Regjisori Miki Manojlloviç sjell shfaqjen “Romeo dhe Zhuljeta” me artistët serbo-kosovarë në Tiranë. Uliks Fehmiu plotëson ëndrrën e të atit, duke folur shqip në teatër. Rrëfimi për vendet e Ballkanit dhe aktorin e madh shqiptar
Nga Valeria Dedaj
“Romeo dhe Zhuljeta” e Uilliam Shekspirit prezantohet për herë të parë, si produksion dygjuhësor, në shqip dhe serbisht në Teatrin Kombëtar në Tiranë. Regjisori Predrag Miki Manojlloviç këtë shfaqje ua ka besuar artistëve, serbë dhe kosovarë, në mënyrë që të gjithë të jenë në kërkim të një terreni të përbashkët; komunikimit. Gjatë në bisede me mediet, në Tiranë, regjisori bashkë me artistët shpjegojnë procesin e realizmit të kësaj shfaqje, mirëpritjen e publikut serb, kosovar dhe kroat, duke shpjeguar se nëpërmjet miqësisë së formuar nga ky grup artistësh dhembshuria dhe besimi është arritur.
Regjisori: Gjuha serbe dhe shqipe mikësohen me njëra-tjetrën, duke u bërë një
Regjisori Predrag Miki Manojllovic tregon se ky projekt ka nisur para dy vjetësh, duke bërë bashkë artistë nga Kosova dhe Serbia. “Falë talentit të këtyre njerëzve fisnikë mund të them se nuk e kemi pasur asnjëherë këtë lloj teatri. Pa mbështetjen e njerëzve të rëndësishëm, të cilët kuptuan dhe ndihmuan realizimin e këtij projekti, do të ishte e vështirë që të rigrupoheshim, sepse secili nga ne jetojnë në vende të ndryshme”. Por, a kanë ndikuar tensionet politike mes këtyre dy vendeve në përzgjedhjen e kësaj pjese? Regjisori shpjegon se në Europë ka kudo tensione politike. “Kjo është diçka e përjetshme, pra toka është dhe po mbushet me gjak.
Nëse do të flasim për shfaqjen ‘Romeo dhe Zhuljeta’, Serbia dhe Shqipëria janë shumë larg njëra-tjetrës, ndryshe nga çfarë ndodh me Romeon dhe Zhuljetën në Veronë, ku edhe pse janë dy grupe që flasin dy gjuhë të ndryshme, ata e duan dhe e kuptojnë njëri-tjetrin. Pra gjëja më e rëndësishme është se si këto gjuhë mikësohen me njëra-tjetrën dhe se si këto gjuhë hynë te njëra-tjetra, duke u bërë një. Pra ishte e mundur. Sigurisht që Romeo dhe Zhuljeta luhet në të dyja gjuhët, por ata e kuptojnë njëri-tjetrin vetëm duke u parë dhe jo duke folur, por Romeo dhe Zhuljeta jonë flet shumë në dashuri, jo nga pesë minuta shqip dhe tre serbisht. Për shembull, Uliks Fehmiu luan priftin dhe është çelësi i diskutimeve”. Regjisori përfundon duke thënë se jetojmë në një vend ku i respektojmë shumë shqiptarët, kjo është edhe arsyeja që ai e ka realizuar këtë projekt.
Uliks Fehmiu: Im atë sot nuk do të ishte ndjerë i lumtur në asnjë vend në rajon
Aktori, Uliks Fehmiu, djali i aktorit të mirënjohur Bekim Fehmiu, shpreh kënaqësinë e tij për këtë prezantim që ndodh për herë të parë në Tiranë. “Jam shumë i lumtur dhe shumë i kënaqur që për herë të parë vij me shfaqjen “Romeo dhe Zhuljeta”, tema e së cilës do të jetë e përhershme. Urrejtja është temë e përhershme ndërmjet popujve, shteteve dhe familjeve. Por, ky është një tregim edhe për dashurinë, e cila është e përhershme”. Sipas tij, artistët janë shpesh ata të cilët i drejtojnë të parët urat e rrënuara nëpërmjet popujve. “Shpresoj që publiku do ta kuptojë në mënyrë të drejtë shfaqjen. Puna për këtë shfaqje ka qenë emocionuese, prandaj do të ketë vend të veçantë në kujtesën time”, tha Fehmiu.
Uliks Fehmiu mendon se çështja e kufijve mes dy shteteve Serbi-Kosovë është e vjetër, për këtë arsye duhet lënë pas, duke punuar për çështje të tjera që të krijohen shoqëri njerëzore. “Ku mendoni se do të kishte jetuar babai im sot nëse do të ishte gjallë? A mendoni se ka një vend në rajon që ai do të ishte ndier i lumtur? A besoni se ai do të ishte ndier i lumtur në ndonjë pjesë të -ish Jugosllavisë? Këtu, në Kosovë, Serbi, Kroaci apo në ndonjë vend tjetër të planetit? Unë do të përgjigjem: Jo”. Ky konstatim, sipas Fehmiut, nuk ka të bëjë me dashurinë dhe as me grupet e ndryshme etnike, sepse i ati ka qenë në Shqipëri si mysafir i -ish Jugosllavisë në vitin 1972, si aktor shqiptar, jugosllav dhe botëror. Cili vend ka qenë më i afërt për të, Shqipëria në vitin 1972 apo Jugosllavia në 1972?”
Shqipja e Uliks Fehmiut
Një prej gjërave që Uliks Fehmiut i mungon në jetë është fakti se nuk mund të flasë shqip ashtu siç do të donte të fliste. “Fakti që nuk e flas shqipen shumë mirë më bën të mos ndihem i plotë. Por, dëshira për të luajtur shqip në skenë, veçmas në teatrin e Beogradit ku nuk është folur kurrë shqip, por edhe në Prishtinë e Tiranë më lumturojnë shumë”. Ai shpreson që dhe babai (Bekim Fehmiu) të ndihet krenar për të, sepse kjo është ajo që dëshiron. Edhe megjithatë ai pranon se me atë shqipe që di ka arritur që të ndërtojë ura, sepse ka bërë atë që beson, atë që do të bënin të gjithë njerëzit e guximshëm.
Uliks Fehmiu, djali i aktorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiu para premierës së shfaqjes “Romeo dhe Xhulieta” në regji të Miki Manojloviq ka dhenë një intervistë për B92, rreth angazhimit të tij në këtë shfaqje që ka pas kastën e përzier shqiptaro-serbe.
Ai ka folur për rëndësinë e kësaj shfaqje sikurse ka folur edhe për jetën e tij artistike në Amerikë.
Fehmiu në këtë intervistë ka thënë se është shumë falënderues për regjisorin që e ka ftuar të jetë pjesë e kësaj shfaqje, i cili në këtë projekt, sipas tij, regjisori ka punuar me vite të tëra, ndërkaq aktorët kanë punuar përgjatë tre muajve të fundit.
Ai më pas ka thënë se kasta ka pas një marrëdhënie të mirë gjatë provave, si në çdo shfaqje tjetër, dhe se në këtë projekt është punuar shumë seriozisht. “Mendoj se jemi në rrugë të mirë që të kemi sukses”, ka thënë Uliks Fehmiu.
Më pas ai ka folur edhe për qasjen e regjisorit në këtë shfaqje. “Shekspiri i Manojloviq është i vërtetë, prej mishi dhe prej gjaku”, ka thënë Fehmiu.
Ndërkaq, për deklaratën e regjisorit, se do të donte që Faruk Begolli dhe Bekim Fehmiu ti shihnin nga yjet, Uliksi ka thënë se ai e di se çfarë ka dashur të thotë regjisori mbi këtë çështje. “Edhe unë shpresoj që Bekimi dhe Faruku të na shohin nga qielli”, ka thënë ai. Krejt në fund ai ka folur edhe për jetën e tij artistike në Amerikë .
Mensur Safçiu
Miki Manojloviq, regjisori i shfaqjes “Romo dhe Xhulieta”, që në kastën e aktorëve ka aktorë serbë dhe shqiptarë, ka dhënë një intervistë para dhënies së premierës së kësaj shfaqje, të dielën, në Teatrin Kombëtar të Beogradit, shfaqje kjo në dy gjuhë, serbisht dhe shqip.
Manojloviq ka folur rreth kësaj shfaqje, për kontaktin me Jeton Neziraj si dhe për përzgjedhjen e aktorëve.
Jovana Gavrilovic
Ai gjithashtu ka folur edhe për atë se nëse Faruk Begolli do ti shihte studentët e tij, me siguri do të ishte i kënaqur, sikurse që do të ishte i kënaqur edhe Bekim Fehmiu.
Edona Rashitaj
Alban Ukaj, në rolin e Romeos sonte do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Beogradit
Alban Ukaj
Në kooproduksion shqiptaro serb, sonte do të ngjitet në rolin e Romeos, Alban Ukaj në skenën e Teatrit Kombëtar të Beogradit e ndërkaq në atë të Xhulietës, dy aktoret serbe: Milica Janevski dhe Jovana Gavrilovic.
Milica Janevska dhe Natasa Tapuskoviq
Në kastën e aktorëve janë edhe aktorët: Mensur Safçiu, Nikola Rakoceviq, Armend Ismajli, Nebojsa Glogovac, Goran Jevtiq, Armend Baloku, Faris Berisha, Uliks Fehmiju, Edona Reshitaj, Natasa Tapuskoviq, Anita Mançiq dhe Arta Selimi.