Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/09

Tahir Desku “Në tërësi, jeta e tij ishte poezi e kohës”











 Tahir Desku u lind më 1957 në Siqevë të Klinës.

            Filloren e kreu në Ujmirë, të mesmen në Klinë, kurse studimet për Gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Gjatë rinisë së hershme ka ëndërruar të bëhet aktor, mbasi kishte luajtur në disa pjesë teatrore. Por ai bëhet poet. Kur ishte student, punoi katër vite gazetar në gazetën e studentëve “Bota e re”. Pastaj punon gazetar në TVP gjatë viteve ’80, ku disa herë e largojnë nga puna. Kur e largojnë përfundimisht nga puna, ia mësyn eksodit, në SHBA dhe atje qëndron tetë vite. Atje kontribuon në lëvizjen kombëtare e politike të diasporës shqiptaro-amerikane. Kthehet në Prishtinë pak vite para luftës dhe nis e boton revistën kulturore, shkencore e letrare me titullin “Tribuna”. Pastaj kyçet në radhët e luftës çlirimtare të UÇK-së, duke raportuar gjatë viteve 1998-1999, deri në çlirim.
            Pas luftës zgjidhet kryetari i parë në liri i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ndërkaq, më tre dhjetor të vitit 2005 ai vdes tragjikisht në fatkeqësi komunikacioni. Vdekja e gjet duke e kryer detyrën e redaktorit të kulturës në Radio Kosova.
            Për të gjallë ai botoi librat poetikë: “Prejardhja e dashurisë” (1982), “Nga biografia e pashkruar” (1984) “Idil e vetmi“ (1989) dhe “Engjëjt e lirisë” (2000). Një libër poezish të tij u përkthye edhe anglisht (2001), nga Fadil Bajraj, me titullin “Love and spring”. kurse mbas vdekjes, më 2006, nga LKSH-ja, iu botua libri poetik “Në cilin gjet e kam vdekjen”.
            Tahir Desku është lauruar me rastin e 15-vjetorit të revistës së studentëve “Bota e re” me çmimin “Gazetari më i mirë i vitit”. Ndërsa me rastin e 30-vjetorit të kësaj gazete studentore, më 1998, kur ai gjendej në vijat e frontit, merr çmimin “Gazetari më i mirë në 30 vjetët e fundit”. Ai u laurua me të gjitha çmimet letrare të Kosovës, si në manifestimet Mitingu i Poezisë në Gjakovë, Takimet e Gjeçovit, ndërsa në vitin 2000 shpërblehet nga LKSH për librin më të mirë të botuar brenda vitit në Kosovë. Ndërsa për kontributin e tij në Luftën Çlirimtare të UÇK-së, ai merr dekoratën “Urdhri i Adem Jasharit”.



Poertreti i poetit Tahir Desku nga piktori Luan Jakupi 2014








Tahir Desku “Në tërësi, jeta e tij ishte poezi e kohës”
Nga Engjëll I. Berisha
Tahiri ndonëse për shumë kënd bënte një jetë të çrregullt, sjelljet e tij, jeta që bënte dhe ai këngëtimi i tij kafeneve, ishte refleksim i kohës, apo më së miri mund të themi se ishte poezia që shkruhej nga çdo shqiptarë.
Tani, na duket ndryshe, edhe poezia, edhe sjellja e të gjithë neve, ngase jetojmë të lirë dhe mendojmë ndryshe. Por,
atëherë, Tahiri i dërgoi një letër varrit me një poezi “Letër varrit”, ku I thotë se, “Dua të jesh sa më i gjatë, e sa më i gjerë që të kem kah të sillem shlirë, të kem ku të pushoi”. Ai, nuk jetonte me vdekjen, përkundrazi, jepte frymë jete, bile më të hareshme nuk e spjegonte kushë, por, e shihte vdekjen se si sillej mbi ne. Dhe poezia ishte ajo që nxjerrte nga sytë tanë atë gjendjen që ndodheshim. Dhe, poeti Desku ishte ai që dinte ta lexonte më së miri këtë. Që dinte ta thoshte botërisht më së miri.
E bile, ka dhe një varg tjetër ku i dërgon letër vdekjes. Ai thotë, “S’mund të më marrësh me vehte, ngase më mungon frymëzimi”. Këtë vetëm poeti mund ta thoshte atëherë. Dhe, kur i erdhi frymëzimi, ai shkoi ku pëlciste baroti për ta mbrojtur popullin e vetë dhe për tu takuar me vdekjen. Si duket edhe këtu, nuk iu ka dorëzuar vdekjës. Ndërsa në një natë dhjetori, në ditët e Lirisë, vdekja ia kishte zënë moment frymëzimin si afër dhe iu kishte çfaqur për ta marrur. Dhe e mori. Ju garantoi se nëse ka reinkarnim të jetës, Tahiri, gjithnjë do të reinkarnohet vetëm si poetë.
Ka shumë njerëz që e njohën, bile, derisa ai jetoi jashtë Kosove, e shtrini vetveten edhe më largë, tek çdo shqiptarë. Dhe erdhi me një mori miqësh në kujtesë dhe në vargje të tijë. Të gjithë ata që e njohën kanë vetëm një emërim të tijë, - ai poeti, thonë.
Unë, derisa bëra një copë jetë me te, duke ndarë dhomën në Prishtinë, pastaj për kohë të gjatë edhe në shtëpinë time, mbaj mend se në secilin gjest që bënte, secilen levizje, edhe kur shante siq shahen miqtë, nxjerrte poetikë nga vetvetja. Mbase, unë si mik i afërt i tij, e shihja të tillë, pasi që të tillë si poetë edhe e njoha.
Lirinë, e jetojë prapë duke u ankuar. I thashë, Tahir të ka mbetur disketë e vjetër të ankohesh. Tani jemi në rrethana të reja, duhet ta ndërrosh. Joooo more më tha. Nëse nuk kam ditur si ta përshkruaj në poezi Lirinë, së paku e di si ta shohë. Dhe nuk po e shohë të tillë. Edhe ne, gjenerata e jonë, nuk do ta bëjmë Lirinë, nëse ne e sollëm atë. Do ta bëjnë, ata që po rriten në Liri”. Këto janë disa nga dialogjet tona, nga ato netë të gjata që kaluam pas lufte në Gjakovë.
Tahiri më kishte inatë pse nuk e pija alkoholin. Më thoshte, “gomar i vetmi je ti që mund të rrish me mua, e nuk e qon një gotë. Nuk e di si e shkruan ti poezinë. A të dhemb ndokund, apo ne nuk jemi asnjëherë esull, e nuk e dijmë kah vijnë e kah shkojne dhembjet”. Kjo është bohemia e tijë rrugëve të Prishtinës. Netëve të gjata deri në mëngjes, që e kishte inatë gjumin ngase i bëhej se nuk po jeton derisa flenë. Dhe kur zgjohej heret thoshte, “Një popull që nuk e shehë diellin duke lindur, kurrë s’do të përparojë”.
Nga Tahiri mësova si ta shkruaj të motivuar poezinë. Përderisa nga Teki Dërvishi, mësova në tërësi se çka është poezi dhe çka është ironi



 
Poezi nga Fatime Kulli

NË KËSHTJELLË TË LIRISË 

(Kushtuar poetit Tahir Desku) 

Mes ëndrrash e legjendash
mbahem fort pas pemës së identitetit,
mes gumëzhimash, krismash e të qara foshnjash
maleve të lashtë të Drenicës....


Në faqen e purpurt të historisë
përkund djepin, 
muza shpirtërore
e poetit Tahir Desku nga Klina.

Në duar shtrëngoj ruzaret e Shën Mërisë
ku shndrijnë aureolat e “Engjëjve të lirisë”.
Në logun e përgjakur të luftës
rritej trimëria e fjalës... 
Luftëtari dhe reporteri trim 
me gjak qëndisi vargje për liri. 

Shëtis nëpër ëndrra legjendash
mes drithërimash lotit...
Shshëëtt! Shpirti i tij oshtin
nën frymën e tokës Amë...

Tej në horizont shfaqet një kalë i bardhë,
ngarkuar me degë ulliri, vjen prej larg... 
Hingëllima derdh tinguj mitik... 

Shëtis nëpër ëndrra të gjelbra...
Malet e Drenicës 
me zogjtë që shtegtojnë qiparisave të lirë,
duke kënduar këngën e përjetshme:
“ENGJUJT E LIRISË”!



Sabit RRUSTEMI

SHERRI I ASAJ ANDRRE
(poetit dhe mikut tim, Tahir Deskut)

Nuk asht’ ma n’ Qendër a te Grandi
Besa as te Qafa aty te kandi
Kot e kërkoni te Koha kah Bagremi
E ka braktisur dhe atë lagje poeti
Thonë se ka ndreq diku nji shpi për veti
Mos e pritni as sonte shkoi n’ gjeti
Nuk besoj ta ket harru adresën
Symbyllas e di ku e ka t’hapun derën

Sekush e kish pa tue puthë qytetin
Nji pano me andrra qi nuk tresin
Pak pa u nis udhës përtej Drini
E kish fsheh flokësh nji gocë dukagjini
Prej burrave t’çartun Çiçavicës
Mos me hy n’atë kangë të Drenicës
I ri për plumb i vonë për mbret
Sherri i asaj andrre u ba poet

Sa vargje nxorri sa gota shtjerri
Kohën kohë qysh dashti e bjerri
Kur ju tek me pshty e pshtyni
Ku ia deshi pika e qejfit ai hyni
Ashtu si ishte krejt pa kërrname
Dekën sa herë e veshi n’pixhame
Pesë pare nuk i dha për qina
As kur mali u mbush martina

Gjeti prejardhjen e dashunisë
Kur rrënoi muret e vetmisë
Muzë ju banë engjujt e lirisë
Në çdo cep të Dardanisë
Vargu i mbiu i u ba vepër
Për me g’zue nji kohë tjetër
Tuj kalu nji mal mynxyra
Për m'i kesh përherë f’tyra

Tahir desku bash mem ngue
S’ka me nxanë kurrë në thue
As gjeth t’dekës s’ka me kërkue
Sall me lule ka m’u mlue
Se ashtu vetë ka dishrue
Nji jetë tanë ai ka knue
Për n’jat andërr qi ka andrrue
Me shu etjen tek ai krue

( 13 dhjetor 2011)


Halil Haxhosaj

METAFORË KOHE U BËRE

(Tahir Deskut)

Nuk më kujtohet asnjë ofshamë e jotja
Në orët letrare në amfiteatër në Prishtinë,
Në sallën solemne të pallatit në Gjakovë
Në Orën e Madhe të Mitingut të poezisë 

Vetëm metaforë fitoreje dëshiroje
Të bëheshe në të gjitha seancat

Afshin e Dheut të Drenicës Dukagjinit
Të Kosovës e të Arbërisë e thithe
Duke gulçuar për rreze lirie

Tituj veprash e bëre jetën
Rrokje të tyre rropatjet e saj
Dashurinë për të kurrë s’e trete

Në secilën metaforë ndriçoi ylli
I rrezeve të larta të flijimit
Më tri shkronja UÇK në ballë
Në kraharor në zemër

Dheu i kësaj toka ta fali amshimin
Prehu i qetë e me krenari në të
Sepse e ke Medaljonin e përjetësisë

Metaforë kohe u bëre ...

Kozeta Zavalani

Pavdekësi

Kushtuar poetit kosovar T.Desku.

Me lulemimozat çelëm të dy,

brymë yjesh mblodhëm bashkë
e me pasion thurrëm poezi,
ndaj k’të fillim marsi të kujtoj ty
me këngëvajet e rimave e vrimave
që të dhuruan përjetësi.

Ngarkuar me 55 trëndafila dielli,
si pasthirmat e tua mbi asfalt,
që gëlltiti heshtja atë natë
mbi lëkurën e ngrirë të asfaltit,
dhimbja ime për ty frymën ndal.

Në fashitjen e butësisë së ëndrrave
u shuan yjet e syve të tu, Tahir.
Për ty hëna zbriti nga qielli,
duke mbledhur eshtrat me pahir.

Ti mes yjesh nga lart më vështron.
Zëri yt i qetë troket tani
nga Prejardhja e dashurisë fluturon 
me Engjëjt e lirisë përsëri.

Mbi biografinë e pashkruar çahet qielli,
ti bërtet në Idil e vetmi
korijet nga trimëria jote meken
e ti pyet në shqip e anglisht:
Në cilin gjeth e kam vdekjen?

Vdekjejeta varur në rrezet e diellit,
zbut përjetësinë e heshtjes së qiellit, 
mbushur me detin bosh të territ,
që grabit drithërimën e yjeve
nga rrjedha e ujit në lirinë e pyjeve.

Tok me dhimbjen yjet
natën më dysh e ndanë,
e të fshehën hapësirave të qiellit, 
që pavdekësinë shpërndajnë.

Ëndrra jote për pavarësinë e Kosovës
fluturoi lart në yllësi
shkëputur nga thonjtë e petkave të territ,
që u rrëzua Kroit të mbretit
e mbeti e lirë në përjetësi.


--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------Poezi nga Tahir Desku 

BALADË


(Mujë Krasniqit dhe 36 të rënëve në Gorozhub, më 14 dhjetor 1998)

Kush është ai që zbret nga mali
Është Mujo Komandanti
Është ai, Muja vetë, me njëqind e dyzet
Nga po vjen, nga Tropoja a nga Vlora?
Kah vjen ai shkrin bora
Vjen në borë vjen në shi
Nga Shqipëria në Shqipëri

As hëna nuk kishte dalë
Rrëzë bjeshke atë natë
Vetëm terri shtrihej si gjarpër i zi
Terri që ndante atdheun në dysh
Atdheun e moçëm nën qiellin gri
Dhe pjesën tjetër nën shi...nën shi...

E rruga ishte e largët tek zhdukej në pafundësi
Ai vështron fushat e paskajë të Kosovës
E mendon për zogjtë:
Nuk ka vend më t’bukur fluturimi
Kur flet me lumenjtë thotë:
Është vend i papushtuar
Kur numëron plagët shton:
Vetëm vdekja ia shton bukurinë Lirisë!

Pastaj zbardh dita e plogësht
Dhe ëndërr e keqe numëron 36 herë
Dhembja shtron gjakun për dhe
Vashat shamizeza ulur nën një breg
Kanë ndalur pranverën e bimët që mbijnë
Diku në një shteg...diku në një rimë

Ai sërish ngritët dhe nis këngën e moçme
Që këndohej në anët tona:
Nuk po mundëm or shokë me fol
Se m’ka ra do gjak në gojë...



ME TË RËNËT

Sa do të kisha dashur
Të jem me ju sonte,
Me ju të mirët,me ju të mëdhenjtë
Të flisnim bashkë
Ç`ëndërr ish liria

Asgjë s`mbetet tjetër
Veç neve kënga
E juve lavdia

Netëve të zymta
Shpesh e ndal mendimin,pyes
Ku e ka burimin
Gjithë ky zjarr ky mall
Kjo dashuri
Në cilën këngë zogu
Në cilën pupël shpendi
Në cilën valë deti
Ky frymëzim

Gjithnjë më bëhet
Sikur s`jam ndër të gjallët

Edhe për të vdekur
Nuk ka më kuptim


MËRGIMTARËT

Kur i barti harrimi me vete
Fyellin e vendlindjes e fshehën diku

Mes shtresave të zemrës
Dashuria mbyllet në pikë gjaku

Më e bardhë se pëllumbat
Mbi lumin e ballit tim

Letrat kanë ngjyrën e tokës
Mallin shtegtarëve ua Falin

Takohemi një ditë para vdekjes
Botë e vogël, puqemi në një pikë

Do të lindet një ditë
E pathëna mes vetmisë

Larg deteve , tej qiellit të hapur
Takohemi një ditë para jetës

2

Këndej festat s’janë si dikur
Mund të digjen kujtimet

Gjithçka ka erën e bukës si gjaku
Kur etshëm vlon në damar

Në zemër zemra vdes thonë

Me shpirt hiqni mallin
Kur mbi kokë bie tjetër gur



TAHIR DESKU - ENGJËJT E LIRISË




NB "Gjon Buzuku"Prishtinë, 2000



Monolog

Ra terri ra mordja vdekja ra
tunxh qielli e zezë toka rrënjët me lafështi
as natë as ditë është superhata
lëvizin gurët lisat plisat
hap perden e përhirët shfaqet Atdheu
i mplakur lodhur kërrusur vetmie
marr gurin drurin dheun
i shtrydh si shekujt e marrë marrëzie
i shtrydh derisa marrin gojën gjuhën
marr udhën e Zotit kërkoj Zotin tim
definoj:të gjitha rrugët drejt atdheut
nuk çojnë siç kam thënë në poezi
kthehem prapë nga fillimi
në token pa liri po de në tokë
ta zhvarros varros veten
me duart e mia
e klithi majë bote në kupë qielli:
qitja flaken Sami Lushtaku
nën damarë më është ngrirë gjaku...



Fëmijë uri Tushillë



1.



Të gjithë lisat i kam veshur;n’tirq jelek e xhamadana.

i kam veshur.Me pushkë bomba jatagana i kam

ngjeshur.Lumenjët e kosovës shoka ua kam

bërë.Kam zbritur yjet në bregore për fyshekë në

rrethatore.Dhe pastaj filluan vallet.Bashkë me

ne shtojzavallet.



2.


Bjeshkëve t’larta ua morëm borën.Ia vumë malit plis

n’kry’.Fusha tej vidhte me sy.Malit tonë ia kish

lakmi.


3.


Kështu ne bënim çudira.Bënim Ne mrekullira.Kur

s’kishim bukë për fëmijët në malet e Drenicës.


4.



Mali ynë i shenjët.Mali ynë.Folë,ore!Ti je më i lartë

se Olimpi...


Baladë



Mujë Krasniqit dhe 36 të rënëve

Në Gorozhub,më 14 dhjetor 1998


Kush është ai që zbret nga mali

është Mujo Komandanti

është ai,Muja vetë,me njëqindë e dyzet

nga po vjen,nga Tropoja a nga Vlora?

kah vjen ai shkrinë bora

vjen në borë vjen në shi

nga Shqipëria në Shqipëri


As hëna nuk kishte dalë

rrëzë bjeshke atë natë

vetëm terri shtrihej si gjarpër i zi

terri që ndante atdheun në dysh

atdheun e moçëm nën qiellin gri

dhe pjesën tjeter nën shi...nën shi...



E rruga ishte e largët tek zhdukej në pafundësi

ai vështron fushat e paskaj të Kosovës

e mendon për zogjtë:



Nuk ka vend më t’bukur fluturimi

kur flet me lumenjët thotë:

është vend i papushtuar

kur numëron plagët shton:

vetëm vdekja ia shton bukurinë lirisë!



Pastaj zbardhë dita e plogësht

dhe ënëdërr e keqe numëron 36 herë

dhembja shtron gjakun përdhe

vashat shamizeza ulur nën një breg

kanë ndalur pranverën e bimët që mbijnë

diku në një shteg... diku në një rimë



Ai sërish n gritet dhe nis këngën e moçme

që këndohej në anët tona:

Nuk po mundem or shokë me folë

se m’ka ra do gjakë në gojë...



Kam mundur të vdes


Sa e gjatë kjo pushkë

që më bën hije mbi kokë

e ky shkëmb ku po e shkruaj

këtë varg



kam mundur të vdes

për shembull në Beverli Hills

Londer Paris a Barcelonë



bulevardeve të Europes Amerikës

mes gjinjëve të vashave

rimave e vrimave



kam mundur të vdes larg



bukur po vdes

tek ky shkëmb

në këtë varg


Duke kërkuar veten



Në turmën e njerëzve as në dhomë



me rima vargjesh

tinguj këngësh

as cicërima zogjsh



në kujtimet e vashave

mbrëmjeve përhënë nuk jam



Maje Kosmaqi bombë e pazbrazuar jam



Cila je



Me çka të të krahasoj

me cilën këngë

me cilën bimë



me cilin varg

me cilen rimë



Je Ti vasha nga përralla

që në pëlhurë zemre

qëndisë nusërinë



apo Penelopë e shenjtë

që shpiku besnikërinë



me çka të krahasoj



Cila je

e butë

a ashpër

si Atdhe



Në hijen e një peme



Nën hijen e një peme

i vetmuar jam shtrirë

në cilën degë

në cilin gjethë

e kam vdekjen



në cilën cicërimë zogu

është fshehur liria

përrallë e bukur



Kalimtari që iku

qenka tjertësuar

aspak s’i ngjante Atdheut



s’është siç thoshte

Lili Liria jonë

kur jeta formë zjarri krijon

eshtrat lëvizin mbi shtiza



e çdo gjë

merr formë fluturimi



Nën hijen e një peme

jam shtrirë për Dhe...



Meditim



Desha të them

pse nuk vdiqa

mes trandafilave

një natë të bukur vere



apo nën hijen e pemës

tek isha shtrirë për Dhe



pse bie fjala

në Prekaz a Kosmaq

nuk vdiqa

bri rrapit shekullor



ç’kuptim ka atdhedashuria

të jesh vetëm poetë i çmendur

pashë Zotin



Po vij



Unë drejt teje po vij

po vij nga maja e botës

a nga fundi i Detit të Zi

me njëqindë vjet përmbi



po vij ndoshta si zogu

apo si bimë

në gjethë bari

varg e rimë



ende s’kemi lindur

Lili...


Unë do të vij


Kur të vijë pranvera

do të nisem tek Ti

se të dua shumë



Të kam shpikur me një zjarr të ri

se jeta ndërroi formën e vet

tash do të provoj dhembjen deri në gjak

që të jem afër teje



nëse vdekja më ndalon

ti prit derisa të vijë pranvera



Unë do te vij

tepër i bukur

tepër i ri



Erdha në qytet



Qyteti turma rrugët spitali periferia



athua si vjen pranvera në këtë qytet

mbrëmja mbi rrokaqiej si bie

se do t’i zgjoj gjumashët me këngë

se pikë në zemër më ka rënë mërzia



në anët tona ra mordja e madhe

ç’do gjë u shnëdrrua në formë zjarri

fluturuan shtëpitë malet lisat plisat...



Erdha në qytet

që te bindem se i vdekur nuk jam

ndonëse mes të vdekurve prapë nis këngë

me të vdekurit rruga drejt atdheut çon



Udhëtojmë unë Ti e shokët e mi të rënë

e pikë në zemër na ka rënë mërzia



varros zhvarros varros

shokët bashkë me këngët e mia



Monomal



Është ankth

apo gjaku sërish

kryengritje te re zgjon

është hija ime

a e vdekjes

a kafshë që kalëron



merre në thumb

o Tahir Desku

se prapa po të vijnë

malet gurët dheu e Atdheu

merre e thuaj

hej këtu Unë...



Çka kam bërë për Ty



Kam ngritur kulla e ura

kam shpikur planete e qytete

kam zbrazur plumba e mortaja

një qytet e kam trazuar për Ty

dashuria ime



pasi të krijova nga uji jari lotët

Ti erdhe Semiramidë e shenjtë erdhe

pikëllim mallkim në mua derdhe



në jam ëndërr a s’di ç’po flas

hija jote kudo më vjen pas

stuhishëm bie mbi mua

derisa e skuqur gjak bëhet vetmia



n’dreq të mallkuar Ti dhe vargjet e mia


Kur të kthehesh



Ymer Shkrelit



Eh kur te kthehesh

ç’kullë kam ndërtuar

Drenicë-Babiloni

do ti shohësh

përmes vargjeplumbash



veç për fat jam çmendur

e kam harruar çdo gjë

ç’po rrej o zot mbaj mend

thoshe: Liria, Po



paj edhe të tjeret rrejnë

po thonë je në Europë

Azi Amerikë apo s’më kujtohet

ç’dreq thonë



mbrëmë kur ishim

Unë Ti Adem Jashari

pasi ike më tha:



kërkoj ca vargje

se s’po mund te vdes

hej,njeriu s’mund te vdes

se ka rënë mall i madh i Atdheut



Apo së paku pikturo Ballkanin

se thonë u zhduk

ra në Jon

e përpiu Deti i Zi

apo qielli gri

unë nuk di

thashë jam çmendur në pranverë

dhe kam vdekur një mijë herë



Duke të kërkuar




kamë vrapuar pas teje

Lililiria jonë



me pushkë në krahëror

bomba në duar

e shpirtë në dhëmbë



nga Majë Kosmaqi

kam këlthitur

heu ku te kam



në cilën shtresë zemre je fshehur

në ç’skutë bote

në ç’merdian





dhe me zjarr shuaje etjen

dhe me varr shëroja vdekjen

pastaj shtrydha një copë shkëmb

derisa pikoi



heu ku të kam

Lililiria jonë





Shtatë



Ore i shashtisur nga bukuria

ndonjëherë ndjehem fëmijë

dhe numëroj deri në shtatë

ky numër m’kujton fëmijërinë

dhe luftën për Liri:

shtatë herë në ajër

shtatë në shkëmb



dhe mbaj mend

bjeshkët fluturuan

e lisat ranë për Dhe







LuleDrenicë



Këputa një Luledrenicë

dhe asgjë tjetër

s’me kujtohet

në kam qeshur a kam qarë



këputa një LuleDrenicë

dhe u nisa tek Ti

te të them-jam gjallë

dhe po vjen liria



këputa një LuleDrenicë

dhe asgjë tjetër

unë shpëtova gjallë

lulja kish vdekur









Unë nuk jam engjëll




eh po te mos kishin vdekur kujtimet

do të thurja vargje për Ty



se q’bukuri fshihej në sytë e Tu

ç’ëndërr strukej nën flokët e brishta

apo thellë në zemrën tënde

si një i vdekur

shndërrohesh në engjëll



do të flisja pastaj

si ikën ditët netët rrugët qytetet

festat dhe takimet

nën bli



eh po të mos kishin vdekur kujtimet



ik tash Lumë i Harresës

se sapo nuk vdiqa

duke të dashur






Udhëtimi i fundit




Në shpinë mbaj eshtrat dheun varret

Raçakun Deliajt Jasharet

E udhëtoj drejt Londrës

Pa varkë avion

nisem vargmaleve të mia këmbë

dhe u them: Merrni tash

se u a prisha qetësinë anembanë

për pak tokë për pak qiell

se kam zogj shumë...







Drenica



1.



Desha të këndoj

këngën më të bukur për ty

Drenica ime



po ti je këngë e shkuar kënge

ti je vetë poezi

qielli kur te pa së pari

nga bukuria jote u bë gri



gri

gri



pastaj dielli nga xhelozia

u bë zjarr

shkrumb e hi



edhe hëna për inat

e la ditën

shkoi me natë...



2.



Je më e mira

nga të gjitha mrekullitë e botës

kur mbi Ty shtrihet liria



kur të shoh

bëhem bimë

bëhem gur

bëhem lis



borë mbi malet e tua

mbi kokën tënde plis









Merrni këto vargje




Merrni tash këto vargje

merrni e varrosni në tokën time



thellë diku

thellë ose zbrazni majë Çiçavice



se po u shfaq kryeneqësia

bomba bëhen vargjet e mia







Xhevat Demaku



Ç’na u mbush toka plot me vorre,

A durohet shkau n’oborre?!





Një mortajë e mban në dorë

në dorën tjetër një yll

buzëqeshja hyjnore në mes

është ngrirë



kur shfaqet harresa

ai zgjohet e bën roje

maleve te Arbërisë

e thotë:jam tepër i ri

për te vdekur



pastaj ec lehtë

të mos e shkel token

mendon:kush shkel dheun Atin

shkelë gjakun fisin



ndalet sërish e mbjell një lule

midis atdheut

bën roje-është tepër i ri për të vdekur









Ilaz Dërguti



A e keni parë

maje kullash në Rezallë

në njërin sy i digjet qielli

me tjetrin hedh zjarr



nga krismë e pushkës së tij

ndalet lumi në një shteg



çudi

përreth kullat bëjnë zili










Rasim Kiçina



A është ai apo vetëtima

është ai Rasim Kiçina

jelek shkruar vrima-vrima



zhduket muzgu agu gëdhinë

ai po vjen me bjeshkë në shpinë

po e sjell një bjeshkë me varre

po ia sjell tokës lirinë



heu Rasim Rasim Kiçinë



me cilën lutje të të zgjoi tash

në cilin shkëmb ta gdhen emrin

në cilin libër ta nënshkruaj Përjetësinë



Rasim Kiçinë








Sylejman Selimi



Thuaje një fjalë

o Sylejman Selimi

me atë pushkë të gjatë



thuaje një fjalë

pashë njat zot që ke përmbi



mbaj mend thoshe:

fjala heshtjes ja humb bukurinë

e tevona

toka është e Zotit

liria jonë...






Ragip Halilaj



Para se te vriteshe

ç’fjalë kishe folur me vëllain Rasim

në cilën përrallë

të ishte ndalë dëshira



cila plagë të dhimbte më shumë

Kosmaqi Likoci Çiçavica

a fushat e përgjakura të Dukagjinit

cila



cila ishte ëndrra

që kurrë s’e kishe parë



paj e di or mik Liria është

fjalë e shpikur filozofke








Lutje mesisë



Merri o Zot

nën mbretërinë tënde merri

merri se i kam mbuluar

me një copë qiell në një copë dhe

sall për hatrin tënd



Ja ku janë

midis atdheut thellë në tokë

sall të të mbaijnë bimët lulet

merri o Zot

të gjthë po lutemi për ta

a i po i dëgjon lutjet tona

merri se në emrin tënd kanë rënë

engjëjt e lirisë








Dëshira e fundit


Fehmi e Xhevë Lladrovcit



Paj të vdesim për Atdhe

thanë e pastaj

fjala mori dhënë:

i pamë në një bimë



të tjerët: u shëndrruan në yje



turma u tha: u benë vetë istikamë

unë betohem. i kamë parë

duke fluturuar dy koka të një shkabe

si një shpirt majë qielli



Fehmi o Fe

Flut’ro tash mbi Atdhe

PROTE



Xhevë o xhevahir

Flut’ro tash mbi Atdhe

PROTE






Tregim biblik





Adem Jasharit



Ajo pushkë që te mori ty

Muar Kosovën bri për bri



Së pari u krijua toka

qielli pastaj Kosova

dhe Njeriu

Adami



Çdo gjë fillon me Ty



tash sille globin në gisht

vëre flamurin majë bote



ngjite n’qiell

e ruana nga e liga



O Zot

Adem

Adam

Jashari







Halil Therra



Prite Lilo

Lilë Zhabota

se nën këmbë më digjet toka



përmes yllit

merre në thumb

kalle flakë

bëje shkrumb



me gryk pushke

me teh shpate

hudhi qenat

në Karpate







E hënë



Fryma e tokës

më mori fletët

dhe harten e Atdheut

zjarr e shi





E marte



Sa mortore kjo e martë

shtatë m’janë prerë

shtatë m’ janë vrarë

kam kënduar nuk kam qarë





E merkure



I kamë veshur rrobat zi

ulur jam në një shkëmb

vizatoj varr në dhe





E enjte


1.
Kllitja ime ua zë frymën maleve

2.
Gjaku s’më lë të ngritem në këmbë

3.
E mas trupin pastaj numëroj

4.
Tamam për të vdekur





E premte

Shqiponjat po fluturojnë qiellit mbi re

e tokës së zezë

Ne...





E shtunë


E shtunë e shtunë e shtunë

po digjesh Ti

po digjem Unë





E diel


A do të jetë Diellore

Diellore a do të jetë

Oj Nanë...





Dita që mungon



A do të ketë emrin

përrallë e bukur

apo ditë e lirë që mungon






Dashuria



Vetëm ajo nuk plaket

vetem ajo nuk matet

shihet

as preket



Po u largove

të ngrin acari

po u afrove

djeg



ajo është vetë zjarri



kujdes nga njrëzit

që u mungon



u mungon....


Përgatiti Flori Bruqi


No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...