2012-03-23

Krimi në Drejtësi - 16 vjet burg pa asnjë dëshmi




Jeton Kiçina shqiptaro-suedezi 32 vjeç vuan dënimin me 16 vjet burg vetëm e vetëm se prokurori thotë ”Ne mendojmë se është ashtu”. Dënimi në rastin ”Kiçina” paraqet një ndër skandalet më të bujshme të të ashtuquajturës ”drejtësi ndërkombëtare” në Kosovë. Familja e Jetonit thotë se ndihet e tradhëtuar dyfish, nga shteti suedez dhe nga drejtësia ndërkombëtare ne Kosovë.

Foto e Profilit 

Nga Astrit Gashi - Borås

Filmi dokumentar ”Krimi në Drejtësi” i realizuar nga Milaim Zeka dhe i transmetuar në RTK sjell argumente tronditëse për mbajtje në burg të personave të pafajshëm tash e 9 vite. Burim e Arsim Ramadani dhe Arben e Jeton Kiçna te cilët akuzohen vetëm në bazë të një dëshmitari te mitur 17 vjeçar, Blerim Kiçina,i cili ishte dëshmitari i vetëm i prokurorisë.  Ai e ka tërhequr dëshminë e vet në gjykatore duke i akuzuar policët e UNMIK-ut për përdorim torture kundër tij, gjë që është e ndaluar me konventa ndërkombëtare dhe e dënueshme me ligjet e Kosovës. Sipas këtij dëshmitari, i cili në kohën kur ka ndodhë krimi ishte në moshë të njomë, policët e kanë rrahur dhe e kanë gënjyer me azil në botën e jashtme dhe se do ta dërgonin me gjithë familje ne Angli  nëse dëshmon kundër “luftëtarëve të UÇK-së” - por jo kundër  fajtorëve eventual. Blerim Kiçina ish dëshmitari i vetëm rrëfen se ia kanë shkruar deklaratën, e kanë detyruar ta mësojë përmendsh dhe pastaj ta thotë para një video-kamere. Nga videoregjistrimi i kamerës duket qartë se është manipuluar disa herë. Nga kjo dëshmi ka pësuar dhe shqiptaro-suedezi, Jeton Kiçina.

 

Keta persona janë plotësisht te pafajshëm. Ne e dimë se kush i ka vrarë por nuk i tregojmë

  Dan Urban, ish shefit te zyrës së prokurori së UNMIK-ut në Kosovë
Mirëpo tronditë lajmi që mësoi opinioni kosovarë dhe rreth 60 mijë bashkatdhetarë në Suedi nga prononcimi i Dan Urban, ish shefit te zyrës së prokurori së UNMIK-ut në Kosovë,  i cili thotë ; ”Keta persona janë plotësisht te pafajshëm. Ne e dimë se kush i ka vrarë por nuk i tregojmë”. Keshtu kishte thënë ai në dasmën e gazetarit Milaim Zeka.
I pranishëm në këtë dasmë ishte edhe ish ministri për drejtësi,Jonuz Salihaj, i cili po ashtu e konfirmon këtë: ”Qysh në fillim kam dyshuar se këta djem se kanë bërë këtë vepër dhe ketë dyshim ja kam shfaqur dhe ish prokurorit të UNMIK-ut  Dan Urban i cili i u përgjigj me fjalët Pajtohem Plotësisht ! Nga fillimi kam pas ndjenë njerëzore që nuk ka argumente për të dënuar këta njerëz, këtë nuk e kam mohuar asnjeherë, i kam thëne edhe administratorit ndërkombëtar Jessen-Peteresn, Joakim Rycker në këshillin lartë te drejtësisë dhe ku kam pas mundësi. Është parë se nuk ka argumente për ti dënuar këta njerëz, këtu ka dështuar drejtësia qe se ka asnjë fakt” dëshmon ish ministri i drejtësisë, Jonuz Salihaj.
Drejtësia ndërkombëtare është shkelsja më e madhe e ligjit. Ata të cilët pretendojnë që dijnë dhe se kanë ardhur për t´na mësuar, janë ata që po na mësojnë mbrapsht. Gjykata në aktvendim shkruan ”na mendojmë” dhe ”supozojmëe me këto fakte gjykatësi duhet ta lë punën menjëherë sepse këto janë absurde" thotë për emisionin televiziv ”Pa rrotlla”, avokatja Vahide Braha e cila ka mbrojtur disa te akuzuar.
Qytetaret e Kosovës formuan Këshillin organizativ: "Drejtësi me rastin Kiçina” i cili arriti të bëjë një peticion me 50 mijë nënshkrime, i cili ishte dorëzuar në Kuvend të Kosovës për të diskutuar lidhur me këte rast. Kjo çështje hyri në rend të ditës. Mirëpo me të filluar seanca, Kuvendi i Kosovës me një votim formal ka hequr nga rendi i ditës pikën e 13-të, konkretisht diskutimin për rastin “Kiçina”. Ky vendim u morë pasi sipas kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, rasti është në Gjykatën Kushtetuese dhe Kuvendi sipas tij nuk dëshiron të ndikoj në vendimet e gjykatave.
Tash qytetarët dhe familjarët e të dënuarve presin drejtësi. Pikërisht pas një dasme të 20 gushtit 2001 kishte ndodhur ngjarja tragjike. A do të ndodhë që pikërisht pas një dasme të vërtetohet pafajësia e tyre për këtë rast? Mbetët të shpresojmë.
Si ndodhi ngjarja? Ishte nata në mes 20 e 21 gushtit të vitit 2001 kur ngjau vrasja e pesëfishtë te Ura e fshatit Rrezistencë (ish Baicë) komuna e Drenasit.  Atëbotë në rrethana ende të pasqaruara dhe nga persona të pa identifikuar, rreth orës 23.00,nga armë automatike ishte vrarë inspektori i sigurimit serb Hamëz Xh.Hajra(50),nga fshati Kodër(ish-Shtuticë),bashkëshortja e tij Miradija(45), i biri Xhevdeti(22) dhe të bijat Mimoza(14) dhe Adelina(9). Në veturën e tipit Golf 2 kishte mbijetuar vetëm vajza tjetër Pranvera(16),që i ka shpëtuar më të keqës,duke u shtier si e vdekur,deri në momentin kur aty ka arritur policia .
Të dyshuar për këtë krim të tmerrshëm janë arrestuar: Skënder Halilaj(i liruar ne mungesë provash), kolonel dhe shef i logjistikës së Ish- TMK-së, Burim Ramadani, Arben Kiçina, Arsim Ramadani, Zeqir Kiçina(i liruar), Florim Kiçina (i liruar). Këta të arrestuar pastaj janë akuzuar për vrasje, tentativë për vrasje, pjesëmarrje në një grup për kryerjen e veprës së vrasjes dhe marrëveshje për kryerjen e një vepre penale. Ndërkaq të arrestuar ishin edhe Agim Xhylani, Bekim Morina, Adem Kiçina dhe Muharrem Xhemajli janë akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes, mosraportim mbi përgatitjen e një vepre penale ose kryerësit e një vepre dhe dhënie ndihmë kryerësit të veprës penale pasi kanë kryer veprën por në mungesë provash ky grup u lirua pasi që kishin vuajtur një pjesë te dënimit.
Ky lajm tonditës e kishte goditur edhe Jeton Kiçinën, 27 vjeç. Me të dëgjuar për ketë mendon ai se kishte ndodhur patjetër ndonjë gabim. Me ta kam vallëzuar krejt natën. Jetoni, i edukuar në frymën suedeze, kujdeset që ta thërrasë policinë në telefon nga Suedia për t'ua ofruar njoftimet e veta. Dhe do ti, kësaj radhe ndodh e pabesueshmja -policia vepron! Jetonit ia çojnë në Suedi dy hetues, çuditërisht jo shqiptarë po ndërkombëtarë, dhe e pyesin gjërë e gjatë për krushqit e dasmës së Baincës, kur erdhën, kur shkuan, me kë ishe ti, sa kohë vallëzove, a je i sigurt, a je krejtësisht i sigurtë.... Jetonit i kujtohet se si hetuesit dukeshin gjithnjë e më të zhgënjyer gjatë intervistimit. Atij i duket sikur ata kishin shpresuar në diçka krejt tjetër. Por Jetoni pedant tregon vetëm të vërtetën, refuzon të spekulojë, këmbëngul në ato që i ka parë e dëgjuar vetë. Hetuesit ngritën, e falënderojnë për kafen, i thonë që dëshmia e tij ka qenë tejet e vlefshme, premtojnë të mbajnë kontakt. Kur nisen, Jetoni është krenar që ka ndihmuar drejtësinë. Gjyko ti vetë për habinë e tij kur dëgjon më vonë, nga një kushërirë në mërgim, se kushërinjtë nga Bainca janë ngarkuar tok me padi në gjyq për vrasje, e se kërcënohen nga 200 vjet burg bashkërisht!
Jeton Kiçina e thërret sërish numrin e vjetër të policisë, por tashti më s'i përgjigjet askush. I trazuar nga një parandjenjë e keqe, ai i gjen pas një copë kohe numrat e avoketërve, dhe ju ofron që të dëshmojë. Ka kontaktuar Departamentin e jashtëm suedez, ia kanë dhënë dritën e blertë. E ka paralajmëruar arritjen në gjykatë, e presin.
Avoketërit tingëllojnë të eksituar në telefon, dëshmia e tij do t'i lajë kushërinjtë. Por, ndonëse ish përgatitur psiqikisht për të gjitha shpifjet ndaj kushërinjve që mund t'ia flakte në fytyrë prokurori ndërkombëtar, ai s'mundej dot ta imagjinonte se ç'do ta priste. Sepse, me të hyrë në sallën e gjykimit, Jeton Kiçinës i vihen prangat në duar nga policia ndërkombëtare.
Prokurorët Thomas Hickman dhe Elisabeth Renie ia tundin para syve një fletarrestim të padëgjuar: suedezo - shqiptari akuzohet edhe vetë për pjesëmarrje në vrasje!
Më vonë, përmes një avokati suedez të sjell urgjent nga prindërit në Suedi, Jetoni mëson se akuza kundër tij bazohet mbi dëshminë e një adoleshenti 17- vjeçar, kushëri i Jetonit, që ka dëshmuar se ai vetë tok me kushërinjtë tjerë e paskeshin kryer vrasjen me armë të prura nga Jetoni. Ky ngarkohet, po ashtu, se gjoja i paskesh lajmëruar kushërinjtë në mobil me të dalë nga dasma të viktimës. Në nëntor 2004, Jetonin e mbyllin në burgun famëkeq të Dubravës. Kërcënime, trysni, premtime që do ta lëshojnë në liri nëse dëshmon kundër kushërinjve të vet. Në verën 2005, gjykimi ndërprehet mbi dy muaj, pse nuk ka përkthyes në suedisht: ndërkombëtarët detyrohen të konstatojnë që Jeton Kiçina, i akuzuar për vrasje në bashkëveprim me kushërinjtë e vet (të cilët tani ngarkohen se paskan qenë UÇK) nuk mund ta përcjellë gjykimin "në ndonjërën nga tre gjuhët zyrtare të Kosovës" (siç shkruan në dokumentin zyrtar); se si paska mundur ai atëhere të merr pjesë në një atentat të komplikuar, për këtë s'lodhet kush. Gjykimi duhej të vazhdonte më 28 shtator 2005, por ndërprehet sërish për shkaqe të panjohura. Në rrugë për në Dubravë, Jetonin e rrahin keq ushtarët ukrainas të KFOR-it, që janë të ngarkuar ta transportojnë. Personeli tjetër detyrohet të ndërhyjë. Ekzistojnë plot dëshmitarë, një prej tyre gardian në Dubravë. Në pranverën 2006, pas ankesave të vazhdueshme të Jetonit për keqtrajtim, atë e shpërngulin – në burgun famëkeq të Mitrovicës! Aty një gardian serb e kërcënon me vdekje. Megjithatë, në mbarim të gjykimit në mars 2006, Jeton Kiçina ndjen se ka pasur fat në fatkeqësi. Vëzhguesit në gjykim kanë bërë vërejtje me shkrim në aspektin procedural.
Asnjë nga ta nuk lejohet nga paneli ndërkombëtar që të dëshmojë, por Jetonit i dalin ndihmë edhe rrethana tjera. Adoleshenti ka dëshmuar fillimisht se s'ka qenë fare në dasmën e Baincës pse ka qenë roje te vendi i atentatit, por tjerët dëshmojnë se kanë ngrënë, pirë e vallëzuar me të në dasëm. Kështu ka dëshmuar madje edhe vajza e familjes që e ka mbijetuar atentatin, e cila është e mbrojtur me identitet të ri. Adoleshenti ka pohuar se vetura e sulmuar është goditur nga rreth 180 fishekë, me tre armë zjarri nga tre drejtime, por raporti i ekspertit të balistikës saktëson se bëhet fjalë për 27 fishekë nga vetëm një drejtim. Adoleshenti ka dëshmuar se Jetonin e ka paralajmëruar në telefonin mobil se po vinte vetura e shënjestruar, por provat materiale dëshmojnë se telefoni i përmendur ka qenë i prishur që më parë. Në gjykim ndodhin edhe gjëra tjera të paparashikuara nga ndërkombetarët. Pika mbi kulm vendoset kur prokuroria detyrohet të pranojë që s'e ka asnjë provë materiale. Çuditërisht, prokurorisë "i kanë humbur" të gjitha provat e ADN-së që janë nxjerrur nga gëzhojat e fishekëve dhe nga disa kanaçe në vendin e ngjarjes. Edhe më çuditërisht, prokuroria e shkujdesur "I ka humbur" edhe provat e parafinës, që i ka marrë nga gishtërinjtë e Jeton Kiçinës dhe të kushërinjve të tij qysh në ditën e atentatit. Lë po, edhe oficeri përgjegjës Rod Hilton ka ikur nga Kosova. Avokati suedez i familjes Kiçina ndjehet aq i sigurtë, sa që ia uron paraprakisht Jeton Kiçinës vendimin e vetëm normal e të mundshëm të gjykatës, lirimin e menjëhershëm. Ai madje e këshillon djaloshin që të kërkojë dëmshpërblim. Por avokati suedez nuk e di se me kë ka të bëjë. Trupi gjykues kryesohet nga gjykatësi kryesor Vinod Boolell, me nofkën "kasapi i UÇK-së". Ai ka shqiptuar një sërë dënimesh drastike kundër ish luftëtarëve të UÇK-së, shumica e të cilave janë rrëzuar rregullisht në instancë të dytë. Bashkë me të qëndrojnë gjykatësit Nurul Islam Khan nga Pakistani, si dhe Leonard Assira. Ata e kanë prerë mendjen qysh moti, e s'para pëlqejnë që ta ndërrojnë vetëm për mungesë faktesh. Jeton Kiqina i stepur dënohet me 16 vjet burg për pjesëmarrje në bashkëveprim në vrasje, tentim vrasjeje, e një varg krimesh tjera rreth këtij rasti. Ai as sot e kësaj dite nuk është këndellur nga shoku.

 
MILAIM ZEKA...

Në dokumentarin televiziv “Krimi në Drejtësi” Jeton Kiçina tregon edhe për një takim rasti me dëshmitarin kryesor të prokurorisë, Blerim Kiçinen, te cilit ju ka drejtuar me këto fjale ” More Blerim si me rrejte ashtu more na more në qafë krejt katundin. O Jeton vëllai im me kanë mashtrua me kanë bërë oferta. Me kane keqtrajtuar policia e UNMIK-ut dhe policë vendor. More djalë ti ske nevojë me rrejte fol te vërtetën kush çka te ka bere. Ne atë moment Blerimi thotë se: Me fal o vëlla se te kam marr ne qafe ty dhe krejt po ata spo done me dite të vërtetën “

 
MILAMI ZEKA.....

Ndërsa familja e Jetonit e cila jeton ne Svenjlunga akuzon shtetin suedez për mos interesim për rastin e familjarit te tyre i cili siç thonë ata në emër te drejtësisë po vuan një dënim te padrejte. Drita Kiçina tregon se ka udhëtuar shumë herë në Kosovë për të përcjellë seanca gjyqësore . Shumë vështirë të jesh aty dhe të shikosh se si dënohet vëllau pa asnjë provë te vetme. Qysh në udhëtimin e parë atje kam parë që ska drejtësi kur gjykatësi në mes të seancës flet në telefon, kjo ishte absurde të pakten duhej te kërkonte falje. Jetoni shkoi ne Kosovë për të mbrojtë vlera, për të mbrojtë djemtë e UÇK-së. Por ia pregaditën kurthin ashtu si te gjithë te tjerëve.

 
DRITA KIQINA...


 Çka me fol me shumë kur edhe vet prokurori i Unmik-ut thotë se është proces i montuar. Unë kam kërkuar disa herë përmes ministrisë së jashtme suedeze që gjykimi i Jetonit të bëhet në Suedi. I kam shkruar disa herë atyre por nga e gjitha kam marr këtë pergjegje përmes postes elektronike: “Në përputhje me misionin tonë konsullor, Ministria e Jashtme përmes zyrës tonë e ka ndjekur rastin e Jetonit . Zyra jonë eshte në kontakt me autoritetet lokale dhe kemi vizituar disa here.Megjithatë, ne nuk mund të ndikojnë në procesin ligjor dhe rezultatet e tij. Ne bazë të informatave tona lënda e Jetonit tani është ne Gjykatën Kushtetuese. Ambasada jonë ka një vizitë të planifikuar për në mars / prill”. thuhet në letrën e marr nga përfaqësuesja e ministrisë se jashtme të Suedisë, Ulrika Ryberg Aly.

JETON KIQINA 

Rasti i Jeton Kiçinës dhe Arben Kiçines, Arsim dhe Burim Ramadani ndodhet tani në Gjykatën Kushtuese të Kosovës e cila pritet te jap vendimin e saj lidhur me ketë proces të montuar për të cilin nuk dyshon më askush që në emër të drejtësisë është kryer krim kundër këtyre djemve që mbahen në burg pa asnjë dëshmi.


I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...