Vasko Popaj
Nuk e pashë Trojën, Enea*
Trojën nuk e pashë atë ditë, Enea
Megjithëse i kalova fare pranë
S’ doja të shihja një qytet të vdekur
Vallë, për një grua ishte bërë kurban?!...
Po kioskat në rresht suvenire ofronin
E bleva një kalë edhe unë, gjithsesi
Ata kuaj më dukej akoma mashtronin
Veç dy euro. Sa lirë, m’e madhja pabesi!...
I ngjante kështjellës, me vrima, kamare
Një kalë kuqalash me qeramikë të pjekur
Sa e bleva, bir, e hodha tej, për fare
S’ do t’ merresha kurr’ me qytete të vdekur.
As ti mos u merr me të tillë, asnjëherë
Shpëtove, ah, atë natë të pafund
Mes flakësh që rrotull villnin veç tmerr
Do të ngrije dhe ti një qytet tjetërkund.
Nuk e pashë Trojën atë ditë , Enea
As ti mos e shih asnjëhere, kurrsesi
Por as kalin me qeramikë të pjekur
Në kioska suveniresh kurrë mos e bli.
*Djali im që mban emrin e princit trojan
Më kot, në mesnatë
Më kot në mesnatë të kërkoj Naim bej
Më kot kalldrëmet i pyes: A e patë?
Po ngjyra reklamash ngacmojnë gjithandej
Dhe veten pa ty ç’e ndjej fillikat.
Rrotull i rashë Stambollit të vjetër
Rrugica, hotele dhe prapë s’ po të gjej
Kalldrëmet kanë parë kushedi sesa mbretër
Po unë veç një mbret dua, ty Naim bej.
Bares permes parkut si të isha fajtor
Bosforit aromën ia thith gjer në fund
Sa dua të të gjej me qiriun në dorë
Dhe flaka e tij ngado të më shkundë.
E shtrihem mbi stolin e vjetër në park
Një mjegull përkëdhel, paksa dhe më ftohë
Buzëqeshur afrohet Pamuku nga larg
Po ty me qiriun në dorë nuk të shoh.
E ngrihem, të ndjek në rruginat pafund
K’to ngjyra reklamash pa gjum’ po më lenë
Do të desha që flakë e qiriut t’ i mundë
Ndaj malli për ty aq shumë më mbërthen.