Ka sinjale alarmante se po përgatiten ndryshime kontraversale në shërbimin sekret shqiptar.
Me një operacion blitz, Edi Rama ka vendosur të propozojë Vlora Hysenin, si shefe e shërbimit sekret shqiptar.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kryeministri, pikërisht pasi ka shkuar në presidencë për të marrë firmën e Presidentit Bajram Begaj, duke bërë kështu një presion ndaj Presidentit. Të cilin në postimin e parë e nxori në një foto poshtëruese, por siç duket me insistimin e Begajt e ka ndryshuar. Ky akt i kryeministrit ishte dukshëm provokator dhe mjaft i rrezikshëm, ngaqë kemi të bëjmë me një post shumë të rëndësishëm të sigurisë kombëtare, i cili sipas Kushtetutës është kompetencë e ndarë mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit. Ky i fundit ka vetëm të drejtën e propozimit, ndërkohë që vulosja i takon kreut të shtetit.
Së pari, emërimi i një drejtuesi të lartë të shërbimit sekret do të duhet të konsultohej gjatë, e jo si procedurë blitz. Nga ana tjetër, vetë propozimi përbën një zhvillim të rrezikshëm.
Vlora Hysenin, Rama e mori së fundmi si këshilltare për sigurinë kombëtare, pasi ajo u shkarkua si drejtuese e AKI, shërbimit sekret të Kosovës, prej Presidentes Vjosa Osmani. E së pari, homologu shqiptar i Osmanit, Bajram Begaj, duhet të marrë një feedback të qartë për shkarkimin e saj.
Përveçse një emërim kontraversal, që sipas gjasave do të sjellë edhe probleme nga kancelaritë europiane, që nuk mund ta presin mirë një shkëmbim kaq sensitiv ndërmjet zyrtarëve të inteligjencës së Shqipërisë dhe Kosovës, emërimi i kreut të SHISH tregon një zhvillim edhe më shqetësues.
Atë që Edi Rama, thuajse ka marrë kontrollin e plotë në shërbimin sekret të tij, të cilin po e përdor si feud politik. Jemi kthyer në kohën e Berishës së tretë, kur me zgjedhjen e të ndjerit Bujar Nishani, vuri kontrollin e SHISH.
E sinjalet në këtë rast janë edhe më alarmante, pasi siç mësohet po përgatiten ndryshime mjaft kontraversale në shërbimin sekret. Zëra pranë mazhorancës, thonë se këshilltari rumun i Ramës, e ka mbushur me ide të rrezikshme, ku njëra nga të cilat është ndarja e SHISH në dy pjesë, zbulimin me jashtë dhe spiunazhin e brendshëm. Zbulimin me jashtë, duket se Rama synon ta mbajë në lidhje të afërta me amerikanët dhe shërbimet partnere, siç ka qenë deri më sot, ndërkaq, spiunazhin e brendshëm ta ngrejë në një lloj MIT-I alla Erdogan, ku të kontrollojë e të fusë duart në informacionet e brendshme. Që nga kundërshtarët politikë, biznesi, e natyrisht ata që i ka si kundërshtarë. Nëse ndodh kjo është një devijim i rëndë dhe një nismë totalisht antikushtetuese. Pasi SHISH sipas kryeligjit të Shqipërisë, është një institucion unik, e që kontrollohet nga Parlamenti, pavarësisht se i raporton Kryeministrit dhe Presidentit.