Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/02/23

Mungesa e gazit rus mund të shkaktojë “katastrofë” në Evropë

 



Gazi natyror që rrjedh nga tubacionet e Rusisë, ngroh shtëpitë dhe objektet në pjesën më të madhe të Evropës. Thënë ndryshe, Rusia është furnizuesja më e madhe e Evropës me këtë lëndë. Një e treta e gazit, që arrin në kontinent, kalon përmes Ukrainës.

Tani, kur frika për pushtimin e Ukrainës nga Rusia është rritur, njësoj janë rritur edhe shqetësimet për zvogëlimin ose ndërprerjen e gazit rus në Evropë.

Shtetet e Bashkuara, por edhe vende të tjera perëndimore, e kanë kërcënuar Rusinë me sanksione shkatërruese, nëse sulmon Ukrainën.

Politikëbërësit rusë kanë paralajmëruar se nëse vendi i tyre shkëputet nga sistemi ndërkombëtar i bankave, ashtu siç është paralajmëruar, atëherë gazi rus nuk do të rrjedhë.

“Nëse Rusia shkëputet nga SWIFT, atëherë ne nuk do të kemi para në qarkullim. Dhe blerësit tanë, e para së gjithash vendet evropiane, nuk do t’i marrin mallrat tona: naftën, gazin, metalet dhe përbërësit e tjerë të rëndësishëm të importeve të tyre”, ka thënë nënkryetari i Këshillit të Federatës ruse, Nikolay Zhuravlev, për agjencinë e lajmeve Tass.

Një prej sanksioneve më të mëdha po llogaritet të jetë largimi i mundshëm i Rusisë nga sistemi SWIFT.

Këto paralajmërime kanë bërë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të kërkojnë furnizime alternative.

Në një deklaratë të përbashkët, të lëshuar në fund të muajit të kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë thënë se “SHBA-ja dhe BE-ja janë duke punuar së bashku për të siguruar furnizim të vazhdueshëm dhe të mjaftueshëm të BE-së me gaz natyror, nga burime të ndryshme anembanë globit”.

Von der Leyen ka diskutuar për blerje të gazit edhe me emirin e Katarit. Komisionarja e BE-së për Energjinë, Kadri Simson, është fokusuar në bisedime me Azerbajxhanin, ndërsa më 7 shkurt është mbledhur edhe Këshilli i Energjisë SHBA-BE, për të diskutuar alternativat.


Çka ia ndal turrin Putinit?
 EMBED

No media source currently available

0:000:10:230:00

Disa analistë thonë se me gjithë përpjekjet, gazi rus do të jetë vështirë i zëvendësueshëm, së paku edhe për 10-15 vjet. Nikos Tsafos, ekspert për sigurinë energjetike në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Gazi rus është kritik për Evropën. Ai mbulon rreth 40 deri në 45 për qind të importeve të Evropës. Për disa vende është më i rëndësishëm se për të tjerat. Realiteti është se, tani për tani dhe për të ardhmen e afërt, Evropa nuk mund të funksionojë pa gazin rus”.

Cila mund të jetë alternativa?

Tsafos thotë se ndërprerjet e vogla të furnizimeve ruse do ta rëndonin, por nuk do ta prishnin sistemin. Ndërprerja e plotë, sipas tij, do të ishte diçka tjetër.

“Nëse ndërpritet vetëm gazi që kalon përmes Ukrainës, kjo do të ishte një gjë e dhimbshme, por e menaxhueshme. Nëse flasim për reduktim në zero të gazit rus në Evropë, atëherë do të ishte katastrofë. Do të ishte jashtëzakonisht e vështirë për Evropën që të përshtatet për një kohë të shkurtër me një humbje kaq të madhe”, thotë Tsafos.

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...