Avokatët që përfaqësojnë Kryetarin e PD, Sali Berisha, në çështjen e tij në SPAK deklaruan sot se vendimi i Gjykatës së Apelit për masën e sigurisë ndaj z. Berisha u shty për nesër, çka përbën një shkelje të rëndë.
Av. Genci Gjokutaj shpjegoi për mediat: "Mbi bazën e autorizimit të marrë nga Kuvendi, ne, brenda afatit ligjor e ankimuam këtë vendim. Së pari, ai vendim është marrë pa u shqyrtuar, kërkesa e përjashtimit për gjyqtaren Irena Gjoka. Është shqyrtuar pas një jave, ndërkohë që ajo gjykatë ishte në dijeni të depozitimit në Postë të kërkesës sonë. Sigurisht që kjo e bën vendimin absolutisht të pavlefshëm. Ne sot parashtruam të gjitha shkaqet, por Gjykata e Apelit e rrëzoi kërkesën për administrimin e konstatimit të gjykatës së shkallës së parë për qenien tonë brenda afatit.
Është një shkelje e rëndë proceduriale që sjell pavlefshmërinë e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Gjykata e shtyu për nesër.
Prokurorët sot mbajtën një qëndrim… Ne folëm dy orë e gjysmë, ata kishin tre minuta kontestim. I qëndruan kërkesës së tyre. Dje thoshin nuk paraqitet, sot thoshin është vepra e rëndë. Pra, një qëndrim variabël i tyre.
Ne presim vendimin. Vendimi për të mos e administruar sot dosjen e përjashtimit të gjyqtares Irena Gjoka është një shkelje shumë e rëndë e kësaj gjykate, e gjykatës së Apelit, çka përbën një përgjegjësi të madhe për gjyqtaren e çështjes, sepse çështja nuk mund të shqyrtohet në gjërësi, në objektivitet, në mënyrë të gjithanshme nëse nuk administrohen të gjitha provat, faktet dhe vendimet të cilat kanë lidhje me vlefshmërinë ose të jot ë vendimit të shkallës së parë.
Gjithsesi ne do të presim nesër në orën 9 kur të bëhet shpallja e vendimit.
Pyetje: Ju përmendët një kontradiktë në qendrimin që ka mbajtur prokuroria. Nëse më parë kërkoi masën detyrim paraqitje, sot thonë për vepër të rëndë. Cilin qëndrim kishin?
Gjokutaj: Duhet të dini një gjë. Mungesa e gjykatës i bën prokurorët që të vijnë në gjyq sikur shkojnë në një bar-kafe dhe nuk e kanë problem për çfarë thonë dhe çfarë argumentesh ngrenë njëherë dhe çfarë argumenti ngrenë herën tjetër. Sigurisht që nuk ka barazi palësh në këtë gjykim. Ne do të vazhdojmë dhe do të shikojmë vendimin nesër.