Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/08

Antologji e poezisë moderne shqipe:Nebih Bunjaku

NEBIH BUNJAKU



          Një ndër krijimtaritë më të lëvruara të letërsisë shqiptare, është edhe POEZIA. Gjini e letërsisë ku bota e brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor...  shprehen përmes shkronjave të cilat krijojnë vargje... vargjet, pastaj, shpalosin mendime, mendimet krijojnë energji, energjia ndez dritat e dijës, rrezet e artë të së cilës i japin ngrohtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, e me këtë, edhe kuptim dhuratës më të shtrenjtë, vetë  jetës.
            Që nga Lekë Matrënga e Pjetër Budi, kjo energji nuk u ndalë asnjëherë së hedhuri farën e dijës, duke e kultivuar atë me dashurinë më të çiltër në shpirtin e pastër e fisnik të popullit shqiptarë. Duke i mposhtur të gjitha sfidat e kohës, kjo frymë e shpirtit të popullit, xixat e saja të arta, si një pishtar i shpresës, u bartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër... brez pas brezi... nga kokat më të ndritura të kombit si: Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Shiroka... për të vazhduar tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni... e deri në kohën tonë, duke u kthyer ai pishtarë në flakadan të përhershëm që tashmë nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj fuqinë e zjarrit të tij...
            Dua ta falënderoj nga zemra mikun tim dhe poetin e mirënjohur, ADEM ZAPLLUZHA, që me përkushtim të jashtëzakonshëm, vizitorëve të kësaj faqeje, por edhe më gjerë, do t’ua prezantoj disa nga poetët më të njohur të kohës sonë, e me këtë, do e plotësoj e pasuroj edhe mozaikun e mrekullueshëm të letërsisë shqiptare.

(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA





ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




NEBIH BUNJAKU





          
            Hyrje
  
          Nebih Bunjaku është lindur më 15.5.1947 në fahatin Poliçkë të Dardanës, Republika e Kosovës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje, por pas shpërnguljes, e përfundoi në Malishevën e Gjilanit. Në Gjilan kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet për Gjuhë shqipe dhe letërsi i mbaroi në Universitetin e Prishtinës.
            Tërë jetën ia kushtoi arsimimit dhe edukimit të fëmijëve nëpër shkolla të ndryshme, fillore dhe të mesme anembanë Kosovës. Krahas punës arsimore dhe edukative, shkroi dhe botoi poezi motivesh të ndryshme në shtypin e kohës.
            Përmbledhjet e tij poetike janë: ” Dalje nga balada”, 1994, “Gramatikë zemre”, 2004, “Terapia e dashurisë”,2005, “Një samit për simit” 2007, “Prushimë buzësh”, 2008, “Zemra nuk ka dimër”, 2009, “Testamenti i lotit”, 2012 dhe “Kopshti i shpirtit” (poezi për fëmijë), 2013.
            Nebih Bunjaku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Poezia e tij është prezantuar nëpër shumë libra të ndryshme antologjike. Është anëtar i Redaksisë së revistës “Ura”, që e boton Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës.
            Nebih Bunjaku jeton dhe vepron në Prishtinë.





MILLI IM ËSHTË SHQIPËRIA
Shpatës së Skënderbeut në Vjenë

Jam e vjetër me shumë vlerë
Emrin tash e kam Pranverë

n’luft’ra t’ashp’ra ndër beteja
ndriçoj natën si rrufeja

kurrë s’luftova për muze
veç për diell e Mëmëdhe

në baltë kurrë s’e lashë Hirësinë
Flamuri ilir t’valojë n’çdo stinë

mua s’më ha asnjë limë
jam relikt për historinë

Kur Naimi më puthi në Vjenë
në sy i pashë Skënderbenë

më ndryshk malli në mërgim
n’Bulevarde s’gjej ngushëllim

tash pesë shekuj n’dhe të huaj
të gjitha ëndrrat i shoh n’Krujë

kur Mëmëdheu t’ketë nevojë
jam e gatshme t’i bëj rojë

ëndrra ime është Iliria
milli im është Shpipëria


SHTËPIA E LIDHJES

N’Prizren n’zemër Shqipërie
Besa dha Besën n’Kuvend
në Sofër t’madhe historie
Do të vdesim për këtë vend

në Prizren u lidhën Zemarat
u mboll fara e Pavarësisë
në Histori u gdhendën Emrat
në ngjizje gjaku të Lirisë

Sylejman Vokshi Ymer Prizreni
Abdyl Frashëri e Mic Sokoli
Krenaria e mbarë këtij populli
në Kuvend me Një Gojë foli

ligjërojnë fjalë Perëndie
ky Atdhe gjithmonë ka Zot
Besa e Besës lidhet nyje
n’vend të bukës hamë barot

në gurë themeli u vu besa
armaturë e ardhmërisë
n’Shtëpi t’Lidhjes u shpall Fejesa
midis vdekjes dhe Lirisë

n’Prizren perëndoi hëna
Lindi Dielli në Prizren
n’kaptyll djepi bekoi Nëna
me gjak mbrone Ju këtë vend


LOTI I SHPIRTIT ÇAMËRI

Loti i shpirtit Çamëri
Lumë i dëbuar nga shtrati
kush t’i ngatërroi ëndrrat
djalli a lugati

Çamëri Ti Lot i lotit
kur do më shërohesh
Perlë n’kujtimet tona
kurrë nuk do harrohesh

Çamëri Ti Lot i lotit
e mërguar n’Atdhe
n’Mallin tënd do kthehesh
në Çamërinë e Re


TRENI I DHIMBJES

Një tren më i zi se futa
binarëve jashtë kohës
kudo barte dhimbje
netëve me plot stuhi

sa i përgjakur ky tren
me pleq gra e fëmijë
nxitonte drejt Bllacës
nga ferri në ferr
nëpër ëndrra mesjete
pa shofer pa kondukter 
ngarkuar me dhimbje
i verbër dhe pa orar
netëve nxinte natën
pa itinerar


TESTAMENTI I LOTIT

Në natën bizantine pa hënë
Ne jemi plaga më e re
e Gjergj Elez Alisë
se hijet korb të zeza
na rrëmbyen
në prag të Shtëpisë
na ka mbetur vetëm shpirti
midis robërisë dhe Lirisë
midis Jetës dhe vdekjes

sot imazhi ynë
varur  grilave të Kuvendit
është odisejada jonë!

Testamenti i Lotit
në Flakën e qiririt jeton
lagur nga shiu ngrirë
nga acari i dimirt 
lëbyrur nga dielli

le të ndizen Qirinjtë
që të ngrohet shpirti ynë
në Dritën e Lirisë

në Pentagramin e Mallit
edhe zemra ka dhimbje
nga ëndrrat e trishta
për eshtrat e humbur

në Ritualin e Pritjes
nuk duam të jemi
mjet kusuritjes
në sofrën e djallit

Liria nuk bën tregti
as me hijen tonë
as me vetveten
as me robërinë

Ne nuk jemi arna leckash
për thasë lypësarësh
tryezave bixhozxhinjsh

Ne jemi Ajka e kombit 
bazamant në Flakën e Lirisë
të humbur janë ata
që ende kusuriten me djallin
për tokat tona të shenjta 


No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...