Emri i Bratisllav Dikiqit i arrestuar sot në Podgoricë, si i dyshuar për sulme terroriste nuk është i panjohur në Kosovë.
Ish-shefi i xhandarmërisë serbe kishte ndërhyrë edhe në zgjedhjet serbe që po mbaheshin në Kosovë më 4 nëntor të vitit 2013. Ai në atë kohë, që mbante postin e zëvendësdrejtorit të Policisë serbe ishte akuzuar nga partitë opozitare se kishte vendosur eksploziv në disa vendvotime në mënyrë që t’i ndërpriste zgjedhjet.
Këto akuza i kishte mohuar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë duke thënë se të gjithë ata që kanë shkaktuar dhunë do të ndiqen penalisht.
Bratisllav Dikiq është arrestuar mbrëmë në Podgoricë së bashku me 19 persona tjerë të gjithë shtetas të Serbisë me akuzën për sulme terroriste ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi. Prokuroria e Malit të Zi ka thënë sot se Dikiq së bashku me grupin e armatosur kriminal kishin për qëllim që të sulmonin qytetarët, ta marrin Qeverinë me dhunë si dhe të kidnaponin kryeministrin aktual Millo Gjukanoviq.
Sipas këtyre burimeve, ata janë Velimiroviq Stefan (1991), Kovaçeviq Bojan (1976), Bozhoviq Vlladimir (1995), Kovaçeviq Goran (1999) , Gjorgjeviq Lluka (1998), të gjithë këta nga Mitrovica, si dhe Gjorgjeviq Nikolla (1995) nga Zubin Potoku.
Ata të shtunën kanë hyrë nga Kosova në territorin e Malit të Zi, ku kishin planifikuar sulme terroriste.
“Ky grup i armatosur dhe i udhëhequr nga ish shefi i xhandarmërisë serbe, Bratisllav Dikiq, kanë planifikuar sulme terroriste në ditën e zgjedhjeve, me qëllim të marrjes së pushtetit me dhunë, duke përfshirë këtu edhe kidnapimin e kryeministrit aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq”, kanë thënë burimet.
Burimet më tej kanë shtuar se një pjesë e këtij grupi, besnik të politikës së Serbisë në drejtim të Kosovës, kanë gjetur strehë në veri të vendit, të mbështetura edhe nga elemente radikale e pro-ruse, janë stërvitur gjatë muajit shtator dhe tetor intensivisht për akte terroriste.
KosovaPress ka provuar të kontaktojë me përgjegjësit e policisë në veri të Mitrovicës, për të marrë një prononcim nëse personat e arrestuar nga Mitrovica janë të njohur për policinë për shkak të së kaluarës së tyre, mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Ndryshe, Bratisllav Dikiq, ish shefi i xhandarmërisë serbe, kishte ndërhyrë edhe në zgjedhjet serbe në Kosovë, të mbajtura në nëntor të vitit 2013. Ai në atë kohë, ishte akuzuar nga partitë opozitare se kishte vendosur eksploziv në disa vendvotime në mënyrë që t’i ndërpriste zgjedhjet.
No comments:
Post a Comment