Ndërkohë Gjermania dhe Austria u thanë qytetarëve të tyre të largoheshin nga Ukraina. Agjencia ajrore gjermane Lufthansa anuloi fluturimet për në kryeqytetin Kiev dhe në Odessa, një port i Detit të Zi që mund të jetë një objektiv kyç në rast sulmi.
Presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet me Këshillin e Sigurisë Kombëtare të dielën, njoftoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki të shtunën teksa ripohoi se "Rusia mund të nisë një sulm kundër Ukrainës në çdo kohë".
Presidenti Putin kryesoi stërvitjet ushtarake të shtunën ndërsa bombardimet u përshkallëzuan në Ukrainën lindore.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se stërvitjet e së shtunës, për të cilat Kremlini thotë se ishin planifikuar më herët për të parë shkallën e gatishmërisë, përfshinin lëshimin raketave balistike ndërkontinentale. Ato u ndoqën nga presidenti rus dhe ai i Bjellorusisë.
'Gati për të sulmuar'
Të shtunën, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se më shumë se 150,000 trupa ruse që janë grumbulluar në kufirin e Ukrainës "tani janë gati për të sulmuar”. Ai foli me gazetarët në Lituani, ku presidenti lituanez, Gitanas Nauseda, bëri thirrje për një prani të shtuar të trupave amerikane.
Në Konferencën e Sigurisë së Munihut, nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, paralajmëroi se plani i Rusisë tashmë është duke u shpalosur. Ajo tërhoqi vërejtjen se Rusia do të mund të krijojë pretekst të rremë për pushtim, ndërsa paralajëroi sanksione te ashpra nëse Rusia pushton Ukrainën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se i ka dërguar një letër ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, duke bërë thirrje për një takim të Këshillit NATO-Rusi, për të shmangur një konflikt në Ukrainë. Sekretari Stoltenberg tha në Konferencën e Sigurisë në Munih, se nuk ka prova se Rusia ka tërhequr ndonjë nga trupat e saj nga kufijtë e Ukrainës dhe se ekziston një rrezik real i konfliktit.
No comments:
Post a Comment