. Për shembull, nuk ka sanksion në rast se nuk respektohet paragrafi “§.135. Ai që nuk pret duhet të dënohet, apo ai që pret?

Pasi e pranoi kërkesën, agjentja e formuloi një sugjerim: “Do të ishte mirë qe qeveria e vendit tuaj ta lëshojë një vendim zyrtar se Kanuni nuk ka të bëjë me drejtësinë apo me kulturën e vendit tuaj. Një gjë e tillë do të duhej të botohej në Wikipedia, pë shembull. Në bazë të kërkimeve që kam bërë për ta marrë vendimin, i kam përdorur të dhëna të gabuara në lidhje me shqiptarët, të sjellë nga zoti Robert Elsie.”

Gjithçka më duket e çuditshme (për të mos thënë e dyshimtë) në lidhje me “albanologun” Robert Elsie. Së pari, në ceremenoninë e varrimit të tij në Theth (në Veri të Shqipërisë) në vjeshtën e vitit 2017, përveç pranisë së partnerit të tij, Stephan Trierweiler, (albanologu e kishte të njëjtin orientim seksual si Leka…), asnjë anëtar i familjes së tij nuk ishte prezent. Së syti, ai e ka thënë vetë se do të çmendej po të jetonte në Shqipëri. Si nuk ka frikë se do të çmendet tani… i varrosur në Shqipëri?!

Tek njeriu më brirë

Në një shkrim me titull: “Ndodh në Sicili: Skenderbeut i heqin brirët e dhisë” mësohet se në qytezën arbëreshe të Siçilisë, Pianna degli Albanesi, shtatores së heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut, ia kanë hequr brirët nga maja e kresë. Cila është arsyeja? Në Itali, brirët janë tregues negativ, madje pezhorativ.

Arti shërben për krijimin e imazhit të një shoqërie në botë por edhe për formimin e mentalitetit. Për këtë arsye, serbët e kanë shfrytëzuar këtë pistë kundër shqiptarëve. Siç dihet, arbëreshët e Italisë identifikohen me Skënderbeun por nuk donin të ishin gazi i botës. Nuk donin të dëgjonin tallje të tipit: “Tek njeriu me brirë” kur njerëzit flisnin për sheshin ku është i vendosur busti i “heroit me brirë”. Pas heqjes së brirëve, u është mbyllur goja shakaxhinjëve.

Koka e Skënderbeut me brirët e dhisë përdoret, kohët e fundit, edhe në stemën kombëtare shqiptare. Madje, foltorja e Parlamentit të Shqipërisë është e stolisur vetëm brirët e dhisë. Ata e përfaqësojnë simbolin tonë kombëtar. Ja sa të fortë janë serbët! I quajnë shqiptarët “kozari” (në serbisht: “çobanë të dhive”) dhe arrijnë ta paraqesim një ilustrim, apo argument vizual të shkëlqyeshëm, për ta argumentuar afirmimin e tyre!



Një legjendë fëmijërore

Një legjendë naive thotë se kështjellarët e udhëhequr nga Skenderbeu i morën dhitë që kishin brenda dhe u vunë në brirë pishtarë gjatë përgatitjes kundër sulmit. Në errësirë e lëshuan kopenë e tyre nga kështjella drejt armikut. Njëkohësisht, ushtarët sulmuan edhe vetë duke mbajtur pishtarë në duar. Armiqtë u tërhoqën të frikësuar sepse nuk arritën të kuptonin se një pjesë e pishtarëve barteshin nga dhitë. Sulmi qe një sukses. Skënderbeu, për nder të dhive, urdhëroi që koka e dhisë (me brirë e veshë) të vendosej mbi përkrenaren e tij luftarake.

Këtu kuptojmë se kështjella paska qenë një vath i dhive dhe ushtarët, çobanë. Për ata që mendojnë sadopak, dhia nuk është qen dhe nuk dresohet të turret kundër armikut. Po ra shi, pishtari shuhet. Po qe mot i thatë, shkaktohet zjarr i cili nuk mund të kontrollohet. Çdokush që ka sadopak përgatitje ushtarake (qoftë edhe nga Akademia Ushtarake Skënderbeu) ju thotë se një gjë e tillë është e pamundur.

Tri rekomandime

Me qëllim që Serbia të dekurajohet deri në palcë dhe të mos investojë më në përpjekjet për ta përlyer imazhin dhe identitetin shqiptar, po i radhis këtu tri rekomandime:

Së pari, në Parlamentin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë apo atij të Malit të Zi (apo në të gjitha) të ngrihet një deputet shqiptar dhe të paraqesë një mocion parlamentar ku shprehet qartë se i ashtuquajturi Kanuni i Lekës nuk ka të bëjë as me mentalitetin shqiptar as me kulturën shqiptare. Ajo përmbledhje përrallash të kodifikuara si ligje absurde i takon autorit të saj e jo shoqërisë shqiptare.

(Në fakt, këtu mund të bëhen pyetje të shumta: Kush i merr të drejtat e autorit për këtë libërth nga shitjet në librari, Amazon, e gjetiu? Kush është botuesi? Kush e ka ilustruar kopertinën?…. Pse nuk jepen qartë të dhënat sheshit siç jepen në një libër normal?… e shumë pyetje tjera.)

Së dyti, të mos përdoret më ai çarçafi i vrasjes me paramendim as në valle, as në filma… as nga burrat as nga gratë… përderisa personat nuk janë të ekspozuar në rërë dhe diell të fortë. Regjisorët, koreografët dhe producentët duhet të mendojnë pak se çka është e çka nuk është traditë shqiptare. E jo t’ia fusin kot!

Për shembull, gjatë regjimit Jugosllav, në një emision futet një insert ku këngëtarët i rrasin duar në tepsi dhe hanë me duar si kafshë (siç do të thoshte Robert Elsie) duke e tepruar mu si në rastin e pëlhurës stërmadhe në kokë. Këtu duhet kuptuar një gjë: Sponsori qëllimkeq e donte këtë insert për të argumentuar se kultura shqiptare i ngjan asaj arabe dhe afrikane.

Tani, kur nuk investojnë më serbet, pse të vazhdohet me traditat e artit toksik? Njerëzimi ka egzistuar para shpikjes së pjatës, lugës dhe pirunit por sot, njerëzit (sidomos ata që pretendojnë se jetojnë në Evropë) nuk hanë me duar, së paku në publik! Pra, as kur dalin në televizor!

Së treti, të hiqen brirët e dhisë nga stema kombëtare dhe nga foltorja e parlamentit të Shqipërisë. Njëherit, të hiqen (dhe të mos vendosen më kurrë) në bustet e Skënderbeut. E kam një këshillë për artistin i cili e do ta pikturojë apo do ta skulpturojë portretin e Skënderbeut: Nëse nuk jeni në gjendje ta shihni veten tuaj apo babain tuaj duke u shëtitur sheshit me ata brirët (dhe veshët) e dhisë në majë të kresë, mos e shëmtoni imazhin e heroit kombëtar me ta!!!

Kemi arsye të krenohemi dhe kemi me kënd të krenohemi

Në përfundim, dua të shtoj se situata nuk është edhe aq katastrofike. Sa i përket imazhit, Serbia po zhgënjehet mu si në rastin e Kongresit të Manastirit. Vajzat tona dhe djemtë tanë po shkëlqejnë si këngëtarë, sportistë dhe në fusha tjera në nivel botëror. Të gjithë e shpalosin me krenarit prejardhjen e tyre shqiptare. Ata po na e krijojnë një imazh të bukur në botë dhe po na bëjnë krenarë me krenarinë e tyre kombëtare. Fatmirësisht, askujt nuk i ka shkrepur në mendje ta bart shaminë e madhe në kokë as kokën e dhisë. Dihet se imazhi e përcakton mentalitetin e një individi por edhe të një populli

Për t’iu përgjigjur pyetjes në titull “A e kontrollon Serbia imazhin dhe mentalitetin shqiptar?” mendoj se Serbia e ka humbur kontrollin sa i përket influencës së saj. Por, megjithatë, duhet të pastrohet ajo tradita toksike të cilën pushtuesit kanë arritur ta krijojë me vite në disa troje të pushtuara shqiptare. Pastaj, toksikimi është shpërndarë dhe më gjerë, mu si një sëmundje ngjitëse.



Nuk bie dot në nivelin e sharësit!

Pas një jave, ai sharësi im i nderuar, të cilin e përmenda në fillim, e kuptoi se nuk ishte e drejtë t’më shante sepse – në epokën tonë bashkëkohore të lirisë së shprehjes – e paraqita sheshit një realitet të cilin ai nuk e njihte në lidhje me homoseksualitetin e të birin të Filipit të Dytë të Maqedonisë, apo Lekës. Më dërgoi një mesazh ku më kërkoi falje.

Gjithçka do të kishte qenë në rregull, po të mos e kishte tepruar me një fjalë në mesazhin e tij. Me quajti “burrneshë” meqë nuk kisha zbritur në nivelin e tij dhe ta shaja edhe unë. Kjo fjalë më destabilizoi sepse nuk jam burrneshë. Jam femër dhe ndihem mirë në trupin e femrës! Por edhe po të isha e tillë (shemale apo burrneshë), një fenomen i tillë nuk do të ishte krim.

Kuptohet, injorati e kishte një vizion përulës ndaj gruas. Sikur gratë kanë vlerë vetëm atëherë kur u ngjajnë burrave të zakonit, të cilët nuk mendojë gjatë, të cilët bien në kurthin e armiqve (siç janë serbët), nuk kanë as paraqitje as fjalor të pastër. Në të kundërtën, sipas mikut tim sharës, burrat e shkolluar dhe të sjellshëm na qenkan “graneshë” apo “gruashë” edhe pse ndihen mirë në trupin e burrit?

Tani të mos keqkuptohemi, vetëm një sekond! Secili e ka limitin e vet të durimit. Kam shumë frikë se po të më kishte quajtur “fisnike” do t’më nxirrte nga fazat. Unë jam bashkëkohore ashtu si është populli im dhe nuk kam librezë anëtarësie në asnjë fis parahistorik! Një fenomen i tillë do të ishte krim për hir të atyre që kanë paguar shtrenjtë, me sakrifica dhe me jetë, që të kemi një shoqëri të shkolluar.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...