2011/04/21

DANIEL GÀZULLI UJËVARA - tregim –



Ajo nuk ka emen. Asht thjeshtë një thyeqafje ujë prej një shkambi në ngjyrë blu në të gjelbër. U ndala aty jo për t’u freskue, po diçka nuk shkonte në makinë e u tremba mos më ndodhte ndonjë difekt ma i madh. Prandaj edhe u ndala. Prisja mos kalonte ndonjeni që merrte vesht diçka ma shumë se unë e më ndihmonte
Nësa prisja, mendova se nuk do të ishte keq me u freskue pak. Nuk kishte ardhë ende vera, ishte fillim maji, po vapë bante. Kishte dit që të nxehtit po bahej pak i bezdisshëm.
U ndal një makinë e vjetër, një tip fuoristrade nga ato që i kishim trashëgue para vitit ’90. Zbritën dy burra. Ai ma i riu kishte qenë në timon. Tjetri ishte pasagjer dhe i moshuem. As ua vuni veshin fjalëve të mia, pse, si dukej, nuk merrte vesht as ai nga makinat mesa unë.
Ai ma i riu, shoferi po them, shikoi orën dhe tundi kryet. E kishte kuptue qysh nga zhurma e makinës se do të kishte punë. Çoi skafandren dhe se ç’po merrej me një filter.
Ai tjetri se ç’më dukej si i tronditun. Kushedi ç’hall kishte. Ndoshta ishte i zemruem që po i vonoja. Nuk ishte as i vemendshëm kur fliste me mue. Shikonte diku aty ma nalt, ngultë mbi ujëvarë.
- A dëshiron të freskohesh pak? – se si i thash ashtu kot.
- Kush?! Unë?! – foli i tronditun dhe m’u duk se bani një hap mbrapa – Jo jo, falemnderës …. Jo jo …
Se si më pushtonte edhe mue ajo tronditja e tij. Pse u tremb? Përse iu largue ashtu ujëvarës, sa i thash “a po freskohesh pak?”, e mbuluen djersët. U afrue tek makina dhe dukej se mezi priste që të mbaronte punë shoferi.
Mandej, paritë, m’u afrue krejt pranë dhe filloi të më fliste me zanin që i dridhej, tue më shikue drejt në sy, po tingullin e zanit e kishte sikur fliste me vete.
- Kishim zanë vend nja 200 meter prej këtu, - filloi ai të fliste ndërsa picvrronte sytë pa shikue askund. - Ka qenë krejt e pyllëzueme atëherë. Ishte koha me hangër një kafshatë bukë. Duhej të zbrisja e të mbushja ujë, ja, aty. E kisha radhën unë. Po nuk kisha pasë mundësi me riparue ende një tollumbë që më ishte shqepë e i thash Jakut nëse mund të zbriste ai.
Jaku ishte një shuplakë ma i naltë se unë, kryet në tavan, si i thonë. Kishte dalë në mal dy javë mbas martesës e tash e shoqja priste një fëmijë. Kishte dalë në mal kur vranë ata të ndjekjes dy binjakë në Zekolaj, do ta kesh dëgjue, se nga këto anë je edhe ti, të njoh.
- Po, - i thash – nga këto anë jam.
- Zbriti Jaku, mbushi me ujë gjashtë mataret. Të fundit mbushi të veten, një matare ndrysh prej të tjerave, krejt e zezë. Para se me u kthye, piu ujë në matare të vet. E kishte çue kryet shumë e po pinte me etje me sy mbyllë, se e vriste dielli. Krisën pushkët. Jaku ra aty, në ujëvarë. Kryet bash ku asht ai pellgu i vogël. U ba batare e madhe. Na ishim tre vetë, e tash që u vra Jaku kishim mbetë dy. Kursa ata ishin jo ma pak se njëzet. Na u detyruem me iu ngjitë malit, s’kishim si me u ba ballë.
Ka një jetë që mendoi: a thue e vranë plumbat, apo u mbyt kur i ra kryet në pellg të ujët e nuk shkoi kush me e nxjerrë? ..
Mbas dy javësh lindi Driti. Besoj e njeh. Ai që shkruen në gazeta.
Shoferi kishte mbarue punë. U drejtue për kah ujëvara të lante duert.
- Jo! … Jo! .. – briti ai tjetri. – Jo! Aty ka gjak! .. – dhe u drodh i gjithi sikur e kishte kapë epilepsia.
Shoferi nxori një shami prej xhepit, fshiu duert sa mundi, dhe pa folë një fjalë u drejtue për në makinë. Mbas tij u nis edhe i moshuemi.
Si kishte hypë në makinë, m’u drejtue sërishmi mue me sy të skuqun:
- As ti! Mos u laj! … Aty ka gjak! … Gjaku u Jkaut ……
Shoferi, pa shikue as atë e as mue, nisi makinën dhe mbas pak u zhduk në kthesë.
Shikoja ujëvaren. Jo, ika edhe unë shpejt e shpejt në makinë. M’u duk se vërtetë atje rridhte ende gjak.
Sa gjak kishte derdhë Jaku në atë pellg të vogël poshtë Ujëvarës, që skuqte ende mbas kaq vitesh?

No comments:

Post a Comment

BASHKEKOHESIT E FLORI BRUQIT NJE KEMBANE ZGJIMI

Search inside image ZEF PERGEGA “I dashur Flori. Ju percjelle urimet me miqesore per daljen ne drite te librit “Flori Bruqi ne shenimet e ...