
Prof. dr. Nazim F. Qehaja
Lexues të nderuar!
Është ky reagim imi personal, në shenjë pakënaqësie lidhur me prononcimin e Samuel Zbogarit dhe bashkëveprimtarëve të tij, i cili ende pretendon se privatizimi në Kosovë qenkësh mënyrë e vetme e zhvillimit të vendit.
Z. Zhbogar, si duket, ju ende mendoni, ashtu siç ju kanë mësuar në fëmijërinë tuaj qarqet e atëhershme shoviniste të bashkësisë ish-jugosllave, se ne shqiptarët jemi të egër dhe se nuk dimë gjë fare. Z. Zhbogar, ju mund edhe të mos pajtoheni, por një deklaratë e tillë, me gjithë faktet e pakontestueshme (tejet kokëforta) se privatizimi në Kosovë ishte shkatërrim total, jo vetëm ekonomik, por edhe degradim i tërësishëm i ambientit për një jetë minimale njerëzore, flet tepër qartë për kontekstin e pretendimit tuaj!
Z. Zhbogar, të quash privatizim tjetërsimin e fabrikave të tëra, që dikur ishin, jo vetëm në Jugosllavi, por edhe në Evropë, të njohura me prodhimet e tyre kualitative, duke i shndërruar në komplekse ndërtimesh shumëkatëshe, restorante dhe shtëpi publike, për ne shqiptarët është vërtet shumë e turpshme dhe shumë fyese. Varfëria dhe pakënaqësia kanë arritur kulmin. Këtë më së miri e ilustron shpërngulja masive e popullit. Mos mendoni se ky popull këto gjëra nuk i di dhe nuk i kupton. Në këtë shkrim, z. Zhbogar, dua t'jua kujtoj patjetër dy gjëra shumë domethënëse për këtë vend dhe për këtë popull.
E para: Gjendja në të cilën sot jemi ne, është pikërisht faji i Evropës, aq më tepër i bashkësisë ish-jugosllave, pjesë e së cilës ishte edhe shteti juaj, sepse gjithmonë u konsideruam, ashtu siç na konsideroni (si duket) edhe sot si të huaj, edhe pse kjo tokë është, në qendër të saj. Kosova është i vetmi vend, i cili nuk është me ju, edhe pse ju vetë ishit këtu. Ju ishit këtu për sundimin e ligjit, e ligji nuk sundoi, atëherë kush na i paska fajet? Ne vërtet kishim nevojë për t’u ndihmuar, por jo edhe për t’u varfëruar e për t’u robëruar. Sot dhe për çdo ditë, në këtë tokë, skajshmërisht të varfëruar, e gjithë energjia juaj dhe e hajdutëve të saj, të cilët qëndrojnë pikërisht mbrapa kësaj që ju e quani gabimisht privatizim, shpenzohet duke kërkuar gjykata speciale për hulumtimin e krimeve njerëzore individuale, të cilat edhe nuk përjashtohen dhe nuk dallohen me asgjë nga vendet tuaja, por nuk kërkoni edhe gjykata speciale për gjykimin e krimeve të pashembullta ekonomike, aty ku edhe vetë ishit dhe jeni të implikuar, shumë më të rënda se ato individuale.
E dyta: Mos harroni se njerëzit, pushtetarë të Kosovës, të nënshtruarit dhe të dëgjuarit tuaj, nuk janë pjesë e shumicës dërrmuese të këtij populli, meqë, siç e dini edhe ju vetë, këta erdhën në këto pozita, jo me dëshirën e shumicës, por me pazare ndërpartiake, me votën e blerë dhe me votën e vjedhur, bile edhe në zarfe, ku mëkatet tuaja nuk ishin edhe aq të vogla. Shqiptarët, z. Zhbogar, nuk janë më ata të viteve ’40 të shekullit XX, ndaj, pa Kosovën e lirë, as në Evropë nuk mund të ketë qetësi. Ujku është i lënduar, kujdes nga agresiviteti i tij! Shqiptarët e mërguar, edhe evladët e tyre, kurrë nuk do ta harrojnë Kosovën. Ata kokën gjithmonë do ta kenë në Kosovë, vetëm bishtin në Evropë, e flaka dihet ku nis.
Prishtinë, 11.03.2015
No comments:
Post a Comment