Intervistë me major Nazif Ramabajën kryeshef i Shtabit oparativ të Rrafshit të Dukagjinit dhe komandant i njësiteve operative të UÇK-së në Lugun e Baranit
17 janar 2004
Për ndihmesë të Junikut ishte planifikuar edhe njësiti operativ brigada “Skënderbeu” e udhëhequr nga eprori Fuad Ramiqi, e cila disa herë kishte bërë përpjekje për të hyrë, por ishte penguar nga persona të papërgjegjshëm me orientim dhe motive armiqësore. Pamundësimi i hyrjes së kësaj brigade, mosdhënia e ndihmës së Salih Çekajt nga ana e shtetit shqiptar dhe mosarritja e armatimit të premtuar për njësitet operative të Brigadave 131, 134 dhe 133 përshpejtoi edhe rënien e Junikut. – thotë major Nazif Ramabaja.
Në një shkrim tuajin, në gashtëmujorin e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt, keni përshkruar Betejën e Loxhës. Pas kësaj beteje të njohur ndër shqiptarët e Kosovës, çka ndodhi në arenat tjera të luftës?
Major Nazif Ramabaja: Ndodhi ofenziva e Rahovecit të cilën e përgjonim nëpërmes sistemit të ngritur për përgjim në brigadë. Pas Betejës së Loxhës, ku kishim marrë si trofe lufte shumë armë, municion dhe një motorolë 16 kanalëshe nga inspektori Sergjan Peroviç, në frekuencën e kanalit të fundit (Muja-2 ) kishim përgjuar zënien rob të një fshatari (Selim Bytyçi) në Rahovec.
Fjala tjetër ishte: „Vepro në mënyrë sa ma të shkurtër“ (në gjuhën serbe), pastaj dëgjohej: „Është vepruar“. Kështu kishte ndodhur me shumë fshatarë të cilët i kishin masakruar dhe likuiduar pa mëshirë gjatë zënies rob të tyre. Përveç Rahovecit ishte ndërmarrë edhe sulmi mbi Junikun sipas planit të qeverisë serbe për pastrimin e pesë kilometërshit të zonës kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Duke e parë këtë gjendje, cilët ishin hapat që ju ndërmoret për përgatitje sa më të mira për betejat e ardhshme?
https://www.youtube.com/watch?v=XvEbpW_9bkk
Major Nazif Ramabaja: Kishim kontakt të përditshëm me dy oficerët e Brigadës 13, nëpërmes komandantit Tahir Zemaj, i cili kontaktonte me Rrustem Berishën dhe Agim Ramadanin të mbetur në Junik, në pritje të një lloj armatimi i cili duhej të arrinte, por në fakt nuk erdhi kurrë për shkak të pengesave të ditura.
Bëhej fjalë për një lloj armatimi superior i cili duhej të arrinte nga një shtet i fortë të cilin armatin as Serbia nuk e kishte në arsenalin ushtarak dhe se planifikonim që me ardhjen e këtij armatimi dhe organizimi i luftës çlirimtare në Kosovë do të bëhej në mënyrë më të organizuar.
Me hyrjen e forcave shtesë të armatosura me oficerë që kishin profesion përgatitjen, organizimin dhe zhvillimin e luftës së armatosur, me detyrë që këtë organizim ta mbështesin edhe të gjithë oficerët tjerë kështu që lufta çlirimtare, e potencoj lufta çlirimtare, do të merrte karakter të përgjithshëm mbarëpopullor e udhëhequr nga kuadri profesional ushtarak.
Duke parë se në çfarë situate gjendej Juniku dhe fshatrat e Rekës së Keqe, me pëlqimin e komandantit të njësiteve operative të Rafshit të Dukagjinit, Tahir Zemajt, dhe me urdhërin e tij, Salih Çekaj tërhiqet për në Shqipëri ku bën përpjekje titanike për të siguruar një pjesë të armatimit për t´i ardhur në ndihmë Junikut.
Ai edhe pse kontakton me Ali Aliun, mikun e tij, dhe disa ministra në qeverinë shqiptare nuk arrinë të sigurojë armatimin e duhur përveç një sasie simbolike e cila ishte e pamjaftueshme për luftëtarët e Junikut.
HERO I POPULLIT TAHIR ZEMAJ
Major Nazif Ramabaja: Për ndihmesë të Junikut ishte planifikuar edhe njësiti operativ brigada “Skënderbeu” e udhëhequr nga eprori Fuad Ramiqi, e cila disa herë kishte bërë përpjekje për të hyrë, por ishte penguar nga persona të papërgjegjshëm me orientim dhe motive armiqësore. Formacioni i kësaj brigade ishte duke bartur mjete ushtarake antitankse që i dedikoheshin Junikut e të cilat u duheshin më shumë se buka dhe uji. Pamundësimi i hyrjesë së kësaj brigade, mosdhënia e ndihmës së Salih Çekajt nga ana e shtetit shqiptar dhe mosarritja e armatimit të premtuar për njësitet operative të Brigadave 131, 134 dhe 133 përshpejtoi edhe rënien e Junikut.
Çka e karakterizon rezistencën për mbrojtjen e Junikut?
Major Nazif Ramabaja: Gjatë rezistencës së mbrojtjes së Junikut kontribut të jashtëzakonshëm dha oficeri Agim Ramadani, i cili u bë i njohur me këtë luftë e sidomos për shpërthimin e rrethimit dhe kurthat që ua përgatiti forcave ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbe në minimin e rajoneve në Junik, Gjocaj dhe Jasiq dhe tërheqjen e të plagosurve dhe popullatës civile për në Shqipëri.
Për këtë Juniku, Gjocaj dhe Jasiqi duhet të mburren për luftën që e bëri Agim Ramadani i cili u bë sinonim i një strategu dhe profesionisti se si duhet luftuar. Ndihmesë të madhe në këtë i dha edhe Rrustem Berisha me ushtarin Astrit Ademajn.
Ne si oficerë profesionistë nuk kemi mundur të hyjmë nën komandën e një shtabi të UÇK-së, në të cilin nuk dihej se kush ishte komandant
Në këtë kohë flitej se mungonte bashkëpunimi në mes të forcave shqiptare të armatosura që verponin në Kosovë. A janë bërë përpjekje për një bashkëpunim më të mirë?
Major Nazif Ramabaja: Një mbrëmje udhëtova për në Irzniq me shoferin Zymer Sefajn, njëherit pjesëtar i sigurimit personal dhe dy pjesëtarë të sigurisë personal: Sinan Shalën dhe Burim Gashin ku u zhvillua një takim pune. Në atë takim morën pjesë Ramush Haradinaj, “Smajli”, Salih Veseli “Vetima”, Rrustem Tetaj, Nazmi Ibrahimi i Jabllanicës (Shqiponja së Dushkajës), Fadil Nimani “Tigri”, Tahir Zemaj dhe unë (Nazif Ramabaja).
Kjo ishte edhe një shenjë dhe përgjegje për të gjithë ata të cilët pyesin se përse nuk ka pasur bashkëpunim në mes të forcave të cilat vepronin në terren dhe forcave të armatosura, njësiteve operative të cilat hynë në Kosovë. Bashkëpunimi ekzistonte, por rrjeti i atyre të cilët ishin kundër këtij bashkëpunimi dhe e pengonin ate në çdo mënyrë ishte tejet i madh si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj, e në këtë rrjet ishin të përfshirë shumë emisarë të cilët ishin “turistë” të kësaj lufte dhe gjenin përfitimin e tyre nëpërmes fjalëve të mëdha, shpifjeve dhe intrigave të këtyre emisarëve. Ne si oficerë profesionistë nuk kemi mundur të hyjmë nën komandën e një shtabi të UÇK-së, në të cilin nuk dihej se kush ishte komandant.
RRUSTEM BRUQI,hERO I POPULLIT
Çka u bisedua atë natë dhe a është arritur pajtimi?
Major Nazif Ramabaja: Sa i perket gatishmërisë ushtarake sipas elementeve të renditjes ushtarake, ishte në nivel të duhur. Për kriteret e zgjedhjes së policisë ushtarake u tha:
Të jenë ata që i propozojnë shtabet dhe puna e tyre do të ishte më e lehtë për të vepruar, konsideronte Ramushi. Në Lug të Baranit ka shkuar puna në dy drejtime: një në kuadër të brigadës dhe e dyta ata të cilët e kanë kryer këtë detyrë para ardhjes së brigadës. Me tutje duhet punuar në shkrirjen mesvete dhe të bëhet bashkimi në një, apo brigada të ketë për punë të veta policinë në kuadër të saj.
Sa i përket kësaj pike të renditjes ushtarake, kishte informata se shiteshin pushkët në Malishevë, pata thënë unë dhe për këtë vendosem një punkt kontrolli në Këpuz, ku të gjithë ata të cilët shkojnë me armë për në Malishevë të ndalohen që të shënohet numri i armës në mënyrë që të vërtetohet pas kthimit se a e ka të njëjten armë. Nëse udhëtohet në grup të lejohet vetëm një armë për çeshtje sigurie, ndërsa të tjerat të ndalen dhe pas kthimit të personave t`u kthehen prapë të njëjtat. Këto ishin vendimet e këtij takimi pune. Pas këtij takimi pune Ramush Haradinaj m´u drejtue duke më thënë :”Çka kisha për të bërë vet po të mos ishit ju oficirët”.
“Kur njerëzit luftojnë vazhdimisht kundër bashkatdhetarëve të tyre, zakonisht vihet re se ata bëhen më të egër në mënyrë të panatyrshme dhe mbushen me tërbim më tepër se kur janë kundër një armiku tjetër”.
Cilat ishin vështirësitë me të cilat u ballafaquat ju oficerët profesionistë dhe nga vinte rreziku për një dobësim të radhëve tuaja?
Major Nazif Ramabaja: Kuadri profesional ushtarak duke ditur mirë për pasojat e luftërave të “Trandafilit” të shekullit 15-të në Angli ku sipas Çarls Dikensit: “Kur njerëzit luftojnë vazhdimisht kundër bashkatdhetarëve të tyre, zakonisht vihet re se ata bëhen më të egër në mënyrë të panatyrshme dhe mbushen me tërbim më tepër se kur janë kundër një armiku tjetër”.
Kjo na shtyri të bëjmë atë që është dashur për të bërë, vetëm e vetëm për të mos arritur deri të nji tërbim i tillë, për arsye se ne nuk njihnim parollën se: “Armiku është në mesin tonë”, por gjithmonë duke përsëritur dhe vepruar sipas rrethanave luftarake dhe mënyrës së zhvillimit të operacioneve duke u gjendur në ballë të luftës e duke e pasur armikun (okupatorin) gjithmonë përballë, menjanuam luftën vëlla-vrasëse dhe pamundësuam realizimin e planeve të forcave okupuese ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbo-ukrainase të zbatojnë planin e spastrimit etnik nëpërmes taktikës së „Tokës së djegur“ dhe planit të çetnikëve të Vojsllav Sheshelit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës të përpiluar më heret, por të bërë publike në tetorin e vitit 1995, e që na kishte rënë në dorë nëpërmes oficerit për vëzhgim e përgjim, Asim Lokajt të cilin e kishte marr nga Salih Cacaj, aktivist i LDK-së në Pejë.
Major Nazif Ramabaja: Plani i ditës së 27.07.98 duhej të zbatohej me përpikëri. Njësiti marshon prej komandës së brigadës, repartit ushtarak në Baran nëpër Vranoc deri ne Bistricë dhe anasjelltas. U informuam se në Çeskovë, ka qenë Salih Veseli “Vetima” dhe iu ka thënë se ata duhet të lidhen me Jabllanicën e Dushkajes. Për këtë raportoi Enver Berisha, komandant i shtabit të Çeskovës.
Idriz Atashi nga fshati Jabllanicë e Leshanit, i ka dërguar në Shqipëri gjashtë vetë për t´u bërë organizimi në këtë rajon: Jabllanicë e Leshanit, Rosujë, Kliçinë, Poterq dhe Kostovc. Iu dhash udhëzime, që së pari duhet formuar shtabin në mënyrë që të kemi me kënd të komunikojmë në mënyrë legjitime e pastaj të punohet sipas udhëzimeve dhe urdhëresave të cilat lëshohen prej komandës së kësaj brigade.
Në qendrën e ndërlidhjeve të Brigadës 131 përgjoheshin aksionet e armikut. Çka arritët të mësoni gjatë atyre përgjimeve?
Major Nazif Ramabaja: Në këtë qendër është bërë përgjimi i të gjitha ofenzivave të rëndësishme të cilat i ndërmori armiku nëpërmes motorolës e cila kishte ra në duart tona në Betejën e Loxhës, nëpërmes së cilës bëhej zbulimi i frekuencave, kanaleve dhe shifrave të komandimit të anës kundërshtare. Në frekuencen 15 9.900 bëheshin bisedat telefonike të shifruara, mirëpo pas një kohe bëmë deshifrimin dhe lokacionin e njësiteve të cilat merrnin pjesë në ofenzivë. Frekuenca 16 3.050 kishte të bënte me sulmin në: Rahovec – Llapushnik – Kijevë – Landovicë – Caralevë.
Ndodhi sulmi në Rahovec dhe vrasja e Agim Qelës, siç kishim marrë informata nga luftëtari Alush Gjocaj, i cili edhe vet ishte plagosur, menjëherë pas renies së Rahovecit në duart të soldateskës, policisë dhe paramilitarëve serbë. Në këtë ofanzivë kishin marrë pjesë edhe mercenarë rusë-belorusë dhe ukrainas (sipas përgjimeve tona, të cilët kanë bërë masakra së bashku me paramilitarët e Arkanit dhe çetnikët e Sheshelit) ekzistojnë incizimet e përgjimeve në audio-kasetë të cilat i posedoj.
Ishte fillimi i ofenzivës serbe për marrjen nën kontroll të rrugës kryesore, apo magjistralës Prishtinë-Pejë. Luftime të ashpra janë bërë në Grykën e Llapushnikut, granatimet e Gllarevës dhe magjistrales Prishtinë-Prizren të Caraleva, fshatrat e Shtimes si dhe rrethina e Therandës. Në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin intensitet ishin sulmuar dhe granatuar fshatrat e brezit kufitar me Shqipërinë, Reka e keqe: Smolica, Dobroshi e Juniku.
Sipas të gjitha gjasave (informatave me të cilat dispononim, që i kishim marrë nëpërmes përgjimeve) dhe deklaratave të fundit se Malisheva është zonë e lirë dhe se së shpejti do të lëshohen letërnjoftimet dhe pasaportat e mbrenda dhjetë ditëve edhe Prishtina do te jetë në duart tona, të lansuara nga zëdhëndësi i UÇK-së Jakup Krasniqi, supozohet se radhën e masakrimeve dhe dëbimeve do ta ketë Malisheva me rrethinë, sepse është duke iu ngushtuar rrethi nga te gjitha anët: nga Rahoveci, nga Suhareka dhe nga Llapushniku.
Që me datën 26 dhe 27 korrik janë mbyllur shitoret në Malishevë dhe kanë “ikur” pronarët dhe nuk kanë mbetur dhjetë vetë, gjendja është kaotike, sidomos pas ardhjes se 20.000 të ikurve civilë nga Rahoveci, njoftonte Naim Hysenaj nga fshati Kodradiq.
Si bëhej dëshifrirmi i kodeve të armikut nga ana juaj dhe si u sulmua Malisheva?
Major Nazif Ramabaja: Dëgjoheshin shifrat: Kosa, Jastreb, Rubin, Bistrica, (Gvozdeni ishte shifër për mjetet e blinduara, tanke sepse kërkojnë 20 litra vaj të cilin e ka hudhur jashtë), Ibar, Limun etj. Degjëhej: “Kosa 501, Kosa 1, 5/1 Limun e ka kryer detyrën”, pastaj: “733 mirru vesh me të dhe vepro si të thotë ai, Kosa 121”, “Unë jam në k.761 300 m në përendim, 858 dal në O. Svetac lajmërohu, Kosa 5 lajmërohu” (Përkthimet në shqip nga unë).
Gjatë sulmeve, dëgjimit dhe përgjimeve nëpërmes qëndres së komandës së brigadës, armiku sulmoi Malishevën nga të katër anët: Nga ana e Rahovecit nga ana e Kijevës, nga ana e Llapushnikut dhe nga ana e Caralevës dhe sipas planit të tyre pra më 28.07.1998 kanë planifikuar të mirret Malisheva dhe në orët e mbrëmjes pas tërheqjes së UÇK-së Malisheva ka rënë në duart e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë. Në ndërkohë është sulmuar edhe Dobroshi, Juniku, Jasiqi, Gjocaj në Rekën e keqe.
Më së tepërmi ka rezistuar Juniku. …Kishte shumë të plagosur nga granatimet, ndërsa luftëtarëve tanë iu nevojitej armatimi antitank më shumë se buka dhe uji
Sa ishin në gjendje që këto fshatra të sulmuara t´i rrezistojnë ofenzivava të armikut?
Major Nazif Ramabaja: Më së tepërmi ka rezistuar Juniku, i cili është bërë bllokadë rrethimi ku kolegët tanë Agim Ramadani dhe Rrustem Berisha qëndruan dhe rezistuan së bashku me luftëtarët tjerë. Kishte shumë të plagosur nga granatimet, ndërsa luftëtarëve tanë iu nevojitej armatimi antitank më shumë se buka dhe uji.
I informuar për pamundësinë e hyrjes së njësitit operativ të Brigadës “Skënderbeu” në ndihmë të kësaj zone dhe i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën gjindeshin luftëtarët e Junikut me rrethinë, shpejtova deri ne Prapaçan te komandanti Tahir Zemaj, analizuam situatën dhe u lidhem me kolegët, në këtë rast pasi bisedova me Rrustem Berishën, por jo edhe me Agim Ramadanin, sepse gjindej në vijen e parë të frontit, shpreha gatishmërinë që me një pjesë të brigadës 131-të t`u shkoj në ndihmë dhe të mundohemi që ta shpërthejmë rrethimin, e më vonë të bashkohemi me njësitin operativ ku ishin të caktuar me formacion Rrustemi si komandant i brigadës, ndërsa Agimi komandant i batalionit të parë, të lidhemi me njësitet dhe t´i vazhdojmë betejat se bashku, komplet dhe kompakt me të gjitha strukturat dhe kuadrin luftarak.
Për gatishmërinë time u falënderua Rrustemi dhe potencoi se e dinte mirë se me të vërtetë do t´i shkoja në ndihmë, por do të tentojnë të qëndrojnë deri sa t`u harxhohet municioni e pastaj të terhiqen për në Papaj dhe pas konsolidimit do të tentojnë të bashkohen me brigadën dhe për këtë më janë mirënjohës që të dy, pra Agimi dhe Rrustemi.
Ju si epror me përvojë, pos organizimit të luftës në atë kohë përgatitet edhe një doracak që u mungonte edhe zonave të tjera?
Major Nazif Ramabaja: Po, me datën 29.07.1998 përpilova doracakun për komandantë të skuadrave, togjeve dhe kompanive, i cili ishte më se i nevojshëm për zhvillimin e aksioneve ushtarake duke përdorur strategji të lloj-llojshme siç ishte ajo e Çun Xu-së dhe të strategëve të tjerë të shquar.
Dy kopje ia dhashë oficerit Shaban Dragës për t´i dërguar në Drenicë dhe për t´u shërbyer me ta në këtë fazë fillestare deri sa të mos përpilohet një strategji e përbashkët në fazën tjetër e cila kishte për qëllim kalimin nga defenziva (mbrojtja e pragut të shtëpisë) në ofenzivë (me ndërmarrjen e aksioneve taktike, operative dhe strategjike që kishte për qëllim clirimin e çdo pëllëmbe të okupuar), pasi që ishin të formuara grupet si:1.Grupi artilerik, 2.Grupi i mitrolozave 7.9mm-tokësor dhe 12.7 mm – kundërajror, 3.Grupi antiblind, zola, murtaja e krahut dhe ambrusi dhe 4.Grupi i shënjtarëve, snajperë 7.9 mm dhe pushkë automatike.
Pos ushtrimit të këtyre grupeve, ato ditë u takuat edhe me ushtarë që më herët kishin qenë ushtarë tuaj në ish-APJ?
Major Nazif Ramabaja: Ushtrimin e këtyre grupeve e bëmë në menyrë që të jemi të gatshëm për çdo sfidë dhe sulm eventual të forcave ushtarako-policore dhe paramilitare serbe dhe mercenare ruso-ukrainase. Në komandë të brigadës papritmas u duken ish ushtarët të cilët kishin shërbyer në Ajdovshqinë të Sllovenisë dhe unë (Nazif Ramabaja) isha komandant i tyre e këta ishin: Agim Krasniqi nga Vranoci i cili më solli kompjuterin dhe ia dhuroi brigadës dhe Rifat Morina nga Loxha, i cili kishte dëgjuar se unë kisha udhëhequr dhe komanduar me ushtarët në atë luftë. Pasi bëri montimin e kompjuterit me vendimin tim u transferua nga Loxha në Baran në shtab të Brigadës 131.
Të nesërmen erdhi “Çergashi” (Agim Zeneli) së bashku me Mujë Berishën, njëri komandant i frontit e tjetri komandant i shtabit të fshatit Këpuz të Klinës për të kërkuar ndihmë për mbrojtjen e zonë sonë dhe përveç spjegimeve që u dhashë në lidhje me taktiken e përdorimit të minahedhësave 82 mm, konfiguracionit dhe riorganizimit të vijës së zjarrit, iu dhashë edhe pesë predha të topit pazbrapsje 75mm të cilin e kishin në përdorim, por i tërhoqa vërejtjen “Çergashit” (Agim Zenelit) që në asnjëi mënyrë mos të dali jashtë zonës përgjegjëse të brigadës pa e informuar komandën e kësaj brigade.
Po ashtu erdhi një ushtar vullnetar nga Gjakova, Arben Kovani në njësitin tonë. Punën e vazhduam në katër grupe të organizuara dhe me grupin special intervenues të cilët duhej t´i njohin jo vetëm armët që kishin, por të gjitha llojet e armëve të tjera që ka njësiti në formacionet e veta ushtarake Ushtrimet u bënë në fshatin Vranoc dhe Baran. Ushtarët ishin të shkëlqyeshëm në përqafimin e njohurive të reja të cilat kishin të bëjnë me këtë njësit special intervenues.
Pastaj në komandë të brigadës u lajmëruan Rexhep Fetahu me kamionin TAM 75 T-5 dhe Ragip Kastrati me autobusin Mercedes, të cilët vullnetarisht do të bëjnë bartjen e ushtarëve në rast intervenimi në zonën e brigades. Për t`u bërë të ditur edhe me tutje loxhjanëve se brigada në zonën e saj do të intervenojë dhe ndihmojë në çdo kohë dhe situate.
Bëmë përgatitjen e njësitit intervenues me ushtarë të rryeshëm dhe luftëtarë të mirë të cilët kishin marrë pjesë në luftime apo në raste të njëjta intervenimi dhe klasifkimin e armatimit të nevojshëm, bëmë intervenimin në Loxhë sipas pozicionit për ta kthyer armikun nga sulmi i planifikuar. Në këto ushtrime taktiko-teknike komandant i njësitit u caktua Isuf Krasniqi “Cufa”.
Pas kthimit të grupit intervenues nga Loxha, cilat ishin planet e mëtejshme?
Major Nazif Ramabaja: Muaji gusht ishte muaj i ri sa i përket aktiviteteve ushtarake dhe dita e parë e këtij muaji u karakterizua me kthimin e grupit intervenues nga Loxha. Përgatitja e grupit të ri intervenues që të dërgohet në vijën e parë të frontit në Raushiq në mënyrë që të forcohet vija e frontit në këtë fshat e pastaj forcimin e kësaj vije në mes të Raushiqit dhe Lubeniqit. Komandant i njësitit intervenues ishte eprori Esat Ademaj. Pas mesdite intervenimi të bëhet me vozitësin Ragip Kastratin, të mobilizuar së bashku me automjetin teknik të tipit Mercedes për interesa të brigadës.
U bë planifikimi i çeljes së strehimoreve masive për njësitin në objektin”fabrikë” të cilin projekt do ta bente Naim Hysenaj, i cili na dorëzoi një sasi të municionit nga shtabi i fshatit Kodradiq, për nevoja të brigadës pasi që të gjitha aktivitetet ushtarake kalonin përmes kësaj brigade, sepse popullata e cila përfshihej në zonën përgjegjëse të brigadës kishte një besim të plotë në njisitë operative të UÇK-së të cilat me një profesionalizëm të lartë, organizim luftarak dhe njohuri të larta taktiko-teknike dhe përdorim të njeteve dhe teknikës ushtarake u bënë simbol i qëndresës duke përkrahur dhe ndihmuar me të gjitha mjetet të cilat i kishin
Çka u bë më të lënduarit në Betejën e Loxhës?
Major Nazif Ramabaja: Pranimi i të plagosurve nga qendresa e Junikut, Naim Malokut dhe Gani Shehut në spitalin e Irzniqit (gjegjesisht në vend të panjohur për Naimin) në një shtëpi e pastaj transferimi në spitalin dhe strehimoren e Prapaqanit ku shtriheshin Faruk Xhemajli, Skënder Çeku, të dy të plagosur në Betejen e Loxhës e pastaj me organizimin dhe urdhërin e komandantit Tahir Zemajt u transferuan në një vend më të sigurtë në luginën e Pagarushës. Transportimin e bën Rexhë Osaj, Ismet Çeku, Idriz Osdautaj etj.
Kishte ardhur shkresa nga shtabi i Drenicës se kanë nevojë për eprorë me të cilën kërkesë u pajtuam dhe komandanti i njësiteve operative në Rrafshin e Dukagjinit, Tahir Zemaj, me lejimin e ministrit të mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit, të dy eprorët mbeten për të vepruar në territorin e Drenicës, siç kishim planifikuar me parë me brigadën 133 pas formimit të bërthamës dhe zgjërimit të saj të kalojnë në Drenicë
Me vendimin e komandantit Tahir Zemaj e në bazë të lejës së ministrit Ahmet Krasniqi disa oficerë nga komanda juaj shkuan në zona tjera?
Major Nazif Ramabaja: Ardhja e Shaban Dragës nga territori i Drenicës të cilin e kishim liruar, për shkak se kishte qenë në vizitë te familja dhe se shtabi i Drenicës kishte kërkuar ndihmë me eprorë ushtarakë. Po të njëjten gjë e kishim bërë edhe me eprorin Kemajl Shaqirin.
Pas vizitës familjare na kishte ardhur shkresa nga shtabi i Drenicës se kanë nevojë për eprorë me të cilën kërkesë u pajtuam dhe komandanti i njësiteve operative në Rrafshin e Dukagjinit, Tahir Zemaj, me lejimin e ministrit të mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit, të dy eprorët mbeten për të vepruar në territorin e Drenicës, siç kishim planifikuar me parë me brigadën 133 pas formimit të bërthamës dhe zgjërimit të saj të kalojnë në Drenicë.
Eprori Shaban Draga me informoi me detajisht për shkallën e zhvillimit të aktiviteteve luftarake në territorin e Drenicës, mangësinë e eprorëve dhe organizimin e bërë në nivel të ulët, pa komanda dhe komandime, ndermarrjen e masave joadekuate sa i përket punëve gjenerike në rend të parë fortifikimi, nuk ka njësi të caktuara dhe kuader profesional ushtarak. Për këtë dy oficerët Kemajl Shaqiri dhe Shaban Draga kërkuan qe t`u bashkangjitet edhe Shemsedin Fetahu i cili i takonte gjinisë artilerike.
Shabanit i dhashë një kampanjollë për ndihmë, si mjet teknik dhe u pajtuam që të bëjë përcjelljen e ushtarëve të cilët arrinin prej Shqiperisë me armatim përgjatë zonës përgjegjëse të Brigades 131, prej Raushiqit deri ne Drinin e bardhë, nëpërmes këtij kanali, i cili finksiononte si një arterie, në mënyrë të organizuar dhe me përcjellje të kalojnë të sigurt dhe të vazhdojnë rrugën për në territorin e Drenicës.
Në kuadër të Brigadës 131 cilët sektorë kishit formuar?
Major Nazif Ramabaja: Në brigadën 131-të e cila kishte qendrën në Baran, kishim formuar edhe sektorët e informimit, atë të logjistikës, kartografisë, sigurimit, dhe koordinimin e punëve në mes të subjekteve politike dhe njësiteve operative, ku në këtë merrnin pjesë:
Rrok Berisha, shef i informimit, Rrustem Shala, shef i logjistikës, Asim Lokaj, shef i kartografisë dhe përgjegjës për vëzhgim, Sadri Selca, shef për zbulim dhe kundërzbulim, Nikë Krasniqi, kordinator në mes subjekteve politike dhe njësiteve operative dhe Hasan Gashi, shef i policisë ushtarake. (Pas largimit të tij për kërkimin e familjes, shef i policisë ushtarake emrohet Besim Gashi.
Me 2 gusht 1998 forcat e armikut filluan një sulm ndaj disa fshatrave të komunës së Klinës dhe komunës së Pejës që i përkasin Lugut të Baranit?
Major Nazif Ramabaja: Sipas të gjitha informatave të cilat i posedonim nëpërmes vëzhgimeve dhe përgjimeve të organizuara në komandën e brigadës, pritej që të sulmohen fshatrat e Lugut të Baranit në orët e hershme të mëngjesit, pra me dy gusht, ku më vonë gjatë analizës së kësaj ofenzive u tregua se posedonim me të dhëna të sakta për arsye se fshatarët e Çeskovës dhe shtabi i këtij fshati kishin dëgjuar ndezjen e tanksave dhe zhurmë të madhe në orët e hershme të mëngjesit (4:00) të dy gushtit 1998, të cilat vinin nga Dollova. Pas fillimit të granatimeve mbi Çeskovën, bëmë kompletimin e njësitit intervenues.
Të katër grupeve që kishin ushtruar më parë, u mbajta pesë minuta bisedë morale siç e kishim praktikuar para çdo intervenimi luftarak dhe potencova ndërmarrjen e veprimeve luftarake sipas planit të paraparë: “Njësiti në sulm”, me detyrë që të bllokohet trekëndëshi i udhëkryqit rrugor Nepole – Çeskovë dhe Nepole – Këpuz, ndaljen e forcave okupuese ushtarako-policore dhe paramilitaromercenare serbe (në detyrën e afërt), kurse në detyrën tjetër ishte qëllimi që të formohen kushtet për të kaluar në ofenzivë në bashkëpunim dhe bashkëveprim me forcat tona në krahun e djathtë, angazhimin e disa luftëtarëve nga fshati Buçan si dhe ardhja në ndihmë e njësitit operativ nga Bardhaniqi me eprorin Musa Gjakovën.
Sipas informimit të komandantit të shtabit lokal, Gani Morinës, në ora 9:00 kanë filluar sulmet nga Grabanica nëpërmes Bokshiqit në drejtim të Çeskovës dhjetë tanke dhe mjete tjera mekanike, ndërsa nga drejtimi i Dollovës kanë sulmuar njëzet tanke dhe pas dy orë e gjysmë të gjitha janë bashkuar në një vend. Fshatarët e kanë lëshuar fshatin dhe vetëm pesë ushtarë janë në pozicione. Gjendja është e vështirë dhe në fshat ka mbetur i sëmurë një plak rreth njëqindvjeçar dhe nuk dihet për fatin e tij.
Cilat ishin veprimet që ju i ndërmorët për të ndaluar ofenzivën e armikut në atë kohë?
Major Nazif Ramabaja: Nga “Bistrica” siç e quante okupatori Pejën në bisedat e koduara, ishte nisur për t´u ardhur në ndihmë ekspedita shkatërruese në nji kolonë të gjatë në të cilën gjindeshin të gjitha mjetet luftarake me qëllim të bashkangjitjes së forcave të mëparme të cilat kishin filluar sulmin në trevën Çeskvë-Bokshiq-Gllogjan-Nepole. Ne bllokuam udhëkryqin Nepole-Çeskovë-Këpuz me njësitin operativ për intervenime të shpejta dhe armiku u detyrua ta ndërrojë drejtimin e sulmit dhe të orientohet në drejtim të “Kotës 490”.
Angazhimi i skuadrës artilerike me minahedhës 82 mm me komandant Ramadan Gashin, ku në kishim vetëm dhjetë predha dhe pas hudhjes së predhave të para goditet një tanksë të cilës i shkatërrohen zingjirët dhe se një ushtar okupator lëndohet rëndë në këmbë. Informatën e morëm përmes përgjimeve në sistemin e ndërlidhjeve të organizuar në brigadë. Armiku kërkoi ndihmë për ta tërhequr tankun sepse gjëja kishte ra në një gropë.
Pra “Gropa” ishte kodi i tyre i cili tregon se bëhej fjalë për prishje-shkatërrim. Kjo ishte hera e parë ku ishin përdorur minahedhësat dhe ishte qëlluar caku. Armiku ishte hutuar dhe nuk u dëgjua më se një orë dhe nuk bëri kurrëfarë lëvizjesh taktike në luftë. Ai kuptoi se lansimi i predhave nga minahedhësat 82 mm ishte bër në mënyrë shkollore dhe profesionale nga kuadri ushtarak.
Një pjesë e njësitit operativ iu kishte dalur në ndihmë Raushiqit si mbështetje dhe ngritje të moralit luftarak, por pasi se nga “Bistrica” (Peja) ishte nisur ekspedita shkatërruese, kërkova që sa më parë njësiti të kthehet dhe të kyqet në luftë. Me ardhjen e njësitit me të cilin komandonte eprori Esat Ademaj menjëherë e njoftova me detyrën luftarake dhe qëllimin e saj, por ndodhi çka ndodhi, ajo të cilën nuk e pritnim dhe më së paku na nevojitej në atë moment – fatkeqësia.
Për çfarë fatkeqësie ishte fjala dhe sa pati ndikim në zhvillimin e mëtejmë të planit të paraparë luftarak?
Major Nazif Ramabaja: Fatkeqësia në komunikacion që na ndodhi me kombin e Zymer Sefës të cilin e drejtonte Arianit Krasniqi në të cilën fatkeqësi u lënduan nëntë ushtarë të njësitit elit operativ e këta ishin: Arianit Krasniqi, Elmi Krasniqi, Shpend Krasniqi, Arsim Hysenaj, Mujë Dervishaj, Tahir Malushaj, Gazmend Gjoci, Xhelil Krasniqi dhe Ahmet Thaçi të cilët u rrokullisën para hyrjes në Kosuriq dhe kjo fatkeqësi pamundësoi bllokimin e rrugës e cila shpiente nga Bokshiqi për në Gllogjan dhe në orët e pasdites disa tanke hynë në këtë fshat.
Njësiti artilerik në mungesë të predhave u detyrua të tërhiqet në fshatin Buçan, kështu që pas marrjes së krahut të majtë nga ana e armikut dhe hyrjes së disa tankseve në Gllogjan në një mënyrë na u rrezikua prapavija dhe u detyruam që të bëjmë tërheqje taktike nëpërmes lumit Bistrica dhe të bllokohet rruga që shpiente në drejtim Gllogjan e Llugagji dhe ura e cila kalonte mbi lumin Bistricë dhe vazhdonte në drejtim të Jabllanicës (Shqiponjës), e cila ishte objekt i rëndësishëm dhe duhej të mbrohej me të gjitha mjetet që kishim.
Në krahun e majtë të sulmit të armikut bëmë bllokimin e rrugës kryesore Gllogjan-Kosuriq, para shkollës tek ura dhe morëm pozicionet në anën e majtë në pjesën veri-perëndimore në pritje të forcave okupatore serbe nga drejtimi i Bokshiqit. Të gjitha këto operacione taktike luftarake u zhvilluan me njësitin operativ për intervenime të shpejta nën komandën e eprorit Esat Ademaj.
Udhëheqja e operacioneve dhe marrja e raporteve nga vija e parë e frontit u bë nëpërmes komandës së brigadës me organet përkatëse siq ishin: Sistemi i përgjimit, ndërrlidhjes e vëzhgimit të operacioneve
Si bëhej në atë kohë dhënia e urdhërave dhe dërgimi i informatave që është një segment i rëndësishëm në zhvillimin e operacioneve luftarake?
Major Nazif ramabaja: Udhëheqja e operacioneve dhe marrja e raporteve nga vija e parë e frontit u bë nëpërmes komandës së brigadës me organet përkatëse siq ishin: Sistemi i përgjimit, ndërrlidhjes e vëzhgimit të operacioneve nga ana e grupit vëzhgues dhe dërgimi i informatave nëpërmes korierëve të cilët luajtën një rol të rëndësishëm.
Në dhënien e urdhërave të cilat lëshoheshin nga ana e shtabit të brigadës, dërgimi i tyre deri te njësitet operative intervenuese dhe anasjelltas në mungesë të mjeteve të ndërlidhjeve (të gjitha këto informata shenoheshin në harta topografike) ndihmesë të jashtëzakonshme jepte Asim Lokaj dhe sipas situatës në terren merreshin vendimet luftarake.
Të gjitha këto i përcolli komandanti i vetëshpallur në Lugun e Baranit me profesion mjek ortoped, Dinë Krasniqi, të cilin e kisha vendosur pranë vetëm e vetëm për të parë ai vet dhe për të fituar bindjen se si duhet komanduar dhe vepruar në rrethana të jashtëzakonshme dhe mënyrën e zhvillimit të operacioneve luftarake drejtpërdrejt në terren, pas epërsisë së armikut në armatim dhe teknikë luftarake.
Në Lugun e Baranit zhvillohej luftë e rreptë. A kishit nevojë për ndihmë dhe kush u erdhi në ndihmë që të detyrohet armiku të tërhiqet?
Major Nazif Ramabaja: Gjatë luftimeve njësitet tona operative nuk patën humbje në njerëz dhe teknikë, por patëm vetëm tre të plagosur nga granatimet të cilat ishin të pandërprera dhe herë-herë me intensitet të lartë nga të gjitha kalibrat e armatimit të rëndë artilerik, tankist dhe kundërajror. Në mbrëmje na erdhën në ndihmë njëzetëeshtatë luftëtarë nga shtabi i Isniqit dhe pesë nga Broliqi të cilët shprehën dëshirën që të kyqen në vijën e parë të frontit të eprori Esat Ademaj.
Ne i kyqëm në luftë sipas gjendjes në teren, nevojës dhe vullnetit të tyre sepse kishin dëgjuar se luftë e madhe është duke u bërë në regjionin e Lugut të Baranit ku kishin shpreh vullnetin e tyre të jenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në një anë e në anën tjetër oficerëve të kësaj brigade iu kishte rritë fama pas zhvillimit të Betejës së Loxhës dhe fitimit të saj.
Në orët e vonshme të natës diku pak para mesnate erdhi Esati dhe më raportoi se e ka vështirë të rezistojë në vijën e parë të frontit nëse nuk i dalim në ndihmë. Pas këtij raporti bëra riorganizimin e vijës së parë duke angazhuar forcat shtesë (rezervën) dhe disa luftëtarë të fshatit Kosuriq. Ndihmesë të konsiderueshme dha komandanti i shtabit lokal, Selim Kelmendi posaçërisht në ushqim.
Nga rrezistenca e ushtarëve tuaj armiku ndërroi planin e sulmit, duke marrë drejtimin e Nepolës?
Major Nazif Ramabaja: Sulme të pandërprera vazhduan forcat e armatosura të krahut të djathtë afër Llugagjisë dhe detyrimi i njësiteve operative për qëndresë dhe mbajtjen e objekteve të rëndësishme të cilat kishin rol kyq në strategjinë e mëtejme dhe ishin qelësi i rezistencës për mbajtjen nën kontroll të forcave të armatosura këtë drejtim, i cili ishte damari kryesor në Rrafshin e Dukagjinit, si në pikëpamje ushtarake ashtu edhe në atë civile sepse kishte dyndje të madhe të popullatës në këtë rajon ku sipas disa vlerësimeve 10% e popullatës së Kosovës ishte zhvendosur nga vendbanimet e tyre.
Për shkak të pamundësisë së depërtimit të armikut në drejtimin Gllogjan-Llugagji, ai bëri zëvendësimin e sulmit kryesor me atë rezervë duke shfrytëzuar drejtimin nëpërmes Nepoles, por në pamundësi që ta kalojë lumin Bistricë, për shkak të rezistencës së forcave tona të armatosura të ura mbi lumin Bistricë u detyrua të sulmojë anës së majtë të lumit (i cili më tutje bashkohej me Drinin e bardhë) në mbështetje të zjarrit artilerik dhe mjeteve tjera: Tankseve, autoblindave, pragave dhe shumëtytshave të tipit “Orkan” të cilat dogjën dhe shkrumbuan pozicionet mbrojtëse të në kodrën e Jabllanicës.
Gllogjani ra në duart e armikut. Çka ndodhi pas kësaj?
Major Nazif Ramabaja: Pas marrjes së fshatit Gllogjan nga forcat okupuese ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbo-ukrahinase në fshat janë stacionuar më se 38 tankse dhe nji pjesë e popullatës është terhequr në drejtim të Llugagjisë, ndërsa pjesa tjetër është strehuar në kishën e fshatit.
Ka filluar kontrollimi i shtëpive dhe ku është gjetur armatim, kanë djegur shtëpitë: Pesë në familjen e Pal Koci por jo edhe shtëpia e tij, ndërsa më së keqi e kishte pësuar shtëpia e Mëhill dhe Rrok Berishës në të cilën forcat okupuese ushtarako-policore dhe paramilitaro mercenare serbe ishin strehuar përkohësisht dhe për shkak se kjo shtëpi kishte qenë mikëpritëse e forcave të armatosura, njësiteve operative dhe ishte mbajtur një tubim me shtabin dhe popullatën e fshatit në të cilin kishin marrë pjesë edhe Ramush Haradinaj si përfaqësues i UÇK-së në cilësinë e komandantit të Rrafshit të Dukagjinit dhe unë (Nazif Ramabaja), përfaqësues i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës në cilësinë e komandantit të Brigadës 131 të njësive operative në Lugun e Baranit.
Rrok Berisha ishte zgjedhur deputet i parlamentit të Kosovës nga Lugu i Baranit i cili u angazhua në mënyrë të veçantë në ndihmesën e njësiteve oparative, pritjen e eprorëve profesionistë, veçanërisht u dallua për angazhim si shef për informim në Brigadën 131 si dhe dha kontribut të çmueshëm në Isniq në ndihmesën dhe shpëtimin e popullatës civile gjatë ofenzivës së armikut në gusht-shtator 1998.
Në Nepole ato ditë u bë rezistencë e madhe. Armikut i shkaktuat humbje dhe ai pastaj filloi të hakmirret?
Major Nazif Ramabaja: Në fshatin fqinj, në Nepole falë syqeltësisë dhe organizimit të mirë të shtabit lokal dhe angazhimit të parezervë të Nikë Krasniqit, kordinatorit në mes subjekteve politike dhe njësiteve operative, u bë rezistencë e madhe me të gjitha forcat që kishin, duke i shkaktuar armikut humbje në njerëz: dy policë të vrarë e një i plagosur, me të cilat humbje okupatori nuk pajtohej sepse rritej numri i humbjeve si në njerz ashtu edhe në teknikë luftarake.
Ishin dy tankse të shkatërruara, një autoblindë, tre të plagosur dhe dy të vrarë, ndërsa në anën tonë kishim vetëm katër të plagosur. Si hakmarrje për këto humbje forcat e armikut bën shkrumb e hi fshatin Nepole duke ndezur më se 38 shtëpi. Okupatori këtu përdori planin e spastrimit etnik të kësaj treve duke zbatuar taktikën e “tokës së djegur”.
Pas tërheqjes së popullatës civile jo të plotë nga Jabllanica hynë forcat okupuese ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbe me ndihmën e çetnikëve vendas siq ishte Jagoshi, dhe atyre të ardhur nga Serbia. Zhelko Martinoviçi kapiten i ushtrisë serbe bën masakrimin e këtyre civilëve: Arif Adem Kosumaj 72 vjeç, Hane Ibrahimi 80 vjeç dhe Zize Zekaj duke i prerë në fyt, ndërsa ushtarit të cilit kishte shërbyer në fshat dhe nuk ia mësuam emrin u vra dhe iu kishte hequr kapaku i kokës.
Për dislokimin nga Jasiqi në Prapaqan me urdhërin e të madhit kol. Tahir Zemajt janë kujdesur një ndër heronjt dhe heroinat e Kosovës, Salih Çekaj dhe Sabahate Tolaj
Në atë kohë kishte disa çrregullime rreth përgatitjes së ushqimit, pasi disa kuzhinierë kishin shkuar të tërheqnin familjet e tyre. Kush u doli në ndihmë?
Major Nazif Ramabaja: Në ditën e tretë të sulmit të forcave okupuese serbe, së bashku me Asim Lokajn, i cili kryente detyrën e oficerit përgjues, shkuam në vijën e parë të frontit në pozicionet e njësitit operativ para shkollës së Gllogjanit, bëmë freskimin e luftëtarëve duke u sjellë ushqim (bukë e djath) sepse në një mënyrë ishte bërë çrregullimi i kuzhinës për shkak të shkuarjes së kuzhinierëve për t´i tërhequr familjet e tyre të cilët ishin nga Nepolja. Edhe pas këtyre çrregullimeve në momente të caktuara dhe kyqe për njësitet operative aktivizohej me të gjithë potencialin dhe autoritetin që kishte në këtë rrethinë Rrustem Shala, shef i logjistikës në brigadë.
Sa i përket logjistikës dhe organizimit të prapavijës në momentet më kritike me një vetiniciativë kur nuk lejonin rrethanat luftarake, në bashkëpunim dhe bashkëveprim me shtabin e komandës dhe shtabet lokale grumbullonte, organizonte, depononte dhe shpërndante ushqimin jo vetëm për njësitet operative, por edhe për popullatën e strehuar në Lugun e Baranit. Për këtë ishte ngritur një furrë në Baran për pjekjen e bukëve. Të gjitha ishin bërë nën organizimin e Rrustem Shalës i cili simbolizonte direkun e shtëpisë në Brigadën 131.
I jam mirënjohës edhe babait të Ramadan Gashit (që momentalisht nuk po kujtohet emri), i cili punoi në këtë furrë pa ndërprerë dhe kryente nji punë të madhe dhe shumë të rëndësishme që ushtria të ketë gjithmonë bukë. Në momentin kur dolëm në vijën e parë të vëzhgimit u aktivizuan snajperistat serbë të cilët ishin pozicionuar në shtëpitë e para, mbi shkollë të Gllogjanit dhe kishin hapur dritaret e vogla në përfundim të katit të parë në mënyrë që të veprojnë më lehtë dhe filluan të shtënat në drejtimin tonë
Gjatë atyre viteve të luftës u ka rënë të keni kontakte edhe me komandanten Sabahate Tolaj e komandantin Isuf Haklaj, që ditë më parë u vranë nga dora kriminele. Cila ishte shëmbelltyre e tyre luftarake?
Major Nazif Ramabaja: Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj komandant i policisë ushtarake në brigadën 134-të, të njësive operative të UÇK-së të komanduara nga kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës detyrat i kryenin me shumë përkushtim. Më kujtohet momenti i hyrjes së njësive operative të UÇK-së nga Shqipëria në Kosovë dhe ndalimi i përkohshëm në Jasiq, për shkak të mosmarëveshjeve, të cilat për opinion janë të njohura nga intervista e korrikut të vitit 2002.
Për dislokimin nga Jasiqi në Prapaqan me urdhërin e të madhit kol. Tahir Zemajt janë kujdesur një ndër heronjt dhe heroinat e Kosovës, Salih Çekaj dhe Sabahate Tolaj. Nga shpirti i kësaj luftëtareje dilte dhe shpërthente jashtë një vrull, elan, entuziazëm, ndërsa nga fytyra e saj rrezatonte një vendosshmëri, qëndrueshmëri dhe dëshirë e flakët për të luftuar deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës me çka u shqua edhe si organizatore dhe kishte kujdesje të veçantë për furnizimin e ushtarëve dhe eprorëve që nga ushqimi deri tek teknika ushtarake. Ishte kujdesur për eprorët të cilët kishin hyrë në luftë në Koshare pa pistoleta personale.
Një ndër ta ishte edhe oficeri Fadil Hadergjonaj, i cili pas rënies në fushën e nderit të komandantit Salih Çekaj, kishte marë detyrën e komandantit të Brigadës 134. Sebahatja kryente detyrën e komandantes së logjistikës në këtë brigadë dhe duke dërguar material luftarak nga Ministria e Mbrojtjes, gjegjësisht depoja në Laprakë për në Koshare, ndalon në Qendrën stërvitore në Kolsh, ku isha duke i stërvitur ushtarët për hyrje në Koshare dhe thyerje të kufirit. I dhashë skuadrën policore e cila ishte njësi speciale e komanduar nga Izet Beqiraj dhe pastaj ra dëshmor në Koshare dhe një pistoletë që t´ia dërgojë special oficerit Fadil Hadergjonaj, çka dhe e kreu me sukses.
Në fund edhe pse i kam dërguar telegram edhe njëherë i ngushëlloj familjet e Sabahate Tolaj dhe të Isuf Haklajt i cili është shquar si komandant i policisë ushtarake me një profesionalizëm të lartë, energji dhe vendosmëri për kryerjen e të gjitha urdhërave dhe detyrave luftarake, bashkëluftëtar dhe kolegë i Sabahates, i cili pas një gjendje komme ndërroi jetë në spitalin e Prishtinës, ndërsa pjesëtarit të SHPK-së Hysen Lataj i dëshiroj shërim sa ma të shpejtë dhe kthim në vendin e punës.
Armiku përdori taktikën e marrjes së informatave duke lansuar individë si “satelitë” në territorin të cilin e kishin nën kontroll njësitet operative si p.sh në Lugagji, por këtë e zbuluam nëpërmes të sistemit të përgjimit në brigadë dhe persona e tillë ndaloheshin…
Pasi që fronti me armikun zgjati një kohë më të gjatë, ndihej nevoja e zëvendësimit të komandës, kurse armiku lansonte edhe “satelitët “ e tij për marrjen e infomatave të cilat nuk i shkonin?
Major Nazif Ramabaja: Kisha planifikuar që ta bëj zëvendësimin dhe freskimin me forca rezervë të cilat i mbaja në sigurimin e repartit ushtarak dhe stërvitjeve të brendshme, por morali për të qëndruar në pozicione ishte aq i fortë sa që edhe pas dyzetë e dy orësh pa marrje të ushqimit të ngrohtë, duke e hargjuar edhe rezervën e kompletit luftarak dhe duke u mbështetur në prapavijën e shtabit lokal të Kosuriqit dhe logjistikës së brigadës, këto forca me dëshirën e tyre dhe moralin e lartë vazhduan që ta mbajnë frontin.
Por për shkak të lodhjes së madhe të eprorit Esat Ademaj, bëra zëvendësimin e tij me eprorin Musa Dragën dhe këtij të fundit në mënyrë vullnetare iu bashkangjit Naim Krasniqi nga Vranoci i cili ishte një luftëtar i shqëlqyeshem dhe i papërtueshëm në dhënien e ndihmës aty ku u kërkonte nevoja për mobilizimin e të gjitha forcave dhe kryerjen e detyrave luftarake.
Armiku përdori taktikën e marrjes së informatave duke lansuar individë si “satelitë” në territorin të cilin e kishin nën kontroll njësitet operative si p.sh në Lugagji, por këtë e zbuluam nëpërmes të sistemit të përgjimit në brigadë dhe persona e tillë ndaloheshin, izoloheshin dhe shfrytëzoheshin për marrjen e informatave të cilat ishin më se të rëndësishme për njësitet operative.
Duke e vërejtur armiku se nuk po iu arrijnë informatat e duhura filloi të shprehë nervozizëm nëpermes zhvillimit të manovrave të paplanifikuara dhe kontrolluar mirë. Provokimeve të tilla iu përgjigjeshim me mbylljen e shtegjeve, drejtimeve sulmuese nëpërmes vëzhgimit të zonës përgjegjëse të brigadës me qëllim që të përforcojmë sistemin e zjarrit, rrethimin e zonës dhe daljen në vijën frontit Gllogjan-Bokshiq-Çeskovë-Këpuz si dhe lidhja në bashkëveprim me luftëtarët e Jabllanicës të cilët i takonin zonës së Dushkajës, t´i përforcojmë pozicionet dhe të kalojmë në kundërofenzivë.
Cila do të ishte analiza e shkurtër e operacioneve triditore luftarake në Lugun e Baranit?
Major Nazif Ramabaja: Analiza e operacioneve luftarake në Lugun e Baranit prej 2 deri 4 gusht 1998 u bë me komandantët e shtabeve lokale të fshatrave: Kodradiq, Vranoc, Rashiq, Turjakë, Baran, Çallopek, Kosuriq, Lugagji, Gllogjan, Nepole, Këpuz, Çeskovë, Raushiq, Loxhë, Lugmir, Lozhan, Graboc, Baran i Epërm dhe Rosujë. Kjo analizë u bë në mënyrë profesionale, duke shfrytëzuar hartat topografike dhe planet e hartuara gjatë dhe pas ofenzivës me të gjitha elementet e renditjes luftarake me theks të posaçem në lëshimet eventuale, gjërat pozitive dhe veprimet në të ardhmen duke i avancuar dhe bërë më efikase.
Cilave qëllime dhe detyra u kushtonit rëndësi më të madhe?
Major Nazif Ramabaja: Me rëndësi ishin: Informimi i gjithanshëm dhe efikas, me shfrytëzimin e sistemit të hierarkisë ushtarake nga lartë-poshtë dhe anasjelltas me aktivitetet luftarake të zhvilluara në zonën përgjegjëse të brigadës në koordinim dhe bashkëpunim me forcat lokale, domosdoshmëria e qëndrimit dhe rezistencës dhe moslargimi nga fronti pa urdhër për tërheqje, evakuimi i popullatës civile sipas planit të hartuar më parë dhe në koordinim të ngushtë me shtabin e brigadës, përgatitja e të gjitha shtabeve në zonën përgjegjëse të brigadës e posaqërisht shtabit të Loxhës, Raushiqit, Grabocit, Lugmirit dhe Llozhanit për nji sulm të mundshëm të forcave okupuese ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbo-ukrahinaso-beloruse, me qëllim të zhbllokimit të rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë dhe Pejë-Deçan-Gjakovë. Përveç kësaj të gjithë të pranishmëve iu dhanë edhe detyra konkrete siç ishin:
1. Mospërzierja në kompetenca të tjetërkujt dhe përfshirja në to,
2. Ndërtimi i strehimoreve në çdo fshat,
3. Dëgjimi, vëzhgimi dhe qëndrimi në pozicionin e zjarrit,
4. Dalja në vijat e para të frontit, rrethimi dhe sigurimi i zonës përgjegjese të brigadës me ushtarë të njësive operative,
5. Dërgimi i ushtarëve me armatim të rëndë nga të gjitha shtabet lokale në shtabin e brigadës në mënyrë që të stërviten: Të hyjnë në repart, stërviten e pastaj të kthehen në shtabet lokale të përgatitur dhe të pajisur me njohuri të reja luftarake.
Ju keni vendsour që si komandant, disa bashkëveprimtarë, individë dhe të tjerë që kontribuan me ndihma të ndryshme t´i falënderoni?
Major Nazif Ramabaja: Ashtu është. Të gjithë atyre me të cilët kam pasur në këtë apo atë mënyrë kontakt dhe bashkëpunim ju jam mirënjohës dhe shprehu falenderimin tim. Një pjesë me të cilët kam pasur kontakte gati të përditshme kam vendosur që t´i nxjerri nga arkiva dhe t´u shpërndaj mirënjohje me shkrim, për çka kam angazhuar përfaqësuesin tim Z. Mëhill Berishën, i cili ka barrën më të rëndë si fizike ashtu edhe materiale, sepse të gjitha shpenzimet e shtypjes, postale, ardhje-vajtje i ka mbuluar vetë, për këtë i jam dyfish mirënjohës dhe zoti e shpërbleftë. Në mesin e atyre që merituan mirënjohje është edhe gazeta jonë kombëtare “Bota sot” e cila sikurse para luftës, gjatë luftës dhe tashti është duke e luajtur një rol të rëndësishëm në infomimin objektiv të lexuave të saj.(M. DRAGIDELLA)
No comments:
Post a Comment