2012-04-11

Fitues apo Humbës në Lojën e Korrupsionit?



Prof. Dr. Fejzi Kolaneci

Korrupsioni ka qenë një fenomen i përhapur dhe i përsëritur gjatë historisë njerëzore. Ai është përkufizuar nga shkencëtarët në mënyra të ndryshme. Përkufizimi më popullor i korrupsionit, i formuluar nga Banka Botërore në vitin 1995, është ky: “Korrupsioni është një shpërdorim i pozitës shtetërore për përfitime private.” Sipas një përkufizimi tjetër, “Korrupsioni është gjithmonë një veprimtari djallëzore, e cila me anën e disa sjelljeve ose marrëdhënieve, synon të prodhojë përfitime ose avantazhe për vehten ose për të afërmit e familjes ose për miqtë ose për aleatët politikë.”
Korrupsioni nuk është detyrimisht një proces ekonomik. Ai manifestohet edhe në procese politike (përshembull, në afera korruptive të politikanëve me biznesmenë të fuqishëm, në manipulime të zgjedhjeve parlamentare ose në tregtimin e votave me anë parash të pista); në sistemin e drejtësisë (në korrupsionin e prokurorëve, gjyqtarëve dhe avokatëve) dhe në disa fusha të tjera (përshembull, në arsim, shëndetësi).

Loja e korrupsionit

Sipas Teorisë Moderne të Korrupsionit, në shtete në tranzicion me institucione politike dhe administrata relativisht të dobta, korrupsioni shndërrohet në një sistem. Kjo do të thotë se korrupsioni është bërë pjesë e pandarë e aktivitetit ekonomik, social e kulturor dhe se ai ka depërtuar në të gjitha shtresat e administratës shtetërore. Sistemi i korrupsionit funksionon si një makineri komplekse dhe përbëhet nga disa nënsisteme që bashkëveprojnë midis tyre, duke respektuar urdhrat dhe porositë e dhëna nga organi drejtues i këtij sistemi. Nënsisteme kryesore të sistemit të korrupsionit janë korrupsioni politik, korrupsioni në sistemin e drejtësisë dhe korrupsioni në ekonomi.
Sistemi i korrupsionit në ditët tona karakterizohet nga një modernizim i madh. Për të siguruar mbijetesën, ky sistem ka punësuar shkencëtarë të fushave të ndryshme dhe zbaton arritje bashkëkohore të shkencave dhe teknologjive.
Sipas Teorisë së Përgjithshme të Sistemeve dhe Analizës Sistemore të Aplikuar, sistemi i korrupsionit duhet të luftohet nga sistemi i antikorrupsionit, i cili ka nënsisteme kryesore Agjencinë Kombëtare të Antikorrupsionit, Komisionin Ndërministror të Antikorrupsionit (të quajtur ndryshe, Task Force), sistemin e drejtësisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Zyrat e Hetimit të Korrupsionit.
Loja e korrupsionit është një model matematik i konflikteve dhe ujdive që ekzistojnë ndërmjet sistemit të korrupsionit, sistemit të antikorrupsionit dhe publikut të gjerë. Në përputhje me Teorinë e Lojrave, duhet të tregohet cilët janë lojtarët, cilat janë strategjitë e çdo lojtari dhe cilët janë funksionet e dobisë (domethënë, qëllimet) e çdo lojtari. Çka është më e rëndësishme dhe më e vështirë, duhet të saktësohet edhe parimi i optimizimit të lojës së korrupsionit. Ne e formulojmë lojën e korrupsionit si një lojë me dy shtresa (nivele). Në shtresën e ulët zhvillohen marrëdhënie ndërmjet publikut të gjerë dhe nëpunësve shtetërorë, ndërsa në shtresën e lartë marrëdhënie ndërmjet nëpunësve shtetërorë dhe shefave të tyre (të quajtur ndryshe autoritete qendrore). Një përshkrim më i saktë i procesit të korrupsionit bëhet me anën e një loje me tri shtresa. Por, ne nuk do të trajtojmë në këtë shrim lojën e korrupsionit me tri shtresa, sepse është më e ndërlikuar.
Sjellja e ndershme ose e pandershme e autoriteteve qendrore nuk duhet paragjykuar. Janë faktet reale ato që përcaktojnë nivelin e korrupsionit të çdo autoriteti qendror. Gjithashtu, janë sjelljet e autoriteteve qendrore ato që përcaktojnë nivelin optimal të korrupsionit në hierarkinë administrative shtetërore. Disa nëpunës shtetërore janë të ndershëm, të tjerët të korruptuar. Por, në varësi nga interesi vetiak, nëpunësi i korruptuar mund të sillet i ndershëm.
Variabli strategjik i nëpunësit shtetëror është niveli i korrupsionit të tij. Variable strategjike të autoritetit qendror janë caktimi i vendeve të punës dhe pagave të nëpunësve shtetërorë në vartësi të tij, niveli i monitorimit të veprimtarisë së këtyre nëpunësve me anën e indikatorëve të korrupsionit dhe masat ndëshkimore për vartës me korrupsion të faktuar. Qëllimi i nëpunësit shtetëror të korruptuar është maksimizimi i të ardhurave të pritshme nga aktiviteti korruptiv dhe nga paga, ndërsa qëllimi i autoritetit qendror është më i ndërlikuar, sepse varet nga interesat e tij politike, ekonomike dhe kulturore. Pranohet se nëpunësit shtetërorë të korruptuar këmbejnë informacion midis tyre dhe janë plotësa strategjikë të njëri-tjetrit. Kjo do të thotë se strategjive me agresivitet në rritje të nëpunësve të tjerë, çdo nëpunës i korruptuar u kundërpërgjigjet gjithashtu me strategji vetiake më agresive. Me fjalë të tjera, fitimi i çdo nëpunësi të korruptuar është funksion rritës i niveleve të strategjive të përdorura në shtresën e ulët të hierarkisë. Gjithashtu, korrupsioni në secilën shtresë të hierarkisë administrative shtetërore “ushqen” korrupsion në shtresën tjetër. Në kushte të tilla, parimi i optimizimit i lojës së korrupsionit është parimi i John F. Nash Jr. (i quajtur ndryshe, parimi i përmbushjes së qëllimit). Kjo do të thotë se strategjia e çdo nëpunësi duhet të jetë kundërpërgjigje e tij që maksimizon fitimin vetiak ndaj strategjive që do të përdorin nëpunësit e tjerë.
Ekuilibri Nash në lojën e korrupsionit përkufizohet si profil i strategjive të pastra ose mikse të nëpunësve të korruptuar (domethënë, i situatës së korrupsionit), i tillë që asnjë nëpunës nuk do të dalë i fituar në qoftë se rrëshqet në ndonjë strategji tjetër.
Ekzistenca e ekuilibreve Nash të lojës së korrupsionit vërtetohet matematikisht me metoda të Analizës Funksionale. Prandaj, situatat e ekuilibruara Nash të lojës së korrupsionit nuk janë kurrsesi hipoteza utopike, por janë praktikisht të realizueshme. Madje, këto situata të ekuilibruara do të ndodhin me probabilitet të lartë, në qoftë se sistemi i antikorrupsionit funksionon me efektivitet të ulët.
Lufta kundër sistemit të korrupsionit në situatat e ekuilibruara Nash është e vështirë, komplekse dhe e gjatë. Sipas Teorisë së Kompleksitetit të A. N. Kollmogorovit, në situata Nash të lojës së korrupsionit do të gjenerohen probleme “praktikisht të pazgjidhshme” (domethënë, për zgjidhjen e problemeve të tilla do të nevojitet një kohë e gjatë). Në situata të tilla, do të përfitojnë maksimalisht të gjithë personat e korruptuar.

Sugjerime qeverisë për lojën e korrupsionit

Duke analizuar me kujdes sfidën e Qeverisë Berisha në luftën kundër sistemit aktual të korrupsionit, lindin natyrshëm pyetjet e mëposhte:
– Në çfarë mase harmonizohen pikëpamjet e kësaj qeverie mbi strukturën e sistemit të antikorrupsionit me Teorinë Bashkëkohore të Korrupsionit?
– Me cilin ekip shkencor është pajisur Qeveria Berisha për të dalë fituese në lojën e korrupsionit?
Unë kam mendimin se faktorët e renditur më poshtë prezantojnë disa mangësi të kësaj qeverie në luftën efektive kundër sistemit të korrupsionit dhe se mënjanimi i shpejtë i këtyre mangësive është kusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm që sistemi i antikorrupsionit të rezultojë fitues në lojën e korrupsionit
1. Teoria Bashkëkohore e Korrupsionit argumenton se Agjencia Kombëtare e Antikorrupsionit është nënsistem kryesor i sistemit të antikorrupsionit.
Në shkrimin “Pse nevojitet Agjencia Kombëtare Antikorrupsion” është argumentuar nevoja e ngutshme për krijimin dhe funksionimin e kësaj agjencie. (Postimi im i mesiperm permban kete shkrim - Borix) Gjithashtu, janë saktësuar detyra kryesore që duhet të kryejë ky institucion i pavarur nga politika. Por, për këtë çështje të rëndësishme Qeveria Berisha nuk ka reaguar.
2. Mosfunksionimi i Agjencisë Kombëtare të Antikorrupsionit bëhet shkak për lindjen e dyshimit se qeveria aktuale po e lufton korrupsionin me metodën selektive. Kjo do të thotë se do të ndëshkohet rregullisht vetëm ajo pjesë e nëpunësve të korruptuar të cilët nuk kanë interesa të përbashkëta me disa pushtetarë të korruptuar dhe nuk do të ndëshkohet pjesa tjetër e burokratëve të korruptuar, të cilët janë shërbëtorë besnikë të këtyre pushtetarëve.
3. Mosfunksionimi i Agjencisë Kombëtare të Antikorrupsionit interpretohet edhe si vetëbesim i tepruar i Qeverisë Berisha në Task Force Antikorrupsion, i cili është plotësisht i politizuar. Kërkime shkencore bashkëkohore në Psikologji dhe Teorinë e Informacionit kanë argumentuar se vetëbesimi i tepruar shndërrohet, me kalimin e kohës, në bindje të gabuar. Kjo do të thotë se vetëbesimi i tepruar të çon drejt humbjes.
4. Qeveria ka treguar interes të pakët për studimin “Llogaritja e Probabilitetit të Zbulimit dhe Probabilitetit të Ndëshkimit të Korrupsionit”, të prezantuar dhe diskutuar në tryezën e rrumbullakët, të zhvilluar në University of New York Tirana, në datën 16 dhjetor 2005. Nëpunës shtetërorë të lartë, pjesëmarrës në këtë aktivitet shkencor, propozuan që ky studim të zbatohet së shpejti në doganat, tatim-taksat e biznesit të madh, në investigimin e korrupsionit të politikanëve dhe policisë. Por, deri tani, nuk ka patur kontaktime për realizimin në praktikë të studimit. (Gjithesesi, ju kujtoj se disa kohe pas perfundimit te ketij artikulli, Drejtoria e Doganave pranoi te bashkepunonte per te monitoruar indikatoret e korrupsionit tek nenpunesit e doganave - Borix). Rikujtojmë një pohim themelor të Teorisë së Korrupsionit: “Qeveritë e dobta, të cilat nuk monitorojnë veprimtarinë e nëpunësve shtetërorë të të gjitha niveleve me anën e indikatorëve të korrupsionit, lejojnë që sistemi i korrupsionit të mbijetojë dhe lulëzoje”. Fjalët “qeveri e dobët” nënkuptojnë mungesën e vullnetit politik të qeverisë për të luftuar pa kompromis sistemin e korrupsionit.
Efektiviteti i monitorimit me anën e indikatorëve të korrupsionit karakterizohet nga probabiliteti i ndëshkimit të aktit korruptiv të faktuar. Sa më i lartë të jetë niveli i korrupsionit në hierarkinë administrative shtetërore, aq më i vogël do të bëhet probabiliteti i ndëshkimit të akteve korruptive, sepse autoritetet qendrore do të bëhen gjithmonë e më të korruptuar dhe sidomos sepse aktet korruptive në shtresën e ulët të hierarkisë do të zbulohen më me lehtësi nga shefa të korruptuar se sa nga shefa të ndershëm. Prandaj, monitorimi i veprimtarisë së zyrtarëve të të gjitha niveleve me anën e indikatorëve të korrupsionit është i domosdoshëm.
5. Qeveria duhet të kërkojë mbështetje nga institucionet fetare në luftën kundër korrupsionit. Besimi tek Zoti dhe predikimet fetare janë forca madhore për të ruajtuar të paprekur ndershmërinë njerëzore nga tundime djallëzore. Të gjitha fetë e dënojnë rreptë korrupsionin. Roli i besimit tek Zoti në zvogëlimin e nivelit të korrupsionit nuk duhet injoruar kurrësesi në kushtet e vendit tonë!
6. Qeveria duhet të ndërgjegjësohet se në lojën e korrupsinit ajo përballet me një kundërshtar të pajisur me nivel të lartë shkencor, i cili përdor metoda të sofistikuara. Prandaj, lufta e suksesshme kundër sistemit të korrupsionit presupozon se qeveria duhet të pajiset me një grup shkencor të përbërë nga matematikanë dhe informatikanë të kualifikuar. Detyrë parësore e këtij grupi do të jetë gjetja e strategjive optimale dhe zbatimi i metodave moderne të optimizimit në lojën e korrupsionit. Është gabim i pafalshëm të lihet zhvillimi i lojës së korrupsionit në dorë të disa aparatçikve, të cilët madje nuk dinë as të formulojnë saktë problemet e ndërlikuara që do të lindin. Nuk mund të imagjinohet kurrësesi që “persona” të kësaj kategorie të zbatojnë Teorinë e Kompleksitetit të Kollmogorovit, Metodën e Optimizimit Nash-Harsanyi-Vorobjev ose Teorinë e Plotësueshmërisë Strategjike të Bulow-Geanakoplos-Kempherer për të gjetur zgjidhje optimale të lojës së korrupsionit.

Mendoj se për disa çështje të këtij shkrimi mund të zhvillohet një debat i hapur.
* * *
Se pari, ky artikull eshte shkruar pas disa kerkimeve te thella ne teorite e permendura, si dhe pas aplikimit te suksesshem te ketyre teorive ne disa shembuj reale dhe praktike per rastin e Shqiperise.

Se dyti, korrupsioni konsiderohet si nje loje komplekse, e cila mund te modelohet me ane te Teorise se Optimizimit dhe kriteret e Nash-Harsanyi-Vorobjev per gjetjen e ekuilibrit ne fjale. Ne kete pike, lind nevoja per Matematiciene, Informaticiene, Psikologe, Politologe, Ekonomiste, e te tille te tjere. Kjo do te thote se korrupsioni nuk luftohet me ane te fjalimeve shumengjyreshe te analisteve politike apo te politologeve apo te politikaneve, por me ane te shkencetareve te pakten te fushave qe permenda.

Se treti, ne artikull jepet nje permbledhje kontrastuese e punes se bere nga Qeveria Berisha ne luften kunder korrupsionit perkrah parimeve shkencore qe duhet te shpalose kjo lufte. Eshte argumentuar perse Task Force Antikorrupsion eshte e pavlefshme per kete lufte; ajo perbehet nga politikane te nje krahu, te cilet eshte e sigurt se e kthejne luften antikorrupsion ne nje lufte selektive, pra nuk i godet te gjithe te korruptuarit, por disa. Kjo nuk quhet nisme antikorrupsion!

Se katerti, ne artikull paraqiten gjashte sugjerime drejtuar qeverise aktuale (mund te kishte qene edhe ndonje qeveri tjeter), ne menyre qe te marre hapa sa me te shpejta per te goditur korrupsionin. Artikulli eshte shkruar ne vjeshte 2005, pra kur Qeveria Berisha sapo ishte formuar. Jam pothuaj i sigurt se, nese keto sugjerime do te ishin marre ne konsiderate qe atehere, Shqiperia nuk do t'i ndiente kaq thelle kthetrat e korrupsionit administrativ dhe ekonomik. Nje pike interesante (te cilen Prof. Kolaneci e cileson te domosdoshme) eshte shfrytezimi i fese dhe institucioneve fetare si nje mjet psikologjik dhe moral per te goditur korrupsionin. (Sa per informacion, nisur edhe nga fakti qe une jam ateist dhe kam shume rezerva per fene, ne kete pike kam patur nje debat teper te shkurter me Prof. Kolanecin, por kjo nuk ka rendesi.)

Mbi te gjitha, fjalia mbyllese e artikullit i fton politikanet dhe zyrtaret e larte te zhvillojne debate te hapura rreth sugjerimeve dhe integrimit te shkencetareve te fushave te lartpermendura ne luften kunder korrupsionit (une jam i parimit se 'politikani' me 'profesionistin' jane reciprokisht perjashtues te njeri tjetrit). Nisur nga kjo, ne Universitetin e New York-ut ne Tirane u zhvilluan dy tryeza te rrumbullakta - me figura politike dhe bashkepuntore te ngushte te Kryeministrit Berisha, duke mos lene jashte edhe drejtoret e disa institucioneve kyçe (doganat). Nga njera ane, pati hezitime kur u diskutuan indikatoret e korrupsionit dhe modelimi probabilstik i tyre per te monitoruar nivelet e korrupsionit ne cdo individ te nje institucioni te caktuar. Une mendoj se hezitimi ishte pasoje e mungeses se dijes ne fushat matematike dhe me gjere nga ana e te ftuarve. Nga ana tjeter, pas nje periudhe shume te gjate (pas rreth nje viti e gjysme) ish-drejtori i doganava, P. Dervishi, pranoi te monitorohej korrupsioni sipas modelit 'Kolaneci' (sic i referohem une). Keto monitorime jane ende ne progres.

Personalisht, jam i zhgenjyer nga politikanet, politologet, analistet politike, dhe profesoret e Universitetit te Tiranes (te cilet ishin pjesemarres ne tryezen e dyte te rrumbullaket, por sic hyne ashtu dolen). Keta as nuk e kane marre mundimin te ngrene nje grup objektiv, per te zbatuar idete dhe projektet e tyre per te hequr kthetrat e korrupsionit te ngulura thelle neper insitucionet shteterore shqiptare. Uroj qe ne te ardhmen kete vend ta drejtoje dikush me mend ne koke, me parime perendimore, me konsiderata per sugjerime profesionale, me vullnet per ta perparuar kete vend.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...