2016-06-08

ALESSANDRO LEOGRANDE: KUR SHQIPTARËT PERCEPTOHESHIN SI “I HUAJI”

Ministria e Kulturës së Shqipërisë, me mbështetjen e Rajonit të Pulias, të Qendrës së Kulturës Shqiptare, të Fondacionit Gramshi të Pulias dhe të Shtëpisë Botuese “Besa”, merr pjesë zyrtarisht, me stendë dhe program të pasur takimesh, në Sallonin e Librit në Torino

Kultura-pasaPORTË, kjo ishte motoja shqiptare në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, duke u mbyllur dje me perceptime të komunikimit pothuaj si me një kulturë tjetër, nga ajo që italianët kishin njohur 25 vjet të shkuara, nga dyndja e madhe përmes Adriatikut.
torino 1
Ndërsa: kufiri – si rrënjë e mendimi të ngulitur në antropologjinë kulturore, pothuaj të të gjithë Europës, në riaktualizimin e saj, vazhdon të prodhojë mendime e rrëfime sa në fjalë edhe imazh. Edhe pse perceptimet lëvizin, tema e migracionit është diskutuar në ditët e fundit të sallonit të librit në Torino: “Përtej kufijve prej uji e fjalësh. Të rrëfesh kufijtë, të rrëfesh vendin tënd dhe atë përballë me fjalë dhe imazhe”, me praninë e shkrimtarëve Anilda Ibrahimi dhe Alessandro Leogrande, regjisorit Roland Sejko, gazetarit dhe drejtuesit të Qendrës së Kulturës Shqiptare, Benko Gjatës, në moderimin e përkthyeses letrare, Mimoza Hysa.

Ky takim u zhvillua me pjesëmarrjen e ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, drejtorit të Arkivit të Institutit Luce, Enrico Bufalini, përfaqësuesve të shtëpisë botuese Einaudi, Dudaj dhe të interesuarve për letërsinë. Shkrimtari dhe gazetari Alessandro Leogrande u shpreh se: “25 vjet është kohë e mjaftueshme për të kuptuar si kanë ndryshuar ‘kufijtë’ e Italisë dhe Shqipërisë dhe për të konstatuar se si në të njëjtën kohë ‘kufi’ ka mbetur vetëm një fjalë me shumë kuptime. Duhet kuptuar se marrëdhëniet mes Puglias dhe Shqipërisë i kanë rrënjët më të thella se koha e ‘ftohjes së madhe’, kur shqiptarët perceptoheshin si i ‘huaji’. 25 vjet më vonë, vëmë re se një komunitet i gjerë prej gjysmë milioni shqiptarësh është integruar në vendin tonë. Shkëmbimet janë të qëndrueshme dhe jo shpesh të rrëfyera dhe të analizuara aq sa duhet. Sot, që projekti evropian ngjan në krizë, për shkak të mbylljes në vetvete të shteteve-komb, sidomos të vendeve të Lindjes, që po bëhen së fundmi pjesë e BE-së, marrëdhëniet ndëradriatike të një vendi që kërkon të hyjë në BE me një vizion tjetër, përbën një veçanti. Kjo, vetëm nëse të rrëfyerit të ‘Tjetrit’ dhe ‘Vetvetes’ përmirësohet gjithnjë nëpërmjet një këndvështrimi kritik”.

Kineasti Roland Sejko, fitues i çmimit “Donatello” për realizimin e filmit “Anija”, shtoi në diskutimin mbi temën e emigracionit se: “Të qenit larg vendit të lindjes të jep mundësinë ta shohësh shoqërinë, zhvillimin, ndryshimin dhe fenomenin, të shkëputur prej tij. Kur kam parë “L’America” jam ndjerë i fyer, sot mbetet për mua një nga filmat më të arrirë që më ka frymëzuar edhe për filmin “Anija”, për të vetmen arsye se besoj se sot mund të shkohet më në thelb të çështjes nga një këndvështrim tjetër. Shkrimtarja Anilda Ibrahimi, duke folur për kufijtë linguistikë të gjuhës u shpreh se: “Duke rrëfyer në një gjuhë të huaj, i jap më shumë frymëmarrje të lirë historisë dhe kjo i jep një dimension emancipues rrëfimit. Parë nga jashtë, Shqipëria jep përshtypjen e një shoqërie patriarkale, por motori i shoqërisë mbeten gratë, ato që lindin jetën dhe e përcjellin. Jemi në një fazë kur nuk mund të flitet më për letërsi dhe shkrimtarë emigracioni, sepse tashmë shqiptarët që shkruajnë në gjuhën italiane shkruajnë për njeriun dhe përtej këtyre temave”. Ndërsa më 15 maj në Sallën Babel, u zhvillua takimi “Nga një vend në tjetrin, nga një gjuhë në tjetrën: shkrimtaria si pasaportë”, me shkrimtarët Carmine Abate, Arben Dedja si dhe Visar Zhiti, i ngarkuari me punë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë. Visar Zhiti në takimin e stendës shqiptare u shpreh se: “Gjuha është atdheu i vërtetë. Gjuha është gjak, frymë, shpirt. Të gjithë udhëtojmë dhe nëpërmjet udhëtimit njohim të tjerët. Kur njohim të tjerët, kuptojmë Uni-n. Ne jemi në univers, udhëtimi më i vështirë. Libri nuk ka kohë”. Carmine Abate, nga Hora e Arbëreshëve, që nuk rresht së shkruari historitë e arbëreshëve, në diskutimin për kapërcimin e kufijve shprehet se: “Plaga e nisjes është pasuri, prandaj gjuha arbëreshe mbetet gluha e bukës, gluha e zemrës. E tashmja e të ardhmes është pritja.”

Shkrimtari Arben Dedja: “Atdheu i vërtetë është fëmijëria. Për të shkruar jo në gjuhën e lindjes, duhet të jesh jashtë shoqërisë ku jeton, jashtë mendjes, jashtë lëkurës. Sot unë mund të shkruaj poezi në gjuhën italiane dhe prozë në gjuhën shqipe. Mendoj se kjo mënyrë e të shprehurit është pasuri”.

Kufijtë & Atdheu

Visar Zhiti: “Gjuha është atdheu i vërtetë. Gjuha është gjak, frymë, shpirt. Të gjithë udhëtojmë dhe nëpërmjet udhëtimit njohim të tjerët. Kur njohim të tjerët, kuptojmë Uni-n. Ne jemi në univers, udhëtimi më i vështirë. Libri nuk ka kohë”.

Carmine Abate: “Plaga e nisjes është pasuri, prandaj gjuha arbëreshe mbetet gluha e bukës, gluha e zemrës. E tashmja e të ardhmes është pritja.

Alessandro Leogrande: “25 vjet është kohë e mjaftueshme për të kuptuar si kanë ndryshuar ‘kufijtë’ e Italisë dhe Shqipërisë dhe për të konstatuar se si në të njëjtën kohë ‘kufi’ ka mbetur vetëm një fjalë me shumë kuptime.”

Arben Dedja: “Atdheu i vërtetë është fëmijëria. Për të shkruar jo në gjuhën e lindjes, duhet të jesh jashtë shoqërisë ku jeton, jashtë mendjes, jashtë lëkurës…”

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...