Esse –analizë rreth vëllimit më të fundit me poezi “I dënuar të qesh” të poetit, Vaid Hyzoti
Poeti dhe prozatori Vaid Hyzoti është imazhi që ka fituar reputacionin e tij në mesin e shkrimtarëve shqiptarë, nëpërmjet poezisë, tregimit e skicës të shkurtër, të cilat dramatizojnë instinktet dhe traumat thelbësore të njeriut në epokën moderne. Duke qënë lexuese e dashamirëse e rregullt e poezisë së Hyzotit, në dorë kam vëllimin më të fundit me poezi, ”I dënuar të qesh”, që Shtëpija Botuese “Globus R” e ndau me audiencën e gjerë të dashamirësve të poezisë, në javët e para të janarit. Poezia e Hyzotit është e dukëshme në shqetësimet e tij, në optimizmin stoik, bukurinë shpirtërore, ndjenjë, inteligjencë, realizëm dhe art, grimasa ironie, qënien, të vërtetën e pavërtetën, utopinë, zotin, ankthin, sarkazmën, qytetaren, intelektualen e ekzistenca të tjera, për të sfiduar dramën cinike të jetës, të përditshmërisë, me figuracion të pasur artistik dhe filozofik, ofrojnë një analizë të mprehtë të cështjeve sociale, figurës së diskutueshme, i përfshirë vetë në to, vitalitetit të habitshëm dhe të “pushtetit” ndaj tyre, duke e ngritur veten si një poet i individit në fjalë, me perceptimet për jetën, përjetimet e familjes, të komunitetit aq më tepër të jetës së emigrantëve dhe përvojat jetësore në tokë të huaj, familjes, vendit, universit, historisë dhe bashkëkohores, manifestime të modeleve të cilat janë universale e mitike për të, kombinon energji prej dheu për origjinën e tij, dhe me shpirtin e binomit njeri-krijues, mes mallit e protestës, ndërton raportin shpirtëror me njerëzit, popullin, në mënyrë që ai të ketë mundësi për të kuptuar shoqërinë, njerëzit, që jetojnë me dhimbjen e mallin, shpresën e të pashpresën, ngjarjen, informacionin, realitetin e hidhur, mendimin, indiferentizmin cinik modern me bujarinë njerëzore, për të kuptuar njerëzit që jetojnë në dhimbje e trishtim, për të kuptuar natyrën e shoqërisë me të mirat e të këqijat e saj, -atë që është vështirë të shprehet në disa faqe prozë, Hyzoti ka aftësinë të komunikojë me idetë e tij në një poezi dhe e bën të lehtë për ta kuptuar atë. Magjia e penës poetike bëhet balsam për të mjekuar shpirtin e tij dhe të njerëzve përreth. Hyzoti ka aftësi vëzhguese dhe finesë shprehëse mbi fenonemenet, në përshkrimin e imazhit modern, vecanërisht e dukëshme në poezinë e tij, rënien e qytetërimit dhe degradimin e vlerave morale. Në poezinë “Pranga buzëqeshjes”, autori reflekton në mënyrë realiste, thellësisht humane dhe filozofike, krizën shpirtërore të shoqërisë perëndimore, shpirtin e zbrazëtirës moderne, kondradiktat e brendëshme, mediokritetin dhe trishtimin e jetës, reflekton dhe zbulon shtresat me të cilat kemi mbuluar shpirtin tonë prej emigranti. Hyzoti në mëdyshje, natyrisht i vjen turp e ndroje, i ndjeshëm, mungesa e vullnetit e besimit, ankthi, uria shpirtërore, imazhi modern i të pashpresëës , dhe “skllevërit të rregjistruar në mënyrë vullnetare”- mund të themi pa frikë se janë viktimat e këtij qytetërimi perëndimor.
“Kanë ndryshuar kohërat,/Në histori vetëm flitet për skllevër,/Për një shoqëri skllavopronare,/Por skllevër ka dhe do të ketë akoma, /Të rregjistruar në mënyrë vullnetare.”
Hyzoti na jep në mënyrë të detajuar karakteret e poezisë, imazhin e njeriut modern, boshllëkun shpirtëror që ngrihet fluturimthi mbi të përditëshmen, ekzistencën e tij, mes dhimbjes e dashurisë, mallit e protestës, me vargjet tronditëse dhimbjesh e të fshehura:
“Tani s’ka xhungël, vetëm ambasada,/buzëqeshje matrapzësh,-mashtrues klasi,/që gjithnjë rugën ta shtrojnë me të bardha,/sa qindarkën e fundit të zbrazin.../E të japin buzëqeshjen-prangë skllavi.”
Vargjet e strofës së fundit të ngjethin mishtë deri në lotim. Një shpirt poetik që ka shpërthyer në dhimbje, proteston se lumturia është vetëm njëra anë e kornizës –gjithcka është zbrazëti shpirtërore,-zhgënjim.
“E prapë, e pranon fatin tënd,/Prangën e buzëqeshjeve të rëndë,/S’ka gjë pse tërë trupi dhemb.../Mbase, si zezakët e sotëm,/Fëmijët, skllevër si ty /s’do të jenë.”
Elementin subjektiv e dallojmë që në fillim të poezisë të Hyzotit dhe bëhet tipar konstant e saj i ndërtimit”fizik” të poezisë. Përvojat traumatike poeti i sjell në poezinë “Ikim, biri im”, që vetë titulli i saj të krijon emocionin e dhimbjes, rrëfimit, muzikalitet, melankoli, madje mbizotërohet nga nota pesimizmi, ndjenjat e pikëpyetjeve të frikëshme për të ardhmen dhe me fjalor poetik të zgjedhur e të pastër jep mungesën e shpresës, të së njohurës e së panjohurës, humbjeve pangushëllim, mjerimit, dhimbjes, vuajtjeve, vetmisë, - të cilat në të vërtetë përputhen dhe janë paralele, jo abstrakte apo metaforike, por ato gërmëzojnë realitetin aktual të botës, kalojnë të tashmen, për të arritur në të shkuarën e të ardhmen e jetës së përditëshme e të zakonëshme në emigrim.
“Duhet të nisemi sa më parë,/Në një rrugë pa kthim,/S’ka vend për ty, biri im!/S’ka rënë shi, por toka është e butë,/Ne na duket se është dhe i hedhur./Themelitë nuk po na zënë,/Cdo cast mund t’ia behin rrufetë,/Biri im, jemi të përndjekur!”
Poezia është ndërtuar me shumë kujdes. Hyzoti aplikon filtra të forta ndaj vetes për të shprehur më lehtë e balancuar në mënyrë racionale, për të kuptuar zhvillimin konceptual dhe sfidën; “ikjen pa kthim”. Poezia nuk është aq shumë për marrjen e një vendimi, por në lidhje me artin e pavendosmërisë, humbjes së shpresës dhe pesimizmit.
“Gjithsesi, ne duhet të ikim,/Jemi të huaj, pa emër këtu,/Për ty biri im, ne harrojmë vetveten,/Vec na trego udhën. Të ikim, Po ku???”
Poeti në strofën e fundit, me një sintezë madhështore i drejtohet të birit, i vetëdijshëm për realitetin, ekzaltimin e ndjeshëm në universin e pushtetit të “ikjes”, Hyzoti në këtë poezi lidhet me vazhdimësinë e moralit të shoqërisë e qytetërimit perëndimor, përmes penetrimit në cdo kohë e hapësirë, e fuqisë për të zgjeruar hapësirat e gjuhëve , kulturave dhe njerëzimit, si endacakë të pafatë, pesimistë, të pashpresë, në muzgun e artë bohemian të jetës – emigrimit.
Poezia “Merrmëni”, është një nga poezitë më të njohura për imazhet dramatike, intensitetin emocional dhe kadencës së vargjeve.
“Nuk mundem më panginjësisë suaj t’i bëj ballë,/Jo për altruizëm, po ju dorëzohem me të gjitha,/Jam gjysmë i vdekur dhe gjysmë i gjallë.Rripmëni nga flokët, deri në gishta.”
Hyzoti nëpërmjet vargut të tij intelektual dhe me ton qytetar bën përpjekje serioze për të zgjidhur cështje thelbësore të marrëdhënieve në mes krijuesit dhe krijimit të tij, ekzitëncën e tyre të vecantë në këtë marrëdhënie. Poeti në disa vargje shpreh botën e tërë rurale, natyrën njerëzore, turbulluar nga gjëra që janë të vërteta me perceptimet e një realiteti të rremë.
“Merrmëni krahët. Jo për përqafime/se të tilla nuk dhatë e morët ndonjëherë./Mbase ju ndihmojnë të mbani valixhet./në vende të sigurta ari duhet shpjerë./mbetet dhe zemra.Ua jap, jo për ju./Bëjani transplant ndonjë qeni./...dhe nuk kan tjetër.Doni hde shpirtin?/vetëm atë kurrë s’do ma gjeni!”
Horizonti poetik i poetit dëshmon shtresat e errëta të ndërgjegjes morale nga valët e fatalitetit në jetë. Hyzoti tranfsormohet në një rebel autentik me magjinë e vargjeve krenare, por i sfilituar nga jeta, me buzëqeshjen e tharë ndër buzë, që lufton me të gjitha mënyrat për të shpëtuar shpirtin e tij, “protagonistin” e vetëm, i dëshpëruar e krenar, që nuk mund t’ia marrin, kapricoja tragjike e fatit , i pamëshirë, shfaqet si një konflikt mes jetës e vdekjes, mes harmonisë e dëshpërimit, shpresës e të pashpresës, meskinitetit e groteskes, mediokritetit e hipokrizisë, por të gjitha këto në kuadrin e mbijetësës. Poezia “Merrmëni”, është shkruar me mjeshtëri artistike e filozofike, dhe mund të quhet KRYEVEPËR, për vetë tonin qytetar e shoqëror, trajtimit të temës familjare dhe streseve e mosmarrëveshjeve të ditës, që gjithkush nga ne përballet në vecanti në emigrim. Një poezi e denjë për të zënë vënd në antologjitë ndërkombëtare. Pikërisht ky mesazh i fortë që del nga shpirti i një poeti të tillë, më ‘joshi”, për ta sjellë zërin e fuqishëm të kësaj poezie, në gjuhën angleze për audiencën anglishtfolëse. Po iu sjell në vëmendje vetëm një strofë:”
“Drag my shoulders, loading them heavily,
Till they shrivel and getting bruised,
Let the merciless of gainful go to the infinit,
It can't bear anymore, till I ëill be out of breath.
Filozofia poetike e Hyzotit është e orientuar në pafundësi të ekzistencës, në hapësirë e kohë, të cilat poeti i percepton me solemnitetin e heshtjes, mallin për atdheun, me dhimbjet e lindjes dhe lotët e nbijetesës, dhëmbshurisht ai përshkruan realitetin e emigracionit, realitet që e ndeshim në poezitë “”Xhentëlmeni”, “Gushti i emigrantëve”, “Vizitë të Heminguej”, “Dritë në Manhatten”, “ I vogël në Neë York”, etj., realitet me periudha rënie dhe ngritje, identifikimi i plotë me aktin e frymëzimit. Kjo lloj filozofie në poezinë e tij, e identifikon atë si një poet të rebelimit e tragjedisë shpirtërore dhimbjes, mallit, vuajtjes, sakrificës, mungesën e njerësve, shpresës, pesimizmin dhe optimizmin, shpirtin protestues, të cilat i bashkon me ndjenjën kolektive të bashkëkombasve dhe fatit të tyre. Poezia e Hyzotit është ndërtuar me metafora shumë kuptimplote, të cilat realizojnë radiencën e saj për të gjithë ata të bashkuar drejt fatit të ikjes pa kthim. Muzat, meditimet intime të poetit dhe spekulimet mbi jetën, pyetjet e përjetëshme të ekzistencës njerëzore, sjellin tendencën e vargut tradicional, në estetikë dhe modernitet, bën një përpjekje për të zbuluar prirjet e tij pozitive, për të gjetur kuptimin e jetës, me bukurinë e natyrës dhe objektet natyrale që e rrethojnë.Poeti në këtë libër bën të njohur motivet e tij, tashmë të njohura, të pasura dhe të maturuara. Ka poezi lirike në lidhje me atdheun (Dallgë e shkëmb, fq.60), natyrën ( “Dëbora e parë, fq.111), dashurinë (Të kërkoj, fq. 61), historinë (Koment për “Konstandini & Doruntina, fq. 73) ndjenjat patriotike, për nënën, babain, fëmijët, me përvojën subjektive të poetit. Kjo tendencë e re, heterogjeniteti i ideve dhe motiveve psikollogjike dhe estetike, me besimin në aftësitë e tij si një artist i fjalës poetike, Hyzoti ka vënë veten në provë dhe vlerat e tij, duke na dhënë një vëllim poetik të vlerësuar nga kritika e kohës, për vetë mesazhin qytetar, intelektual të ndërrthurrur me muzën artistike të mallit, dhimbjes, shpresës, optimizmit dhe dashurisë njerëzore.
Postscriptum
Botimet e poetit e prozatorit Vaid Hyzoti janë;
-Zërat e ditës së re,-Tiranë 1986-poezi
-Thashetheme të vërteta, Detroit 2002-prozë
-Qyteti i të marrëve –Tiranë 2006, -poezi
-Fëmija i vjedhur, Tiranë 2007-prozë
-Jemi të pandehur, Tiranë 2008-poezi
-I dënuar të qesh, Neë York, 2011
Krijimet e Vaid Hyzotit janë përfshirë në antologji letrare shqip dhe anglisht. Gjithashtu ai është bashkëautor i katër antologjive letrare, si dhe bashkëpunëtor prej më se 25 vjetësh i shtypit letrar për vlerësime kritike të veprave të botuara.