Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka hedhur poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, se Kosova e rrezikoi partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
Duke folur për gazetarë të mërkurën në Prizren, Kurti tha se e vlerëson SHBA-në si partnerin më të rëndësishëm të Kosovës.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti.
Ai foli një ditë pasi O’Brien tha për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien të martën.
I pyetur me këmbëngulësi nga gazetarët për deklaratën e O’Brien, Kurti e përsëriti disa herë: “Nuk po rrezikohet, nuk po rrezikohet”.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e futi në fuqi më 1 shkurt një rregullore të re e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, duke i shpërfillur thirrjet e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj dhe kundërshtimin e serbëve të Kosovës.
Në fillim të kësaj jave, BQK-ja njoftoi se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj do të zgjasë deri në tre muaj, ndërsa Kurti tha të njëjtën ditë se Kosova nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, por se ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje.
Të mërkurën, duke folur në qytetin jugor të Kosovës, Kurti e mbrojti vendimin për dinarin, duke thënë se ai nuk parasheh masa ndëshkuese në, siç tha, planin 10-pikësh të BQK-së për zbatimin e rregullores së saj.
“Në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e rregullores, Banka Qendrore nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese, pra pa ndëshkim dhe pa incident, ne duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioriteti ynë, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”, tha Kurti.
Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.
BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët do të mund të hapin llogari, pa pagesë, ku mund të bartin paratë e tyre në dinarë, të cilat më pas do të konvertohen në euro për të kryer pagesa.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller. është pyetur në një konferencë për media se çfarë do të bëjë SHBA-ja për ta ndaluar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përcjell “Kosova Sot Online”.
Atij iu tha se pavarësisht fjalëve të amerikanëve, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien konfirmoi se po hasin në padëgjueshmëri.
“Pra, përveç fjalëve, çfarë mjetesh të tjera synoni të përdorni më pas për ta detyruar Kurtin t’i ndalojë veprimet e tij të njëanshme, duke qenë se në fund të fundit kjo është një pyetje që i shqetëson taksapaguesit amerikanë?”, ishte pyetja.
Zëdhënësi i DASH tha se do të përpiqen t’i zgjidhin çështjet me diplomaci.
“Kështu unë do të them se ne do të vazhdojmë të angazhohemi në diplomaci për ta zgjidhur dhe – për ta zgjidhur këtë çështje, dhe ne duam që të dyja palët të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dhe përtej kësaj, nuk dua të parashikoj ndonjë hap specifik nga këtu”, tha Miller.