2024-02-16

Plani 10-pikësh i BQK-së për dinarin, Kadriaj: Afati tremujor është i mjaftueshëm

 


Banka Qendrore e Kosovës
Banka Qendrore e Kosovës

Banka Qendrore e Kosovës ka përgatitur një plan 10 pikësh lidhur me rregulloren e saj të re për operacione me para të gatshme.

Bazuar në këtë plan, rregullorja sipas së cilës parashihet që pagesat në Kosovë të bëhen vetëm me euro, e një gjë e tillë ndalohet të bëhet me dinar, duhet të zbatohet në një afat deri në tre muaj.

Për profesorin e ekonomisë, Mustafë Kadriaj, kjo periudhë është e mjaftueshme që të informohen qytetarët.

“Vlerësoj që është e mjaftueshme për këta tre muaj që të njoftohen qytetarët dhe të sensibilizohen dhe mundësitë që të hapen pikat e reja të bankave komerciale që janë në Kosovë”, ka thënë Kadriaj .

“Në këtë drejtim qytetarët e kanë një hapësirë optimale që të njihen me rregullën dhe çdo gjë që kanë për të konvertuar, t’i hapin llogaritë tyre”,

“Asgjë nuk po kërkon Republika e Kosovës jashtë ligjeve, jashtë Kushtetutës, duhet me u shtri sovraniteti financiar. Edhe kjo hapësirë prej tre muaj vlerësoj se ka dhënë dëshmi se nuk është vendim arbitrar por është diçka që duhet të legalizohet dhe të shtrihet sovraniteti i Republikës së Kosovës”.

Më poshtë i gjeni 10 pikat e këtij plani:

  1. Funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800-222-55), e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në ‘viber’
  2. Lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, në raste specifike në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, me mundësi të kompletimit të dokumenteve (dëshmi të adresës) edhe pas hapjes dhe aktivizimit të llogarisë
  3. Pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore
  4. Zgjerimi i prezencës me degë bankare jobankare për mbulimin me degë shtesë dhe rritje të ofrimit të shërbimeve financiare në komunat në veri të vendit
  5. Organizimi i ofrimit të shërbimeve bankare (hapje e llogarisë) në mënyrë mobile nga bankat komerciale (remote banking) në secilën nga katër komunat veriore, në mënyrë të organizuar me qëllim të jenë sa më afër qytetarëve
  6. Vendosja e disa bankomatëve (ATM) si dhe pajisjeve tjera për pagesa elektronike (POS), apo vet-shërbime financiare
  7. Lehtësimi i procesit të këmbimit të dinarëve me EURO nga institucionet financiare dhe këmbimoret të licencuara
  8. Vazhdimi i aktivitetit të intensifikuar promovues, me materiale të personalizuara dhe thjeshtëzuara, video mesazheve, si dhe edukimit financiar të fokusuar
  9. Rritja e qasjes në financa, rritja e mëtejshme e kreditimit dhe pakove tjera financiare të fokusuara në këto zona nga institucionet financiare
  10. Rishikimi i kushteve të konvertimit me trajtim preferencial gjatë pranimit të fondeve dhe tërheqjes në bankomate (ATM) me kartela të skemave ndërkombëtare të lëshuara jashtë Kosovës

Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv, në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase nga Serbia në Kosovë, përmes llogarive bankare dhe modeleve tashmë të njohura, të paraqitur në letrën e propozimit të BQK-së, me gatishmërinë për të shqyrtuar çdo opsion.

Ky plan kontribuon veçanërisht tek qytetarët me qasje të kufizuar në financa dhe shërbime financiare dhe mundëson rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha, si angazhime të vazhdueshme të BQK-së mbi bazën e praktikave më të mira evropiane.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...