Presidenti i Kosovës zt. Hashim Thaçi në Samitin e Berlinit ka thënë se të gjithë jemi dëshmitarë se dialogu aktualisht është i bllokuar dhe se sipas tij janë disa faktorë që kanë sjellë këtë situatë të pashpresë.
“Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës për prodhimet serbe të vendosur nga Kosova”, ka thënë presidenti i Kosovës zt.Hashim Thaçi.
Sipas tij, ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut i cili është respektuar që nga viti 2011, që nënkupton se dialogu është i pakushtëzuar.
“Së dyti, më lejoni të them se përpjekjet tona të përbashkëta për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, janë minuar dhe kundërshtuar në mënyrë të pakuptueshme nga disa drejtime”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Sipas tij, faktori ndërkombëtar nuk ka dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet për marrëveshje gjithëpërfshirëse, dhe se kjo përçarje, ka pasur reflektime tepër negative në spektrin politik në Kosovë, dhe si rrjedhojë, ka pasur qëndrime kundërthënëse dhe vështirësi të mëdha në themelimin e Ekipit Negociues gjithëpërfshirës në Kosovë.
I pari i Kosovës, ka shprehur skepticizmin e tij se një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale mund të arrihet në rast se shtetet e Quinitit nuk janë të bashkuara dhe në rast se nuk flasin me një zë, shkruan RTK.
“Për më tepër, ju të gjithë e dini se marrëveshja është e pamundur pa rolin vendimtar të SHBA-ve”, ka shtuar ai. Ai po ashtu ka thënë se shtetet fqinjë në rajon, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk janë treguar aspak ndihmuese ndaj përpjekjeve tona.
Kreu i vendit ka thënë se pavarësisht faktit se kur dhe si do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet të dy shteteve është thjesht i pashmangshëm.
No comments:
Post a Comment