Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/08

Antologji e poezisë moderne shqipe:Begzad Baliu

BEGZAD BALIU



          Një ndër krijimtaritë më të lëvruara të letërsisë shqiptare, është edhe POEZIA. Gjini e letërsisë ku bota e brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor...  shprehen përmes shkronjave të cilat krijojnë vargje... vargjet, pastaj, shpalosin mendime, mendimet krijojnë energji, energjia ndez dritat e dijës, rrezet e artë të së cilës i japin ngrohtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, e me këtë, edhe kuptim dhuratës më të shtrenjtë, vetë  jetës.
            Që nga Lekë Matrënga e Pjetër Budi, kjo energji nuk u ndalë asnjëherë së hedhuri farën e dijës, duke e kultivuar atë me dashurinë më të çiltër në shpirtin e pastër e fisnik të popullit shqiptarë. Duke i mposhtur të gjitha sfidat e kohës, kjo frymë e shpirtit të popullit, xixat e saja të arta, si një pishtar i shpresës, u bartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër... brez pas brezi... nga kokat më të ndritura të kombit si: Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Shiroka... për të vazhduar tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni... e deri në kohën tonë, duke u kthyer ai pishtarë në flakadan të përhershëm që tashmë nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj fuqinë e zjarrit të tij...
            Dua ta falënderoj nga zemra mikun tim dhe poetin e mirënjohur, ADEM ZAPLLUZHA, që me përkushtim të jashtëzakonshëm, vizitorëve të kësaj faqeje, por edhe më gjerë, do t’ua prezantoj disa nga poetët më të njohur të kohës sonë, e me këtë, do e plotësoj e pasuroj edhe mozaikun e mrekullueshëm të letërsisë shqiptare.

(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA





ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




BEGZAD BALIU





          
            Hyrje
  
          Begzad Baliu (Makresh i Ultë - Gjilan, 1966): profesor universitar, albanolog, publicist, shkrimtar dhe editor. Ka qenë hulumtues shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës (1996-2005); ndërsa tash është Profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Edukimit. Ligjërues në disa konferenca shkencore kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Autor i shumë veprave studimore nga fusha e gjuhësisë, letërsisë, historisë, kulturës dhe publicistikës. Organizator dhe koordinator i shumë konferencave ndërkombëtare në institucionet universitare dhe shkencore të Prishtinës, Prizrenit, Shkupit, Tiranës, Korçës, Shkodrës, Varshavës dhe pjesëmarrës edhe në shumë konferenca të organizuara nga qendra të tjera ndërkombëtare. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve dhe Kritikëve, i Shoqatës Ndërkombëtare Letrare Pegas dhe i shumë shoqatave të tjera të kësaj natyre. Kryeredaktor i revistës shkencore “Shenjëzat” dhe “Educologia”, Prishtinë; anëtar i redaksisë së revistës ndërkombëtare “Malësia”, Podgoricë; anëtar i redaksisë së kolanës “Sociolinguistika shqiptare”; bashkëmentor i projektit të Universitetit të Varshavës “Kosova e pavarur në sytë e të rinjve të saj (shoqëria - kultura – politika)”; Ambasador i Paqes (2009); dhe i nominuar i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë për Çmimin e vitit 2008. Dy dekadat e fundit i është besuar përgatitja e shumë veprave të autorëve dhe trashëgimisë albanologjike: Jup Kastratit, Shefki Sjediut, Zenun Gjocajt etj.
            Veprat: Kafeneja ballkanike, dramë, Prishtinë, 1996, Shkodër, 2000, përkthyer në holandisht, 2000; italisht, 2003; kroatisht, 2012; Grua e dashuruar, poezi, Prishtinë, 1996; Ballë për ballë (Monografi për Agim Rashitin), Cyrih, 1992; Flamuri vjen nga Kosova, dramë, Prishtinë, 1994; Gjaku i lirisë (1981-1995) I, biografi për dëshmorët, (bashkautor), Prishtinë, 1996; Gjaku i lirisë (1981-1995) II, biografi për dëshmorët, (bashkautor), Prishtinë, 1997; Gjaku i lirisë, (1981-1995) III, biografi për dëshmorët, (bashkautor), Prishtinë, 1998; Gjaku i lirisë,(1981-1995) IV, biografi për dëshmorët, (bashkautor), Prishtinë, 2000; Kontributi i Eqrem Çabejt në fushë të onomastikës, monografi, Prishtinë, 2000; Gustav Majer dhe albanologjia, sprovë monografike, Prishtinë, 2000 dhe Tiranë, 2001; Onomastika e Gallapit, monografi, Prishtinë, 2003; Jup Kastrati për Kosovën, përmbledhje punimesh, (bashkautor), Prishtinë, 2004; Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, monografi, Prishtinë, 2004; Mbi autorësinë e veprës” Bibliografia e Skënderbeut”, polemikë, Prishtinë, 2005; Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës, dokumente, (bashkautor), Prishtinë, 2005; Vepra bibliografike e Profesor Jup Kastratit, monografi, Prishtinë, 2005; Çabej 1, Bibliografi e studimit të veprës së Çabejt në Kosovë, Prishtinë, 2006; Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës, studime, Tiranë, 2006; Bibliografia përmbajtësore e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prishtinë, 2008; Onomastika e Kosovës – ndërmjet miteve dhe identiteteve, studime, Prishtinë, 2009; Vareni kryengritësin e shenjtëruar, polemikë, Prishtinë, 2010; Kërkime albanologjike, sprovë për një histori të albanologjisë, Prishtinë, 2010; Referenca albanologjike, sprovë për një histori të albanologjisë, Prishtinë, 2010; Pesha e komunikimit, ese, (bashkautor), Prishtinë, 2010; Dhembje e bukur’, antologji e poezisë, bashkautor, Prishtinë-Paris, 2012; Onomastikë dhe identitet, studime, Prishtinë, 2012; Kujtesa letrare, ese, Prishtinë, 2013; Struktura e vlerave përfaqësuese, studime dhe ese, Prishtinë, 2014.
            Jeton në Prishtinë.




PËR GRATË E NJË KONFERENCE SHKENCORE

Ajo rri me duar në gji
Në gjoks ka vënë kartelën
“NN, prof. asc., Universiteti i Arizonës”
E në qëndrimin e saj shoh Gjylën e Alisë
Tek përkundë djepin në këndin e dhomës

Ajo rri kujtueshëm në fund të radhës
Në gjoks mban shënimin e varur
“AA – prof. dr. në Universitetin e Oxfordit”
E në kujtesën e saj shoh gruan e Artanit të vrarë
Në fund të luftës së Kosovës

Ajo flet në Foltore radhë e pa radhë
Dhe fjalët i ngre në shprehje krenarie
Në gjoks ka vënë tiketën
“AB - prof. dr., në Universitetin e Munihut”
E në pamjen e saj shoh nusen e Ademit
Tek ekzaltohej para grave në dasmën e fshatit

Ato rrinë ulur, flasin, meditojnë
andej e këndej salle
Unë i shoh me botën e fëmijërisë dhe tretem larg ndër malle
Dhe shoh se si në sytë e mi shfaqen gratë e fshatit
Gratë e fëmijërisë sime që këtu më ngjajnë në shkencëtare

*
Tek rrudhin gojën e mbyllin sytë përgjumur
Tek flasin me drojë e gishtat trokasin me kujdes
Më zgjojnë kujtimet e fëmijërisë
Kujtimet për gratë e fshatit tek thonë
Marre e zotit çka thamë, këtu qenka një djalë!


E SHKRUAR MË 14 SHKURT

Veje kokën në gjoksin tim dhe pusho
Harro dhembjen qetëso zemrën dhe beso
Beso njëherë se në jetë ka lumturi
Dëshirëplotë mbahu dhe qëndro në qetësi

Veje kokën në gjoksin tim dhe ëndërro
Belkëputur brezëhumbur më pushto
Fluturo dhe dallgëzohu në lumturi
Agullohu vegullohu rrëshqit në zemër me qetësi

Veje kokën në gjoksin tim më shtrëngo
Aureolë vullkani ku zjarri vlon me ashpërsi
Shtrëngohu fort mbahu dhe qëndro gjer në mbarësi
Deri sa gjiri qumësht të pikojë


KRETA

Anije e stërlashtë
Harruar mes oqeanesh
Ankoruar mes Detit Mesdhe
Kreta

Me shekuj ka mbledhur mitet e kontinenteve
Dhe rri mes detit të ngrohtë
E nuk i afrohet asnjërit
Kreta

Atlantida nga vijnë mitet pellazgjike   
Dhe ngjiten maleve të Evropës
Të përcëlluar nga deti,
Kreta

Detarë që nuk dinë notin
Ciklopë që udhëtojnë deteve mija vjet
Bëjnë natën e fundit para se të bashkohet kontinenti plak 
Kreta
   
Barku i Penelopës
Që pret kthimin e Odiseut dhe bashkimin e kontinentit plak
Në pëlhurën e saj
Kreta


THONË NËNAT
NË VARRIMIN E DËSHMORËVE

Qani, thonë, qani me zemër
Po loti mos t’u shihet
Dheu ka nevojë për gjak

Qani, thonë, qani me kujë
Po kujën le ta dëgjojë vetëm zemra juaj
Atdheu ka nevojë për trima

Qani, thonë, qani
Se nuk ka vdekje që se lëndon zemrën
Po mos i lëndoni nënat
Janë në muajin e shtatëzanisë
                       

DREJT BURIMIT
(Pjetër Bogdanit)

Më flasin më thërrasin më ftojnë në jetë
Po deshe burimin nisu rrjedhës së lumit
Unë e Bogdani: T'birtë e Atit e Shpirtit Shenjtë.

Aty ish Dheu, Qiella, Deti e Zjarri e shpirti
DHEU ku nisëm themelet e gjuhës përsëri
QIELLA ku kërkonin amshimin për njeri
DETI ku rritej rrënja dhe ngrihej maja mbi lartësi
ZJARRI i pjekjes diellore në sy
Shpirti ku kthehemi në shenjtëri.
1986


LUTJE

Shën Mëri
Mbrëmë kam parë në TV një fëmijë
brenda një shtëpie që e shtynte vala e Cunamit
Është Eni
Lutu për të!

Shën Mëri
Sot kam parë në gazetën ditore një fëmijë
të shtrirë për bukën e gojës mes refugjatëve të Afrikës
Është Eni
Lutu për të!

Shën Mëri
Mbrëmë kam parë në TV një fëmijë në Indi
me duar të shtrira drejt Nënës Tereze
Është Eni
Lutu për të!

Shën Mëri
Mbrëmë kam parë në ëndërr Enin
që përpiqej të më thoshte një fjalë 
Është Eni
Lutu për të!

Shën Mëri
Mbrëmë kam parë në TV babanë e një fëmije tek lutej në portën e Parajsës
Është babai i Enit
Lutu për të!


No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...