2012-04-11

Drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit




Prof. Dr. Aurela Anastasi

Forcimi i luftës kundër korrupsionit, me qëllim parandalimin dhe eliminimin e tij, po bëhet gjithmonë e më tepër një çështje e ndjeshme, e shtruar për zgjidhje. Kjo duket qartë jo vetëm në nivelin e brendshëm, por edhe në atë ndërkombëtar, gjë që reflektohet në konventat ndërkombëtare të ratifikuara kohët e fundit. Madje, aktualisht, po diskutohet mjaft për faktin se, si Kushtetuta dhe institucionet kushtetuese të një vendi mund të ndihmojnë më mirë në luftën kundër korrupsionit. Nuk ishte e rastit që në Kongresin Botëror të Konstitucionalistëve (zhvilluar në Athinë, në muajin qershor të këtij viti), tema mbi Kushtetutën dhe antikorrupsionin u trajtua gjerësisht. Eshtë e vërtetë se ndarja e pushteteve dhe ndërtimi i një gjyqësori të pavarur kanë qenë një nga shërbimet më të mëdha që kushtetutat demokratike i kanë bërë luftës kundër korrupsionit. Megjithatë, kjo luftë është mjaft komplekse dhe e lidhur me shkaqe e faktorë të ndryshëm, prandaj meriton më shumë vëmendje, si në nivelin ligjor të zakonshëm, ashtu edhe në nivelin kushtetues. Sidoqoftë, një nga mjetet më të rëndësishme antikorrupsion mbetet parandalimi dhe goditja që organet e drejtësisë i bëjnë veprave korruptive përmes zbatimit me efektivitet të ligjit. Në këtë këndvështrim është e domosdoshme të kemi një gjyqësor të fortë, të pakorruptuar, të përgatitur profesionalisht, që të punojë me përgjegjësi e transparencë, me gjyqtarë etikisht të pastër e të papërfshirë në konflikte interesi.
Vetëm në këtë mënyrë do të rritet besimi qytetar, i cili shpesh i stigmatizon dhe i paragjykon organet e drejtësisë, duke i konsideruar edhe ato vetë, të prekura nga korrupsioni. Ky fakt është evidentuar nga disa sondazhe të kryera me qytetarët, të cilët i kanë klasifikuar gjyqtarët si një nga grupet më të korruptuara në vend, pas mjekëve e nëpunësve të doganave dhe të tatimeve. Prandaj, krahas reformave për të luftuar shfaqjet e korrupsionit në organet e drejtësisë dhe për të forcuar sistemin e drejtësisë në tërësi është e nevojshme të punohet edhe për rritjen e besimit te qytetarët dhe ndërgjegjësimin e tyre për të denoncuar korrupsionin. Njohja e procedurave që ndjekin këto organe dhe transparenca e tyre ndaj publikut, si dhe evidentimi i modeleve pozitive të goditjes që ato i bëjnë korrupsionit janë mjetet kryesore për të arritur sa më sipër.

Midis problemeve të evidentuara nga një raport i përgatitur nga “Qendra për Nisma Ligjore Qytetare” (botuar në internet: www.qag-al.org), si rezultat i monitorimit të veprimtarisë së prokurorive dhe gjykatave të rretheve gjyqësore Tiranë, Vlorë e Shkodër në lidhje me veprat penale të korrupsionit për vitet 2004-2006, po rendisim disa prej tyre.
Nga raporti rezulton se, edhe pse nga perceptimi i publikut veprat penale korruptive rezultojnë të kryera jo rrallë nga zyrtarë të administratës publike, pak prej tyre arrijnë të gjykohen nga organet e drejtësisë. Në këto vite, nga këto organe janë proceduar e gjykuar veçanërisht vepra penale të shpërdorimit të detyrës. Numri i procedimeve penale për veprën penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” është i pakët. Gjithashtu, vëmë re se subjektet e gjykuara kanë qenë sidomos, punonjës të policisë e të KESH-it dhe pak vend kanë zënë organe të tjera. Pra, edhe pse nga perceptimi i publikut punonjësit e doganave, të tatimeve dhe mjekët, zënë vendin e parë në grupet më të korruptuara në vend, nuk ka pasur procedime penale ndaj punonjësve të këtyre sektorëve sipas këtij studimi, (konstatohet vetëm një rast i gjykuar në gjykatën e Vlorës, gjatë vitit 2007).
Midis shkaqeve që shpjegojnë sa më sipër, konkludojmë se në radhë të parë, kjo vjen nga numri i pakët i denoncimeve pranë organeve kompetente. Qytetarët janë pak të ndërgjegjësuar për rëndësinë që ka lufta kundër këtij fenomeni, si një fenomen i rrezikshëm që gërryen shoqërinë tonë. Më e keqja ndodh në rastet kur qytetarët pajtohen dhe ambientohen me veprat korruptive, i konsiderojnë ato një fenomen normal dhe madje, bëhen bashkëpunëtorë në kryerjen e tyre.
Për të riparuar këtë ndërgjegje qytetare, një nga aspektet e punës mbetet njohja dhe informimi i publikut në lidhje me procedurat që ndjekin organet e drejtësisë për të denoncuar e gjykuar veprat korruptive të funksionarëve publikë. Kjo transparencë ndaj publikut ndihmon në zbatimin me efektivitet të ligjit dhe në rritjen e përgjegjshmërisë së punonjësve të drejtësisë. Ajo mbetet një detyrim për gjykatat edhe në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Aktualisht, publikimi i vendimeve të gjykatave dhe i procedurave të ndjekura gjatë procesit gjyqësor përmes internetit ka rezultuar një mjet mjaft efektiv, por që njëkohësisht kërkon zgjerimin e mundësive të qytetarëve për të shfrytëzuar internetin. Nga ana tjetër, çështja e vazhdimësisë së publikimit të vendimeve gjyqësore përbën një shqetësim për gjykatat e shkallës së parë. Mjafton të përmendim faktin që aktualisht, më e plotë paraqitet faqja e internetit të Gjykatës së Tiranës, ndërkohë që të gjitha gjykatat, shprehin shqetësimin për sigurimin e mjeteve financiare me qëllim vijimin e publikimit. Deri tani, ato janë mbështetur nga donatorë të huaj, të cilët kanë dhënë një ndihmesë të konsiderueshme, jo vetëm materiale, por edhe për rritjen e cilësisë së njoftimeve të procesit dhe të vendimeve gjyqësore, përmes internetit.
Një çështje tjetër e rëndësishme lidhet me cilësinë e denoncimeve. Një përqindje e konsiderueshme e procedimeve penale të kryera nga Prokuroria nuk arrijnë të shkojnë për gjykim, por pushohen. Pushime të çështjes vendosen edhe nga gjykatat. Madje, ka edhe denoncime që përfundojnë me mosfillim të çështjes penale. Eshtë e qartë që në këtë këndvështrim, një sërë detyrash burojnë për Prokurorinë e gjykatën, të cilat në plan të parë duhet të ruajnë një proces të rregullt ligjor. Porse ato, duhet të bashkëpunojnë më mirë me organet dhe institucionet për të proceduar në lidhje me veprat korruptive. P.sh., më mirë mund të koordinohet puna me Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të personave zyrtarë. Organet e drejtësisë nuk mund të qëndrojnë në pritje të denoncimeve dhe të justifikohen me cilësinë e dobët të kallëzimeve penale, në të cilat shpesh mungojnë elementet e figurës së veprës penale dhe mundësitë reale për procesin e të provuarit. Kur kallëzimi vjen nga qytetari, kjo është më se e kuptueshme dhe për mendimin tonë nuk ka vend për asnjë qortim. Por, në rastin kur kallëzimet mbërrijnë në Prokurori nga institucionet e ndryshme, mendojmë se cilësia e tyre duhet të rritet, me qëllim që të mos dështojë procesi që në fillim. Këtu nuk është fjala vetëm për mungesën e përvojës nga juristët e administratës (të cilët në mjaft raste janë pa përvojë dhe porsa kanë përfunduar studimet), por ekziston edhe mundësia e urdhërimeve të eprorëve, të cilët shmangin rrugën e përgjegjësive administrative dhe civile për shpërdoruesit e detyrës, duke u përpjekur të përcjellin çështjen në një organ tjetër. Në këtë mënyrë, jo vetëm nuk vërtetohet përgjegjësia penale, por edhe shmanget përgjegjësia disiplinore ose civile, duke mos paguar askush për dëmin që i vjen shoqërisë e shtetit.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...