Shtetet e Bashkuara dhe Britania e kanë akuzuar Rusinë se qëndron prapa sulmeve kibernetike të 15 shkurtit ndaj Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës dhe sistemit bankar të vendit.
Anne Neuberger, shefe për kibernetikë në Shtëpinë e Bardhë, u tha gazetarëve më 18 shkurt se “ne besojmë se Qeveria ruse është përgjegjëse për sulmet e gjera kibernetike gjatë kësaj jave ndaj bankave ukrainase”.
Neuberger tha se zyrtarët amerikanë vendosën që t’i bënin publike këto informacione për sulmet kibernetike për shkak të urgjencës së situatës, pas grumbullimit të trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës.
Neuberger tha se ekspertët amerikanë kanë të dhëna që tregojnë se infrastruktura e lidhur me agjencinë ruse të inteligjencës ushtarake GRU “është parë duke transmetuar vëllime të mëdha komunikimesh në adresat dhe domenet me IP në Ukrainë”.
Edhe zyrtarët në Britani thanë se ishin “më se të sigurt për përfshirjen” e GRU-së në sulmet kibernetike, që goditën ueb-faqet e institucioneve ukrainase që kanë shumë të dhëna.
“Sulmi tregoi shpërfilljen e vazhdueshme ndaj sovranitetit ukrainas”, tha përmes një deklarate Zyra e Komonuelthit dhe Zhvillimit të Jashtëm të Britanisë (FCDO).
“Ky aktivitet është një shembull tjetër i veprimeve agresive të Rusisë ndaj Ukrainës”, tha kjo zyre.

No comments:
Post a Comment