Pas vitit 2002 do të vinte tatëpjeta e aviacionit ushtarak të Shqipërisë. Pas vendimit të ish-ministrit Zhulali në 1992 për të nxjerrë në lirim ajkën e drejtuesve të aviacionit, nisi edhe shpërbërja e kësaj arme. Vit pas viti, deri në 2005 kur doli edhe urdhëri për shkatërrimin e flotiljes së avionëve reaktivë, qeveritë do të punonin që Shqipëria të mos kishte fare aviacion luftarak.
Si do t’i vlerësonit sot kolegët tuaj?
Kolegët ishin njerëz të sakrificës. Jeta është e gjatë, por na ka ardhur shumë keq se si u veprua p.sh. me aviacionin. Kur dëgjova për urdhërin e reformës së parë u skandalizova shumë keq. Nuk lashë njeri pa marrë në telefon. Urdhëri i ministrit Zhulali në 1992 ishte se kush ishte 47 vjeç e lart të lirohej. I bie një lapsi, sepse i njihja të gjithë dhe në pension kisha dalë në vitin 1989. Në tre rregjimente, Farka, Shkolla e Aviacionit dhe Skuadrilja e Transportit, duke hequr moshën 47 vite e lart nuk ngelej asnjë udhëheqës fluturimi, i cili është piloti më i kualifikuar.
Po kush do i drejtonte më tej këta pilotë? Të bëhesh udhëheqës fluturimi do stazh. Pasojat u ndjenë shpejt. Një herë do të bënim një stërvitje me NATO-n në Kavajë. Mirëpo ajo kishte edhe fluturime natën. U thanë në Rinas që të përgatiteshin për të fluturuar natën. Ata thanë se kishin një vit që nuk fluturonin natën. Nuk e dimë, përgatituni dhe keni 20 ditë kohë. Më marrin në telefon nga Rinasi: shoku komisar na fal po kështu, kështu e kemi punën dhe po deshe hajde. Po nga ju lindi kjo ide juve, si mund të vij unë, kur kam dalë në pension? Po na kanë dhënë urdhër.
U thashë se pranoja por tu thonin eprorëve se do të vija me kusht, që të kontrolloja pilotët nëse kanë bërë pushim, apo jo, sa kohë kanë pa fluturuar, t’i eleminojnë fluturimet pastaj të fillojnë me ne të fluturojnë 10 netë dhe pastaj të na bëjë gati. Nuk e pranuan. Atëherë i këshillova që të mos ngriheshin në ajër, ndryshe do të ngrija të gjithë në këmbë me gazeta dhe media. Kaluan gjashtë muaj dhe doli vendimi tjetër që të liroheshin oficerët e aviacionit nga mosha 42 e lart. Pra në punë u mbajtën pilotët që nuk fluturonin as në re as natën. Ku do shkonim kështu?
U hoqën edhe teknikët e mirë dhe u mbajtën krundet. Por nga kjo u vranë njerëz. P.sh. u vra jani tarifa dhe nuk është aspak e vërtetë se u vra për gabim njerëzor. Për atë avion me të cilin fluturoi ai, MIG-19 nuk kishte një specialist për të kontrolluar një aparaturë shumë të rëndësishme drejtimi, sepse ishin liruar të gjithë dhe u fut një kapter, i një profesioni tjetër që nuk merrte vesh. Nga ana tjetër piloti kishte një javë që nuk kishte qenë në repart dhe merrej me tregti në jug.
Atë natë u kthye vonë nga Saranda dhe sapo erdhi në Tiranë u ngrit në fluturim. Askush nuk e kontrolloi avionin. Ka një automat të drejtimit të cilin s’e kishte parë njeri, por ai të vret.
Pra ajo që ndodhi me nxjerrjen e avionëve për skrap ishte hapi i fundit i asaj që kishte nisur që në vitet ’90?
Ka ndonjë rast nëpër botë, ku është eleminuar aviacioni luftarak siç ka ndodhur te ne?
Jo, përkundrazi. Ja kemi Maqedoninë e cila nuk e kishte dhe e ka krijuar aviacionin dhe ka blerë avionë luftarakë. Sepse Serbia kur u nda ish-Jugosllavia nuk ia dha, i la ca me helikë dhe sot ajo ka blerë avionë reaktivë.
Nxorrën një teori se ishin të vjetëruar. Kujt i thua i vjetëruar? E para e punës avioni nuk është një bagëti që u vjetërua dhe duhet të theret, nuk është një pemë që kaloi 400 vjet dhe u tha. Është një teknikë që e ke ti në dorë. Ti si shtet ke krijuar bazën e riparimit që është më e mira në Ballkan. Të shkosh në Uzinën e Aviacionit në Kuçovë, që është për remont kapital, ata qe e kanë parë mbeten pa mend.
Kur arrin të bësh remontin kapital të motorrit turbo-reaktiv, është një shkallë shumë e lartë. Të arrish të bësh një banko-provë që nuk e ka Europa. Pra një aparaturë që prodhon cilësitë e të gjitha llojeve të riparimit, të avionit dhe të motorrit në vend. P.sh. ne në atë kohë, kur kryeinxhinier i aviacionit ishte Perikli Teta, ai ndenji 6 muaj për të marrë në Suedi dy banko-prova për MIG-21 dhe MIG-19 dhe e morën, pasi pagoi shteti qimet e kokës. Banko-prova e bën avionin të duket sikur është i ri, sepse aty i bëhet remonti kapital.
Madje në vitin 1999, kur në Rinas ishin amerikanët, dhe unë ndodhesha atje se kisha krijuar fototekën, më thanë të shkoja te uzina e riparimit të mesëm. Shikoj dy pilotë francezë, që pyesin pse është ky avion këtu. Kërkuan leje për t’u futur në kabinë. Piloti francez harroi që inxhinierët dinin frëngjisht dhe tha i thotë shokut se: “ky qenka më i ri se ai “Mirazhi” që kam unë atje përtej. A sa qejf do të kisha të fluturoja unë me këtë MIG-un tuaj!”.
Më pas na tha: “Kam lexuar fjalimin e ish-ministrit tuaj, e kishte fjalën për Zhulalin, që ka deklaruar se Shqipëria ka avionë të tipave të vjetër. Sa keq”.
“Po- i thamë ne-, ai nuk ishte ushtarak, por mësues matematike e futën edhe në politikë dhe s’kishte ndonjë njohuri. E kishte thënë për të ulur vlerat e qeverisë së maparshme dhe të rusëve.
Kurse ne i prishëm. Kishim një skuadrilje me MIG-21, që janë prishur të tërë. Ata ndoshta janë kështu, por kanë mbaruar, sepse avioni ka një mori detalesh prej gome të presuar, e cila po nuk e ke në punë dhe po nuk pati lagështirën e nevojshme, prishet. Këta avionë po ashtu kanë rezervuarë karburanti prej gome speciale, e cila, po nuk qe e lagur, del jashtë përdorimit. Atëherë që t’i vësh në funksion duhet t’i ndërrosh të tëra këto, por një riparim i mesëm i një avioni bën rreth 360 milionë lekë.
Kurse ai kapital shkon deri një 1 miliard lekë. Prandaj e shkatërruan aviacionin dhe kjo është gafa më e madhe. U bënë dhe sot ia kemi lënë grekut të na e ruajë hapësirën ajrore, ndërsa nga ana tjetër del ministri i jashtëm grek dhe të kërkon Himarën, Korçën, pra duke treguar se është strategji shtetërore. Ata deputetë që vijnë në Himarë, qoftë të PASOK-ut, apo të Demokracisë së Re, janë në një koncept, pra që po ta gjeta rastin, ta tregoj qejfin.
Por a mund të ndodhë kjo se ne jemi në NATO?
Është një gënjeshtër. Dhe populli nuk i di gjërat. Ka qenë një debat shumë i fuqishëm më Parlamentin Europian, rreth tetë vite më parë, pikërisht për këtë. Më duket se fliste Xhanfranko Fini duke thënë se bëjmë harxhime të tepërta për mbrojtjen. Dhe iu ngritën të tërë, sepse tha jemi në NATO. Zotëri e ke lexuar statusin e NATO-s? Ajo nuk përgjigjet për ruajtjen e rajonit brendapërbrenda dhe duhet ta ruash vetë.
P.sh. Italia ka forcat e NATO-s, por edhe forcat e veta. Pra NATO ndërhyn vetëm në konflikte ndërshtetërore. Pse duhet të vijë të të ndihmjë në një rebelim në një krahinë?
Ne s’kemi ushtri, kemi vetëm dy brigada dhe me to duhet të ruajmë vendin dhe këto janë gënjeshtra. Ata janë ushtarë vetëm për të ushqyer NATO-n, se ja jemi me ju.
Mos shkojmë më larg, por në vitin 1999. Akoma e vuajnë ata të kufirit, kur serbi e mbolli me mina. Ku e gjeti atë të drejtë? Që në vitin 1992 e kishte deklaruar shefi i shtabit të ushtrisë serbe se unë me klubin e gjuetarëve e marr Shqipërinë brenda 24 orëve. Sepse ai e dinte se ushtria u shkatërrua, se ushtarët kanë ikur dhe oficerët e kanë mendjen si të sigurojnë jetën dhe nuk kanë as shtëpi, as katandi.
Sot në 60 vjetor jemi shumë të vrarë shpirtërisht. Të dielën do të na çojnë në Farkë. E çfarë të shoh atje? Pse me demonstrime helikopterësh do të më çudisin mua?.
Aviatorët e rënë në krye të detyrës
Ibush Vokshi u vra në Lubjanë, Slloveni, më 1947, atë ditë që do jepte provimin përfundimtar në manovrat fluturuese.
Qemal Mërtiri, në prag të marrjes së titullit pilot reaktivi, kur po kryente figurat e pilotazhit të lartë, ra në pozicion shtopor (figura që avioni bie në një pozicion të pakomandueshëm) në periferi të Novosibirskut, Rusi, në mars 1952.
Vasil Trasha në 1958 ra në një fluturim nate të errët me shi të dendur.
Hektor Lako më 23 mars 1962, vritet në rrëzë të malit të Tomorrit, gjatë një fluturimi tepër të vështirë.
Sokrat Basha vritet në kthesën e tretë të uljes, në kodrat e Prezës.
Niko Hoxha bie aksidentalisht në një qitje-bombardim që zhvillohej për një grup akademistësh në 20 nëntor 1965.
Refit Jazo vritet së bashku me shokun e tij Muharrem Hida gjatë ngritjes nga aerodromi fushor i Lushnjes.
Bego Hoxha ra në një ditë marsi të vitit 1974.
No comments:
Post a Comment