Iljaz PROKSHI
LIBRI PA TITULL
I zhvendos dollapët e librave
Të thyej vrazhdësinë si etikë
A s’është kjo gjëmë e të pafatëve
Vetëm pranë unit tim e mallkimit
Ndiej fëshfërimën e gjetheve nga era
Ç’më plas një gaz i zemëruar i trishtë
Para marrëzisë qyteti hesht as di përse
Ndanë pyllit të vetmisë shpëtoj e çuditem
Me të dalë duke dëgjuar fraza të rreme
Nga ata që shkruakan natën pakuptim
Më infekton një hije para pasqyrës
Me zhurmë makabre s’hyhet në parajsë
As këmbë botës më kot nuk i sillem
Kuarteve të zymta ëndërrojnë të zhdukurit
Me orë seç vendos e zhvendos fotot e tyre
Kurrë më të mos jem robër në flakë
Ç’më vjen të rihap të gjitha dritaret e botës
Në ballinën e fundit të librit një varg ta vë
Kujtoj se mbaroi botë e apokalipsit
I radhis sërish ato të pakta hieroglife
Pa ndonjë estetikë varros kotësinë e mohimit
Më paskëshin mashtruar engjëjt dhe ëndrrat
Apo mbase një muzë e përgjunjur do më vijë
QIELL I DASHURISË
Në qoftë se më puth
do m’i fshish lotët kristal
do e ndiej aromën e një princeshe
mund te them se qenka "E shkruar"
sepse gjithçka ndodh këtu
veç dëborë sa nuk bie
Unë shëtis rrugëve
dhe një shi i bukur më lag
shikoj orën
akrepat kane kaluar 24-shin
të vetmuar kemi mbetur
duke u larguar si tej reve
ku mua me mbulojnë kujtimet
yjet dhe krahët e tu
Por bota si gjithherë e gjerë
mbetet shpesh pa fjalë
si pa fjalë një erë fryn
dhe shkund fletët e blirëve në qytet
kërkoj dikush të më flasë
një shpresë e çuditshme
shpërthen si llavë
tani i llaftaruar fshihem diku
duke u munduar te vij tek ty
e ti ik e ik si pa kokë a e di
apo gjen strehë
në qiellin e dashurisë sonë blu
SHËN VALENTINI I VETMUAR
( Rinës)
Si te therras moj Rine
kuptohet s'di cfare te them
mendova se ke ikur
dhe me kot ia them sages sime
S'do flas shume per Shen Valentinin
per mua s'pat dite te tille
sikur te dy e ndjenim veten te vetmuar
si ne nje ishull te humbur
ne detin e paane
Karafili i djeshëm
ka nisur te vyshket mbase
ben nje te mire ndac moj engjell
me duaj si une ty
le te shpetojne buzet pa u ngrire
I lene si nje beduine
skaj botes ne ekzaltim
i lenduar shpirterisht si Shen Valentini
pres nje fjale
oh nje fjale te kendshme
qe te ma thuash
Mbase tretesh ne mendime dhe ti
e une rri i shqetesuar
duke kenduar e dashur
Kujtoj ata sy si deti
e dua te lahem me permallim
kujtoj shikimet e buzqeshura
buzet tua dhe floket
kujtoj hapat e tu te ngadalte
ne kete qytet te cuditshem
Oh nuk eshte cudi qe nje dite
duke te puthur te digjem i teri
e te falenderoj zotin
qe te zbulova ne kete shekull
Iljaz Prokshi lindi në Fortesë të Drenicës më 15 nëntor 1949; vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës,në Prishtinë,më 28 prill 2007. Shkollën fillore e përfundoi me rezultate të shkëlqyera.
Edhe në shkollën e mesme në Mitrovicë ishte nxënës i dalluar, duke u shquar për zgjuarsinë, vizionin dhe vokacionin prej krijuesi. Studimet i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë, dega për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (Albanologji), në Universitetin e Prishtinës me nota të larta.
Si gjatë shkollës së mesme dhe gjatë studimeve universitare bashkëpunoi me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës si gazetar dhe krijues. Më vonë punësohet në gazetën Kosova të Korporatës Energjetike të Kosovës, në Prishtinë, në fillim si gazetar, e më vonë si redaktor përgjegjës i kësaj gazete. Një kohë të gjatë bashkëpunoi si gazetar edhe me disa gazeta shqipe që dilnin jashtë Kosovës, si Top Kultura, Spektri në Zvicër, Trojet tona në Nju Jork etj.
Pas vehtës ka lënë bashkëshortën ,dy vajza dhe një djal.
Aktiviteti letrar
Poezitë e para, Iljaz Prokshi filloi t’i botojë në gazetat dhe revistat letrare të Kosovës më 1966. Ishte në moshë të re kur u paraqit në letërsi dhe vinte me një përvojë që e kishte arritur gjatë leximit të shkrimtarëve më modernë shqiptarë dhe të huaj. Iljaz Prokshi i takon plejadës së krijuese avangardë të Kosovës.
Në konceptet estetike të tij shquhet me idenë e një fillimi të ri në letërsinë shqipe, duke krijuar një letërsi që është simbol i artit modern. Pak kohë më vonë ai botoi edhe tregimet e para, gjithnjë në kërkim të rrugëve dhe mjeteve të reja letrare. Si student ishte shumë aktiv në jetën kulturore. Botoi poezi, tregime, reportazhe, recensione dhe ese për letërsinë.
Fitoi pothuajse çdo vit çmime letrare, për poezi ose tregime, në konkurset letrare, që shpallnin gazetat dhe revistat e kohës. Iljaz Prokshi, në konkurse të tilla është nderuar prej çmimit të parë gjer në çmimin e tretë. Botoi në gazetën Rilindja, revistën letrare Jeta e re, Fjala, Bota e re, Zëri, Plejada, Koha ditore dhe në disa gazeta më pak të njohura, që botohen në Kosovë, si dhe në periodikun shqiptar në Shkup të Maqedonisë, si Flaka dhe Jehona.
Për veprën e tij si në poezi dhe në prozë kanë shkruar kritikë të njohur të vendit, ndërsa rezonancë e të gjithë këtyre, është se veprën e Prokshit e përshkon fryma e modernitetit.
Tek ky krijues, të shkruarit është gjithmonë në shërbim të kërkimit dhe të ideve filozofike, kurse në qendër të shqetësimeve të tij është njeriu, i rrahur mes erërave të absurdit dhe revoltës, kundruall një realiteti të hidhur, me kuptim, që qenia njerëzore t’i ikën karakterit negativ, të prezantojë ato vlera që shquhen për vizionin e një botë të freskët dhe të dëlirë, shënjuese për kohën dhe hapësirën.
Lexuesit e admirojnë letërsinë e tij, ndërsa kritika me gjithë këta të parët i detyrohet vlerave dhe mesazhit poetik të kësaj vepre.
Tituj të veprave
Poezi
Pikë e bardhë ëndrre, Rilindja, Prishtinë, 1983
Satana në ferr, Fjala, Prishtinë, 1992
Fytyrë në pergamenë, Rilindja, Prishtinë, 1995
Psalm arbëror, Rilindja, Prishtinë, 1998
Sonatë e dhembshurisë, Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 2003
Është në botim e sipër përmbledhja me poezi Kambanat e shurdhra Shtëpia botuese Dukagjini, Pejë. Ka përgatitur edhe tri vëllime të tjerë me poezi.
Tregime
Libri i kujtimeve, Rilindja, Prishtinë, 1987
Daullet e natës, Rilindja, Prishtinë, 1990
Vdekja në ëndërr, Rilindja, Prishtinë, 1996
Magjia e mjegullës, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 1997
Vajza e trëndafilave, Rozafa, Prishtinë, 2002
Pallati i Helenës, Prishtinë, 2003
Ka edhe dy libra të gatshme për shtyp me tregime.
Romane
Fundi i zemërimit, Rilindja, Prishtinë, 1997 (Për këtë roman, autorit iu dha Çmimi letrar si romani më i mirë i vitit i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës më 1997)
Dashuri në labirint, 2001