ARBEN KONDI
Ditët e fundit, gjatë dhe pas vizitës së z. Ilir Meta në Athinë, kur për shkak të ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të çështjes çame, fqinji ynë jugor i kërciti fort dhëmbët dhe i tregoi muskujt Shqipërisë, tok me gruan e me një grup miqsh rastisi që nëpërmjet një udhëtimi turistik të rrugëtonim për drejt Stambollit, Sofies e Shkupit pikërisht përmes Greqisë. Duke qenë se Athina shmangej në juglindje, do të vizitonim Selanikun. Shumë shpejt, në pikën kufitare të Kapshticës patëm trisht në sy.
Kjo jo thjesht pse doganierët grekë,mes një kapadajllëku tipik ballkanas silleshin harbutçe me shqiptarët, por edhe sepse në hapësirën mes fshatrave të Follollorinës e Kosturit nuk shquhej më qoftë edhe një shenjë e vetme shqiptare. Madje edhe vetë Negovani i Papa Kristos së paharruar ishte përhumbur. Kur pimë një ekspres buzë liqenit të Kosturit nuk dëgjuam të flitej as edhe një fjalë shqip. U përpoqa të llafos edhe me disa të moshuar, por për fat të keq as ata nuk reaguan, nuk më dhanë përgjigje. Ndërkohë historia thotë se po thuajse 100 vjet më parë, pas traktatit greko-turk të Lozanës (Zvicër 1923), pa zënë në gojë Çamërinë, Athina zyrtare përzuri nga kjo zonë me dhunë për në Turqi plot 35000 mijë shqiptarë.
Orët, koha bënë të tyren. Herë mes fushave e plantacioneve të paana, herë mes maleve tër pyje, e herë mes kaltërsisë së detit, trishti sikur na u zbeh nga sytë. Duhet thënë e pranuar se Greqia është jo vetëm një vend i bukur turistik, por në të njëjtën kohë është vendi më i zhvilluar i Ballkanit. Selaniku qe befasues. Për të pasur një kujtim prej tij bëmë fotografi përpara monumentit të Aleksandrit të Madh që pavarësisht se grekët e konsiderojnë të tyrin, nëna e tij mbetet epirote, pra ilire, shqiptare.
Ndërkohë lajme të shumta na vinin përmes internetit, celularëve. Bëhej me dije se grekët vazhdonte t’i tregonin muskujt herkulianë atdheut tonë. Madje ministri i tyre i jashtëm, zoti Kocias kishte arritur deri atje sa t’i kërcënonte hapazi shqiptarët se nëse ata do të vazhdonin ta ngrinin çështjen çame, atëhere Shqipëria rrezikonte që më 9 nëntor të mos fitonte të drejtën e hapjes së negociatave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Grekët si edhe në rastin e emrit të Maqedonisë do të përdornin ndaj nesh veton. Kurse vreri propagandistik kundër popullsisë së pafajshme çame po njihte pikun e tij.
Ai vërshonte në mediat e gazetat e tyre me fuqinë e atyre lumejve malorë që veç llumit sillnin me vete edhe gurë edhe kërcunj të rëndë. Si rëndom, çamët akuzoheshin për bashkëpunim me pushtuesit, kur dihet se vetëm në regjimentin e XV të ushtrisë partizane greke që mbante emrin e Ali Demit kanë luftuar mbi pesëqind djem çamë, pa përmendur pastaj këtu pjesmarrjen e gjerë të rinisë çame në radhët partizane shqiptare. Ndërsa PDIU-ja, partia çame, pjesmarrëse edhe në koalicionin qeveritar shqiptar është vënë në thep të pushkës së tyre, në mirinë të gjuetisë së tyre shtrigane.
Ndërkohë që pas Selanikut pushimin e parë e bëjmë në Kavalla, një qytet i bukur ky që të sjell pranë imazhin e Sarandës. Kalaja e ndërtuar prej Ibrahim pashës (Pargaliut) është vërtet madhështore. Ajo lartohej kurorë mbi qytet dhe e qarkon atë anë e mbanë. Tek lëmë pas qytetin e Verias dhe tok me të edhe Maqedoninë antike lindore, në të majtën tonë, sërish pas plantacioneve frutore ravijëzohen konturet e larta të maleve Rodope.
Rrëzë tij shtrihet qyteti i Xankthit që për shkak të largësisë e për fatin tonë të keq nuk arrijmë ta shquajmë si duhet. Në autostradën e re pothuajse me tri korsi, një tabelë na njofton se po ecnin drejt qytetit të Komitinit. Gjëndemi kështu në hapësirën perendimore të Thrakës së vjetër. Pikërisht këtu, në krahun tonë të majtë fillon edhe befasia më e madhe. Sikur të mos udhëtonin në Greqi, por në Turqi shfaqen radhë radhë një tërësi fshtrash ku në qëndër të tyre lartohen sa e sa minare të larta xhamish. Pas një dremitje të lehtë, duke më vështruar disi me habi ime shoqe pyet:
- Jemi në Turqi?! Kaluam kufirin kështu?!
- Jo, jo. Gjendemi ende në Greqi. - i përgjigjem unë.
- Po ç’ne xhamira në Greqi?!
- Me sa duket jemi në zonë kufitare. - përgjigjem duke u përqëndruar edhe më në atë pejsazh.
- E ë ë, - bëri Mirela. - Si fuqi e madhe nga Turqia Greqia ka frikë. Kurse nga ne… Në Çamëri ajo i ka rrafshuar të gjitha xhamitë.
Nuk reagova më. E ç’mund të thoja më? Urtësia popullore thotë se fshati që duket s’do kallauz. Më ishte prishur, më ishte trazuar përsëri qetësia. Më humbi përqëndrimi tek natyra, tek udhëtimi. Solla ndër mend vizitën tonë të fundit në Çamëri të bërë para pak muajsh. Në asnjë fshat apo qytet, ne nuk na kishte zënë syri ndonjë xhami. Ndërsa minare të këputura si dhe rrënoja të shumta të tyre kishim parë kudo si në Koskë, Filat, Margëlliç e gjetiu. M’u kujtua edhe një libër i studjueses së mirënjohur britanike Miranda Vikers që thotë se shtetit grek i takon t’i ruajë e t’i mirëmbajë monumentet kulturore të Çamërisë siç bënka me monumentet shpirtërore të minoritetit turk këtu në Thrakën e largët në kufi me Turqinë. Ndërkohë që për çamët ortodoksë nuk bëhet fjalë fare. Politika greke ata i konsideron si shtresë e padukshme, paçka se në vatrat e tyre flasin vetëm shqip. Lëre më pastaj të mendosh që hirësia e tij Anastas Janollatos të vejë atje e të kryej ndonjë meshë në gjuhën amtare.
Arritëm në pikën kufitre greke. Për të shmangur pritjen e gjatë e torturonjëse të doganierëve grekë u përqëndrova sërish në celularin tim. Kurioziteti për të rejat më të fundit nuk po më linin të qetë. Por çuditërisht këtu sjellja greke që ndryshe, ishte shumë më korrekte se në pikën kufitare të Kapshticës. Këtu nuk na vonuan fare. Madje kur zbritëm dhe hymë në dyqanin“Duty free” ku mallrat shiteshin pa komision, shitëset greke na pritën dhe na buzëqeshnin miqësisht.
- Po çuditem me sjelljen e tyre, - u shpreh ime shoqe. - Me siguri këto na marrin për turq.
Hamolloqesha hidhur dhe dola jashtë. E dija se ime shoqe do vonohej në atë dyqan.Kështu që ju ktheva celularit për të mësuar të rejat lidhur me acarimin më të fundit të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Po çfarë të lexoja?! M‘u prish sërish humori. Grekët patën marrë revan të ri. Kërcënimet e tyre qënë bërë më të fuqishme. Bile ata kishin lënë si mënjanë edhe vetë deklaratën e komisionerit Han për trajtim të përbashkët të çështjes çame. Kocias, ministri i tyre i jashtëm, duke harruar se të dy vendet fqinje janë anëtarë të NATO-s po i tregonte dhëmbët Shqipërisë. Ai kujtonte se Greqia është dhjetë herë më e fuqishme ushtarakisht se Shqipëria. Tani nuk po përfoleshin më çamët, por theksohej se Shqipëria keqtrajtonte rëndë minoritetin grek. Ndërkohë që presidenti grek duke kërkuar varreza të reja në Vorio-Epir, me siguri e konsideron jugun e Shqipërisë si tokë greke.
No comments:
Post a Comment