Pekini është duke shikuar nga afër pozicionimin e ushtrisë ruse afër kufirit me Ukrainën, duke e parë këtë situatë si test për unitet politik në Perëndim, por edhe si mundësi për forcim të lidhjeve me Moskën, kanë thënë analistët.
Në një thirrje telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken më 27 janar, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe aleatet e saj “të mos rrisin krizën” rreth Ukrainës dhe ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore, duke thënë se “duhet të merren parasysh shqetësimet e arsyeshme të Rusisë sa i përket sigurisë”.
“Siguria rajonale nuk mund të garantohet përmes forcimit apo edhe zgjerimit të blloqeve ushtarake”, ka thënë Wang, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme, duke bërë kështu një referencë ndaj kërkesave të Kremlinit, ku përshihet edhe ajo që Ukraina të mos i bashkohet NATO-s.
Pekini ka qenë kryesisht i heshtur prej kur Rusia ka pozicionuar mbi 100,000 trupa, mirëpo deklaratat e Wang, në të cilat është përsëritur kërkesa e presidentit rus, Vladimir Putin, kanë qenë më të drejtpërdrejtat në të mirë të Kremlinit, çka tregon për rritje të lidhjeve në mes të qeverive të dy shteteve dhe kundërshtimit të përbashkët ndaj Shteteve të Bashkuara.
Ndonëse nuk janë pjesë e ndonjë aleance zyrtare, Pekini dhe Moska kanë kthyer marrëdhëniet diplomatike dhe ato për mbrojtje në një partneritet të fortë që duket se vetëm thellohet pasi Putin do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping në Kinë për një samit dhe më pas do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, të cilat nisin në Pekin më 4 shkurt.
Përveç gjetjes së mundësive nga situata në Ukrainë, për qortuar Shtetet e Bashkuara dhe për të rritur marrëdhëniet me Moskën, analistët besojnë se Kina e sheh këtë situatë edhe si test të rëndësishëm për Perëndimin dhe zgjidhjen që bën ai, pasi kjo gjë mund të ketë pasojë afatgjata në mënyrën sesi Pekini e menaxhon çështjen me Tajvanin.
“Kina është gjithmonë duke analizuar sesi aleancat perëndimore sikurse NATO-ja përballen me presion”, ka thënë Theresa Fallon, drejtore e Qendrës për Studime të Rusisë, Evropës dhe Azisë në Bruksel, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Kjo gjë e çon krizën përtej Ukrainës. Kjo gjë përbën edhe më shumë stres për Perëndimin nga këndvështrimi i Pekinit”.
Testi i lakmusit?
Tensionet në Ngushticën e Tajvanit, zonë që ndan ishullin nga Kina, janë rritur në vjetët e fundit, pasi Pekini vazhdimisht çon aeroplanë në zonën ajrore tajvaneze dhe zhvillon stërvitje ushtarake afër ishullit.
Pekini konsideron që Tajvani është pjesë e Kinës dhe “ribashkimi” me këtë ishull është kthyer në çështje të rëndësishme për presidentin kinez.
Ndonëse lideri kinez përsërit deklaratat për bashkim paqësor me Tajvanin, ai ka thënë se nëse ka nevojë, Pekini do ta rikthejë atë edhe me forcë.
Duke pasur parasysh ambiciet territoriale të Kinës, përgjigja e Perëndimit ndaj kërkesave të Moskës për siguri është duke u shikuar me shumë vëmendje nga Pekini.
“Ukraina është vend ku takohen interesat e Rusisë dhe Kinës”, ka thënë Jessica Brandt, hulumtuese në Institutin Brookings, në një koment për Radion Evropa e Lirë.
“Ato kanë objektiva të ndryshëm në periudhë afatgjatë, mirëpo në të ardhmen e afërt janë të bashkuara për të dëmtuar fuqinë e Shteteve të Bashkuara dhe kohezionin evropian”.




No comments:
Post a Comment