2024-01-24

A do të jetë McGonigal fundi i Edi Ramës?

A do të jetë McGonigal fundi i Edi Ramës?

Edi Rama dhe McGonical 

Rasti McGonigal është prova e madhe dhe e pakundërshtueshme se qeverisja e Ramës është e paligjshme dhe këto skandalet e tjera qe SPAK po heton sot janë rrjedhojë e të njëjtit sistem, themelet e të cilit janë tek informacionet e rreme të dala nga zyra e Edi Ramës, kundër një opozite që atëherë e kishte kundërshtare të fortë...

Nëse mënyra se si po funksionon SPAK për t'i dhënë fund korrupsionit në Shqipëri do të vendoset si standard, atëherë Edi Rama duhet të ishte burgosur me kohë e dënimi të qe, burg përjetë. 

E themi këtë duke iu referuar rasteve korruptive që janë aktualisht në syrin e ciklonit, por edhe të opinionit publik dhe atyre që janë aktualisht në burg ose në prag të tij.

Akuzohet Ilir Beqaj për koncencionin e Sterilizimit, edhe pse nuk ka një pjesëmarrje (firmë e vulë) të drejtpërdrejtë në proces. Vetëm me prova dytësore (me logjikë po e po) vërtetohet që afera korruptive është drejtuar prej tij.

Akuzohet Sali Berisha se ka influencuar si Kryeministër i kohës, që dhëndri i tij të përfitonte pronat e familjes dhe miqve te vet biznesmenë për të ndërtuar më pas kulla, por përfshirje të drejtpërdrejtë me firmë e vulë nuk ka gjëkundi.

Pra, meqë këta kopukë janë boll të mençur sa për të mos lënë gjurmë të pastra dhe nëse do ta pastrojmë Shqipërinë nga hajdutët kështu, sa kohë i ka mbetur Edi Ramës?

Në edicionin e djeshëm, Zëri i Amerikës publikoi dokumente të reja që e përforconin bojën e vulës se çështja McGonigal është një skandal i financuar nga Tirana zyrtare.

Në zbulimet e reja citohet një agjent i FBI-së që i shpreh dyshime shefave të tij se, çfarë vlere ka të hetohet çështja e lobimit të një partie opozitare të një vendi tjetër (Shqipërisë), kur institucioni nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të hetuar çështje shumë më të rëndësishme dhe që kërcënojnë realisht sigurinë e SHBA. Dosja e stisur e hapur dhe nxitur nga McGonigal u mbyll sapo ky i fundit doli në pension.

Çështja është e pastër, me të zezën mbi të bardhë si rrallë herë.

Agron Neza dhe Dorian Duçka (këshilltar i Ramës), pasi ia sollën Kryeministrit të Shqipërisë, McGonigalin në Tiranë, paguan njëri 225 mijë dollarë për zyrtarin e lartë të FBI-së e tjetri dëshmitarët që dëshmuan në Amerikë kundër rivalëve politikë të Edi Ramës.

Çfarë interesi paskan pasur këta dy biznesmenë kundër Partisë Demokratike për të lobuar kaq lart dhe larg për ta shkatërruar atë?

Edi Rama nuk ka gjëkundi as firmë as vulë në këtë çështje, mund të thotë dikush. Kjo është e vërtetë, por Rama nuk e mohon dot qe e ka takuar McGonigalin në zyrat e shtetit dhe pasi e quajti publikisht "mik" nuk e vërtetoi dot se nga mbiu kjo "miqësi", rrjedhojë e të cilës ishte hapja e një çështje, flluskë sapuni për amerikanët, por dëm i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Të mos harrojmë që bëhet fjalë për vitin 2017 pasi Rama kishte kaluar mandatin e parë dhe donte dëshpërimisht një të dytë. Më një opozitë të shëndetshme ai, por edhe çdo njeri me dy para mend në kokë, e di se do ta kishte shumë të vështirë të qeveriste.

Pra Edi Rama ka kryer një krim. Jo vetëm kundrejt Luzim Bashës dhe karrierës së tij politike. Kjo duket e parëndësishme sot. Edi Rama ka kryer një krim kundër demokracisë dhe një sistemi të tërë shtetëror duke e nxjerrë jashtë funksioni, çka i dha mundësinë atij të qeverisë i qetë si t'ia donte qejfi.

Rasti McGonigal është prova e madhe dhe e pakundërshtueshme se qeverisja e Ramës është e paligjshme dhe këto skandalet e tjera qe SPAK po heton sot janë rrjedhojë e të njëjtit sistem, themelet e të cilit janë tek informacionet e rreme të dala nga zyra e Edi Ramës, kundër një opozite që atëherë e kishte kundërshtare të fortë./

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...