Milan Shuflaj ka lindur në vitin 1879, në Lepoglavë të Kroacisë.
Shkollën fillore e mbaron në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në
Zagreb, ku laureohet si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studion shkencat
shoqërore në Universitetin e Zagrebit.
Doktoron në vitin 1901.
Menjëherë pas doktoratës, Shuflaj i futet punës për sistematizimin, mbledhjen
dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare
dalmatinase për “Codex Diplomaticus”.
Këtu ishin kontaktet e
para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe të pahulumtuar fare, që i
takonte Shqipërisë.
Në vitin 1902, Shuflaj
mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse të historisë, në
Universitetin e Zagrebit.
Në vitet 1902-1903 specializohet në Vjenë, në
fushat e paleografisë latine, diplomacisë, kronologjisë dhe notariatin, te
profesorët O. Redlicha dhe A. Dopscha.
Në këtë vit, regjistron
te prof. K. Jireçeku “Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës”, të cilat
nuk ka arritur t’i përfundojë.
Në vitet 1904-1908, dr.
Shuflaj punon si asistent në bibliotekën kombëtare “Szeczeny” të Budapestit.
Këtu thellon njohuritë në fushën e
ballkanologjisë dhe sidomos albanologjisë.
Vendos kontakte të
shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do
t’i shfrytëzojë më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore.
Në Budapest, Shuflaj
botoi në revista dhe gazeta të ndryshme një numër të madh punimesh shkencore me
vlera të jashtëzakonshme.
Në revistën “Szazdok” boton dy punime për
mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregon se dokumentet e Rabit të
shekullit XI dhe XII, për Mbretin kroat Zvonimir, ishin falsifikat.
Kjo gjë më vonë do t’i
kushtojë shumë, sepse do të shpallet tradhtar i popullit kroat, dhe studentët e
tij do t’ia bojkotojnë leksionet!
Në vitin 1908 emërohet profesor i rregullt për
shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit.
Së bashku me Talocin dhe
Jireçekun, në vitin 1913 dhe 1918, boton në dy vëllime kryeveprën “Acta et
diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”.
Në vitin 1918, me
kërkesën e tij pensionohet, e pastaj boton pjesën e tretë të Historisë së
Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar ta shkruante në tetë vëllime, me
titull: “Die kirchenzustände im vortürkischen Albanien.
Die ortodoxe
Durchbruchszone im katolischen Damme”, për të vazhduar, pastaj në vitin 1920 me
romanin me temë nga mesjeta shqiptare, “Konstantin Balsha”, të firmosur me
pseudonimin Alba Limi.
Në dhjetor të vitit
1920, burgoset. Dënohet me tre vjet e gjysmë burg, të cilat i bën në Mitrovicën
e Sremit.
Në vitin 1925 boton
studimin: “Srbi i Arbanasi, njihova simbioza u srednjem vijeku”.
Në vitin 1928 botoi librin me ese: “Hrvatska u
svijetlu svjetske historije i politike”.
Po këtë vit emërohet
profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit.
Për shkak se nuk kishte
pasaportë, detyrohet ta refuzojë këtë emërim.
Në vitin 1929, Akademia
Vjeneze e Shkencave i propozon dr. Shuflajt që të vazhdonte vjeljen e lëndës
arkivore për vazhdimin e botimit të ”Acta et diplomata res Albaniae mediae
aetatis illustrantia”, vëllimet III-V.
Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e
Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të hiqte shpenzimet
për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme.
Dr. Milan Shuflaj ftohet të vizitojë
Shqipërinë.
Pas shumë peripecish
rreth pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931.
Më datën 18 shkurt të
këtij viti bëhën 93 vjet që vritet nga
dora e kriminelëve serbë Millan Shuflaji
(më 18 shkurt të vitit 1931). Një ditë pas kthimit nga Shqipëria, duke lënë pas
shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave
ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb.
Për vrasjen e dr.
Shuflajt kanë reaguar shumica e intelektualëve të kohës, në mesin e të cilëve
edhe shkencëtari i njohur gjerman Ainshtain.
Vepra
- Hrvatska i zadnja pregnuća istočne imperije pod žezlom triju Komnena (1901)
- Die Dalmatinische Privaturkunde (1904)
- Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia (së bashku me Jireçekun dhe Thalloczy, Vjenë,
1913. dhe 1918. përmbledhja e dytë)
- Kostadin Balšić (1392-1401): historijski roman u 3 dijela – roman historik (1920)
- Srbi i Arbanasi (1925)
- Na Pacifiku god. 2255.: metagenetički roman u četiri knjige –
znanstvenofantastični
roman (shtypur pë herë të parë 1998)
- Hrvatska u svijetlu svjetske historije i
politike : dvanaest eseja (1928,
ribotim 1999)
- Hrvati u sredovječnom svjetskom viru (1931)
- Izabrani eseji, prikazi i članci (1999)
- Izabrani eseji, rasprave, prikazi, članci i korespondencija (1999)
- Izabrani politički spisi (në
edicionin Stoljeća
hrvatske književnosti, 2000)