101
vjet nga kryengritja e Malësisë Madhe
MUZA E ALFABETIT DHE DED GJON LULI
SHKRUAN ZEF PERGEGA
Ende pa u përfunduar fjalori, nga Shkodra me 1908 i
kumtohej Vjenës: “Sado e rëndësishsme të jetë kjo punë për përparimin e gjuhës
shqipe, nga ana tjetër ne nuk duhet të lejojmë pa e parë se ajo do të këtë si
rrjedhim një përkrahje të metejshme të gjuhës italiane në Shqipëri. Shoqëria
gjuhësore “Bashkimi” e mbaroi fjalorin. Eshtë një vellim me 538 faqe, shkruar
me alfabetin e “Bashkimit”që do të thotë, dy shkronjësh, i cili merr si bazë
dialektin e Shkodrës më shumë theksime mirditore”
Abati i Mirditës Prend Doçi i shkruante dhe i
botonte librat në Vjenë me këtë fjalor me gërma latine dhe kur i sillte në
Shqipëri u griste fletën e parë për ti shpetuar përndjekjës nga autoritetet
turke. Për këtë fjalor shqip-italisht, të hartuar nga Abati Doçi, Faik Konica i
shkruan At Shtjefen Gjeçovit. “Mundësisht ti jepet zë imzot Prend Doçit se puna
vete shumë mirë. Megjithë kundërshtimet e paarsyeshme, shoqëria që themeloi Abati
me bashkëpunëtoret e tij do të zërë vendin e parë në listën e bashkimit të
gjuhës e kombësisë shqipe!”
Aktiviteti letrar i Abatit të Mirditës është
përfshirë në Enciklopedinë turke, shteti pushtues 550 vjeçar, që këtë meshtar e
burgosi.
NUK SHUHET FLAKA E LIRISE
Abat Prend Doçi ishte një nga udhëheqësit e
kryengitjeve mirditore kundra Portës së Lartë. Autoritet turke ishin shprehur
që Abat Doçi mund të shkonte në Romë, por të mos kthehej më kurrë në Shqipëri,
për shkak të aktivitetit të tij letrar dhe atdhetar.
Kështu Prend Doçi largohet nga Shqipëria nepërmjet
viseve të Malësisë Madhe, për të kaluar në Mal të Zi e pataj në Romë e në
kryeqytetet perëndimore, për të realizuar planet e tij, si një prift mendje
hollë dhe patriot i flaktë, pasi ishte përzier në trubullirat e Mirditës
Pasi mbërriti në derën e parë të fisit të Hotit,
trokiti në derën bujare të Ded Gjo’ lulit. Atë natë Deda thirri besnikët më të
afërt në trimeri e besë të tij. Asnjë nuk fjeti, e kuvendi erdhi e u ndez, siç
përflakën kullat nga gjuhët e flakëve të lisit në votër. Kulla e Ded Gjo’lulit
nuk kishte patur mik më të mirë mirditor dhe prift me të ditur së Abati i
Mirditës Prend Doçi. Deda me azganet e tij paraqiten gjithë zonën e kufirit,
përqendrimin e forcave turke dhe malazeze dhe mundësinë e gjetjës së një shtegu
për ta përcjellë të sigurtë Prend Doçin deri në tokën malazeze.
Heret në agim Ded Gjo’luli bëhet gati për rrugë dhe
ndoshta edhe për përpjekje me armë. Kështu edhe njëherë kontrollojnë armët dhe
municionin. Deda shkon tek arka e tij dhe prej andej nxjerr një kostum kombëtar
të malësorit, bashkë me xhamadanin, një revole dhe disa fishekë dhe i thotë
Abatit se është më mirë dhe me sigurtë për jetën që Prend Doçi të lente
velladonin, librin e shënjtë dhe uratët në shtëpinë e Dedës dhe ai të udhëtonte
me ta si një malësor i zakonshëm. Kur Deda u sigurue se jeta e Abatit nuk
përbënte rrezik se kishte kaluar kufirin shqiptar, Abati Doçi duke i shtërnguar
dorën dhe përpjekur kokat vëllazërore e burrërore, i ka thënë Ded Gjo’Lulit:
“Mos harroni se në këto male as nuk është shuar as
nuk do të shuhet kurrë për jetë flaka e lirisë dhe nuk do të shqimbët besa e
shqiptarit. Ai gjak që ka valuar në dejet e atij burri të varrosur në Lezhë nuk
është bërë ujë. E përderisa rron emri i Gjergj Kastriotit, që dëgjohet shpesh
në këto male rron e ka për të jetuar Shqipëria. Unë për vete si bir i këtyre
maleve edhe pse po tres larg tharmit të truallit tim arbëror, mendja do të më
punojë veç për këto troje e zemra ka më më rrah veç për Shqipërinë. Ne po
ndahemi, por e kam besimin se shpejt kemi me u pa dhe nuk po të them o Ded
trimi lamtumitrë por mirë u pafshim!”
Deda u hodhi një veshtim maleve dhe i pa një për një
në sy trimat e tij si për tu marrë pelqimin për besën që do të jepte. I shtiu
dorën Abatit mirditor, ia mbajti fort dhe pasi u falen sipas zakonit i tha: “Ma
para se të ndahemi po ju tham dy fjalë imzot Doçi vella. Pa dalë faret Hoti e
gjithë Malësia e Madhe pushka e shqiptarit nuk ka me pushue në këto anë pa e ba
Shqipninë të lirë e zojë me vete në katër Vilajete. Dalsh faqëbardhë dhe Zoti e
ndihmoftë misionin tënd!”
RREFIMET E PREK GRUDES
Një ditë në Detroit, krejt rastësisht, me disa
gazeta dhe botime të vjetra nga nacionalizmi shqiptar me bie në dorë një letër
e shkruar nga Prek Gruda në Florida me 3 prill 1999. E lëxova me vëmendje pasi
ai jepte versionin e tij mbi tri momente të jetës së heroit të popullit Ded
Gjo’ lulit. Ja çfarë shkruan ai fjalë për fjalë:
“Ded Gjo’ luli është një burrë malësor. Me burrëri e
karakter, zemër përveluar për atdhe dhe me këto ndjenja i rriti të tre djemtë e
tij. Një ditë Deda ra në Shkodër për tregti. Frati i Brigjeve të Hotit i jep
një letër për P. Pal Dodën në Kuvend të Fretneve. Deda ishte i njohur me freten
dhe me njëherë ato e ftojnë mbrënda ku ishin edhe meshtar të tjerë. Ndërkohë
Padër Pashko Bardhi po lëxonte një gazetë të huaj. Deda pa të keq i drejtohet
P. Palit dhe i thotë së zotnisë po i dhimkan sytë. Jo, Dedë, i thotë P. Pali, por para tij e
lëxova edhe unë atë gazetë dhe m’u mbushën sytë me lot se i ligu i Bosforit
është dobësuar dhe serbo greket kanë me e përla Shqiprinë. Deda trishtohet nga
këto fjalë e bof në kamë dhe e pyet meshtarin “Ç’ka dom më thanë i ligu i
Bosforit?!” Meshtaret ia shpjegojnë se është Perandoria Turke dhe se duhet me
luftue për më e mbrojt vendin e më fitue lirinë. Deda ju jep besën se sa të
mbërrijë në Hot ka me fillue luftën. Dhe ashtu ndodhi e filloi luftën me tre
djem dhe kushurinjt.
Mark Gjeloshi Gojçaj, antari i çetës ishte
16-vjeçar. Kam bisedue me te disa herë dhe ai me ka diftue si u kanë ra turqeve
befas në postën e Rapshës se Hotit. Si ua kanë marrë armët…
Pika e dytë ndoshta ma e rëndësishmja në
jetëshkrimin e Ded Gjo’ lulit, të cilin deri me tash nuk e përmend askush. Deda
dhe Kol Zefi i Grudës shkojnë tek Knjaz Nikolla në Cetinë. Jo njëherë, por disa
herë kam pas rastin me e dëgjue Kol Zefin ka difton: “Ishim në lufte me Turki e
kishim nëvojë për armë, strehim e çdo gja tjetër. Shkuem të Sokol Baci në
Nikshiq e i diftuem qëllimin tonë. Ai urdhëroi sekretarin me na shkrue një
letër për Knjazin dhe u nisëm për në Cetinë, ku mbërritem në bramje. Mark Culi
i Trieshit na çeli derën. Mbas disa kohe erdhi Knjazi me krahë të hapur duke
theksuar në gjuhën shqipe: “Mirë se ju pruni Zoti bijtë e mi! Deda ka ik prapa
disa hapa duke thenë; “Kurrë mos e pastë than Zoti më të mësye për babë, as
për vëlla, por për mik të afermt!” Unë rashë në krahët e tij, thotë Kola,
dhe me dha gradën major e një fishek me napolona të verdhë, kurse Dedën e qiti
jashtë dhe e përcuell me dy gjandarë deri në Kotorr që e zotnonte Austria.
Pika e tretë ende pezull dhe e pasqarueme është
vrasja e tij nga serbet e bashibozuket e Esat Pashë Toptanit. Kjo leu e gabuar
me djallëzi të E. Hoxhës dhe erdh e u bë e bësuar edhe nga historiani i
Mirditës P. Doçi që mendon së është vrarë me kurdisje të Gjon Markagjonit. Kjo
nuk është aspak e vërtetë. Pikësepari në Orosh në shtator të vitit 1915 nuk ka
qenë kërkush nga mashkujt e familjës së Gjonmarkut, kur është vrarë Deda.
Me 1930 kam shkuar në Orosh në shkollë e në Konviktit e Mirditës.
Atëherë isha 18 vjeç mjaft me interesim me ditë e me kuptue. E shoqja e Preng
Marka Prengës që ishte bajraktari i Oroshit dhe kryebajraktari i Mirditës me ka
thënë: “Erdhi Ded Gjo’luli fillikat në shtëpinë tonë dhe me tha se don me shkue
të Sali Mani në Krasniqe dhe me lypi njerëz me e përcjellë. Banda e Esat Pashë
Toptanit e diktoi dhe e arrestoi dhe më vonë morëm vesh që i masakruan të
gjithë bashkë me Deden dhe i qitën në Shpellë të Akullit mbas Shkambit të
Qërshisë të Oroshit…”
Shtatë burrat
mirditor që u vranë për Ded Gjo Lulin, të caktuar nga bajraktari i Oroshit ta
shoqëronin deri në Krasniqe kanë qenë: Mark Llesh Doda, Ndue Kol Pjetri, Zef
Ndue Gjoka, Preng Cup Deda, Preng Gjok Skana, Preng Marlura e Llesh Deda. Serbët
arrestuan edhe 70 mirditor të tjerë, bashkë me të birin e Ded Gjo” ulit, Kolën
dhe i intërrnuan në Itali.
Në festën e përkujtimit te 100
vjetorit të Kryengritjës së Malësisë Madhe të organizuar në Kishen e Shën Palit
në Detroit, një burrë i moshuar dhe me kujtesë të freskët, Fran Lulgjuraj, në
moshë 78 vjeçare me ka treguar:
“Në vitin 1980 kam takuar në
Podgoricë në shtëpinë e tij në rrethina miditorin e zgjuar Frrok Bisaku.
Malësoret dhe kosovarët e merrnin Frrokun kur kishin prombleme gjaku dhe
ngatërresa, të cilat ai i zgjidhte si njohës i thellë i Kanunit. Sipas tij 11
herë janë ndryshuar ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ai me ka thenë se Ded
Gjo’ lulin e ka parë të shtrirë përdhe të vrarë. Ishte vetëm trupi i tij pa
jetë. Ia kishin marrë çakshirët, armët dhe e kishin lënë me mbathje të gjata,
me çorape e këmishë të bardhë…”
MALCORET U BIJNE TURVET
Gjergj Fishta
“ Ishte nata e Nuncjatës 24 Mars 1911, e natën nëpër terr nji çetë
tetmdhetë vetesh, shtatë me armë e njimdhetë pa armë, rrugë pa rrugë, bite
Qafës Bukoviqit, drejt ka Rrapsha, ku gjindej nji ndër blochaus, qi Bedri Pasha
kishte ngref kah Malcija. Tue shkue malit e tue bisedue të vogel njani me
tjetrin, po zën e thotë Kol Marash Vata, qi u kishte pri:
“Me nimë të Zotit, burra, na i
herë sande po i bijmë kaushës se asqerit e… të dalë ku të dalë. Për në kjoftë
se na ec falli mbarë, po i marrim njato tridhet mauzerre të turkut e masandej
po ia çojmë puçë Bedri Pashës e po ia lajmë të dhetat me kokrra plumash. Por në
kjoftë thanë prej zotit me mbetë, prap mirë se mirë, mos tjetër, s’kemi me pa
dhunitë e barbaritë, qi Xhemleti don me na ba mbi Malci. Ma mirë dekë si
burrat, së gjallë e më marre”
Kështu tha Kol Marashi dhe çeta iu avit
blochausit të ushtarëve të Turkisë. Aty xunë vend, e masi u shtërnguen me armë
ia nisën pushkën ushtarëve, shtatë malcorë e tridhet ushtar. Ushtarët mrenda e
malcoret jashtë. Krisi pushka sa krisi e qatje vonë xu me i lshue zemra
ushtarët edhe u ranë ndore malcorëve. Malcorët u muarne armët, e ushtarët i
lshuan me shkue ka deshtën. Nuk ishin Sllav me pre robt e nxanun. Malcorët
atëherë në fillim mësyen kaushën e Çemerrit dhe e pushtuen pa pushkë të shtime.
Gruda në tjetrën anë, tue luftue si kulshedra me dragoj, kishte marrë
kaushet e Pikalës e të Shtegut te Selishtit, të Bokrrines e kur u err dita e 25
Marcit, Kol Mirashi e Gjon Pllumi me shokë të vet u kishin marrë ushtarëve të
Turkis 86 mauzerre. Atëbotë iu qit kushtrimi Malcisë, e mësyen e morën Tuzin e
filluen me u shtërngue për më i ra Shkodrës.
Mjaf
ka kenë prej anet të malcorëve me mujt me e mendue!”
Pader Gjergj Fishta i ka përshkrue fazat e ndyshme të kësaj kryengritje
në “Hyllin e Drites” 1914 me një varg artikujsh me titull “Lot Gjaku” ne
“Mrizin e Zanave” e “Lahutën e Malcisë” duke e përjetësuar trimin e malsorëve
Ded Gjo’lulin
Edhe pas gritjës së flamurit në Deçiq
me 6 prill 1911Ded Gjo’luli nuk e ndali luftën. Me 16 prill 1914 dymbëdhjetë
batalione malazeze mësyjnë natën Malsinë dhe bëjnë masakra në Hot e Grudë.
Flakë kallën fahatrat bagëtia e pasuria. 575 shtëpi bëhen të pabanueshme dhe
malsorët lëshojnë vendin. Ded Gjo’luli bashkë me dy krenë nga paria e Shkodrës
i kërkon ndihmë qeverisë së Durrësit….Mbi armikun krisi pushka!
ISHIM
KALAMA….
Ernest Koliqi
“Ishim kalama me 1911. Nuk e
harroj kurrë mbramjen e kuqe, në të cilën pash prej qytetit të huaj ku
ndodhësha aso kohe tue u nisur dyqind burra dosido të armatosur kah malet e
afërme, ku vlonte pushka. I shikova në fytyrë nji e nga nji në kalim. Kishte
nëpërmjet tyre djelmosha në versën ma të bleruar, kishte pleq të molisur nga
vitet e shumta. Ecshin pa folë nëpër nji fushë të gjanë. Edhe unë eca me ta në
heshtje, nji copë rrugë. Mandej u ndala, pse po behej tepër vonë e drojshëm në
qortimet e babës. E ata u zhduken të përpimë nga hijet e natës. Pyeta se ku
shkojnë!? Dikush me kallxoi: “Me luftue për Shqipni”
Shqipni!…Emen u çuditshëm dhe i ri. Vonë në atë natë më mori gjjumi.
Mendimet qi me sillëshin nëpër tru ishin ma të medhaja se mosha ime. Kur u
zgjova në mëngjez edhe dola në dritare me shikue kah Deçiqi vura re menjiherë
se pushka mbi ato male kërciste me rrëptësi të shtuar. Dyqind burra të heshtur
kishin mbërritur atje.
Prap
në mbremje dola në fushë, i nxitur ma tepër se kureshtja feminore nga një epsh
i fshehtë i shpirtit. E pashë disa prej atyne, qi një ditë më parë u nisën të
fortë e të shëndetshëm, tue u kthye të mbajtun në vig prej shokëve. Disa të
varruem e disa të dekun. Nanat, nuset, bijat qi banojshin në vobëktsinë ma të
egër nëpër shpella plot lagështinë të nji lumthi rrjedhës në atë fushë, i
pritshin me lot të heshtun pa vaj me denesë. Vetëm ndonji plak fliste e thoshte
“Per hajr!”
Deshta me dijtun ma tepër e pyeta
gjithkënd. Me kallxuen historinë e Skenderbeut.Vetëm atëherë mendja ime e njomë
e kuptoi nëpër te, në mënyrë të avullueshme, bukurinë që e rrethonte vdekjen e
atyre fatosave t papërmendun…!”
Në atë kohë Ernest Koliqi fëmijë 9-vjeç ishte
larguar nga Shkodra. Babai i tij si shumë tregtar ishte vendosur në Podgoricë.
Një numër i konsideruar të tregtarëve shkodranë, të gjithë katolik, morën pjesë
në Komitetin e Ndihmës me kryetar Sokol Bacin për kryengitjen e Malsisë Madhe.
“Kalxon
Mark Kakarriqi që paska qëllue nji përiudhe që luftetarët e lirisë kishin mbetë
pa bukë. Ardh në Podgoricë Kola, djali i madh i Ded Gjo’lulit e diftue Markut
gjëndjen. Ky i ka çue tek Shan Koliqi (babai i Ernestit) qi shkruan një biletë
ku urdhnon të merrën 100 thasë miell e të dërgohen në furrën e caktueme për
bukën e malcorëve në luftë kundra turkut…!”