Prof.dr. Eshref
Ymeri
Rama asnjëherë nuk ka qenë një njeri i
vetëmjaftueshëm. Ai gjithmonë ka pasur nevojë për një armik ose për një skllav
për të arritur vetëvlerësimin. Por kjo nuk është gjë tjetër, përveçse kompleks inferioriteti.
Por po të marrim parasysh përcaktimin “tip
kriminal” që e ka përpunuar psikiatri i shquar italian Çezare Lombrozo (Cesare Lombroso - 1835-1909), atëherë mund të themi se ai i përshtatet Ramës
pothuajse në një mënyrë ideale.
Sipas
Lombrozos, veçoria e parë e “tipit
kriminal”, është aftësia për të hyrë “nga
porta kryesore”, për t’iu përshtatur natyrshëm gjendjes shpirtërore të
çdolloj grupi. Dhe në këtë mes kemi të bëjmë gjithashtu me tipare të tilla si
pabesia, fryma e dyshimit, ndjenja e hakmarrjes, ruajtja e inatit, mungesa e
plotë e shpirtmadhësisë, egoizmi i skajshëm, etja për pushtet dhe fodullia e
neveritshme, egërsia, pedantizmi (që gjithçka të bëhet ashtu siç i teket atij),
natyra gënjeshtare, mbizotërimi i interesave materialopushtetore në një formë
nga më të vrazhdat, natyra ziliqare, ndryshimet e menjëhershme dhe të furishme
të gjendjes shpirtërore, prej “keqardhjes” së zjarrtë deri në distrofi dhe
natyrë hakmarrëse inatçore, hiperseksualiteti, tipare këto që nuk zhduken madje
edhe me ardhjen e pleqërisë dhe që shoqërohen me arrogancën në rritje me
kalimin e moshës.
Veçoria e dytë e “tipit kriminal”, sipas Lombrozos,
është mungesa e bashkëpërjetimit, domethënë e mundësisë për ta vënë veten
mendërisht dhe emocionalisht në vendin e tjetrit, mungesa e aftësisë për
keqardhje, shpërfillja ndaj ndjenjave të tjetrit.
Kur Rama kishte një vit e gjysmë që
kishte ardhur në krye të qeverisë, në njërën nga faqet e internetit qe botuar
informacioni në vijim:
“Hatire Piciri, 86 vjeçe, sot
ndodhet ne burg, se nuk kishte mundësi të paguante energjinë elektrike! Kjo
Nënë jeton e vetme dhe nuk ka mundesi të paguajë energjinë, se lekët që merr nga pensioni nuk i dalin per ilaçe!
Deri këtu ka arritur qeveria, sa të futë në burg te moshuarit dhe t’u heqë
oksigjenin femijëve!” (Citohet sipas: “Hatire Piciri, 86 vjeçe, me 28 shkurt 2015 është futur në
burg, se nuk kishte mundesi të paguante
energjinë elektrike!”.
Faqja e internetit
“gazetashqipëriajonë”. 22 janar 2016).
Disa muaj më vonë
pas kësaj ngjarjeje të turpshme për Ramën, publiku i gjerë u njoh me një tjetër
ngjarje, shumë më të rëndë, madje të kobshme, si më poshtë:
“Pasi e lanë prej muajsh në terr, duke i ndërprerë energjinë
elektrike, sepse nuk kishte mundësi të paguante, sot është ndarë nga jeta. Bëhet
fjalë për një të moshuar 91-vjeçare nga fshati Fang i Mirditës. Barbulla Pepa
jetonte e vetme në kushte të varfërisë ekstreme. Fqinjët e saj e kanë gjetur të
vdekur në shtëpinë tejet të vjetër dhe pa kushtet më minimale. Po fqinjët kanë
hapur dyert për mort për nënë Barbullën. Rreth një muaj e gjysmë më parë,
përmes medias, ajo i bëri apel OSHEE-së t’i rilidhte energjinë, sepse nuk
kishte mundësi ta paguante, por thirrjet e 91-vjeçares ranë në vesh të
shurdhët” (Citohet sipas: “OSHEE i ndërpreu energjinë elektrike, vdes
nga të ftohtit e moshuara”. Faqja e internetit “Lapsi Lajme”. 11 dhjetor 2015).
Pra, atë plakë të gjorë OSHEE-ja nuk e
mëshiroi, sepse zbatoi urdhrin që lëshoi Rama për ndërprerjen e energjisë
elektrike, pavarësisht nga rrjedhojat tragjike që mund të vinin më pas. Vdekja
e asaj plake të mjerë sigurisht që nuk e ka rënduar aspak ndërgjegjen e Ramës,
sepse në qenien e tij është krejtësisht e huaj ndjenja e keqardhjes.
Veçoria e tretë e “tipit kriminal”, - thekson
Lombrozo, - është atavizmi
psikologjik - shfaqja e tipareve më negative të pararendësve primitivë - dhe,
në rastin konkret të Ramës, është atavizmi i të menduarit, një atavizëm ky prej
çekisti mendjengushtë, një atavizëm i të menduarit totalitar, prostalinist,
proenverist.
Veç kësaj, situatën e rëndon edhe më
shumë fakti që Rama ka zgjedhur rreth vetes njerëz të formimit të tij
psikologjik. Pa dyshim që një pjesë e deputetëve të tillë formim ka. Po ashtu,
ai ka krijuar armatën e analistucëve, e gazetarucëve dhe të publicistucëve, të
cilëve, si qenie të zhveshura nga çdolloj tipari njerëzor, u shtohet jeta
kur zejen e zvarranikut para
kryepushtetarit, pavarësisht se ç’krahu të politikës i përket ai, e ushtrojnë
me aq pasion të papërmbajtur. Formimi i tyre psikologjik prej zvarranikësh të
pështirë, është shpalosur më së miri në sulmet e egra që kanë ndërmarrë muajt e fundit
kundër Profesor Berishës, duke dalë në mbrojtje të Bashës, të cilin Rama e pati
shndërruar në “eunukun” e vet politik natën e 17-18 majit 2017. Pra, pas ngjarjeve që pasuan pas
vendimit që “eunuku” politik Basha mori më 09 shtator kundër Profesor Berishës,
armata e lartpërmendur nxori në pah tërë duhmën e plehut ku ajo vegjeton në
zvarritjen e saj para Ramës.
Krejt periudha e qeverisjes së Ramës do
të shënohet në historinë e mbarë kombit shqiptar, si periudha e “turpit të Shqipërisë”, si koha e
dështimit të Shqipërisë në të gjitha drejtimet. Të gjitha vitet e qeverisjes së
Ramës, janë vitet e turpit të “bujkrobërve” të tij socialistë, janë vitet e turpit
të popullit shqiptar, janë vitet e heshtjes së turpshme, janë vitet e turpit të
inteligjencies shqiptare, e cila, në shumicën e vet, është tërhequr zvarrë para
këtij njeriu pa kurrfarë vlere.
Kaliforni,
05 janar 2022