
PAVARËSIA
(Në tri kohë)
pavaresia
as dje as sot as neser
ne tri kohe
sa pavaresia
zemrat nuk na ngrohe
as dje as sot as neser
ne tri kohe
pavaresia
vete jeta eshte kjo
as dje as sot as neser
ne tri kohe
pavaresia
e bukura nuse o
as dje as sot as neser
ne tri kohe
pavaresia
shqiponje fluturo
SHPIRTKITARË (Jusuf Gërvallës)
Aromë trandëfilash
Gjaku yt kundërmon
Në truallin e stërgjyshërve…
Rilindje agimesh
Për fisin tënd
Fjalët pëllumbishte
I lë në altar
Kanjushverdhi ynë
Shpirtkitarë
P O E Z I
Sa herë mbushesha me të keqen,
tek ti zbrazesha, poezia ime,
sikur ndjehesha më mirë,
si zog kaltërsive n’fluturime,
mike më mbete, e dashur intime,
nuk të ngarkova me stërkeqen,
as njerëz nuk përfola kurrë,
me fluturat zihesha si i vogël,
me diell e hënë tash si burrë.
Lulet i kam pjesë jete gjithmonë,
kryefjalë i kam në vargënim,
tregues është e bukura e dheut
me kurorë mbretëreshe në kokë,
me fustane të bardha si bora,e imja,
flokëzeza, syshqiponja, belholla.
Mat e ç’mat fjalët, m’ikin netët.
Eh, sa netë më ikin për një poezi!
E di për ku jam nisur,
udhën marr për të dalë malit,
kur pikë i vë zbrazjeve të mia,
lirohem nga një ankth i rëndë,
gëzohem për një lindje të re,
si nëna që gji i jep djalit …!
FRIKË NGA FJALËT
Guximin e fjalës ende s’e kam marrë,
kam frikë se ajo po më vret,
sigurinë s’e kam kur duhet vare,
herë- herë më rri urtë e më shumë më flet.
Një fjalë mund të më shpojë si halë
e shumë të tjera më tresin si lumi,
s’e di ku duhet të ndalem,
do të jem i mjerë apo ai, fatlumi.
Mendimet më kanë fashitur fare,
mbi vargje eci, si nëpër teh shpate,
këmbësor jam dhe shihem si n’dritare,
udhë më udhë, i valerësuar fare.
Sikur ta dija për ku jam nisur,
falë i kisha, falë, të gjitha fjalët
dhe do të rrija me shpirtin tim të molisur,
po lulja s’është lule, po s’i pati petalet
Ah, të kurorëzohem me trimërinë,
fjala të flatërojë, mbyllur po më vret,
ta them atë që brenda po më ngrin
e unë pastaj ta shpall veten mbret…!
KORRESPONDENCË
Asnjëherë në jetë,
edhe në tatëpjetë
nuk kam dyshuar për dashurinë,
se zemër e shpirt t’i fala
për këtë jetë.
Vështrimi i syve të tu
më bën me krahë jete
n’fluturim pandalur jepem
zëri yt, burim për suksese!
ndjenja na lidhi që të dy
në Prishtinë,
në një kafeteri,
kur u pamë sy më sy…!
LOTËT E ZEMRËS
Dhembja është sinonim i zemrës
ku s’ka dhembje kurrë,
por digjet zjarri i dashurisë,
s’mund fluturojnë shqiponjat,
përleshjet e shpirtit përplasen
hullive të ballit tonë,
mosha jonë është moshë murgu,
në trutë tona ka çelsa burgu,
në male është rinia e blertë,
në gjokset tona një det,
e detarët me valët kanë miqësi,
me dhjetra e qindra vjet,
fytafyt me përbindësha vetmie,
me vëllezër e miq e shokë,
të pandashëm as sot as kurrë,
ata të ofrojnë pakëz diell shprese,
por asnjë kokërr grurë…!
Këngët ne i rrahëm me thupër thane,-
më pati thënë një mik dikur,
që atëherë shumë ujë ka kaluar nën urë,
se një fjalë nga mërgata ‘e fola shqip
as unë, as nënëmadhja e lumnueme,
unë, të gjithë ata që u rrahën me kamzhik,
i ruaj në zemër,
i marr në mbrojtje, si më i miri mik…!
TË PATA THËNË
Më pak se katër vite
të njoha, s’të harrova dot,
unë, mesoburrë i thinjur,
s’të ujita gjer më sot.
Freskinë e ke ruajtur,
nurhijshmja e parreshkur,
në zemër e shpirt
thellë më je ngjeshur.
Sa të dua nuk ta them,
e ëmbla, mjellmë moj,
metaforë e vargëzimit,
kam frikë mos të lëndoj.
Herët ta vura kurorën
e të shkova në sy,
kur ta shtrëngova dorën,
e gjithë bota ishte aty.
Të gjitha gjuhët i fliste dashuria,
të pata thënë mike: Ditën më je diell,
natën hënë, mbreëreshë në qiell,
ti, më je fanar i rrugëtimeve të mia..!
PËLLUMB I BARDHË
Zemrën diell e pate përherë,
emër përballë stuhish,
Pëllumb i bardhë,
në liqenin e gjakut.
Djepat praruar n’truall,
mjeshtërve emrat ua dinë,
Pëllumb i bardhë,
në liqenin e gjakut.
Thellë në damarët e tu
dëgjohet zëri i lirisë,
Pëllumb i bardhë,
në liqenin e gjakut.
Danjollët karpatianë n’teh shpate,
miqve shpirtin ua hape,
Pëllumb i bardhë,
në liqenin e gjakut.
Je këngë, porosi shkabnore
stoike, mendeshë e durimit,
Pëllumb i bardhë,
në liqenin e gjakut.
Kosova po ngre dollinë
në pragun e dasmës sate,
Pëllumbi i bardhë
në liqenin e gjakut .
LULES
Sajova një lule
mes dritave, ngjyrave,
më lindi kënga,
tërë jetën e këndova.
U dashurua në lulen,
ku sot e mot
njëra- tjetrës i përkulen,
dashuria ishte fshehur
thellësive të zemrës
për t’gjetur rrezen e diellit
në ballë plot mall….
Unë e pashë në plotni,
kur hyri tinëzisht tek unë
e s’mund ta gjëja
nga goditjet e saj,
të zjarrta si rrufeja,
gjithmonë, gjithëherë,
hijeshorja, stinë pranverë…
Lulja kurrë s’ishte epur,
edhe kur çmendet dashuria,
pjesë e saj ishin që të dyja,
mendimet aty rrinin
kur ditët për dore i zinim …!
PEIZAZH
Para meje shfaqet një kopsht
me formën e zemrës
e frymëmarrja ime
ka ritmin e saj,
ritmin e këngës.
Pranvera pranveroi me vonesë
përkundër thirrjeve tona,
peisazh i plagosur
erë gjaku mban,
dhembja, si dritë neoni,
mbart mundimet
ballëplasura nga dielli.
Eh, sa herë i grushtova
kukuvajkat deri në prag t’çmendisë
për të hipur mbi supet e engjëjve,
me barrën e lotëve të gëzimeve,
e kurrë s’kërkova mëshirë.
PËRTEJ OQEANIT TË ZEMRËS
Sa herë më vrave netëve të mia
e netët ditë u bënë me Ty,
bota e çmendur sillet vërdallë,
heshtja vrastare e zogut frikacak,
ankime e rënkime fatesh përballë.
Ani vdis kur të duash,
një pikë loti ta kam borxh
e ti ende se ke ndier,
bukurisë sate s’i kishe besë,
verbërinë ajo ta sjell.
Dashuria belbëzoi fjalët e para,
ajo luan me ndjenjat e zjarrta,
jeta pa të një fjalë mangët ka,
dashuria emrin e ka kala.
Unazën prej gishtit do ta shkul,
përtej oqeanit të zemrës,
n’shpirt të një trungu do ta ngul…!
TRE TRËNDAFILA
Në taracën e kafenesë “Renesansa”,
nëpër vrimat e grilave
rrezet e diellit
copë-copë të thyera.
Hyjnë brenda të lehta
hapat e një nëne
e rrotat e karrocës
m’rrëshqasin në mendje.
Për foshnjën e mitur
tri gjethe tërfili,
në trotuar
tri gonxhe trëndafili.
Kësaj radhe raki nuk piva
as teke, as dopio,
“trio”- kamerierin porosita,
gotën me fund e zbrazja
për shëndenë e tyre,
ndryshe do plasja..!
DISIDENTI
E lanë pa konak e oxhak,
si çunak e rrahën me dajak.
Edhe kur u bë plak,
pak e nga pak
gjysmën e trupit
ia skuqën gjak.
Edhe pse asht e lëkurë,
kurrë nuk u bë urë.
Kapërceu çdo krizë,
për të mbetur flamur në shtizë.
Dhe pak e nga pak,
sot e kësaj dite thonë,
ata që në sy s’kanë kapak:
-Rrahjen e pati hak!
MALLI MË MORI
Malli më mori
për ty, Kristinë,
për ty, Rozafë.
Kalaja më thërret.
Bedenat e saj
si hullitë në ballë,
e shkallët e mermerit
nuk pushtohen gjallë,
se yjet e qiellit ndriçojnë
me shekuj me radhë.
Malli më mori
për ty, Kristinë,
për ty, Rozafë.
Kalaja më thërret,
më mbledh në gji,
Shkodra plot diell
na ngroh në kaltërsi.
FAIK KONICËS
Beu i shqiptarizmës
Fjala, vepra jote jeton,
qëndron mbret në fron,
në art, gjuhësi , kulturë,
e zjarrtë, e artë si bilur.
Në diplomaci je perlë,
margaritar,
nga madhështia,
i madhi në shqiptari.
Majëpena jote
jeton nëpër mote,
jo kot, sot e mot
je korife,
i gjallë ndër ne,
o Faik be.
Të rrallë burra si ju
ka rritur mëmëdheu,
falët shpirt e zemër
për të shtrenjtin atdhe.
Gjithmonë në lartësi,
për ne flamur në ballë,
ne, pasardhësit tuaj,
me ju ndjehemi gjallë…!
DËSHIRAT SI DËSHIRAT
Pas luftës lindën shumë dëshira
për t’i puthur në ballë të rënët,
takime gëzimi me të kthyerit
nga burgjet e gjyqeve të pista.
Mikpritjen e të zhdukurve në mal,
ledhatimin e fëmijëve bonjakë
në tonin konak.
Në çdo derë t’invalidëve të luftës
shumë dëshira për një dëshirë,
në truallin tonë të lirë.
Një të jemi për jetë e mot,
në botën e rilindur, pa re,
filizat të rriten të lire,
dëshira më e madhe për ne.
Pas luftës së gjatë
në paqe jemi sot,
qielli ndrin si ar,
zemrat mbushur gaz plot.
Për botën tonë,
paqja dritë e nur,
shqiponjës i jep krahë
në të gjaktin flamur…!
ANKTHE ZENE
-Teatrit Istref Begolli, Pejë –
Luleborë qëndron buzë lumit,
bukuri përrallore kokëlartë,
fole e artistëve, miqve të kulturës,
ti, tempull i fjalës së artë.
Eh, sa lojëra me vajin e burrit
u luajtën me zell te ti
për ngjyrat e flamurit.
Pa kur fëmijët performonin
me buzëqeshje fëminore gjithë pranverë,
skenës sate i dhanë hare
e tinguj emocionesh flatruan në erë.
Gjithçka këto vite ke përjetuar,
ndaj prite, prite këtë motmot,
frymën e zënë për ta çliruar,
pas kaq e kaq gjak e lot.
Këtu s’ka vend errësira,
intelektualë,artiste, poetë,
protestën e kanë mbushur me jetë.
Kjo do të shpërthejë si vullkan,
i lirë është teatri anembanë.
Obobo, m’u në zemër të Europës
po sytë ç’na panë?
Shporru prej këtu, uniformë e zezë
e mos ia ndal diellit atë rreze…!
E DJESHMJA SOT NESËR (Eqerem Çabejt)
Fjala fjalës etimonin i kërkon,
për Vjosën, Shkëlzenin a Valbonën,
Sinjalgjelbërti, Eqerem!
Mjeshtria e mjeshtri, dallojnë pak,
leksikografia, pedagogjia, historia,
skalitja, gdhendja,latimi.
Planetyni birin e vet pret,
këtë e dinë lulet n’pelerinë,
burrat presin burrat,
emër e mbiemër krenarie,
dritë qiriri, festë dollie.
Poetit, çfarë i mbetet?
Çdo shkronjë e fjalë
ligjërojnë çabejançe
kalojnë hapësira të pamata,
luginat, malet, qiejt e detet.
Fol një fjalë,
sot, he, burrë,
në gjurmime albanologjike
mos rri strukur.
Por dhe heshtja flet shumë,
prej teje fjalët i mësuam
nga lindën e si udhëtuan.
TË PATA THËNË
Të pata thënë moj
Sëmurë më kanë
Ethet e fjalës
Në pluhurin e harresës
Ti e sfidoje
Buzëqeshjen hyjnore
Unë i krisur
Ti mëlmesë
Je për mua
Këngë e shpresë
EPITAF
Nëse vdes
Vdes me mall
Syrin e lë hapur
Të djegur qepallë…
No comments:
Post a Comment