2012-03-20

“ÇARJA GJEOGRAFIKE”









Shkruan: Fatos Kongoli “Le Monde”

Në pamje të parë, tema që na u propozua për t’u debatua rreth kësaj tryeze të rrumbullaktë duket e qartë, e thjeshtë, dhe me kënaqësi pranova të marr pjesë. Emërtimi i saj “Çarja gjeografike” është një metaforë e qëlluar. Më tej, kur m’u desh t’i materializoj mendimet e mia, kuptova se, megjithë qartësinë e formulimit të saj, kjo temë nuk ishte aq e thjeshtë sa dukej, pikërisht, për shkak të metaforës që përmban. Për më tepër, më duhet të pranoj, u pushtova nga një dyshim: Cila mund të jetë lidhja mes gjendjes gjeopolitike të një vendi dhe formave të krijimit letrar? Zaten, a ekziston kjo lidhje? Në se po, në ç’mënyrë mund të pranohet si një fenomen letrar? Në fillim, kur ende nuk kisha marë listën e argumentave të kësaj tryeze të rrumbullaktë, arsyetimi im më çoi drejt disa pohimeve elementare, të cilat dëshiroj t’i ndaj me ju.

Të shkruarit është një dukuri metafizike. Të gjithë ata që janë prekur nga ky virus – në se më lejohet të shprehem në këtë mënyrë – gjenden, që në hapat e tyre të para, të ndikuar nga autorë, nën autoritetin e të cilëve ata mundohen të hyjnë në letërsi. Personalisht, në fillimet e mia, për arsye që nuk është vendi këtu të zgjatem, pësova ndikimin e një klasiku si Çehovi. Por, Shqipëria ku fillova të shkruaj dhe provinca ruse, të cilën Çehovi e përshkroi disa dhjetëra vjet përpara se sa të lindja, janë fort larg nga njera- tjetra dhe të pakrahasueshme nga shtrirja. Nga ana tjetër, në njërin nga shkrimet e tij, të cilin e kam lexuar rreth viteve tetëdhjetë – në se nuk gabohem – në revistën “Express”, Gabriel Garcia Marquez shënonte se ishte befasuar nga thëniet e disa prej miqve të tij japonezë, të cilët ishin shprehur mbi ngjashmërinë e shkrimeve të tij me ato të disa shkrimtarëve japonezë, ndërkohë që ai as që kish dëgjuar të flitej për ta, në kuptimin se s’kish lexuar asgjë të shkruar prej tyre. Mund të them se gjithçka varet relativisht nga vendi ku ju jeni formuar si shkrimtar, nga kushtet e tij historike dhe sociale, nga kultura e tij, nga gjuha dhe padyshim, nga preferencat tuaja letrare, më qartë ende, nga ajo çka ju tërheq në këtë fushë. Më vonë mora pyetësorin e kësaj tryeze të rrumbullaktë dhe m’u desh të ndiqja një arsyetim tjetër. Shqipëria ku kam jetuar dhe ku vazhdoj të jetoj nuk është më ajo që ka qenë në të kaluarën, dhe asnjëherë ajo s’ka përfaqësuar një hapësirë konfliktesh ndëretnike as edhe ndërfetare; ajo as nuk ka qenë as edhe nuk është një rajon përplasjesh të atyre natyrave për të cilat ne po diskutojmë.

Sigurisht, aty gjenden pakica nga të cilat më e shumta në numër është ajo greke. Ka edhe të tjera pakica maqedone, rumune ose malazeze. Por, nga një pikëpamje historike, të paktën që prej fillimit të shekullit kur është edhe krijuar shteti shqiptar, pakicat në fjalë kanë vazhduar të jetojnë në paqe dhe shkrimtarët shqiptarë nuk janë gjendur asnjëherë nën trysninë e ndrydhjes ndëretnike. Por, atyre iu është dashur të përballen me një tjetër trysni: përgjatë një gjysmë-shekulli, Shqipëria njohu një regjim totalitar nga më të egrit. Nga kjo pikëpamje, përvoja e shkrimtarëve që shkruan nën këtë regjim është ndriçuese në kuadrin e temës së tryezës sonë të rrumbullaktë. Një vend që jeton nën një regjim diktatorial mund të konsiderohet me të vërtetë si një “çarje gjeografike”, megjithëse, me që nuk e kam lexuar librin e simotrës tonë turke, kam vetëm një ide fort të mjergullt të kontekstit në të cilin ajo e përdor këtë metaforë në rastin e Stambollit. Raportet mes një regjimi diktatorial dhe letërsisë bëhen edhe më dramatike se ç’janë, për të keqen e kësaj të fundit.


Chekhov family and friends in 1890. (Top row, left to right) Ivan, 
Alexander, Father; (second row) unknown friend, Lika Mizinova, 
Masha, Mother, Seryozha Kiselev; (bottom row) Misha, Anton


Herë-herë thuhet se letërsia e një vendi ndjek rrugën e saj, pavarësisht regjimit politik të tij. Sigurisht, edhe në këto shtete diktatoriale, të mbyllura në vetvehte, prodhohet letërsi, por ajo është normative, e vendosur nën kontrollin e rreptë të censurës. Për t’iu larguar dosido kësaj censure, një numër shkrimtarësh shqiptarë preferuan, nën diktaturë, të kultivojnë llojin e romanit historik, në këtë fushë ata ndjeheshin të mbrojtur. Të merresh seriozisht me realitetin e përditshëm ishte diçka e rrezikshme, kritika zyrtare e asaj kohe, si një instrument i pushtetit totalitar, mbyste që në vezë çdo përpjekje për të dalë nga skema e zbukurimit të realitetit dhe ajo e lavdeve ndaj regjimit ne vend. Por këto fenomene i përkasin tashmë një epoke të tejkaluar. Para disa vitesh, kam lexuar një intervistë të shkrimtarit amerikan Norman Mailer ku, mes të tjerash, ai thoshte se kur ulej për të shkruar një roman, ishte më tepër për “të treguar një histori”. Kjo shprehje më ka mbetur e gëdhendur në kujtesë: në të vërtetë, edhe sot e kësaj dite, vras mendjen për të kuptuar se çka donte të thoshte ai shkrimtar me atë shprehje. A është e vërtetë që të shkruash një roman do të thotë të tregosh një histori, pa patur parasysh rrethanat dhe kontekstin gjeopolitik?

Në pamje të parë duket se shprehja e mësipërme nuk mund të vihet në dyshim. Çdo vit, në botë, shkruhen dhe botohen me mijëra romane, ose ndryshe, tregohen me mijëra histori. Sipas mendimit tim, mund të pranohet se është e vështirë të shkruhet një roman po qe se nuk keni një histori për të treguar. Sigurisht, është e nevojshme të kihet një histori për t’u treguar për të ngritur një roman, por ama nuk është e mjaftueshme. Një histori tregohet, një vepër letrare nuk tregohet, ajo krijohet. Një roman, si formë por njëkohësisht si shkrim, ata krijohen, ata nuk tregohen; ata krijohen ex nihilo nga momenti që i jepet jetë një diçkaje që nuk ka ekzistuar më parë. Po qe se do të pranojmë se “të shkruash një roman” nuk është e njëjta gjë sikundër “të tregosh një histori”, cila është atëhere diferenca mes tyre ? Kjo gjë përbën një çështje që, sipas mendimit tim, lidhet me temën e debatit tonë dhe që më bren shpesh, pa qenë në gjendje që t’i jap një përgjigje.


Young Chekhov (left) with brother Nikolai in 1882


 Ndoshta lodhem më kot t’i jap një përgjigje pasi, kush e di, kjo përgjigje nuk ekziston. Atëhere i lejoj vehtes të kënaqem me një përgjigje evasive, sipas të cilës vepra letrare fillon aty ku përfundon historia e treguar. Kam përshtypjen se në pothuaj tërësinë e romaneve të botuara, është fort e vështirë të merret vesh në se autori kërkon thjesht të tregojë një histori tjetër me qëllim që të ndërmarrë tregimin e një historie të re, pavarësisht natyrës së saj, apo nëse ai kërkon të krijojë një vepër letrare. Në këtë sens, ndikojnë fort veçanërisht realitetet e tregjeve lokale të romanit, dhe në një shkallë më të gjerë, ato të tregut botëror. Pa këto realitete, nuk mund të imagjinohet universi aktual i librit.



The Taganrog Boys Gymnasium
 in the late 19th century. 
The cross on top is no longer present.


Ato luajnë një rol të dorës së parë në krijimin e formave romaneske, sipas kërkesave të tyre, të cilat përcaktojnë në thelb suksesin ose dështimin e tyre. Do të thoja që situata gjeopolitike e një vendi ndikon, njëkohësisht si edhe faktorë të tjerë, mbi format e krijimit letrar, dhe në disa momente, ajo mund të luajë edhe një rol përcaktues. Por, meqënëse ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë, objektivë dhs subjektivë sikundër edhe thuhet, kjo lidhje mbetet relative.



Romanet e autorëve që shkruajnë dhe jetojnë në vende fort të ndryshme nga njeri- tjetri nga pikëpamja gjeografike, lexohen dhe çmohen gjithandej në botë, në zona të qeta ose në ato të përgjakura nga konflikte. Sidoqoftë, me një kusht: që të jenë romanë të shkruara si duhet, pavarësisht nga kushtet që i imponohen një vendi ose një tjetri. Pasi një roman i shkruar mirë përfaqëson, në një masë ose në një tjetër, një përmasë njerëzore universale, që e bën të lexueshëm gjithandej dhe jo vetëm në kontekstin lokal.


Young Chekhov in 1882


 Ky është, më duket, edhe thelbi i problemit. Dua të them që këtë kërkesë duhet ta përmbushin në radhë të parë shkrimtarët e vendeve të vogla që shprehen në “gjuhë të vogla” dhe që i përkasin, le ta themi, letërsive të vogla, në periferi të metropoleve dhe të hapësirave të mëdha të letërsisë botërore. Pra, shkrimtarët e atyre vendeve që mund t’i quajmë, pa asnjë nuancë ose përmbajtje përkeqësuese, si “çarje gjeografike”. Sidoqoftë, këto janë disa mendime që duhen diskutuar dhe ne gjendemi këtu pikërisht për të diskutuar dhe për të shkëmbyer mendime.

* * *
Chekhov seated at a desk

File:Подпись Антон Чехов.png
 108 vjet më parë vdiq Anton Chekhov/Anton Pavlovich Chekhov 29 .01. 1860 -15 .06. 1904/ , një nga shkrimtarët dhe dramaturgët më me influencë të kohëve të fundit.

Në vendin e tij të origjinës, Rusi, ai njihet më shumë si shkrimtar i tregimeve të shkurtra, por dramat e tij vunë themelin e teatrit modern perëndimor.
Çehovi vdiq në moshën 44-vjeçare, por fama dhe influenca e tij ka mbijetur një shekull revolucionesh politike e artistike dhe ndryshimesh të mëdha.

Çehovi ishte mjek, por një mjek që shkroi disa prej tregimeve të shkurtra më të njohura në rusisht dhe ato që mbahen si dramat më të rëndësishme në historinë e teatrit perëndimor.

I lindur në rusinë fshatare në një familje që vetëm kohët e fundit kishte dalë bujkrobëria, Anton Çehovi është nga ata artistë që është bërë një përcaktim -vetëm mbiemri i tij të sjell ndërmend një botë të tërë komedie melankolike dhe tragjedie përqeshëse.
         
Shkrimtar i dëshiruar në Rusi për tregimet e tij të shkurtra e të thjeshta, por shumë të thella, fama ndërkombëtare e Çehovit ka ardhur me drama si "Pulëbardha" dhe "Kopshti i Qershive".

Kur veprat e tij dolën fillimisht në qarkullim në fillim të shekullit 19, ato i lanë me gojëhapur si publikun ashtu edhe aktorët, me modernizmin e tyre.
Ato nuk janë histori që tregohen lehtë, tragjedia dhe komendia janë të përziera, në to ka një realizëm të madh psikologjik dhe ajo që quhet një ndjenjë teatrore.

Si një zë radikal në Rusinë cariste, Çekovi ishte i pranuar nga regjimi komunist, megjithëse ato i komentonin duke i dhënë një frymë optimiste dramat e tij, ku ai i linte të pazgjidhura gjërat.

Rusët e konsiderojnë atë si thellësisht të tyrin, por evokimet e tij të izolimit dhe zhgënjimit me një ironi të lehtë dhe komedi i kanë dhënë atij një publiku global.



VEPRA TË ZGJEDHURA 4

VEPRA TË ZGJEDHURA 4
Përkthyer nga Jorgji Doksani
faqe 440
çmimi: 1000 lekë, 10 € (me kopertinë të thjeshtë)
1200 lekë, 12 € (me kopertinë speciale)

VEPRA TË ZGJEDHURA 3

VEPRA TË ZGJEDHURA 3
Përkthyer nga Jorgji Doksani
faqe 508
çmimi: 1000 lekë, 10 € (me kopertinë të thjeshtë)
1200 lekë, 12 € (me kopertinë speciale)

VEPRA TË ZGJEDHURA 2

VEPRA TË ZGJEDHURA 2
Përkthyer nga Jorgji Doksani
faqe 374
çmimi: 1000 lekë, 10 € (me kopertinë të thjeshtë)
1200 lekë, 12 € (me kopertinë speciale)

VEPRA TË ZGJEDHURA 1

VEPRA TË ZGJEDHURA 1
Përkthyer nga Jorgji Doksani
faqe 476
çmimi: 1000 lekë, 10 € (me kopertinë të thjeshtë)
1200 lekë, 12 € (me kopertinë speciale)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...