Tregim nga Përparim Hysi
Kujtimit të Bari bej Resulit
Qe behar dhe sapo kisha marrë kafen time tek një tavolinë, pothuaj, ngjitur me derën. Se doja fresk dhe më mirë se tek dera nuk kishte. Ndërsa kullotja sytë jashtë për të psonisur ndonjë të njohur që t'më shoqëronte, se vetëm nuk pihet qoft dhe kafja, më panë sytë bash një mik që ma donte zëmra: dora vet zotin Bari be Resuli. Sado që kjo nofka "bej" shihej me përbuzje tanimë zyrtarisht (se jemi mesviteve '60-të të kohës së diktatorit), unë kurrë nuk denjova, pa i thënë: zoti Bari bej! Pak me rrezik qe, domosdo, se bëje pak si trimëri apo karshillëk me porositë e partisë, por as që e vura ndonjëherë këtë ujë në zjarr dhe kështu ndodhi dhe aq. Bari beu qe një burrë paksa i shëndoshë për moshën që kishte (mbi 60 e ca vjeç në këtë kohë kur po flas), me një kasketë në kokë, i mbështetur mbi bastun (këtë kurrë nuk e pashë ta lëshonte nga dora), dha ballë përkarshi kafes "sime". Dola dhe i bëra zë: - Zoti Bari, urdhëro të pimë një kafe. Më pa, buzëqeshi dhe, kur hyri brënda, më thotë: - Jo, këtu tek dera. -Bën fresk, - u mundova unë të mborja vëndin që kisha zgjedhur. - Më mirë vapë, se vapa del me vapë, - u mundua ai të më mbushë mëndjen. I mundur nga arsyetimi i tij e ndoqa pas me filxhan në dorë, për tek një tavolinë tjetër, pothuaj mu në qosh të klubit. Buzëqeshur dhe fjalëëmbël siç qe, më tha, jo pa shpoti: - Me demek, bëka fresk... Dhe e këputi mendimin. -Bari bej, - ndërhyra unë me politesë, - seç do më thoshit, por tak dhe e latë në mes fjalën tuaj. Ai, pasi më bëri atë urimin e rëdomtë: gëzuar, më tha: - Ore, ke dëgjuar ndonjë histori për Isa Toskën ti? - Për Isa Toskën? -përsërita unë. Po ku ka njeri që nuk ka dëgjuar për të?Unë, - thashë, - kam dëgjuar shumë e shumë për të. Po, shpesh, bëmat e tij o janë të fryra ca si shumë, o janë ca të mjegulluara dhe kthyer, paksa, në legjenda apo thashë ethemnaja. Por një gjë e di mirë, ama. Mes tjerash, Isa Toska me çetën e tij, donin të sulmonin dhe Petovën time. Por Petova u armatos e tëra vullnetarisht dhe burra e gra dolën në Çakajas( sot kjo lagje banohet nga arixhinjtë e Mbrostarit dhe nja 5-familje vëndase), dhe ndënjën në përgjim. Mes tjerash, kosovarja Sheqa e Osman Nikoçit, kish nxjerrë një bombë, të fshehur në çitjanet dhe e kish hedhur, sa kish ndjerë zhurmë sulmi në një natë, pa hënë. Isai mbrriti me çetën e tij dhe, informuar (pa tjetër ka patur hafijen e vetë), për këtë mobilizim të Petovës, dredhoi mësymjen dhe vajti e bastisi Kolonjën nja 7 km larg Petovës. Këtë ma ka thënë im atë, se, nga frika e këtyre bastisjeve të Isait (thonin që për skraparlinjët kishte alergji!), im atë mori nënën time të re aso kohe (23-vjeç dhe bashkë me tri fëmijë të vegjël, më i vogli qeshë unë gati 9-muajësh), e mori me qerre dhe dy ditë para këtij sulmi made in Isa Toska dhe na vendosi matan lumit tek një miku ynë atje: në Mujalli. Atje kemi qëndruar disa muaj. Në Kolonjë Isai sulmoi shtëpitë e Bozollarëve dhe veç bastisjeve vrau një djalë nja 14 vjeç. Pastaj, siç thonë, Isa Toskën që kishte këtë çetën dhe bënte bastiseje e pogrome dhe që kishte dhe përkrahjen e pushtuesëve italianë, e vranë ata"trimat e malit". Ai më dëgjoi me prudencë e durim të madh dhe, tek gjerbi kafenë, e mori fjalën...
* * *
Ti paske dëgjuar. Edhe unë kam dëgjuar, por dhe kam parë. Të shohësh me sy dhe të dëgjosh janë dy gjëra që dallojnë cilësisht. Të thashë që mos u ul tek dera dhe ja përse...
Ka qenë, pas kapitullimit të Italisë. Tek shtëpia ime në kodër (shtëpia e Bari beut në Fier është bash tek spitali. Ajo, shtëpia e tij, ka shrëbyer si zyra për adminstratën e spitalit. Edhe sot.), erdh polici bashkiak i asaj kohe. Të kërkojnë në bashki!-më tha. U vesha dhe shkova. Bashkiaku, kur u paraqita, më mori dhe më çoi në xhandarmëri. Komandanti, pothuaj, u gëzua dhe me mua, me bashkiakun drejt e në komandaturën gjermane. Gjermanët sa kishin ardhur. Unë do do shërbeja si terxhyman(përkthyes). Shkuam atje dhe komandanti i xhandarmërisë më tha që t'i thosha oficerit gjerman këto fjalë: - Zotëri, ju kini marrë si robër ushtarët dhe oficerët italianë. Bashkë me këta, atje janë disa shqiptarë që kanë patur përkrahjen e italianëve. Ne duam të kapim, veç tjerëve, kapon e tyre që është Isa Toska. Oficeri gjerman tha: - Ne nuk kemi punë fare me shqiptarët. Vetë me italianët se i patëm aleatë dhe na tradhtuan. Pra, shkoni e merrni atë shqiptarin tuaj me gjithë shpurë. Komandanti i xhandarëmërisë u zu ngusht. Kishte turp që t'i thoshte troç: - Ne nuk e arrestojmë dot Isa Toskën. Ai, siç duket, e kuptoi që kërkonim ndihmën e tij. Thirri njërin prej vartësve- qe një kapter, - se dëgjova kur i tha në gjuhën e tij: - Franc, je në dispozicion të këtij (bëri me shënjë nga komandanti) dhe do mbrosh këtë. Gjermani si gjerman. pa e bërë dy, mori automatikun. E mbushi në sytë tanë dhe na ra pas. E falnderuam oficerin gjerman dhe komandanti i xhandarëmrisë sikur qe bërë me krahë. Mori një skuadër xhandarësh. Ai, unë si terxhyman, skuadra dhe drejt e tek fusha e sportit. Aty bëhej çaarmatosja e robërve italianë (sot është ngritur gjimnazi "Janaq Klica"). Ushtarakë dhe të armatosur, përveç meje. Shkuam. Sa ecëm paksa para atij kontigjneti po çaramtosej, kur ulur me ca prej trimave të tij, edhe Isa Toska. Për atje u drejtuam edhe ne. Isa Toska, - bërtiti komandanti i xhandarëmërisë, - duhet t'i dorëzohesh komandës sonë se ka ardhur urdhër që nga lart. Ai, siç duket, e njihte mirë komadantin dhe, pa mbaruar mirë fjalët, tha: -Me ju qenër nuk bëhet Isa Toska. Kam lindur me pushkë tek koka dhe me këtë do vdes. Dhe, sakaq, e mbushi armën e tij. Gjermani... po si gjermani. Ndiqte me sy veprimet dhe, kur pa, se rrezikohej ai për të cilën kish marrë urdhër ta mbronte, hapi zjarr dhe e vrau Isanë. Ja... mu para syve të mi.
* * *
Sa u dëgjua ky shkëmbimzjarrri, dolën gjermanët dhe bënë reprazelje. Kë panë që fshihej, e vrisnin. Kanë faj, pa fshihen, - arsyetonin. Unë, tek po kthehesha nga ky"shërbim" që mbaroi me funeral, pashë nja dy-tri gjermanë tek po hynin tek kafe "Semani" (ka qenë diku përbri bashkisë së sotme, në vijë të drejtë me kinoteatrin, pra bashkinë e sotme e lë si skiç, kur shkon për Seman). Kë gjetën tek dera, e kositën. Me vrap hyra me një fyrmë dhe bërtita. - Mosni. Janë të pafajshëm. Janë nacionalistë. Dhe, më erdhi mirë, se më dëgjuan dhe i shpëtova. Ama, ata që qenë tek dera e pësuan. Fare kot.
Sa u ngarkova me mbresa nga ky rrëfim, aq kënaqësi ndjeva nga mesazhi që më dha. Një porosi e vlefshme. Se ai u dogj nga qulli dhe i fyrnte kosit. Që atëherë, kurrë nuk pi më kafe tek dera e klubit, se ku ta dish në mos gjermanët, po ja një që i ka luajtur burgjia, zullumi fillon, domosdo, nga dera.
* * *
Epilog: Kurrë nuk është vonë për të thënë të vërtetën. Unë e di mirë që në arshivat e historisë, qoft dhe të Fierit, kur vjen puna për vrasjen i Isa Toskës, flitet ndryshe, fare ndryshe. Sikur e ka vrarë ai xhandari dhe jo vetëm e ka vrarë ai, por ka qenë i vënë nga partia komuniste, de. Duke shkruar këtë rrefim timin, unë e di që nuk do përmbys çfarë është shkruar, me porosi dhe pa porosi. Unë shkrova çfarë më besoi një njeri fisnik siç ishtte Bari bej Resuli të cilit partia ia mori të gjitha, veç dinjitetit. Fisnik qe dhe i tillë iku. Ç'më besoi ai, qe si një tesatment apo si një amanet. Amanetin nuk e tretë dheu. Edhe në se nuk zbardhet siç dhe ka ndodhur kjo vrasje, porosia e mikut tim të ndjerë është gjithmonë aktuale: - Jo, tek dera...
2011-04-21
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...