Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/09

Teuta SADIKU :DY TREGIME

  
Image result for POETJA TEUTA SADIKU

Monolog me Tripologjinë e Xheni Tanini Hali


Kush është Xheni , do të pyesni ju.As unë nuk e di.Dhe as që mora guximin ta pyesja sepse e pashë , ishte:

΄΄E lodhur së qeni bizhu në qafë plastike
....
Drobitur e plakur

Së piri duhan jashtë retinës sate të moçme

Për respekt hipokrit

Për të mos qenë lavirja-nuse e djalit tënd të mirë.
...
Fishkur së qeni engjëlli i hedhur në themelet e djajve,
...
Zvargur lodhjes së dashurive të mia të pëgëra,
..
Fyer deri në palcë të dhimbjes së vetëverbimit

O Zot!΄΄,..
Po kush është kjo Femër?!

Kërkova e rrava dynjanë. Në çdo faqe,varg, gërmë .Di vetëm këto të dhëna dhe këtë e mësova prej saj :
΄΄ emri- bindje e pabindur

Llagapi- e çmendur

Vendlindja – pa ngjyrë

Vendbanimi- një copë letër΄΄

***

Ditë e .... dhe e kujt nuk është kjo ditë:e kohës që konservon fetuset e ëndrrave ,është dita kur gjurma e këmbës ngulet në baltë ,është dita kur

Ajo bëhet dhe-u ,ku mbi ajri çalon, dhe nëntoka mblaçitet.Është dita pra , ajo ditë e ,dita e saj e vetme e zhvendosjes në orbita fati ,veç rrënjët , ah rrënjët heshtin.

Ndaj që nga ajo ditë Ajo vendosi ti zhdukej Zotit,ti përvidhej ditës e tju jepej e tëra netve, vetëm e vetëm për të provuar në parajsë shijen e Ferrit.Jooo, mos u ngatërroni nuk është Ferri i Dante Aligerit , bëhet fjalë për Ferrin e Femrës, poetes,

Asaj që atje mes qiellit e Tokës në pranga gurmazesh drite dhe diejsh të ngrënë ,thotë:

΄΄Baltën lëre të jem unë e bëmu shpirt!

Nëse është krim të duash

Atëhere ,krimi qenkam unë...΄΄

Emri i saj ,asgjë prej gjëje,Ajo veç një kafkë pa kokë , zhytur në lëkurën e ftohtë të botës, servirur moralshëm nga i lashti kre i tavolinës ,mbi peshkun e madh që ha të voglin..Një botë pa kokë ,një botë me njolla realiteti,ku asgjë ska ndryshuar akoma dhe mbrëmjevakti është po ai, një vezë e fërguar me Tabu.

Eeeee dhe ti ,ti kërkoke moj vajzë.....

Para se të vdesësh ti kërkon të shkosh në mitrën e tokës të shkrijnë Zeusët,për të mos mbetur e paemër në heshta legjendash.

Qiqra në hell.Mirë që e kuptove dhe e pranon dhe vetë:Më duket se çdo gjë ndodhi vetëm dje,thua .Po vërtet,tani e mësove?!

΄΄Qiej të magjepsur,shtangur në kaosin e qytetit më çojnë në dhomën e ankthit prej sysh të mardhur që zjarr nuk duan .΄΄

Po sa herë të kemi thënë ,ti prapë ngul këmbë në tënden ,pale si stë vjen turp kur thua
΄΄..tani do të doja të pija verë e në divanin e vjetër me ty të bëja dashuri.΄΄


Turp e për faqe të zezë. Po mirë nuk e dije ti moj vajzë që dashuri ska më .Sa mirë tu bë , çmu bë qefi kur :

Dera jote
Përlasej fytyrës sime
Me shkrim të qartë.
Më ngjit lëkurës shënimin
΄΄Dashuria është konfiskuar΄΄.

Le ta themi e le të mbetet vetëm midis nesh .Nuk të kuptoj ,çfarë kërkon të thuash :

΄΄Erdha të gjej

Një mënyrë për tu afruar me diçka

Që kurrë se kisha provuar .

......

Mësuar të kërkoj ndjesë,

Ndryshimeve të mia për kohën e gabuar΄΄.
Ja ku po ta them ti moj vajzë nuk di se çfarë kërkon , je aq shumë kontradiktore në vetvete Ti vetë thua :

΄΄Përtoj të flas
Të këndoj sdua
...

Nuk dua të fle as të zgjohem
......

Përtoj të vdes,

Të lind,

Të çliroj ujin

Që rrjedh në ΄΄happy end΄΄.

Jo për gjë po na thonë se ne Femrat e kemi fajin .Po të paktën ,rri rri dhe e thua nga një të vërtetë, të shpëton nga goja pa dashje,

΄΄..dhe në emër të çnjerëzimit

Ish shkruar ndër shenja kodi i nënshtrimit΄΄

Po e vërtetë , tani fole si burneshë :

΄΄Ka ditë si kjo
....
Perënditë bien kokëposhtë
...

Nuk jam shtrigë më thotë

Jam grua
.....
Dhe se dëgjoj kafshimin e mollës.΄΄

Po ku ta dëgjosh ti kafshimin e mollës ,kur i uron mirseardhjen botës tënde që mbeti vetëm buzëve të mbrëmjes.

Aq më tepër ty të duket çudi apo bën sikur sdi:

¨¨
΄΄ Lypni?

Derdhni dashuri?

Ku?

Sa turp ke të lypësh dashuri,bota ime mizore

Krekosur metalesh kaki

Dhe në monedhë fle!΄΄

Tani je bërë pishman thonë.Për gjithshka.Po dhe vetë e thua:

΄΄ Mbeta gjithnjë gruaja me këmbë

Nën ngjyra çorapesh.

Shpresoj në burrërinë tënde

Me -ose pa- dashje ardhjesh΄΄΄

Përtej dritares

Unë kam parë e skam parë, ne Femrat duam të jepemi të tëra në dashuri,të na përkëdhelin,
të pimë dhimbjen kur fjalë të paqena na thonë,tek e fundit edhe të dehurat fjalë i pranojmë,veç pak dashuri ,për sevap të na bëjnë.

Ne slëvizim nga vendi , prapë atje , mishin copë të na e bëjnë,besnike të dashurisë së pa fat që e ka marrë lumi me kohë.Kurse ti moj vajzë për shtatë palë qefe sodit përtej dritares se si :
΄΄ ..shenjtërit ushqyer vetëgjymtyrësh gjinekologë qiejsh ngulin infeksionin mitrës së fatit me dhëmbët e darës.

mamitë presin të presin kohë polifemësh.΄΄

E ulur tek dritarja kundron botën .Po bota e saj kush është, ku shtrihet , çfarë hapësire zë.. ΄΄Përtej dritares sime

Rruga çdo ditë kapërdin një pritje .

Një eshtër i mbetet halë në fyt.

Sot , nga një ΄΄dje΄΄ ,për pak u mbyt.΄΄΄

Përtej dritares një femër sheh se si nata vesh këmishën e bardhë.Tymos .Tymos duhan edhe pse është e sharë.

Mallkon veten,fatin , botën, mua, ty , atë, të gjithëve me fis e me farë.Sa do të dëshironte :
΄΄ Të isha rrugaç djalë΄΄E çdo të bënte vallë?1Asgjë dhe gjithshka .

΄΄Sikur dita të mos kish pyetur

Me duar nga qielli e shpirt në mua

Se, pse smë bëri burrë...,

Sa e bukur do kish qenë Toka!΄΄

Kushedi sa kohë ka që rri e shikon përtej dritares.Në xhamin e pistë sheh kërthizën e botës ,dëgjon se si thërrasin gomerët dhe ajo, që smundi as sot të bëjë paqe me veten, i fal jetë lypsarit poshtë dritares së saj, nga dita e saj sakate.

Dhe çtë bëj?!pyet me kokën në duar si statujat në lashtësi.

΄΄Mbi dy botë mbeta , si ti populli im ΄΄

Kjo është e vërteta dhe e njeh shumë mirë..

΄΄Evërteta ..

Është si ajo kurva me nam

Në qytetin tim të madh.΄΄

Heshtja , sa shumë i shkon Femrës për shtat.Heshtja na shoqëron kudo apo ne i bëjmë shoqëri heshtjes deri sa një nga ne të dyja të pëlcasë.Vajtojmë pa zë në heshje, bëjmë dashuri pa fjalë,I nënshtrohemi fatit kokulur.

Por jo, tek Ajo dhe në vargjet e saj , ndodh e kundërta.

΄΄Sa mjerë do të jetë sa mjerë

Të të vdesë edhe fjala. ΄΄

Po Përralla në Legjendë në çkohë luhet?!

Ah zëri isaj i teneqtë dashuron edhe kur urren.

΄΄Sa të urrej Borges!΄΄

Unë nuk e di pse i thotë të urrej kur unë e di shumë mirë që e dashuron po me aq forcë sa edhe e urren.E them me bindje se e kish dashnor. Po pse ,Robin Hudin , ...

΄΄Nuk e di çmu kujtua Robin Hudi

Ky hajdut simpatik...΄΄shkruan në një poezi.

Dhe të gjitha fajet ia hedh Fatit , aq sa falenderon Zotin vetë,që nëna e vet nuk i mësoi çështë morali i kënaqësisë.Çfarë fat i keq :

΄΄ …Vetëm në vendin tim

Dashuria quhet lavire΄΄

Është nga të paktat Femra që kam njohur që i përgjërohet Zotit të mos jetë personazh legjendash.Dhe kjo ndodhi atëhere:

΄΄Kur legjendat thanë

vajzat çohen nuse përtej përtejmës

bustet e kaltra të virgjërive

ende mbeten të prekshme

një herë në vit

në vizitën e bërë gjinisë.΄΄

Vetë e ka fajin çju desh udhëtimi dhe akoma rrugëve është.Udhëton në kohë e hapësirë, nuk njeh kufinj për të na sjellë në vargje dhimbjen e saj se si një qytet diku në botë, emrin nuk ia dimë, pasi e godet me takunin e tij lustrafin mu në kockë, trupin e saj lakuriq ,pa kohë në lëkurë..e ha.

Po, mirë e lexuat e ha pështirë.Po pastaj gjithë dhimbje ajo vazhdon:

΄΄Qyteti im më vjell.

Më jashëqit.΄΄

Tani i jap të drejtë dhe e kuptoj pse ajo thotë diku me psherëtimë:

΄΄Më ka marrë malli të shoh pak dashuri

Brinjëve të shkoqura të asfaltit

Nën dritaren time ngjyrë nikotinë.΄΄

Kështu më tha në telefon.Po nuk dua ta besoj. edhe pse e di shumë mirë ky është realitet ynë epik, thënë me karbon.

΄΄Asgjë historike

Në heshtjet e madhërishme epokale

Në jastëkun e shkëmbimit diplomatik mes qytetërimeve.΄΄

Kjo është Ajo, njeriu, grua , Femër, nënë, poetja, Eva e kohës sonë.Lëreni të marrë hak,lëreni të vras me fjalë, me sy, me ashtin e saj.

΄΄ Mbetëm kështu

Ndarë midis dy të njëjtave botë΄΄

΄΄Do të vdesim

Edhe unë..

Edhe ti ndonjë ditë, apo jo . bota ime?΄΄

΄΄Zhdukmë,por lërmë të marr hak,

Hakun e njeriut –grua prej shpirti të mishtë qelibar

Pa varr!΄΄

edhe pse me barkun lidhur me shpërgenj përtej kërthizës, jam ’’.


10.8.2013



Gostia       

*

E mori stolin e vogël , e palosi, e futi nën sqetull dhe doli jashtë derës së kishës,pasi bëri kryqin tre here e puthi ikonën e shën Marisë .

Sa e lehtësuar që ndjehej,ishte lutur e ishte falur,kishte bërë kryqin dhe kishte thënë përmendësh kaq rrjeshta nga Bibla bashkë me priftin e fshatit.

Shëndet Zot më jep, me këmbë e me dorë,të jem sa të rroj ,po nuk isha e zonja  për veten time, më mirë më jep  një në kokë e direkt në gropë,pëshpëriti sapo la oborrin e kishës të zbukuruar me flamurkat e verdha për festë e puthi kryqin e florinjtë që I varej në qafë.

-Java e madhe e Pashkëve ,ndaj kishte dhe aq  shumë njerëz në kishë, ia preu mendimet plaku .

-Unë ndaj kam stolin tim,  po një zot e di sa do kem fuqi të vi në kishë,tha plaka e fill pas fjalëve të saj,plaku ia mori stolin që mos të lodhej e  të fillonte nga ankimet e saj.

Kishin një jetë të tërë bashkë,fëmijë nuk kishin ,po i mbushnin orët e ditët me zënkat ,me mëritë ,me dhimbjet e kockave e me ilaçet e tensionit.I vetmi argëtim ishte oborri para shtëpisë,lulet në vazo që I lyenin me bojë të kuqe për Pashkët si dhe kopështi që mbillnin për të bërë  sallatë, qepë e hurdhra të njoma .

Plaku ishte merakli e puntor ,por dhe plakës nuk I rrinin duart.I pastronte barrërat, I çapiste tek tuk, u vinte llastikën,sa përmbyteshin nga ujët dhe ia hidhte fajin plakut pse e hapte aq shumë rubinetën e çesmës.Ishte plakë gërnjare e gjithë huqe por plaku ia kishte mësuar  të gjitha huqet dhe I vinte pas qefit .

Kur u afruan tek porta e hekurt , plaku kërkonte nëpër xhepa çelsat,por më kot.Ishin një tufë çelsash që pak të lëkundeshin do tringëllonin si thimiama e priftit ,vetëm që nuk lëshonin atë tymin  e bardhë që të çante hundët.

-Prapë I humbe,gërmadhat e çelsave,shfryu plaka e bëri të merte stolin e vogël që plaku  la nga duart,kur çelsat tringëlluan brenda portofolit të saj të madh të zi.

Tringëllima e çelsave u dëgjua,në momentin kur plaku bëri të nisej drejt kishës,mbase I kishin rënë atje diku.

-I paskam unë, në portofol, tha plaka dhe I drejtoi portofolin e zi të madh,plakut.Pasi ndërruan rrobat  e shtruan tavolinën hëngrën bukë të dy në tryezë pasi bënë kryqin tre here.

Koha kishte marrë për mirë, dielli ngrohte ,çka bënte të lulëzonin lulet në saksi e kopshti I vogël të ftonte të rrije e ta vështroje.Plaka veshi pandoflet  e doli të kundronte lulet e oborrit përreth.

Gjithshka ishte e çelur e lulëzuar, begonjat shumëngjyrshe , luleborat e mëdhaja, mëllagat që vareshin nga saksitë si të mernin rrugët e fshatit,pa le borziloku me kaçurrelat e dëndura  që dehte kalimtarët sa here e përkëdhelte plaka ose plaku.

Plaka hodhi sytë tek kopshti I punuar,rrjeshti I drejtë me qepët e njoma, një rrjesht me hurdhra ,ja dhe rrjeshti me sallatën jeshile.Një aromë e këndshme erdhi kur  preku dhjosmën e njomë sikur e kishe spërkatur me bulëza uji në buzë.

-Ja ku e ka lënë çapën,të kalbet e ndryshket në ujë,-tundi kokën plaka e mblodhi buzët e holla pas protezës së dhëmbëve.

-Zonjë, falmë diçka për të ngrënë,u dëgjua një zë përtej portës së hekurt.Ishte një mesogrua e përvuajtur,nga veshja dukej që ishte e huaj,por smund ta përcaktoje dot kur nuk përjashtohej mundësia për të qenë vendase. 

Po çrëndësi kishte se nga ishte kur kohët e fundit  shihje kaq shumë njerëz të përvuajtur, thuajse të përgjunjur nga skamja.

I shihje në rrugë gjithandej, në parqe, para dyerve të supermarketeve,para pikave  shitëse e qendrave të mëdhaja tregtare .Lypnin diçka për të jetuar.

-Japim në kishë,për ju të vobektët, ndezim dhe nga një qiri duke iu lutur shën Marisë tju ndihmojë,tha plaka dhe u përkul,për të hequr një barishte që kishte mbirë në mes të qepëve të njoma.

-Zonjë… diçka për fëmijën tim ,tha me zë më të mekur  e gati në të shuar gruaja matanë kangjellave të oborrit. në drejtim të plakës.

U panë një moment ndërsysh e plaka ndjeu ti therte diçka brënda në trup,kur këmba I rrëshqiti në baltën e njomë ,por e mbajti ekuilibrin.

-Po ik ,dreq, që këtej , se rrashë për pak,I bërtiti plaka,duke flakur drejt  saj,për ta zbuar, një qepë të njomë me mustaqet gjithë baltë që ishte shkulur gabimisht bashkë me tufën  e  barrit.

Qepa e ciku gruan në fustan dhe pllaq rra në tokë mu para këmbëve të gruas e cila u ul e mori qepën ndër duar e pastroi nga balta e  fijet e barit .

-E morri dhe qepën, nuk lënë gjë  në shesh,shfryu plaka .Si të kishte ndër duar jetën e do ta shpëtonte ajo kokë qepe,gruja e falenderoi plakën  dhe e kapi fort  qepën nga fletët e njoma.

Plaka  brenda kangjellave vuri duart në mes e me  zor po dilte nga kopshti  e duke murmuritur nëpër dhëmbë hyri brënda në shtëpi.

Gruaja matanë kangjellave priti pak mos  plaka dilte nga shtëpia por kur pa që dera u mbyll plotësisht u largua duke I hedhur një vështrim të qetë portës së hekurt ngjyrë të zezë që qëndronte e mbyllur me zinxhirin e hirtë përreth.

**

Kur u hap porta me një trokëllimë rrënqethëse nga xhamaria e qiellit ,gruaja e pa veten para një sofre të madhe mbushur plot e përplot me gjithë të mirat e botës.

Një shërbyese I afroi një  fron të madh hyjnor  të ulej,  kurse dy të tjera vazhdonin të sillnin në servicie porcelani sallatra e ushqime pafund  prej nga dilte avull I ngrohtë dhe aroma e këndshme e ushqimeve dhe gjellëve të sapogatuara për gostinë e shtruar.

Gruaja shoqërohej prej dy  ëngjëjve të saj, mbrojtësit  dhe dëshmimtarit  që e kishin shoqëruar gjatë gjithë jetës e peripecive të  saj.

-Kjo gosti është shtruar për  ardhjen tuaj, lartmadhëri, sot që këtej e tutje çdo dëshira e juaj do të realizohet ,I tha ëngjëlli mbrojtës gruas  së thinjur e të përvuajtur, kurse ëngjëlli dëshmimtar I bëri me shenjë  stilistet më të dëgjuar në atë botë të vishte lartmadhërinë me  rrobat që I përshtateshin vendit dhe ngjarjes.

Gardarroba të tëra  me rroba nga më të shndritshmet e më të shtrënjta u hapën dhe veshën gruan  e thinjur tashmë duke I dhënë një pamje të re ,të viteve të shkuara.

Edhe pse kundërshtoi diçka të tillë , gruan e  veshën me rrobat që përkonin  me festën e përgatitur për mbritjen e saj.Askush nuk puthte kryqe, as ikona, askush nuk predikonte çdo gjë kryhej me një rregullsi dhe përsosmëri prej vetë Natyrës.

Pas gjithë shërbimeve të duhura  dy engjëjt,mbrojtësi dhe dëshmimtari, I bënë me shenjë një shërbyese ti hiqnin rrobat e festës lartmadhërisë për ta çuar tek vendi i caktuar ku rrinin engjëjt.


Shërbyesja pasi hoqi duart nga mesi , I hoqi fustanin e shndritshëm,karficat që vezullonin nga flokët e  gjatë ngjyrë argjëndi dhe u ul për ti hequr këpucët që shkëlqenin.

U panë një sekondë ndërsysh,shërbyesja ndjeu një fare zilie dhe donte të ishte në vendin e lartmadhërisë, por diçka I therri thellë në shpirt,  e me zor  mbajti ekuilibrin për tu ngritur  më këmbë..Po kësaj here  asgjë nuk ishte në dorë të saj.

Në botën që ndodhej tani vendoste Natyra, nuk hynte në punë as besimi fetar, as lutjet  as paraja,as miku,as  filozofia .Vetëm Natyra,gjithshka vendoste Natyra me llogjikën, 

përpikmërinë dhe drejtësinë e saj.Engjëlli dëshmimtar para se ta merte në krahë I tha:
-Lartmadhëri ,tani do të ngjitemilart ,është radha juaj për tu bërë ëngjëll dëshmimtar për dikë në botën e poshtme.

Por para se të ngjitemi , mos keni ndonjë  merak që ju ka mbetur  apo dëshirë për tu realizuar.

Lartmadhëria e saj hodhi sytë rreth e rrotull e pa gratë dhe shërbyeset që pastronin, mblidhnin pjatat  dhe ushqimet nëpër serviciot prej porcelani.

Më kot mundohej të kapte me vështrim gruan që I kish hequr rrobat, këpucët.

Ajo pamje , ajo  fytyrë, …zinxhiri I hirtë në qafën e saj...

-Të falet  gruaja që më shërbeu pak më parë,dikur më ka ndihmuar me çfarë iu gjend në dorë,foli duke kërkuar me sy gruan.

-Kërkesa juaj do ti kalojë Natyrës për shqyrtim ,tha ëngjëlli mbrojtës dhe bashkë me ëngjëllin dëshmimtar e ngritën në krahë lartmadhërinë për ta ngjitur lart.
***
Çështjen  që u parashtrua e mori në dorë vetë Natyra,duke shqyrtuar, kohën, rrethanat ,ndodhinë,duke u konsultuar me ëngjëllin dëshmimtar dhe atë mbrojtës.Pasi u verifikuan të gjitha të dhënat ,Natyra vendosi ti japë edhe një  mundësi të fundit shërbëtores  që dergjej prej vitesh në botën e poshtme. Ngritja në botën e lartme do të bëhej me të njëjtin send, që ajo kishte ndihmuar dikur ëngjëllin që sapo ishte ngjitur lart.
 Sipas vendimit që u mor ,në vendin dhe orën e caktuar Natyra lëshoi  një qepë të njomë në  tavanin e botës së poshtme . 

Mustaqet e qepës vareshin e dukeshin litarë për tu ngjitur,aq sa u vërsulën të gjithë kush të kapte  sikur edhe një fije  për tu ngjitur në botën e lartme. Të gjithë e dëshironin atë cast, tashmë të penduar,por a do të mundnin të shpëtonin dot  nga një qepë?! . 

Shërbysja I hoqi duart nga mesi dhe duke çarë me brryla e me shqelma  turmën bërtiste sa kishte në kokë:
-Është qepa ime,është qepa ime ,me të cilën qëllova një lypsare,për ta hequr  qafe, është e imja,- dhe u kap pas mustaqeve të qepës me dëshirën e shpresën e madhe të ngjitej   në botën e lartme,ndoshta për të takuar dhe plakun.

Pa mbaruar mirë fjalën,qepa u rrënqeth,u drodh  e tëra duke e përplasur  e plakën  përsëri në botën e poshtme me mustaqet e qepës në duar,duke shfryrë me inat e me mllef .

-E po nuk ka shpëtim për ty ,tha Natyra ,dhe e vuri qepën në tokë të mbijë përsëri.Dyert e botëve u mbyllën  me atë kërkëllimën e tyre të mortshme për tu hapur  përsëri në gostinë  e  ardhshme.


27 shkurt 2015

------------




No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...