Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/02/23

A do të ballafaqohet Serbia me sanksione për shkak të armatimit nga Rusia?

 



Sistemi rus i mbrojtjes

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se nuk do të ketë sanksione amerikane për Serbinë. Ai këto komente i bëri pas takimit me zyrtarin e Departamentit të Shtetit, i ngarkuar për sanksione ndaj vendeve që bashkëpunojnë me Rusinë, Thomas Zarzecki.

Sipas tij, Serbia nuk ka asgjë për të fshehur dhe se Zarzecki ishte i kënaqur me ato që i ka dëgjuar nga zyrtarët serbë.

Ai shtoi se mesazhi kryesor që ai i përcolli zyrtarit amerikan ishte se Serbia dëshiron një marrëdhënie të hapur dhe nuk ka ndërmend të hyjë në konflikt me SHBA-në.

Thomas Zarzecki, është drejtor i Task Forcës 231 në Byronë për Siguri Ndërkombëtare dhe Kontroll të Armëve në Departamentin amerikan të Shtetit.

Në uebfaqen e Departamentit të Shtetit thuhet se Thomas Zarzecki drejton "Task Forcën 231", e cila kontrollon zbatimin e nenit 231 të Aktit të Sanksioneve duke zhvilluar dhe zbatuar sanksione dhe iniciativave politike kundër atyre që angazhohen në transaksione të rëndësishme me sektorët e mbrojtjes dhe inteligjencës ruse.

Me fjalë të tjera, Zarzecki drejton një grup pune të ngarkuar me vendosjen e sanksioneve për sektorin e sigurisë ruse, si dhe për të gjitha kompanitë, individët dhe shtetet që bashkëpunojnë me sektorin ushtarak dhe inteligjencën ruse.

Vizitën e zyrtarit të lartë amerikan në Beograd e kishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, ambasada amerikane në Beograd.

"Zarzecki do të takohet me zyrtarë qeveritarë për të zhvilluar konsultime lidhur me ligjin 'Kundërvënia ndaj rivalëve të Shteteve të Bashkuara përmes Aktit të Sanksioneve (CAATSA)'.Zarzecki tashmë ka vizituar mbi 60 vende", thuhej në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së.

Vizita e zyrtarit amerikan pason një stërvitje të përbashkët për mbrojtjen ajrore mes Serbisë dhe Rusisë më 25 tetor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se është i impresionuar nga ajo që mund të bëjnë sistemet ruse tokë-ajër.

Sistemi S-400 do të kthehet në Rusi pas gjashtë ditësh stërvitje, ndërsa Vuçiq tha se qeveria e tij e ka blerë sistemin Pantsir-S.

Por, duke komentuar paralajmërimet për një vendosje të mundshme të sanksioneve amerikane ndaj Serbisë, presidenti, Aleksandar Vuçiq ka thënë se qytetarët "nuk duhet të brengosen" në lidhje me këto pretendime duke shtuar se autoritetet serbe "po ndjekin një politikë të përgjegjshme".

“Kur SHBA-ja merr vendime për këto sanksione - dhe nuk vendos lehtë për ato - i imponojnë ndaj një kompanie ose një individ, jo ndaj njerëzve. Nuk janë sanksionet që do të ju godasin juve", tha ai në një intervistë për televizionin Pink.

Ai shprehu besim se autoritetet serbe "do të vazhdojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet e mundshme me partnerët amerikanë", siç kanë bërë deri më tani.

Kosova e sheh kërcënim armatosjen e Serbisë

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës tërheqin vërejtjen se pajisja e Serbisë me armatim nga Rusia paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për Kosovën, paqen e brishtë në rajon, si dhe perspektivën euro-atlantike.

Autoritetet në Kosovë, kanë kërkuar nga Beogradi që t'u jap fund veprimeve të tilla që mund të paraqesin tensionim të gjendjes së sigurisë në rajon.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se armatosja e vazhdueshme e Serbisë me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina (pancirë, sisteme të mbrojtjes ajrore, dronë), është kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën dhe paqen e brishtë në rajon.

"Serbia duhet ta ndalë këtë çmenduri para se të bëhet vonë!", ka thënë Haradinaj.

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...