Senatorja amerikane nga shteti i Ajovës, Joni Ernst, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është i rrezikuar jashtëzakonisht shumë nga ndikimi dhe propaganda ruse.
Duke folur për Kosovën, senatorja Ernst tha se shpreson se shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që shtoi se mbështet faktin që Kosova të ketë ushtrinë e saj, ushtri kjo që mund të kontribuojë në paqe jo vetëm në rajon, por edhe në skenën ndërkombëtare.
Senatorja Ernst ka shërbyer për mbi 23 vjet në Ushtrinë amerikane dhe po ashtu është gruaja e parë, veterane e ushtrisë, që u zgjodh në Senatin amerikan.
Sipas saj, ndikimi rus është duke u rritur në Ballkanin Perëndimor, veçmas ne Serbi, shtet të cilit i bëri thirrje që të rreshtohet me shtetet perëndimore.
“Ajo (Serbia) duhet të shkëputet, dhe shpresoj që të kthehet nga Perëndimi dhe që të shohin mirëqenien dhe prosperitetin që vjen duke u bërë aleate më e mirë me NATO-n apo duke u afruar më shumë me kombet në Perëndim. Sigurisht se do t’i kishin punët shumë më mirë nëse do të largoheshin nga Rusia”, deklaroi Ernst.


No comments:
Post a Comment