Komisioni i Pavarur i Mediave i ka dënuar katër shpërndarësit e rrjetit kabllor në Kosovë me 100 mijë euro. Kështu, Artmotion është dënuar me 64 mijë euro, Kujtesa me 26 mijë euro, IPKO me 7 mijë euro dhe Telkos me 3 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Rekomandimi për sanksionimin e Artmotion, Kujtesa, IPKO dhe Telkos është votuar në mënyrë unanime nga anëtarët e KPM-së,
Nga janari deri më tash, në KPM ishin deponuar mbi 300 ankesa, prej tyre 221 ndaj Artmotion, 87 kundër Kujtesës, 23 për IPKO-n dhe 9 ankesa për Telkosin.
Pas vendimit, kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti ka thënë se KPM ka marrë me seriozitet ankesat dhe i ka dënuar operatorët në mënyrë proporcionale.
Komisioni i Pavarur i Mediave i kishte pranuar ankesat nga qytetarët e pakënaqur me ndryshimin e paparalajmëruar të listës së kanaleve televizive nga operatorët e shpërndarjes.
Kryetari i KPM-së tha se natyra e ankesave është pothuajse e njëjtë, përmes të cilave qytetarët kanë pretenduar për reklamime mashtruese, për mosnjoftim të qytetarëve për ndryshimin e pakos, e që kanë të bëjnë me mostransmetimin e kanaleve të “Digitalb”, si dhe “Super Sport”, “Top Channel” dhe “Klan TV”.
Mehmeti bëri të ditur se kanë evidentuar edhe shkelje të rregulloreve të KPM-së. Ai tha se qytetari duhet të njoftohet 30 ditë më herët nëse ndryshon diçka nga pakoja.
Tjetër obligim, Mehmeti tha se është që lista e kanaleve t’i ofrohet qytetarit së bashku me kontratë, si dhe njoftimi i KPM-së për ndryshimin e katalogut të kanaleve.
Ndërkaq, pas përfundimit të mbledhjes, Mehmeti u pyet para mediave se ankesat që janë pranuar se a do të dërgohen si prova të mundshme për hetime të Prokurorisë.
“Ky është hap që duhet ta mendojmë, varësisht prej kompetencave tona ligjore që kemi, atëherë do marrim edhe hapa të tjerë”, tha ai.
Mirëpo, sipas tij, ka bazë edhe për organe tjera që ta hetojnë rastin.
Pas dënimit, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka reaguar duke thënë se mbetet maksimalisht e përkushtuar për të adresuar secilën ankesë, përbrenda afateve ligjore, tek institucionet përkatëse, “në mënyrë që konsumatorëve t’u mbrohet e drejta e tyre e garantuar me ligj, dhe që shkelësit e ligjit, respektivisht të drejtave të konsumatorit, të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi”.