I dashur Flori,
Po ju drejtohem juve, si moderator i mirënjohur i portalit të nderuar "Agjencioni Floripress",pasi lexova me shumë vëmendje Promemorien e historianit atdhetar Isuf B. Bajrami për Çështjen Çame.
Unë mendoj se Çështja Çame nuk ka asngjë dallim nga Çështja e Kosovës. Edhe në Kosovë, edhe në Çamëri, respektivisht, regjimet fashiste të Beogradit dhe të Athinës ushtruan gjenocid të pashembullt në historinë e njerëzimit: vranë fëmijë, gra, pleq dhe plaka të pafajshme, shkatërruan dhe dogjën në mënyrë masive pronat e shqiptarëve rrënjës, përdhunuan në mënyë masive femrat shqiptare dhe ata që mbetën gjallë i dëbuan me dhunë nga vatrat amtare. Por në Kosovë regjimi fashist i Millosheviçit mori ndëshkimin e duhur nga Aleanca e NATO-s me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të dëbuarit me dhunë u rikthyen në vatrat e tyre. Kurse shteti nazifashist grek ka mbetur pa u ndëshkuar për gjenocidin e tmerrshëm që ushtroi kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë. Përderisa shteti i sotëm grek e vlerëson si të paqenë Çështjen Çame, kjo do të thotë thotë se ai qëndron në të njëjtat pozita si edhe shteti nazifashist grek i viteve 1944-1945, i cili masakroi aq barbarisht popullsinë e Çamërisë. Fakti që kryeministri Tsipras ka emëruar si ministër të jashtëm një nazifashist, si Kotzias, i cili babain e vet e ka pasur bashkëpunëtor me damkë të nazifashizmit gjerman, dëshmon më së miri se shteti i sotëm grek nuk ka lëvizur as edhe një milimetër nga pozitat e nazifashizmit në qëndrimin ndaj Çështjes Çame.
Në dallim nga historiani i nderuar Isuf B. Bajrami, i cili mendon se Çështja Çame është e standardeve të Bashkimit Evropian, unë mendoj të kundërtën. Bashkimi Evropian ka qenë dhe mbetet ai që e ka përkëdhelur dhe vazhdon ta përkëdhelë Athinën në një mënyrë të çuditshme. Pikërisht Bashkimi Evropian është ai që ka heshtur dhe vazhdon të heshtë para qëndrimit sa paradoksal, aq edhe racist të shtetit grek ndaj Konventës evropiane për njohjen e minoriteteve. Athina nuk e ka ka nënshkruar këtë Konventë dhe Brukseli është treguar dhe vazhdon të tregohet shurdhmemec për këtë qëndrim skandaloz të shtetit grek.
Çështja Çame është një Çështje e pastër politike dhe nuk është çështje pronash, të cilat shteti shovinist grek i quan të mbyllura nëpërmjet vendimeve të gjykatave greke, në përputhje me ligjin fashist të luftës që vazhdon ta mbajë në fuqi që prej vitit 1940. Çështja Çame duhet të zgjidhet nëpërmjet kthimit të popullsisë së dëbuar në vatrat e veta stërgjyshore, rikthimit të pronave dhe kompensimit tërësor të dëmeve të shkaktuara gjatë ushtrimit të gjenocidit dhe të shfrytëzimit të tyre nga ana e shtetit grek që prej vitit 1944. Ky objektiv madhor me rëndësi kombëtare mund të arrihet vetëm me ngritjen e zërit të fuqishëm të Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në tribunën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gomarin e nxjerr nga balta vetëm i zoti. Po shkuam me mendimin që Çështjen Çame të na e zgjidhë Bashkimi Evropian, shpresat janë të humbura. Bashkimi Evropian mund të bëhet mbështetje e besueshme vetëm atëherë kur zëri i Tiranës zyrtare të ushtojë fuqishëm në tribunat e Brukselit për zgjidhjen e Çështjes Çame.
Prof.Dr.Eshref Ymeri
Kolumbus, Ohajo
21 tetor 2016
No comments:
Post a Comment