LIDHJA E SHKRIMTARËVE E KOSOVËS
Njoftim
Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës fton të gjithë poetët e studiuesit letrarë për paraqitje me poezi e kumtesa në festivalin e tretë ndërkombëtar Drini poetik në Prizren, më 9-10 qershor 2012.
Festivali Drini poetik mbahet në patronazhin e Kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi.
Numri i pjesëmarrësve me punime në festival është i kufizuar në 60 veta.Në Festival marrin pjesë edhe disa poetë ndërkombëtarë.
Poezia
Poezia duhet të jetë e papublikuar dhe deri 30 vargje, me motive të lira.Numri i poezive që do të lexohen është i kufizuar në 45 sosh.
Kumtesa
Kumtesat për sesionin letrar me temë Letërsia shqiptare dhe 100-vjetori i Pavarësisë duhet të jetë deri 4 faqe makine (30 rreshta), leximi të zgjasë më së shumti 7 minuta.Numri i kumtesave në sesionin letrar është i kufizuar në 12 sosh. Të dërgohen rezymetë deri 20 rreshta.Çdo pjesëmarrës mund të paraqitet vetëm me një punim në Festival.
Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës përzgjedh poezitë e kumtesat më të mira, duke ftuar autorët e tyre në Festival.Për pjesëmarrësit e ftuar sigurohet akomodimi nga Kuvendi Komunal i Prizrenit. Festivali jep disa çmime letrare, kompenson punimet e lexuara dhe biletat e udhëtimit nga rajoni. Afati për paraqitje në Festival është deri më 20 maj 2012.
Poezitë dhe rezymetë e kumtesave të dërgohen në e-mailin lshk2009@hotmail.com, për festivalin ndërkombëtar Drini poetik.
Prishtinë, më 12.4.2012 KRYETARI Adem Demaçi