Mediat pro-qeveritare në Serbi kanë raportuar se oficeri i parë i inteligjencës së Kremlinit, Nikolai Patrushev, i cili është bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, do të vizitojë Beogradin më 28 shkurt.
Sipas këtyre raportimeve, që kanë arritur edhe në mediat ndërkombëtare, Patrushev do të bisedojë me zyrtarët serbë për pretendimet se “mercenarët” nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina “do të luftojnë në Ukrainë kundër palës ruse”.
Ky informacion është prezantuar së voni nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Konfirmim zyrtar për këtë vizitë nuk ka ende, pasi Presidenca e Serbisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për çështjen në fjalë.
Paralajmërimi i kësaj vizite nga zyrtarët rusë është bërë në ditët kur konflikti midis Ukrainës dhe Rusisë po përshkallëzohet.
Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura. Putin po ashtu ka urdhëruar dërgimin e trupave atje.
Perëndimi ka nisur t’iu përgjigjet veprimeve të Moskës me sanksione të reja kundër individëve dhe rajoneve separatiste.
Rusia, në fakt, është nën sanksione qëkur ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin ukrainas të Krimesë, në vitin 2014, dhe ka nisur mbështetjen për lëvizjen separatiste në lindje të Ukrainës.
No comments:
Post a Comment