Sejdiu tha se rrëfimin e tij e ka filluar me ngjarjet e bujshme që kanë tronditur botën demokratike, derisa përmend dhunën e terrorin ndaj qytetarëve të Kosovës, organizimin politik të Kosovës, dramat e mëdha të përjetuara në Prekaz, në Mejë e të tjera.
Ai potencoi se “me mbështetjen e miqve tanë, me njerëzit e Kosovës do të lëvizim edhe në pranimin e saj përtej 117 shteteve, por edhe në pranimin e saj në institucionet ndërkombëtare”.
I pranishëm në këtë promovim ishte edhe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën gjatë viteve 2006-2008, Joachim Rucker, i cili tha se qytetarët e Kosovës kanë pasur fatin që të kenë president një njeri si Fatmir Sejdiun, në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën.
Ai vlerësoi se ish-presidenti Sejdiu është njeri me vizion, ngase sipas tij, gjatë dhe pas procesit të Marti Ahtisarit,ish presidenti Profesor dr.Fatmir Sejdiu kishte një koncept.
Ndërkaq, ish-presidenti i Shqipërisë, Profesor Dr.Bamir Topi derisa foli për rëndësinë dhe domethënien e titullit të librit “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi”, tregoi një ngjarje kur kishte qenë për vizitë në Kosovë, rreth 3 javë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për çka tha se kishte marrë një pyetje “provokative” nga një gazetar. Topi tha se u pyet nëse ai ishte lajmëtar i shpalljes së pavarësisë, për çka shtoi se në mënyrë indirekte kishe pohuar një gjë të tillë.
Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, gazetari Avni Spahiu tha se ky libër paraqet një dëshmi të drejtpërdrejtë, të rëndësishme dhe unike në historinë politike të Kosovës pas lufte.
Kujtojmë se të premten e 10 shkurtit të vitit 2006, Profesor dr.Fatmir Sejdiu mori postin e presidentit të Kosovës.
Me 80 vota për, 12 kundër dhe 17 të pavlefshme, Fatmir Sejdiu ishte zgjedhur president pas tre raunde votimesh në Kuvendin e Kosovës.
Ai ishte kandidati i vetëm i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Kështu kryetari Fatmir Sejdiu do të vazhdonte mandatin e ish-kryetarit Akademik Profesor dr.Ibrahim Rugova deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Profesor dr.Fatmir Sejdiu është lindur më 23 tetor 1951 në fshatin Pakashticë të Podujevës, kurse jeton në Prishtinë.
Ka të kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës dhe ka fituar gradën e Doktorit të Shkencave Juridike në po këtë universitet të Prishtinës.