2024-02-29

“Mësuesja ime e pashpirt, e cila më tha; mëso sa të duash se kazma të pret, një ditë u përdhunua nga disa ushtarë dhe…”/ Dëshmitë e rralla të vajzës nga Tirana, që u internua në moshën 10 vjeçare

 


Intervistoi: Violeta Murati   

Pjesa e parë

Memorie.al / Një lëndë romanore e rrallë, rrëfim historik nga diktatura se si e përjetoi persekucionin një adoleshente. Alma Gjurgji, në librin “Krahë të këputur”, të botuar së fundi nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave Komuniste, ka treguar në formë letrare, për historitë e tmerrshme përndjekjes në diktaturë…! Nëse “romani” e realizon misionin e tij, së shpejti ky libër, do të tregohet edhe nga kinemaja, nga regjisori Besnik Bisha       

Znj. Alma, ju keni shkruajtur një memuar të rrallë. Një vajzë 10 vjeçare që rrëfen të kaluarën, persekutimin. Si mundet ta organizonit një kujtesë të tillë, prej një vajze të vogël?

Mendoj se çdo qenie njerëzore, ka një rrugëtim të caktuar në jetën e saj, që në mënyrë të pashmangshme është e mbushur me ngjarje të thjeshta, apo mbresëlënëse. Këto episode jetike, fiksohen në memorien e secilit prej nesh. Sigurisht ngjarjet e pazakonta, ato që dhëmbin shumë, ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën tonë, është vështirë të harrohen. Të tilla kanë qenë ato, që shoqëruan vitet e brishta të fëmijërisë dhe të rinisë sime, ashtu si qindra e mijëra fëmijëve të tjerë, që së bashku me familjet e tyre, vuajtën në kampet e internimit.

Fëmijë të pafajshëm, që duhej të vuanin pafundësisht, brez pas brezi, për bindjet politike të gjyshërve baballarëve, apo të afërmëve të tyre. E si mund të harroj ditëlindjen time të 10-të, për të cilën kisha fantazuar një tortë me qirinj, urime dhe dhurata nga të gjithë të afërmit e mi. Pikërisht atë ditë, të hipur majë një makine përbindësh, familjarisht po internoheshim nga Tirana…! Këtë episod kaq të dhimbshme e kam përshkruar kështu në librin tim: […] 

“Nuk mbaj mend me saktësi sa orë zgjati ai udhëtim drejt ferrit. E hipur majë dengjeve, ndjeja lëkundjet e pamëshirshme të asaj makine të zezë në rrugët e pashtruara, me gropa e gurë, mes atyre kodrave me shkurre të përzhitura nga vapa e verës, që ishte në ditët e fundit të saj. Në të ngrysur mbërritëm në fshatin që ishte caktuar për familjen time, diku në kodrat e Dumresë.

Makina ndaloi në mes të fshatit dhe rreth saj u afruan disa banorë të tij. Me një kuriozitet të natyrshëm, por dhe me një gëzim të lig se “armiqtë” kishin marrë “ndëshkimin e merituar”, u munduan të orientojnë shoferin, të vijonte dhe disa metra më tutje, drejt asaj kasolleje që ishte caktuar për ne.

Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë më parë. Ishte vërtet një kasolle e ndërtuar me shkarpa dhe e mbuluar me kashtë. Dyshemeja me dhe. Ngjitur me atë vrimë që quhej derë, ishte një gur i stërmadh me forma të çrregullta, dhe unë nuk e kuptova kurrë si dhe pse ai gur ishte vendosur aty.

Ndoshta ishte shkëputur nga kodrat përreth dhe kasollja ngjitur me të, ishte ndërtuar shumë kohë më pas. Ndoshta. Deri në atë kohë kisha besuar se të tilla kasolle, ngrihen për kafshët shtëpiake, dhe më kishte ndodhur të shihja të tilla edhe në ndonjë film, për jetën e fiseve dhe tribuve të Afrikës.

Jo, nuk isha në ëndërr dhe as në kinema. Ajo kasolle ishte e vërtetë dhe ne duhej të banonim aty. Ishim të gjithë të mpirë, ndërsa mamaja nuk e mbajti më veten, ia plasi të qarit. Motra ime e vogël, vazhdonte të shtrëngonte kukullat e saj, ndërsa kaçurrelat e verdha i ishin ngjitur në fytyrë nga djersët dhe vuajtjet e rrugës.

Sytë e kaltër, më të bukura se qielli pranveror, e kishin humbur shkëlqimin e tyre. Ajo krijesë e vogël kishte inteligjencën dhe intuitën, të mos kërkonte asgjë, nuk kërkoi të hante, nuk kërkoi të flinte, vetëm na vështronte me radhë, si për të kuptuar shkaqet e asaj situate të panatyrshme”! […].

Me lejoni të kujtoj se gjatë këtyre viteve, është shkruar mjaftueshëm për historitë e tmerrshme të persekucionit komunist, por me keqardhje kam konstatuar dhe përjetoj një indiferencë të pazakontë dhe cinike, ndaj këtyre vuajtjeve. Sigurisht që kujtimet e atij trajtimi çnjerëzor, ishin të gjalla brenda meje, por nuk kisha menduar asnjëherë, që të shkruaja rreth tyre. Shtysë për këtë u bë një moment i veçantë, rreth tre vite më parë. E tmerrshmja “luftë e klasave”, në një formë tjetër, po riciklohej sërish në realitetin e tranzicionit të trazuar shqiptar.

Kështu, në shkelje të çdo ligji u përjashtuan nga puna me qindra dhe mijëra persona, që kishin bindje politike të ndryshme nga partia në pushtet. Një luftë e pafund, një përjashtim mizor nga mundësitë e integrimit dhe mjetet e jetesës. Gjithë këtë ngarkesë negative dhe dhimbje që akumulova sërish, kisha nevojë ta shkarkoja diku…!

Kështu u ula të shkruaj, gjë që nuk e kisha bërë kurrë më parë. M’u duk sikur me mundim zgjidha grykën e një thesi të mbyllur mirë. Kujtimet ishin aty, mjaftonte vetëm t’i tregoja rrugën për të dalë jashtë. Po shkruaja vetëm për vete. Ishte një konfidencë që, nuk kisha menduar asnjëherë se, do ta ndaja me qindra mijëra të tjerë.

Fragment pas fragmenti, episod pas episodi, dhe rezultati ishte libri im i parë; “Krahë të këputur”. Familjarët dhe miqtë e mi të afërm, të mrekulluar për stilin e atij rrëfimi, sa të vërtetë, po aq dhe mbresëlënës, me inkurajuan që këtyre kujtimeve dhe fakteve të tmerrshme, duhej domosdoshmërisht t’i hapja rrugën e botimit.

Dhe kështu ndodhi. I vlerësuar nga Instituti i Studimit dhe Botimit të Krimeve të Komunizmit, si një kontribut në hedhjen dritë dhe denoncimin e këtyre krimeve, ky libër gjeti rrugën e botimit prej tij.

“Krahë të këputur” është quajtur libri, është gati në zhanrin e një historie pak të vështirë për t’u “besuar”, por lexohet si një histori romanore. Kurioziteti është i natyrshëm mbi përjetimet e kësaj fëmije, që u bë adoleshente, si mundet të reflektojë tani?

Teksa më drejtonit këtë pyetje, m’u kujtua një prononcim i At Zef Pllumit, dhënë në intervistën e fundit të tij, para se të ndërronte jetë. I pyetur për vërtetësinë e rrëfimeve në librin emocionues “Rrno për me tregue”, ai pak a shumë u përgjigj në këtë mënyrë: “….kam treguar shumë pak rreth të vërtetave të jetuara në ferrin komunist, pasi nuk dëshiroja të isha i pabesueshëm, për lexuesit e rinj…”!

Në këtë rast, unë do pohoja të njëjtën gjë për të vërtetat e jetës sime. Një kalvar persekucioni i shtrirë në 23 vite, sigurisht ka në përmbajtjen e tij, një numër të madh vuajtjesh, tmerresh, denigrimesh, shtypjesh dhe kërcënimesh për mua dhe familjen time. Për shkak të gjyshit të ekzekutuar nga regjimi komunist, konsideroheshim kundërshtarë politikë, ose për të qenë më e saktë, armiq të partisë.

Nëse do kujtoja e shkruaja rreth çdo episodi të jetuar në dhjetëvjeçarë, rezultati do të ishte një histori tejet e gjatë dhe interesi për të, do të ishte minimal. Për këtë arsye, bëra redaktimet dhe shkurtimet e duhura. Isha e ndërgjegjshme që në një material sa më të shkurtër të përmendja disa nga kujtimet e mia më të pashlyeshme dhe të dhimbshme…!

Qëllimi im ishte të përshkruaja me vërtetësinë më të madhe, përjetimin e atyre ngjarjeve fatkeqe,…çdo gërmë, çdo fjalë, çdo paragraf është i vërtetë, mbuluar me terror dhe tmerr. Eh, reflektimi i tanishëm…në realitet unë nuk kam mbajtur ditar. Kujtimet e mia shumë të sinqerta, janë sjellë në këtë libër, ashtu siç i kisha përjetuar.

Mendoj se, përpos të vërtetave të patjetërsueshme, libri im është ndërkohë dhe një reflektim për tragjeditë njerëzore të atyre përmasave. Ndonëse të vështirë dhe me kosto të mëdha për jetën e qindra e mijëra njerëzve, në fund të fundit e konsideroj gjithashtu një triumf, një ngadhënjim të së mirës mbi të keqen. Rënia e regjimit kriminal komunist, e konfirmon diçka të tillë.

Në libër tregoni mbi “refuzimet”…Ç’ishin këto përjetime për moshën tuaj?

Isha shume e vogël kur u përballa me refuzimet. Problemet që familja ime kishte me regjimin, i provova që në moshën 8 vjeçare, kur të dy prindërit e mi, u dëbuan nga arsimi për të punuar në Fermën Bujqësore “Gjergj Dimitrov”, në Sauk të Tiranës. Në të vërtetë, nuk e kuptoja çfarë ndodhte, pasi bisedat që kishin në themel padrejtësitë e sistemit, nuk mund të bëheshin kurrë në prani të një fëmije.

Përballja e parë e vërtetë me diktaturën dhe refuzimet e saj, dhe ndërgjegjësimi im për atë që po përjetonim, ndodhi në moshën 10 vjeçare. Kjo lidhet drejtpërdrejt me internimin e familjes sime, i cili u pasua nga flakje të njëpasnjëshme…ja si e kam përshkruar në librin tim, ditën e nesërme të internimit: […]

“Ndesha në vështrimin e pashpresë të prindërve të mi. I pashë të shkatërruar. Sytë e tyre ishin përhumbur poshtë rrathëve të zinj. Im atë me ftoi të afrohesha pranë dhe për herë të parë në jetën e tij, më shpjegoi atë që po ndodhte dhe shkaqet e saj. Më foli për diktaturën e proletariatit, për luftën e klasave, për të atin e tij intelektual, të ekzekutuar nga komunistët dhe se ne duhej të paguanim për këtë.

Duhej të paguanim të gjithë, madje dhe motra ime e vogël trevjeçare, që ende flinte. Ndërkohë gjumin e saj të pafajshëm dhe engjëllor, po e prishnin mizat dhe grerëzat që ardhja e ditës, i kishte gjallëruar.

Në agresivitetin e tyre dhe ato krijesa të vogla të natyrës, ishin kundër nesh. E gjithë kjo ishte shumë për mua. Një ditë më parë kisha mbushur dhjetë vjeç. Deri aso kohe, isha indoktrinuar dhe unë nga propaganda komuniste. Në shkollë më kishin mësuar, të isha e lumtur për Partinë dhe xhaxhin Enver, se; “Partia ishte nëna e të gjithë fëmijëve”. Më kishin mësuar se fëmijët shqiptarë “ishin më të lumturit në botë”, e të tjera broçkulla si këto.

Sa e sa vjersha për Partinë kisha mësuar dhe recituar…?! Im atë nuk po fliste me një fëmijë dhjetë vjeç, por me një të rritur, që duhej të ndërgjegjësohej, për atë që e priste. U ndjeva aq konfuze, sa nuk isha në gjendje të bëja asnjë pyetje. Vetëm përpiqesha të kuptoja. U përfshiva nga një dhimbje e gjithanshme. Po më shembej bota nën këmbë. Brenda tri ditëve, çdo gjë ndryshoi në atë që ishte jeta ime, çdo gjë që kisha besuar apo dëshiruar në ëndrrat e mia fëmijërore, nuk ekzistonte më…!

…Ndonëse isha vetëm një fëmijë, rrëfimi i jashtëzakonshëm dhe emocional i tim eti për atë që po ndodhte, më bëri të ndjehesha menjëherë e rritur. E kuptova se fëmijëria ime kish marrë fund, dhe se do të më duhej të përshtatesha me këtë realitet të shëmtuar, do të më duhej të ndihmoja prindërit, në përballimin e asaj jete të vështirë në atë skëterrë! […]

Ju përmendni vende, ku jeni degdisur, rreziqet, aventurat, gjendjet emocionale por asnjë emër, përveç një shoqeje, që është një personazh real. Ja për shembull historia e mësueses na duket e tmerrshme për nga demoralizimi psikik, pse nuk keni emra?

Për hir të së vërtetës, kjo pyetje më është drejtuar dhe më parë. Siç jam shprehur më lart, nisa të rikujtoj dhe shkruaj këto të vërteta të dhimbshme të jetës sime, pa menduar se rezultati do ishte një libër, tashmë i mirë-vlerësuar. Personazhet që shkaktuan aq padrejtësi për mua dhe familjen time, kanë një emër, dhe unë i kam të gjallë në kujtesën time. Por ata mjeranë, ishin pjellë e atij sistemi mostër që fabrikonte krijesa të tilla, të përbindshme.

Nuk jam penduar aspak që nuk kam përmendur emra, pasi qëllimi im ka qene dhe është të denoncoj atë sistem të pashpirt, që kishte ndërtuar atë strukturë të stërmadhe kriminale, që mbillte terror dhe shtypje që asnjë vend tjetër nuk e kishte përjetuar. Edhe nëse do t’i rikthehesha librit e ta rishkruaja, sërish nuk do ta bëja.

Mendoj se publikimi i bëmave, si dhe ndëshkimi moral i këtyre shërbëtorëve të paskrupuj të regjimit, është dhe mbetet detyrim i politikanëve, analistëve dhe historianëve. Tashmë ata individë, nuk kanë asnjë rol në jetën time, as nuk e di ku ndodhen.

Ndoshta disa prej tyre, janë diku nëpër botë, apo ndoshta janë në role drejtuese të politikës aktuale dhe në mënyrë cinike, japin leksione për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, ndërkohë që asnjëri prej tyre, nuk ka kërkuar ndjesë. Dëshiroj dhe uroj me gjithë shpirt, të reflektojnë dhe një ditë të pendohen për gjithçka kanë bërë. Për fat të keq, reagime të tilla njerëzore, të këtyre personave që shkatërruan jetë njerëzish, pothuajse nuk kam ndeshur asnjëherë.

Ndërsa personat e mësipërm në librin tim janë thjesht anonimë, nuk mund të rrija pa përmendur me emër, shoqen time të dashur të fëmijërisë, Ritën. Ajo ka qenë dhe është shumë më tepër se kaq. Është motra ime. Prindërit e saj më kanë bërë dhuratën më të bukur të atyre viteve. Pas vdekjes së gjyshes, më kanë mbajtur në shtëpi dhe më kanë trajtuar si bijën e tyre. Dhe kjo ndodhte në një periudhe terrori, kur të gjitha dyert e të afërmve, na ishin mbyllur.

Ajo familje më bëri të kuptoj dhe provoj mirënjohjen, ndoshta nga më të bukurat në botë. Ende sot e kësaj dite mbetet e tillë. Sa i takon marrëdhënies së vështirë me mësuesen e parë që pata në internim, pashpirtësinë e asaj, që duhej të ishte edukatore dhe prind i dytë, e kam përshkruar në këtë mënyrë:

[…] “Ndërsa marrëdhëniet me fëmijët e tjerë po ecnin drejt normalitetit, nuk mund të them të njëjtën gjë për mësuesen. E krahasoja me mësuesen time të mrekullueshme në Tiranë dhe ndjeja se ajo, nuk donte t’ia dinte fare për ata fëmijë, që ndonëse frekuentonin shkollën, ishin pothuajse analfabetë.

Ndryshe nga ata, unë kisha patur fatin të më rrinin mbi kokë, tre mësues në shtëpi. Sigurisht, këtu përfshij edhe gjyshen. Prindërit e atyre të ngratëve, gdhiheshin e ngryseshin arave për të siguruar bukën për fëmijët e shumtë, që sillnin në jetë. Në shenjë hakmarrjeje, me pushtoi dëshira ta sfidoja. Ishte një formë rebelimi. Veçanërisht në orën e matematikës, që ishte lënda ime e preferuar.

I bëja pyetje me të cilat e vija në vështirësi. Madje, ndjeja një lloj kënaqësie të pakuptueshme, kur asaj i ndryshonte ngjyra e fytyrës. Kishte raste kur i kërkoja mënyrat alternative, për zgjidhjen e disa problemeve. Duke kërcitur dhëmbët, ajo e duroi disa ditë këtë situatë, por një ditë në pamundësi për t’iu përgjigjur pyetjes sime, në kulmin e tërbimit më tha:

“-Mëso sa të duash, kazma të pret”. Ky shpërthim ndodhi në klasë, në sy të gjithë fëmijëve, të cilët shihnin të habitur herë mua, herë mësuesen. Unë kisha pritur një reagim prej saj, por kurrë kaq të pamëshirshëm dhe vrasës të shpresës dhe ëndrrave. Isha aq e mpirë, gati të qaja.

Në atë regjim çnjerëzor, kishe ndrojtje edhe të qaje…! Lotët mund të konsideroheshin pakënaqësi dhe sfidë për sistemin. Lotët e pafajshëm të një krenarie të vrarë ishin kërcënim. Ka disa momente në jetë, që lënë gjurmë të thella dhe ky ishte një prej tyre. Ndjeva të ndahesha në copëza të brishta e të dëshpëruara, të cilat më zbehën besimin se një ditë, do të arrija t’i mblidhja e t’i ngjisja sërish.

E urreva me gjithë shpirt atë mësuese. Është një nga personat e paktë që kam urryer. Jo se kanë qenë të paktë ata që më kanë lënduar, por isha unë që më pas, u mundova ta përjashtoja urrejtjen nga bota e ndjenjave të mia. Nuk më linte të jetoja. Ishte shumë sfilitëse si ndjenjë, gërryese, aq sa më zinte frymën. Unë e doja aq shumë shkollën dhe kisha thurur ëndrra, se çfarë doja të bëhesha kur të rritesha. Pas kësaj, nuk u mora më me mësuesen, as ajo me mua. U vendos një “paqe” e akullt.

Një vit më pas, mësuesja ime u përdhunua nga disa ushtarë të cilët e zunë atë në befasi, teksa po kthehej në fshatin ku banonte familja e saj. Në atë moshë, nuk arrija të kuptoja çfarë ishte përdhunimi, dija vetëm se asaj i kishte ndodhur diçka shumë e keqe dhe e turpshme. Madje në fshat thuhej; “e kapën me zor”. Ushtarët paguan me burg për këtë, ndërsa mësuesja u transferua përgjithmonë, nga shkolla e atij fshati. Nuk ndjeva asnjë keqardhje për mësuesen time. Memorie.al

“Pasi Hrushovi u bë çakërqejf me raki mani dhe babai i vuri një qeleshe në kokë, e të dy filluan të kërcenin e këndonin, udhëheqja ngriu…, por Enveri…”/ Rrëfimi i rrallë i bijës së artistit të famshëm korçar



Nga Raimonda Moisiu 

Memorie.al / Artist i Merituar’, tenor i shquar korçar, tashmë i ndarë nga jeta, Piro Sulioti, lindi në qytetin e Korçës, në një lagje tipike autoktone korçare, me tinguj serenatash dhe motive nga muzika e lehtë korçare, në shtator të vitit 1924. Diku aty rreth moshës 20 vjeçare, nisi të këndojë tek ‘anketat muzikore’ të Radio – Korçës, dhe ka qenë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet kulturore, që organizoheshin në atë qytet, veçmas atë kohë, për artistët e rinj. Ende në moshë të re, largohet nga Korça, dhe shkon me studime në degën e infermierisë, Tiranë, ku diplomohet si ndihmës- mjek. Aty aktivizohet në aktivitete të ndryshme artistike, muzikore e kulturale, dhe shumë shpejt u bë i njohur në të gjithë vendin, si një këngëtar i ri nga Korça.

Përveç serenatave edhe këngëve me motive ushtarake që artisti korçar Piro Sulioti këndonte, tek Ansambli Ushtrisë, ai bie në sy të kompozitorëve të shquar, për vokalin e tij të pastër e të kthjellët, dhe më 1954–ën, kompozitori Kristo Kono, do i besonte rolin kryesor të operetës së parë Shqiptare “Agimi”, në rolin e “Sokolit”.

Rreth këtyre viteve, e për disa dekada, do të interpretonte këngët karakteristike korçare, duke arritur të bëhej një nga tenorët kryesorë të Grupit Karakteristik dhe historik, “Lira”, të Korçës, rol që e ruajti deri në fund të jetës së tij.

Më pas do të sillte në dritë një buqetë me këngë popullore korçare, (shumica e tyre ende nuk janë kënduar) dhe do të vlerësohej me çmime të ndryshme nëpër festivale dhe anketa muzikore të asaj kohe. Do të këndonte edhe para udhëheqjes së lartë të shtetit socialist, për Enver Hoxhën dhe për udhëheqësit e tjerë të asaj kohe.

Ishte këngëtari i vetëm shqiptar, që rreth viteve ’60-të, këndoi para Hrushovit, në vizitën që ai bëri në qytetin e Korçës. Artisti korçar nuk e “dehu” udhëheqësin sovjetik, vetëm me serenatat, këngët popullore korçare dhe këngët ruse, por e dehu edhe me raki mani Hrushovin, sa do i vinte qeleshen në kokë atij, në qejf e sipër, një lloj “qejfi”, që vetëm këngëtarët gazmorë e të talentuar të Korçës, dinë ta ndezin.

Në vitin ’68-të udhëtoi me Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore, krahas legjendës të muzikës shqiptare, artistes së famshme ikonë, Vaçe Zela, dhe me artistë të tjerë në Kinë, për të kënduar para Mao Ce Dun-it, etj. Në vitin 1978-të, Piro Sulioti do vlerësohej me çmimin e madh “Artist i Merituar”. Inamorimi edhe pasioni për pentagramin, e bëri që të kthejë muzikën edhe artin, në një traditë familjare.

Djali i tij, është tenor i famshëm Gjergji Sulioti, gjithashtu edhe vajza, Zhani Sulioti, personazhi i kësaj interviste, është mësuese muzike. Serenatat korçare edhe muzika karakteristike e atij qyteti, kurrë nuk u ndanë prej Piros, ishin gjithmonë miq duke e shoqëruar atë, deri në momentet e fundit, madje edhe kur sëmundja edhe pleqëria e kishin dobësuar, ai vazhdonte të këndonte. Një jetë që i ngjan një romani apo drame, në sprovën e udhëtimit të trishtë e të bukur të jetës.

Një rrëfim klasik për një gjeni klasik të artit e të muzikës, për ‘Artistin e Merituar’, tenorin e shquar korçar, Piro Sulioti, vjen në këtë intervistë nga vajza e tij, znj. Zhani Sulioti. Artistit korçar i ka pëlqyer gjithmonë të luajë me muzikën, herë me serenatën, herë me këngët e lehta, herë me ato populloret dhe herë në opera, duke dhënë përmes lidhjeve të tyre, mesazhe për të tashmen, ruajtjen e vlerave muzikore të traditës dhe kulturës shqiptare. Për më shumë ndiqni në këtë intervistë.

– Znj. Zhani, së pari ju falenderoj, që pranuat të jepni këtë intervistë, për të risjellë në kujtesë ‘Artistin e Merituar’, një nga tenorët më të shquar të muzikës shqiptare, Piro Sulioti, i ndarë tashmë nga jeta. Si ndjeheni për këtë intervistë, e ndjeni homazh apo, një përcjellje të vlerave qytetare, kulturore e historike të Korçës sonë?

Do të dëshiroja t’ju falenderoj përzemërsisht, për mundësinë që më ofruat, të kujtoj e sjell në vëmendjen e publikut artdashës korçar dhe gjithë shqiptarëve, meritat edhe vlerat e babait tim, që shumica e pushteteve që shkojnë e vijnë, por e kanë lënë në harresë, tenorin e shquar të grupit historik “LIRA”, të Korçës, sikundër e theksoni edhe ju, në pyetjen përkatëse, ‘Artistin e Merituar’, Piro Sulioti.

Artisti korçar dhe ati im, Piroja, është ndarë vetëm fizikisht nga jeta, se për ne, birin dhe bijat e tij, familjarët e e shumtë, ai është këtu, mes nesh. Nga vokali, nga serenatat, nga këshillat, dhe sidomos nga humori i tij, plot sqimë, hare dhe i spikatur që e shoqëroi një jetë të tërë. Sigurisht, kjo intervistë është homazh dhe requiem, sepse një artist si Piro Sulioti, me vlerat e tija të jashtëzakonshme, nuk mund të lihet në harresë. Ai na ka lënë një pasuri të madhe artistike. Nuk e ekzagjeroj, edhe po të thoja me plot bindje e gojë, se është i pazëvendësueshëm.

– Familja Sulioti është një familje autoktone qytetare dhe intelektuale korçare. Cilat janë kujtimet tuaja që nga fëmijëria, si u gjend ati juaj, tenori i shquar Piro Sulioti, në rrugën e bukur të artit të muzikës? E pati të trashëguar gjenin muzikor, apo ishte dhunti e tij?

Normalisht, që do kishte një trashëgimi familjare, fakt që ruhet me fanatizëm deri në ditët e sotme, te familja Sulioti dhe pasardhësit e saj. Ashtu si tenor i mirënjohur, vëllai im Gjergji Sulioti dhe unë, personalisht, nipërit dhe mbesat, vazhdojmë me përkushtim talent dhe dashamirësi, traditën familjare muzikore. Kujtime pa fund nga babai im, por edhe nga shumë qytetarë të tjerë të Korçës sonë, sidomos artistë, që kishin marrëdhënie miqësore me babain dhe familjen tonë.

Piroja e ka pasur pasion muzikën që në fëmijërinë e tij. Ka nisur të këndojë me shokët që në moshë të hershme, dhe vazhdoi të jetë pjesëmarrës aktiv në anketat muzikore te Radio Korça dhe arriti deri në skenat e Republikës Popullore të Kinës, me ansamble të ndryshme të vendit, në turnetë e zhvilluara asokohe. Gjithashtu, deri në fund pothuajse të jetës së tij, mbeti një nga tenorët kryesorë të grupit karakteristik të Korçës, të famshmin “LIRA”.

-A mund të na përshkruani momente nga eksperienca e tij? Kur ka filluar të këndojë? Cila është kënga e parë, që ka kënduar?

Ka filluar të këndojë qysh herët, sikundër e theksova më lart, por si këngëtar amator, fillon të njihet afro viteve ’40-të. Fati i babait tim, ishte që këndonte në shumë repertorë, si; serenata, këngë të muzikës së lehtë, këngë popullore, këngë të huaja, por edhe këngë lirike nga opera. Këngët e para të tij, veçmas ato që patën sukses të madh, dhe interpretohen ende edhe sot (por jo ai lloj interpretimi i babait tim), ka qenë “Jorgjica”, “I pabesë”, “Dje mbrëma”, etj.

-Ç’mund të na thoni për influencat e tij muzikore në muzikën e lehtë, popullore dhe serenatat? Po në opera?

Për muzikën lirike më 1954-ën, i madhi Kristo Kono, do i besonte rolin kryesor të “Sokolit”, tek opereta e parë shqipe “Agimi”, e cila pati një sukses të jashtëzakonshëm. Madje, atë rol historik, ma dedikoi mua, bijës së tij, që sapo kisha lindur. Por, muzika lirike ende s’kishte hedhur rrënjët tek kultura e vendit, shkak që largoi shumë artistë, midis tyre edhe Piron.

Këngët popullore i këndonte zakonisht nëpër dasma dhe në gëzime familjare, duke mbajtur kështu, gjallë, traditën e qytetit. Sa për këngët e lehta edhe serenatat, ato ishin gjith’ jeta e tij, nuk i ndau kurrë nga vetja, ishte gjithmonë në formë për t’i kënduar çdo çast. Kujtoj ditët e fundit të jetës të tij, aty në shtrat i shtrirë, këndonte gjithmonë serenatat e veta. Ashtu si atëhere, me të njëjtin ritëm, por me vokal të dobësuar, nga pleqëria.

-Ati juaj, është i njohur kryesisht si një nga tenorët kryesorë të grupit karakteristik korçar “Lira” dhe si një adhuruese e hershme e tij, vija re një mirëkuptim, mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jepte fuqinë e tingujve, melodisë së serenatave, të këngëve popullore, të lehta, baladat apo ato me ritëm ushtarak. Ç’mund të na thoni për këtë?

Piroja kishte një emocion të jashtëzakonshëm, përsa i përket këngës dhe muzikës në tërësi. Për çdo këngë frymëzoheshe ndryshe, nuk e di se si arrinte të interpretonte gjithmonë, në bazë të frymëzimit. Çuditërisht i ndryshonte mimika e fytyrës, qëndrimi në skenë, etj. Buzëqeshja ose trishtimi, vizatoheshin dhe rrezatonin tek publiku. Adhuronte gjithmonë duartrokitjet edhe gazin e publikut. Dashuria për serenatat edhe qytetin e lindjes, Korçës, e bëri që t’i kthehej, “Qytetit të Ëndrrave”, dhe të mos vazhdonte karrierën në Tiranë. Shprehej gjithmonë, që; “Serenatat me Korçën, janë si peshku me ujin. Nuk mund të rrojë jashtë tij”.

– Në televizione të ndryshme e rrjete sociale, qarkullojnë këngë dhe filmim të arkivave, të koncerteve, që tenor i shquar Piro Sulioti, ka dhënë brenda e jashtë atdheut. Ç’mund të na thoni për këtë?

Është një pjesë e vogël e tyre, sepse shumica gjendet e mbuluar nga “pluhuri i harresës”, tek arkivat e ndryshme të Radios e të Televizionit. Normalisht, që pjesa më e madhe, nuk është e filmuar ose e incizuar, sepse atëhere, ka qenë një tjetër kohë, shtypi i shkruar dhe media vizive, pothuajse kanë qenë inekzistente, kështu që producenti ishte vet artisti, ose shteti.

Për dekada vitesh tëra, koncertet që babai dha në Jugosllavi, në Greqi, në Kinë, në Bashkimin Sovjetik, në Rumani, etj., ishin të bllokuara, për hatër të sistemit socialist të vendit. Por të gjitha këto, babai na i kaloi në memorie dhe ne nuk i harrojmë kurrsesi, shumicën e aktiviteteve apo të historive të ndryshme të tij.

-Cilat kanë qenë disa nga koncertet dhe takimet me personalitete të rangut të lartë, që i patën lënë më shumë mbresa, babait tuaj? Ndonjë eksperiencë të veçantë gazmore, apo të trishtë, ju ka treguar babai?

Babai im ka dhënë koncerte para shumë personaliteteve të rangut të lartë të sistemit dhe regjimit të kohës, kur arti dhe muzika bënin shumë për realizmin socialist, miqësinë sovjeto-shqiptare, dhe Revolucionin Kulturor Kines. Ka dhënë dhjetëra koncerte për Enver Hoxhën, për Mehmet Shehun, për Ramiz Alinë, për Mao Ce Dun-in, Hrushovin, etj.

Eksperiencat gazmore e të trishta që ai na rrëfente, ishin pothuajse të përditshme dhe vija re si artist në shpirt e talent, babai i ndjente dhe i vuante më shumë se kushdo tjetër. Më kujtohen historitë me humor që tregonte nga Kina, mallëngjimi edhe përlotjet në Kosovë, por edhe shumë raste të ndryshme, për kolegët e tij këngëtarë.

– Kam dëgjuar dikur të flitej për babain tuaj dhe artistin korçar, Piro Sulioti, se aty rreth viteve ’60-të për vizitën e Hrushovit në Korçë, ai jo vetëm këndoi para tij këngët e famshme ruse, por edhe në qejf e sipër, kërceu me të. A mund të na i përshkruani atë moment? A pati kritika më pas apo vlerësime?

Ky episod, në fakt është unë i veçantë, interesant e tejet mbresëlënës, por edhe për vetë “bujën” që bëri atë kohë, sa përflitej për një kohë relativisht të gjatë, mes vetë artistëve dhe publikut korçar. Vizita Hrushovit në Shqipëri, në qershor të 1959-ës, ishte një nga vizitat më të rëndësishmet për sistemin e kohës. Organizatorët e një koncerti special për nder të tij në ditën e fundit të qëndrimit të Hrushovit në Shqipëri, thirrën Piron, për të kënduar aty në atë koncert.

Babai e përshkruante Hrushovin, shumë njeri të thjeshtë edhe gazmor, me aq sa ai komunikoi dhe e njohu atë Hrushovi, pasi hëngri peshkun ‘krap”, të porositur nga vetë ai, piu edhe rakinë e manit, u bë çakër-qejf dhe nisi të kërcejë vallen karakteristike ruse me babain, kur Piro për një moment ekzaltimi, ia rrëmben një valltari qeleshen dhe ja vendos në kokë Hrushovit.

Ndërsa kërcenin të dy të përqafuar dhe Hrushovi me qeleshen shqiptare në kokë, qeshte e thërriste; “Spasiba, spasiba”! Ky ishte një veprim i pa papritur dhe befasues për zyrtarët e kuadrot e partisë. Një pjesë e tyre u alarmua, duke kërcënuar Piron, për pasoja apo dënime që mund të kishte, pas kësaj. Por u desh ndërhyrja e Enverit, personalisht, që shmangën peripecitë dhe pasojat politike për babain.

– A ka shkruar poezi apo tekste këngësh dhe serenata, babai juaj?

Jo, babai nuk ka shkruar poezi, apo tekste këngësh. Piro ka ndihmuar poetët dhe kompozitorët, thjesht nga eksperienca e tij si këngëtar, por nuk mund të them, se ka qenë poet. Serenata, mund të them; po, se shkruanin dhe u këndonin çupave korçare, gjith’ meshkujt e dashuruar të Korçës, dhe ma merr mendja, që brenda tyre, është edhe babai im. Më 1967-ën, nisi të shkruajë një roman, (diku e kam ruajtur), por që nuk e mbaroi kurrë.

-Përpos portretit dhe staturës intelektuale, por edhe talentit e kontributit të tij në muzikë, ai i keni mbledhur ato në CD, apo album? Nëse po, cili është roli hulumtues i tyre?

Këtu më jep mundësinë të hap një tjetër çështje madhore për diskografinë shqiptare. Në shumicën e rasteve, këngët, koncertet, filmimet etj., janë sikundër përmenda edhe më lart, janë të arkivuara dhe as kush nuk mund t’i marrë. Kjo më duket vërtet absurde, sepse edhe autori vetë, nuk mund t’i tërheqë nga arkivi.

Shumica e këngëve janë në “errësirë”, se askush nuk merr kurajën, guximin dhe iniciativën, që këto pjesë të çmuara të kulturës shqiptare, të dalin në dritë, për të parë, jo vetëm këtë trashëgimi dhe identitet të artit e muzikës shqiptare, por edhe dritën që ato kanë lënë pas, për brezat e ardhshëm, për kulturën dhe historinë e saj, qoftë qytetare korçare, por edhe kulturës shqiptare në tërësi.

Vërtet nuk ndjehem mirë për këtë dhe më vjen shumë keq, se babai im, Piro, u mundua për vite të tëra, por arriti vetëm të mbledhë dy copë. Shumica e tyre, janë bërë ilegalisht në CD-i, duke i hedhur në treg, pa u ditur të drejtat e autorit dhe pa marrë lejë nga askush. Unë ju bëj thirrje: “Ju lutem, na jepni ato që i përkasin babait tonë”!

–Cili është mesazhi juaj, në vlerësimin e mos harresën e vlerave të tilla?

Vlerësimet, janë subjektive, vijnë dhe ikin me kohën, modën, regjimin, etj. dhe boshllëqet duhet t’i zgjidhim, traditën, ta vazhdojmë dhe të përhapim sa më shumë kulturë, e muzikë. Artistët duhet të inkurajohen, jo vetëm për të identifikuar artin, kulturën muzikën dhe zgjidhjen e situatave jo të këndshme, në dëm të artit, traditës e trashëgimisë kulturore e muzikore. Për këtë, nuk duhet të kemi as frikë, as zemërim, as xhelozi.

Duhet të kemi urtësi, ashtu sikundër kanë pasur kjo elitë e shquar e brezit të artë të artistëve, që nga Vaçe Zela, Ramiz Kovaçi, Avni Mula, Gaqo Çako, Kristo Kono, Piro Sulioti, etj, etj, ndjesë nëse nuk kam përmendur ndokënd, se janë shumë. Të përmendim, të sjellim në vëmendje dhe të kujtojmë historinë dhe ikonat e artit për art, dhe jo për treg.

Të mundohemi të bindim shoqërinë shqiptare dhe trupat e ndryshme të muzikës për drejtësi artistike. Dhe jo vetëm kaq! Të mos harrojmë se dikur në këtë vend, ka pasur artistë, që kanë shkrirë shpirtin, vrullin, talentin dhe dëshirën, vetëm për një duartrokitje, për një buzëqeshje, për një dinjitet, pa klipe, pa menaxhere, pa intervista, pa social-media dhe studio me aparatura, jo për tregti, por për të bërë histori. Dhe ia dolën! Ata bënë historinë! Memorie.al

Gazetari Prishtinas Baton Haxhiu

Zotri  Baton Haxhiu ka bërë një deklaratë të bujshme gjatë një debati televiziv, ku ka pohuar se Partia Socialiste (PS) ka kontribuar për...