2012-04-11
Shqiperise i Nevojitet Urgjentisht Agjencia Kombetare Antikorrupsion
Prof. Dr. Fejzi Kolaneci
Korrupsioni ka qenë një fenomen i përhapur dhe i përsëritur gjatë historisë njerëzore, në forma dhe nivele të ndryshme. Dokumenti i parë i shkruar është Kodi Hammurabi i shekullit 18 p.e.r., ku specifikohen masa ndëshkimore të sanksionuara në ligj për gjyqtarë të korruptuar. Aristoteli, Platoni, Tukidhidhi, Makiaveli dhe Rusoi kanë studiuar në aspekte të ndryshme korrupsionin shtetëror. Dante i ka vendosur mitëmarrësit në një rreth të thellë të ferrit, duke pasqyruar me këtë neverinë mesjetare për të korruptuarit. Shekspiri i ka dhënë korrupsionit një vend të spikatur në disa nga veprat e tij. Kushtetuta e Amerikës e vlerëson ryshfetin si një krim të qartë, i cili justifikon edhe fajësimin e presidentit të Amerikës. Politikanë të njohur i kanë humbur pozitat e tyre për shkak të korrupsionit, madje, në disa raste të rralla, kasta politike është zëvendësuar tërësisht.
Çfarë është korrupsioni
Korrupsioni është një koncept me shumë kuptime ose një bashkësi konceptesh njëkuptimore. Ai është përkufizuar në mënyra të ndryshme nga shkencëtarët, duke vënë theksin në disa aspekte të tij dhe duke lënë pas dore aspekte të tjera. Përkufizimi më popullor i korrupsionit, i formuluar nga Banka Botërore në vitin 1995 është ky: “Korrupsioni është shpërdorim i pozitës shtetërore për përfitime private”. Nga ky përkufizim nuk duhet të nxirret përfundimi i gabuar se korrupsioni nuk ekziston në sektorin privat ose në organizata joqeveritare. Sipas një përkufizimi tjetër, korrupsioni është një veprimtari e pandershme e cila, me anën e disa sjelljeve ose marrëdhënieve, synon të prodhojë përfitime ose avantazhe për veten, për të afërmit, miqtë, shokët ose për aleatët politikë. Pikërisht në këtë kuptim, korrupsioni konsiderohet sinonim i pandershmërisë.
Korrupsioni nuk është detyrimisht një fenomen ekonomik. Ai manifestohet edhe në procese politike (për shembull, në manipulime të zgjedhjeve parlamentare); në sistemin juridik (për shembull, në korrupsionin e prokurorëve, gjyqtarëve, avokatëve) dhe në fusha të tjera (për shembull, në arsimin e lartë, shëndetësi, etj.).
Korrupsioni është një fenomen me shkallë shumë të lartë kompleksiteti, në kuptimin e teorisë së kompleksitetit të matematikanit të famshëm rus A. N. Kolmogorov. Për të konkretizuar këtë kompleksitet po përmendim dy fakte. Së pari, deri me sot nuk është përcaktuar njësia matëse e korrupsionit. Së dyti, deri me sot në asnjë shtet të botës nuk njihen me siguri 95% as numri i personave të korruptuar dhe as sasia e parave me prejardhje nga aktivitete korruptive gjatë një viti të caktuar. Kompleksiteti i korrupsionit shkaktohet nga natyra dhe larmia e faktorëve që ndikojnë në të. Disa nga këta faktorë janë ekonomikë, të tjerë politikë, administrativë, socialë, psikologjikë, fetarë, etj. Për shkak të shkallës shumë të lartë të kompleksitetit, lufta kundër korrupsionit është e vështirë, e gjatë dhe zhvillohet njëkohësisht në disa fronte. Madje, teoria e Kompleksitetit e Kolmogorovit argumenton se në sistemin e korrupsionit do të gjenerohen konflikte, për zgjidhjen e të cilëve do të nevojitet një kohë e gjatë.
Shkencëtarë të shquar në teorinë moderne të korrupsionit (S. Rose-Ackerman, R. E. Klitgaard, V. Tanzi, A. Doig, etj.) kanë argumentuar se “në shtete në tranzicion, me institucione politike dhe administrata relativisht të dobëta, korrupsioni shndërrohet në një sistem”. Kjo do të thotë se korrupsioni është bërë pjesë e pandarë e aktivitetit ekonomik, social, kulturor dhe se ai ka depërtuar në të gjitha shtresat e administratës shtetërore. Sistemi i korrupsionit funksionon si një makineri komplekse dhe përbëhet nga nënsisteme që bashkëveprojnë midis tyre, duke respektuar porositë e dhëna nga organi drejtues i tij. Një rast tipik i studiuar nga Profesor R. E. Klitgaard është korrupsioni sistemor në shtete në tranzicion, ku si partia në pushtet ashtu edhe partia opozitare kryesore janë të pafuqishme për të ndëshkuar konform ligjit politikanë të korruptuar, biznesmenë të korruptuar, juristë të korruptuar, etj. Sistemi i korrupsionit në ditët tona karakterizohet nga një modernizim i madh. Strategjia dhe taktikat e përdorura prej tij po bëhen më të sofistikuara. Për të garantuar mbijetesën, organi drejtues i sistemit të korrupsionit punëson shkencëtarë të fushave të ndryshme dhe zbaton arritje bashkëkohore të shkencave dhe teknologjive. Po japim një shembull. Sistemi aktual i korrupsionit në Shqipëri përpiqet të zbatojë Teorinë e Ekuilibrave të Qëndrueshme të John F. Nash Jr., Profesor i Matematikës në Princeton University dhe fitues i çmimit Nobel në Shkencat Ekonomike. Gjendja e ekuilibruar e sistemit ekonomik-social në prani të korrupsionit karakterizohet nga realizimi i qëllimit në nivelin maksimal, sepse në këtë gjendje një pjesë maksimale e popullit përfiton (ose kësaj pjese i duket sikur përfiton) nga korrupsioni. Prandaj, luftimi i sistemit të korrupsionit në gjendjen e ekuilibruar Nash është detyrë e vështirë dhe e ndërlikuar, madje edhe për kryeministra të ndershëm, të përkushtuar dhe me vullnet të fortë. Ndonëse shkencëtarë të mirënjohur, përkrahës të korrupsionit, kanë argumentuar se korrupsioni është i dobishëm si vaji lubrifikant që ndihmon në funksionimin e makinerisë shtetërore gjigante, të dhëna faktike nga shumë shtete të botës tregojnë se korrupsioni rrit koston e jetesës, frenon investimet prodhuese, përkrah investimet joprodhuese, rrit papunësinë, shkakton përkeqësim në cilësinë e shërbimeve të infrastrukturës, etj.
Çfarë është sistemi i antikorrupsionit
Sipas Teorisë së Përgjithshme të Sistemeve dhe Analizës Sistemore të Aplikuar rrjedh se sistemi i korrupsionit duhet të luftohet nga sistemi i antikorrupsionit. Një qeveri serioze në luftën kundër sistemit të korrupsionit duhet të krijojë dhe vendosë në funksionim sistemin e antikorrupsionit. Qeveria jonë nuk e ka konceptuar drejt ndërtimin e sistemit të antikorrupsionit. Sipas Teorisë së Korrupsionit, nënsisteme më të rëndësishme të këtij sistemi janë Agjencia Kombëtare e Antikorrupsionit (AKAK), Komisioni Ndërministror i Antikorrupsionit (i quajtur ndryshe Task Force), Zyrat e Hetimit të Korrupsionit dhe Kontrolli i Lartë Shtetëror. Nënsistem kryesor është AKAK. Gjatë kohëve të fundit qarkullon mendimi se në Shqipëri nënsistem kryesor i sistemit të antikorrupsionit është Task Force. Ky opinion është shfaqur gjatë bisedave me politikanë ose pushtetarë. Madje, edhe media shqiptare ka filluar të familjarizohet me këtë vlerësim, i cili është i gabuar dhe antishkencor. Në Task Force Antikorrupsion bëjnë pjesë kryeministri S. Berisha (në rolin e kryetarit), zëvendëskryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Drejtësisë, ministri i Financave, ministri i Ekonomisë, ministri i Ndërtim-komunikacionit, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, drejtori i Prokurimeve Publike, drejtori i Regjistrimit të Pasurive dhe shefi i departamentit të auditit financiar në Ministrinë e Financës. Në qoftë se Task Force do të konceptohet dhe vlerësohet më i rëndësishëm se AKAK, atëherë do të ekzistojë rreziku i zhvillimit të luftës selektive kundër korrupsionit. Kjo do të thotë se do të ndëshkohen disa nëpunës të korruptuar dhe se nuk do të ndëshkohen nëpunës të tjerë të korruptuar, të cilët janë shërbëtorë besnikë të bosëve të korrupsionit. Si në teori ashtu edhe në praktikë, zbatimi i metodës selektive në luftën kundër sistemit të korrupsionit nënkupton ekzistencën e disa pushtetarëve ose politikanëve të korruptuar. Parashikimi ynë është i bazuar shkencërisht, sepse në Task Force bëjnë pjesë pushtetarë dhe drejtues kryesorë të disa institucioneve që janë karakterizuar nga një nivel i lartë korrupsioni.
Ne respektojmë aksiomën se korrupsioni shkaktohet nga tundime djallëzore dhe se asnjë pushtetar ose politikan nuk ka imunitet ndaj korrupsionit. Ne u besojmë fakteve dhe jo deklaratave. Për të konkretizuar këtë opinion, po japim një shembull. Në një anketim të zhvilluar në Belgjikë në vitin 2004 rezultoi se 30% e të intervistuarve i vlerësojnë politikanët belgë më të korruptuar se pjesa tjetër e popullit, ndërsa 70% e të intervistuarve nuk konstatuan ndonjë dallim ndërmjet korrupsionit të politikanëve belgë dhe korrupsionit të njerëzve të tjerë. Prandaj, për të luftuar me efektivitet sistemin aktual të korrupsionit në të gjitha shtresat e hierarkisë së administratës shtetërore, në sektorin privat të ekonomisë dhe në OJQ, nevojitet urgjentisht të krijohet dhe të funksionojë AKAK, si një institucion i pavarur nga politika.
Gjatë viteve të fundit, qeveri në shumë shtete të botës e kanë rritur efektivitetin e luftës kundër korrupsionit sistemor, duke krijuar dhe vënë në funksionim Agjencinë Kombëtare të Antikorrupsionit. Strategjia e kësaj agjencie fokusohet sidomos në sistemin e korrupsionit dhe jo vetëm në individë të korruptuar, duke pasur si objektiv kryesor investigime të korrupsionit në disa fusha prioritare si në sistemin juridik, doganat, tatimtaksat, privatizimet, ndërtimet, universitetet, ministritë, bashkitë, etj.
Për të operuar me efektivitet të lartë, AKAK duhet të gëzojë disa privilegje, si për shembull:
- T’i jepet mbështetje maksimale nga qeveria në punën që do të kryejë.
- T’i besohet fuqi hetimore e madhe dhe me shtrirje të gjerë, për të hetuar në kushte afërsisht të barabarta të gjitha nivelet e administratës (kryeministrin, zëvendëskryeministrin, ministrat, prokurorin e Përgjithshëm, kryetarin e Gjykatës së Lartë, kryetarët e Bashkive, drejtorët e Policisë, rektorët dhe dekanët e Universiteteve, drejtorët e Doganave dhe Tatimtaksave, deputetët dhe nëpunës të niveleve më të ulëta).
- T’i jepet pavarësi politike dhe operative në proceset e hetimit të korrupsionit, duke mënjanuar ndërhyrje të politikanëve, pushtetarëve, biznesmenëve të korruptuar, të mafias ndërkombëtare dhe krimit të organizuar.
- T’i jepet fuqi e mjaftueshme për të kontrolluar dokumente si në sektorin shtetëror ashtu edhe në atë privat ose në organizata joqeveritare dhe për të marrë në pyetje dëshmitarë.
- T’i jepet fuqi bashkëpunimi me Agjenci të Antikorrupsionit të shteteve të tjera.
- T’i jepet fuqi për ngrirjen e aseteve të personave ose kompanive të dyshuara për korrupsion.
- T’i jepet fuqi për sekuestrimin e dokumenteve të udhëtimit dhe për ndalim personi që udhëton jashtë shtetit, veçanërisht për rastin kur urdhri i arrestit të personit nuk është lëshuar akoma.
- T’i jepet e drejta për monitorimin e veprimtarisë së nëpunësve shtetërorë të të gjitha niveleve me anën e indikatorëve të korrupsionit dhe për llogaritjen e probabilitetit të zbulimit të dhe probabilitetit të ndëshkimit të korrupsionit.
- AKAK bashkërendon veprimtarinë e saj me veprimtarinë e Kontrollit të Lartë Shtetëror dhe të zyrave të Hetimit të Korrupsionit.
- AKAK duhet të bindë qytetarët se funksionon e pavarur nga politika dhe se ka efektivitet më të lartë se sa çdo institucion tjetër. Në sajë të sukseseve operacionale, AKAK do të ketë mbështetjen e gjerë të popullit dhe medias.
Ka rëndësi të kuptohet qartë se çdo fuqi speciale që i jepet AKAK duhet të harmonizohet me normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Gjithashtu, AKAK duhet të operojë, duke respektuar vazhdimisht legjislacionin e Republikës së Shqipërisë.
- Jo vetëm drejtuesi, por të gjithë nëpunësit e AKAK do të vlerësohen me nivel të lartë ndershmërie dhe me aftësi të spikatur profesionale, me kualifikim shkencor dhe përkushtim në punë. Ata duhet të jenë modele shembullore të objektivitetit.
- AKAK duhet të propozohet nga kryeministri, të votohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe të miratohet nga Presidenti i Republikës. AKAK do t’i raportojë direkt Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë duhet të kuptojë qartë se çdo vonesë në krijimin e AKAK është në favor të sistemit aktual të korrupsionit. AKAK do të luajë rol të rëndësishëm për të mos e lejuar sistemin e korrupsionit të ndodhet për një kohë të gjatë në gjendjen e ekuilibruar Nash me nivel të lartë të korrupsionit. Kjo do të realizohet duke i dhënë goditje shkatërrimtare organit drejtues të sistemit të korrupsionit, madje, duke bërë edhe më shumë se kaq! Gjithashtu, AKAK do të japë ndihmesë të vlefshme për arritjen e një fitoreje afatgjatë në lojën e korrupsionit, e cila po zhvillohet aktualisht në hierarkinë e administratës shtetërore shqiptare. Ndihmesa e AKAK do të konsistojë në kalimin e sistemit tonë ekonomiko-social-kulturor në një gjendje të re të ekuilibruar Nash, e cila do të ketë nivel më të ulët korrupsioni. Në këtë mënyrë, metoda matematike e përafrimeve të njëpasnjëshme na sugjeron se pas disa vitesh sistemi ekonomiko-social-kulturor shqiptar do të karakterizohet nga një trajektore e qëndrueshme me korrupsionin në nivele relativisht të ulëta. Ne jemi optimistë për të ardhmen.
* * *
Sigurisht, ne jepi optimiste per te ardhmen. Nga njera ane, ne kerkuam nje takim tete-a-tete me Znj. Topalli. Ky takim nuk u realizua asnjehere me justifikimin e zakonshem burokratik: pamundesia per shkak te kohes se kufizuar. Nga ana tjeter, ne kerkuam nje takim me kryeministrin Berisha. As kjo nuk u realizua, por ne biseduam me keshilltarin e atehershem te tij. Perfundimet pas bisedimeve ishin te dobta. Kjo tregon nje mungese vullneti ne kete lufte te veshtire kunder korrupsionit. GJithashtu, tregon mangesi ne kulture te politikaneve tane, sepse nuk vleresojne aspak punimet shkencore (profesioniste), por vetem ato politike. Megjithate, une shpresoj se politikanet shqiptare do ta kuptojne rendesen qe do t'u bjere ne koke nese nuk veprojne menjehere kunder metastasez se krijuar te korrupsionit ne Shqiperi.
__________________
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...