2012-03-18

Duahni ,një ves me pasoja për jetën



MR.SCI.FLORI BRUQI



Duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz sipasojë e pirjes së duhanit - këto janë vlerësimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndërsa në Kosovë, zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik thonë se, sipas hulumtimeve, rreth 500 mijë njerëz në vendin tonë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.

Megjithatë, Kosova ka një Ligj anti-duhan, zbatimi i të cilit mbetet problematik. Dhe, si rrjedhojë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë iniciativë për ndryshimin e ligjit.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se institucioni në fjalë, është në proces të hartimit të një drafti të ri, për kontrollin e duhanit, ku në fund të këtij muaji edhe do të dërgohet në Qeverinë e Kosovës.

“Esenca e ndryshimeve të Ligjit për duhanin lidhet drejtpërdrejt me hapësirat publike ku ndalohet pirja e duhanit si, vendet e punës, institucionet shëndetësore, institucionet edukativo-arsimore, vendet ku zhvillohen aktivitetet rekreative, të jenë të liruara 100 për qind nga duhanpirja”, bën të ditur Hoti.

Edhe Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë( KADC), po merr pjesë në ndryshimin e Ligjit për duhanin. Shkumbin Spahija, zyrtar në këtë organizatë, pohon se iniciativa për ndryshim ka ardhur si pasojë e moszbatimit të Ligjit për duhanin, në ndarjen prej 70 për qind pa duhan dhe 30 për qind ku lejohet pirja e duhanit.

“Në kuadër të KADC-së, është themeluar një koalicion anti-duhan, 100 për qind në hapësira publike, e që i ka 17 anëtarë dhe në draft-memorandumi që është nënshkruar, kanë qenë të përfshira shumë institucione, si dhe shumë profesionistë shëndetësorë. Ne kemi pasur bashkëpunim të ngushtë me monitorimin që i ka bërë KADC-ja inspektoratit dhe iniciativa për ndryshim të ligjit për 100 për qind pa duhan, ka ardhur si pikë e parë, për shkak të vështirësisë së zbatimit të ligjit nga inspektorati sanitar”, pohon Spahija.

Të rinjtë dhe duhani

Por, kryesues të Shoqatës së kafe-bareve dhe restoranteve të Prishtinës, mendojnë se nëse bëhen ndryshime në Ligjin kundër duhanit, të shkohet nëpër faza, e jo të ndalohet 100 për qind pirja e duhanit sikur nëpër institucione, po ashtu edhe në kafeteri. Leonora Henci, kryetare e kësaj shoqate, jep më shumë hollësi:

“Pronarët nuk mund ta luajnë rolin e inspektorit, nuk mund t’iu ndalosh klientëve dhe është e vështirë t’i kontrollosh, andaj edhe nuk është duke u zbatuar sa duhet. Nëse bëhen ndryshime, unë propozoj të kalohet nëpër faza, siç ka ndodhur edhe në vendet perëndimore, për shkak se dëmtohet biznesi nëse ndalohet 100 për qind pirja e duhanit. Pastaj, dikush e respekton e dikush jo, sepse duhanpirësit shkojnë aty ku pihet duhani”, thotë Henci.

Por, Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë, deklaron se në fund të muajit mars ligji do të dalë në shqyrtim publik, ku edhe do të mund të merren mendime rreth ndryshimit të ligjit, si nga subjektet e ndryshme, po ashtu edhe nga grupe interesi, e publiku.

“Do të jetë një sfidë, nëpër të cilën kanë kaluar edhe shtetet tjera, por duke e parë nevojën që shëndeti i popullatës të mbrohet nga duhanpirja pasive dhe ajo aktive, Ministria e Shëndetësisë ka filluar këtë fazë. Me ligjin e ri do të shkohet që të mos pihet duhani 100 për qind. Gjatë këtij muaji ky draft do të hartohet dhe do të dërgohet në Qeveri dhe më pastaj në Parlament për miratim”, sqaron Hoti.

Ndërkaq, Shkumbin Spahija thotë se në ligj janë bërë ndryshime edhe në reklamimin e duhanit dhe janë sqaruar brenda disa neneve në ligj, që në vendet publike nuk guxon të reklamohet duhani. Spahija mendon se mbështetja nga Kuvendi për miratimin e këtij ligji nuk do të mungojë.

“Unë besoj se do të gjejmë përkrahje nga Parlamenti dhe të zbatohet ky ligj, sepse dihen pasojat e duhanit, dhe është shkaktari më i madh i sëmundjeve, por që mund të parandalohet”, thekson Spahija.

Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, tashmë kanë deklaruar se të dhënat nga hulumtimet e bëra për duhanin, tregojnë se 20 për qind të grave shtatzëna konsumojnë duhan në mënyrë aktive, derisa 60 për qind në mënyrë passive…

Duhani dhe kanceri i mushkërive


Kanceri në mushkëri është një sëmundje fatale dhe fajin për këtë duket se e ka duhani. Shkencëtarët thonë se sikur duhani të eleminohej, rastet e kancerit në mushkëri do të pakësoheshin deri 90 përqind. Ata thonë se kanceri i mushkërivë tani ka filluar të bëhet më i shpeshtë edhe mes personave që nuk pijnë duhan. Gjatë 10 vjetëve të fundit, shtimi i rasteve të tilla ka ardhur duke u rritur dhe arsyeja shpjegohet se këta persona megjithëse nuk pijnë duhan, punojnë, ose jetojnë në mjedise ku pihet duhan. Gjithashtu ka shumë njerëz që nuk e pranojnë që pijnë duhan, madje edhe kur shkojnë tek mjeku, ngulin këmbë duke thënë se nuk pijnë duhan. Një sjellje e tillë është e rrezikëshme, veçanërisht në rastet e grave shtatzëne.
Çdo vit me kancer në mushkëri diagnostikohen 28 mijë amerikanë të cilët kurrë nuk kanë pirë cigare. Mjekët besojnë se këta të semure kanë jetuar ose punuar në mjedise ku pihet duhani. Kanceri i mushkërive ka pasoja shumë të këqia. Para disa ditësh, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova vdiq nga kjo sëmundje, dhe thuhet se ai pinte shumë duhan. Gjithashtu komentatori i njohur amerikan Peter Jenings, vdiq vitin e kaluar nga kanceri në mushkëri. Ai e kishte lënë duhanin para 15 vjetësh, por e filloi përsëri dhe vetëm pak muaj pas rifillimit të duhanit, kanceri iu shfaq në mushkëri. Si presidenti Rugova edhe komentatori Jenings vdiqën në moshë relativisht të re, pak mbi 60 vjeç. Sipas të dhënave, jetë-gjatësia e një personi që pi duhan shkurtohet deri me 10 vjet, ndërsa vdekjet mes grupmoshave që pijnë duhan janë 5 herë më të larta se mes atyre që nuk e pijnë atë.
Ekspertët thonë se fëmijët janë më të pa mbrojturit ndaj tymit të duhanit. Mbajtja e fëmijëve në mjedise ku pihet duhan mund të bëhet shkak për sëmundje të tjera më të rrezikëshme. Tymi i lëshuar nga të tjerët, tek fëmijët bëhet shkak për infeksione në gjoks, bronkit dhe infeksione të veshit dhe asthmën. Por të rriturit që nuk pijnë duhan por që qëndrojnë në mjedise me ajër të ndotur nga tymi i duhanit, mund të preken nga kanceri në mushkëri e sëmundje të zemrës. Këto të dhëna e bëjnë më të rëndësishme e të domosdoshme për prindërit që të dijnë në se fëmijët e tyre ndeshen me ajrin e ndotur nga tymi i duhanit. Prindërve tani u vjen në ndihmë një analizë e re e urinës. Pajisja për kryerjen e kësaj analize quhet TobacAlert që shitet në farmaci pa recetë dhe me saktësi tregon nivelin e kotinës në urinë. Kotina është një nënsubstancë e nikotinës. Gjatë një punë kërkimore në këtë klinikë në Rino të Nevadës, gratë shtatzëne kryejnë rregullisht këtë lloj analize për të diktuar në se janë ekspozuar ndaj tymit të duhanit. Analiza i ndihmon nënat për të dalluar nivelin e kotinës në urinë dhe gjithashtu i bën ato më të hapura në bisedat ndaj të këqijave që sjell duhani. Gjithashtu këto lloj analizash tani përdoren edhe në rastet e divorceve kur njëri prind kërkon kujdestarinë e fëmijës, duke u ankuar se fëmija është në rrezik shëndeti pasi prindi tjetër pi duhan. TobacAlert ka filluar të përdoret edhe nga ndërmarrje private ndaj punënjësve të tyre. Statistikat tregojnë se një person që pi duhan, mungon nga puna për arsye shëndetësore mesatarisht 18 ditë në vit, ndërsa një agjenci sigurimesh shëndetësore mund të kursejë rreth 3 mijë e 500 dollarë në vit nëse një person i siguruar nuk pi duhan. Madje disa ekspertë thonë se në se duhani eleminohet, pra në se lihet duhani, atëherë edhe ata që nuk pijnë duhan nuk do të ishin më në rrezik prej tij. Ekspertët thonë se me një hap të tillë, rastet e kancerit të mushkërivë mund të pakësoheshin deri në 90 përqind. Pra mendimi i përgjithshëm si dhe mesazhi është ky: Duhani është i rrezikshëm dhe ndaj tij, të gjithë duhet të kenë kujdes.

Pothuajse secili njeri e di se duhani është i dëmshëm për shëndetin e njeriut, madje se qonë edhe në vdekje. Kjo është vërtetuar nga studimet shkencore.
Sipas hulumtimeve të specialistëve, si pasojë e pirjes së duhanit, 80% e atyre që vdesin rreth moshës 45-50 vjeqare shkaku është pirja e duhanit.
- Në 90% të rasteve bllokimi i gjakut në damarë vjen si pasojë e pirjes së duhanit.
- Gratë që pinë duhan plaken 15 vjet më herët në krahasim më ato që nuk pinë duhan.
- Cigarja është armik i vitaminave.
- Rreziku i vdekjes nga duhani është 13 herë më i lartë se sa nga sëmundjet tjera.
- Sëmundjet kronike të zemrës dhe sëmundjet e mushkrive vërehen më shumë tek ata njerëz që përdorin rregullisht duhanin.
- Përqindja e sëmundjes së kancerit në mushkëri, tek ata të cilet pinë duhan, është 15 herë më e madhe se tek ata që nuk pinë duhan.
- Shterpësia (steriliteti) tek gratë që pinë duhan është 10 herë më e lartë se tek ato të cilat nuk pinë.
- Konsumatorët e duhanit janë më të rrezikuar nga çdo sëmundje, ngase imuniteti i tyre është më i zvogëluar.
Çështë pirja pasive e duhanit?
Pirja pasive e duhanit quhet thithja e tymit të duhanit që është përhapur rreth e përqark. Tymi i duhanit përmban 4000 përberës të ndryshëm kimik,shumë nga të cilet janë të dëmshëm për shëndetin e, ndërsa 50 prej tyre e shkaktojnë kancerin.
15% e tymit të një cigareje thithet nga personi që pi duhan ndërsa 85% e tij kalon në ajër.
Një njeri që nuk pin duhan, por që qëndron në një vend të mbyllur ku pihet cigare, për një kohë prej katër orësh merr një sasi nikotine që është barabart më atë që do të merrte nëse do të kishte pirë 10 cigare.
A e dini se?
Nëse e lini duhanin, pas njëzet minutave nga pirja e cigares së fundit e deri pas një viti trupi juaj do të ndjejë një sërë ndryshimesh të dobishme:
1. Pas 20 minutave tensioni i gjakut, rrahjet e zemrës dhe temperature e duareve dhe këmbëve normalizohen.
2. Pas 8 orëve përmbajtja e dioksid karbonit në gjakë zbret në nivelin normal.
3. Pas 24 orëve pakësohet rreziku i krizave të zemrës.
4. Pas 48 orëve përfundimet nervore fillojnë të rriten, permisohet nuhatja dhe aftësia e shijimit.
5. Pas dy javëve deri në tre muaj përmisohet qarkullimi i gjakut, ndërsa aftësitë funksionuese rriten mbi 30%.
6. Pas një viti rreziku i sëmundjes koronare të zemrës pakësohet dy herë.
Tetë këshilla nga specialistët për ta lënë duhanin
1. Besoni në vetveten dhe në suksesin tuaj.
2. Lexoni materiale serioze që t’i mësoni dëmet e cigares.
3. Qëndroni larg mjedisit ku pihet duhani.
4. Pranë vetës mos mbani sende që ju kujtojnë cigaren.
5. Rrini me njerëz të cilët ashtu si ju po përpiqen ta lënë cigaren.
6. Qëndroni larg pijes së kafes dhe të çajit të cilët mund t’ju nxitin për të pirë duhan.
7. Kur t’ju lindë dëshira për të pirë cigare shmangeni këtë ndjenjë duke ngrënë ndonje frut.
8. Mjaft me duhanin! Me duhanin që po pin i dogje mushkerit! Lere atë të shpëtosh.
Çfarë ndryshimesh ndodhin tek ata që braktisin duhanin?
Sipas specialistëve, te përsonat që braktisin duhanin ndodhin këto ndryshime:
1. Shtohet oreksi
2. Gjumi do të jetë i thellë i qetë dhe ata nuk do të vuajnë nga pagjumësia
3. Zvogëlohet rreziku i infeksioneve
4. Pakësohet lodhja
5. Shtohet aftësia dhe fuqia për punë
6. Qetësohet sistemi nervor
7. Merr fund dëmi që i shkakton familjes dhe shoqërisë
8. Pakësohet dëshira pë të konsumuar pije alkoolike
9. Nuk ndjehet erë e keqe nga goja etj.


Pirja e duhanit brenda objekteve shkollore, është bërë dukuri shqetësuese si për zyrtarë institucional, po ashtu edhe nga nxënësit që nuk tymosin duhan.Udhëheqës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thonë se vetëm zbatimi 100 për qind i ligjit kundër duhanit, do të mund ta zvogëlonte numrin e duhanpirësve brenda objekteve shkollore.


Rreth 40 për qind e të rinjve në shkollë tymosin duhan. Kjo shifër vjen sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare që merren me vetëdijesimin e të rinjve për pasojat e duhanit.

Ledri Thaçi, nxënës i shkollës fillore “Hasan Prishtina”, thotë se pirja e duhanit është një temë që duhet të diskutohet. Sipas tij, duhani pihet prej nga mosha 14-vjeçare apo edhe më herët.

“Kjo temë i preokupon fëmijët dhe të rriturit. Duhani pihet nga fëmijët, gjë që duhet të ndalohet gjithsesi. Një nga hapat që duhet ndërmarrë është duke i paralajmëruar ata për efektet negative që shkakton duhani në trupin e tyre. Mirëpo, ata nuk e dinë se efektet mund të shfaqen pas disa vjetësh. Mënyra më e mirë për ta parandaluar dhe për t’i informuar ata se sa dëme sjell, është edhe duke ju treguar se duhanpirja shkakton sëmundjet e mushkërive, astmës, goditjet në tru, e shumë të tjera”, shprehet Thaçi.

Zanjeta Halimi, nga organizata joqeveritare “Rrjeti i edukatorëve bashkëmoshatarë”, që merret me promovimin e sjelljeve të shëndosha përmes të rinjve nga të rinjtë, thotë se pirja e duhanit konsiderohet si sjellje e rrezikshme, sidomos nga nxënësit, duke e marrë parasysh që 5.4 milionë njerëz në vit vdesin prej duhanit. Andaj, sipas Halimit, me kampanja të ndryshme mundohen që t'i vetëdijesojnë nxënësit për pasojat e duhanit.

“Kemi filluar me këtë strategji, sepse të rinjtë zakonisht i kanë model edhe shokët e tyre, që i imitojnë dhe e bëjnë një sjellje të rrezikshme. Një prej sjelljeve të rrezikshme kohëve të fundit është edhe pirja e duhanit. Mundohemi t'i mësojmë për pasojat negative, se çka mund të bëheni nëse jeni duhanpirës aktivë dhe të bëjmë kampanja të ndryshme, qoftë përmes kampanjave mediale, apo broshurave, ku tregojmë se duhani dëmton shëndetin”, thotë Halimi.

Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë se tymosja e duhanit është e dëmshme për secilin, por te të rinjtë dëmet janë më të mëdha.

Skënder Syla, udhëheqës i kësaj organizate, thotë se mënyra e vetme e shmangies së pirjes së duhanit nga të rinjtë brenda objekteve shkollore, është zbatimi 100 për qind i Ligjit kundër duhanit.

“Te ne fatkeqësisht tymoset duhani nëpër shkolla, qoftë nëpër hapësira të ndara brenda shkollave. Kjo ndodh edhe nga arsimtarët, por edhe nga vetë nxënësit. Andaj ne, si OBSH, rekomandojmë fuqimisht që Ligji për duhanin të zbatohet 100 për qind në mënyrë, që të mos ketë asnjë hapësirë brenda objektit shkollor ku pihet duhani”, thekson Syla.

E, shefi i Inspektoratit Sanitar të Kosovës, Ibrahim Tërshnjaku, thotë se Inspektorati Sanitar, së bashku me Inspektoratin e Arsimit, kanë bërë një aksion të përbashkët për t'u dhënë një urdhëresë me shkrim gjitha drejtorive në mënyrë që të ndalohet duhani brenda objekteve shkollore.

“Pas kësaj urdhërese, kemi parë një hap pozitiv në këtë aspekt. Ne, tash, do të bëjmë një riinspektim nëpër objektet shkollore dhe do të shohim se cilat drejtori të shkollave kanë lejuar kolegët e tyre të pinë duhan brenda objekteve shkollore. Aty do të shohim se si do ta vetëdijësojmë edhe këtë strukturë të shoqërisë”, tregon Tërshnjaku.

Sipas të dhënave nga hulumtimet e bëra nga organizata joqeveritare, në shkollat e mesme pihet duhani më shumë - nga vetë mësimdhënësit, por edhe nga nxënësit.

Ndonëse kishte hyrë në fuqi që në shkurt të vitit të kaluar, Ligji për duhanin tek tani ka filluar të zbatohet në disa vende publike.

Blerim Iseni, menaxher i kafeterisë “Rings”, thotë se ky lokal ka ndarë hapësirën prej 30 për qind për duhanpirësit, ashtu siç e parasheh Ligji për duhanin.

“Ne e kemi mirëpritur zbatimin e ligjit dhe ashtu siç edhe parashihet me ligj, në hapësirën prej 70 për qind të mos pihet duhani, e në 30 për qind lejohet pirja, mendoj se kemi kushte dhe hapësirë të mjaftueshme për ta zbatuar. Kërkohet ambient i veçantë dhe ventilim shtesë aty ku pihet duhani, por mendoj se kemi kushte për ta zbatuar ligjin”, thotë Iseni.

Ndërkaq, qytetarët mendojnë se zbatimi i ligjit është i mirëseardhur. Luljeta Suka nga Prishtina shprehet:




“Mendoj se zbatimi i Ligjit kundër duhanit, sidomos nëpër lokale, aty ku pihet më së shumti, është shumë i mirëseardhur për qytetarët e Kosovës, sepse duhanpirja shkakton problem edhe tek ata që nuk pinë duhan. Ndarja në kthina e lokaleve, për mendimin tim, është shumë e mirë, sepse ata që e pinë duhanin të paktën e dinë ku e kanë vendin dhe nuk i pengojnë qytetarët e tjerë”.

Në anën tjetër, Faik Hoti, drejtor për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se tashmë inspektorët kanë dalë në terren dhe restoranteve e kafeterive do t’u jepen disa ditë kohë deri në zbatimin e plotë të Ligjit kundër duhanit.

“Ministria e Shëndetësisë, e cila është e obliguar që të mbikëqyrë zbatimin e këtij ligji, së bashku edhe me disa subjekte tjera, nuk është e kënaqur sa duhet me zbatimin e tij. Ky ligj në vendet e rajonit po zbatohet me një rigorozitet të theksuar dhe ka mundur të zbatohet edhe në Kosovë”.

“Sidoqoftë ka qenë qëndrim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe edhe i vetë shoqërisë civile që të gjendet një konsensus, në mënyrë që kur të fillojë zbatimi i tij, kjo të bëhet si duhet. Andaj do t’u jepet edhe pak kohë derisa të fillojnë masat ndëshkuese”, bën të ditur Hoti.

Ndërkaq, Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë se tymosja e duhanit paraqet një problem mjaft të rëndë për shëndetin publik, duke e marrë parasysh që çdo vit në botë vdesin me miliona njerëz nga pirja e duhanit, si dhe miliona të tjerë sëmuren nga kanceri.

Prandaj, sipas Sylës, është e domosdoshme që ligjet e aprovuara dhe të miratuara, të zbatohen në praktikë.

”Çdo vonesë e zbatimit të Ligjit të duhanit, do të thotë marrje e jetës së njerëzve, sepse tymosja nuk i dëmton vetëm ata që e konsumojnë duhanin në mënyrë aktive, por edhe ata që ekspozohen në mënyrë pasive”, përfundon Syla.




Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...