Edhe para luftës, në Kosovën letrare herë pas herë ilegalisht, mbase edhe mund të depërtonte ndonjë vepër ose autor nga periudha e viteve 1930, kryesisht përmes atyre pak nxënësve që shkolloheshin aso kohe në Shqipëri.
Pas luftës, në vitet 1950, krijuesit e parë të letërsisë shqiptare në Kosovë, për mbështetje kishin kryesisht letërsinë gojore (të pasur), fare pak vepra nga fondi letrar i traditës si dhe përvojat e huaja letrare, në radhë të parë ato serbosllave.
Nga emrat e shkrimtarëve, të cilët e kishin filluar veprimtarinë e vet letrare para luftës, do të përmendim këtu vetëm Esat Mekulin dhe Hivzi Sulejmanin.
Esat Mekuli u shqua me lirikën e angazhuar shoqërore dhe kombëtare të shkruar gjatë viteve 1930, ndërsa i dyti solli përvojën e parë më serioze në llojin e prozës së gjatë me romanin dy vëllimesh "Njerëzit I" dhe "Njerëzit Il", si dhe "Fëmijët e lumit tim".
Para tyre Hivzi Sulejmani do të shkruante disa nga tregimet, që edhe sot tingëllojnë moderne.
Ishte poezia ajo që arriti majat e letërsisë shqiptare në Kosovë, duke filluar nga fundi i viteve 1950 e sidomos me emrat: Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Rrahman Dedaj, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Besim Bokshi, Eqrem Basha, Sabri Hamiti ,Iljaz Prokshi etj...
Ndërsa në prozë dallohen:Mehmet Kajtazi, Iljaz Prokshi ,Rifat Kukaj,Anton Pashku, Ramiz Kelmendi, Azem Shkreli, Nazmi Rrahmani, Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Musa Ramadani,Naim Kelmendi etj.
Në Kosovë shumë shkrimtarë patën fatin të burgosen, të persekutohen apo të arratisen e të jetojnë jashtë truallit të tyre.
Pushteti serbosllavë ushtronte dhunën më të egër ndaj intelektualëve që me pushtetin e fjalës përpiqeshin të afirmonin vlerat kombëtare shqiptare.
Kështu e pësuan rreptë nga kjo censurë: Adem Demaçi, Ramadan Rexhepi etj.
Krahas letërsisë shqiptare që krijohej dhe botohej kryesisht në Prishtinë, ajo krijohej dhe botohej edhe në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, kryesisht me prozën dhe poezinë e Murat Isakut, Abdylazis Islamit, e më pas, me veprën letrare të Resul Shabanit, Adem Gajtanit, Agim Vincës, Din Mehmetit etj.
Vlen të përmendet dhe një personalitet i shquar i kulturës, Luan Starova, (shqiptari më i përkthyer sot pas Ismail Kadaresë), por shumica e veprave të tij nuk janë në gjuhën shqipe.
*****
Një pjesë e madhe e letërsisë shqipe e shkruar në gegnisht ka qenë e ndaluar të lexohej dhe të studiohej nëpër shkolla për gjysmë shekulli në Shqipëri.
Për më tepër, pjesa më e madhe e letërsisë së shkruar në këtë dialekt është përshkruar apo përfolur në studimet dhe tekstet zyrtare e shkollore me terma pezhorativë.
Bashkë me faktin se dialekti toskë është në bazë të gjuhës standarde të vendosur që në vitin 1972 në Shqipëri e Kosovë, kanë çuar në një refuzim filologjik, ideologjik, por edhe estetik të letërsisë së shkruar në gegnisht në Shqipëri.
Veç kësaj, pjesa dërrmuese e veprave të shkruara në Kosovë nuk janë lexuar në Republikën e Shqipërisë.
Nëse imagjinari kulturor shqiptar ende nuk ka pranuar leximin filologjik të Atë Gjergj Fishtës, por edhe të Dom Ndre Mjedës (i deformuar me parimin e ‘përsëritje’) e ka shumë të vështirë të pranojë poezitë e Martin Camajt, prozën e Anton Pashkut apo poezitë e Zef Zorbës.
Mungesa e leximit filologjik, në fakt është premisa më e mirë e leximit ideologjik të tyre, pra për mungesën e një leximi simbolik.
Kur flitet për rileximin filologjik, atëherë themi se miti i leximit në letërsinë shqipe ekziston si miti i moslejimit.
Shqipja është shkruar vonë, shqiptarët në masë nuk kanë ditur të lexojnë në kuptimin e alfabetizimit deri gati një shekull më parë.
“Revolucioni i leximit’ që përfshiu Evropën e gjysmës së dytë të shekullit të 18-të, e preku letërsinë shqipe për arsye të njohura.
Por një pjesë e madhe e letërsisë shqipe është ende e pabotuar, rrjedhimisht e palexuar.
Për këtë arsye rileximi i nevojshëm në çdo periudhë, në letërsinë shqipe është fillimisht lexim.
Se pjesa dërmuese e veprave të shkruara në Kosovë nuk është lexuar në Shqipëri dhe se nuk është problem thjesht material, ani pse zgjidhja duket e thjeshtë – të botohen dhe të lexohen.
Letërsia shqipe e shkruar në Kosovë, për fat ka pasur një zhvillim krejt të ndryshëm nga ajo që u shkrua në Shqipëri për gjysmë shekulli.
Në Kosovë do të shpërnguleshin në kuptimin politik të fjalës, të gjithë ata autorë që për arsye jashtë letrare, do të humbisnin vazhdimësinë e komunikimit brenda kufijve të Shqipërisë.
Kosova do të bëhet ishulli letrar i konservimit dhe i vazhdimësisë së letërsisë shqipe moderne të viteve 1930 – 1940 .
E vazhdimësia midis letërsisë moderne shqipe të atyre viteve dhe asaj që studiuesit do ta quajnë shkolla moderne në Kosovë, përveç emërtimit do të rrokë edhe shumë aspekte.
Në letërsinë shqipe të Kosovës përsëritet ajo dukuri e shkollave letrare programatike që ish nderuar në vitet 1930, vjen sërish në letrat shqipe dukuria e avangardës që kishte nisur të shfaqej gjatë 1930-ve, letërsia shqipe do të jetë si atëherë bashkëkohëse me zhvillimet e letërsive evropiane dhe në avangardën e Kosovës së ‘Vox clamantis in deserto’, letërsia ndërron statusin e saj të angazhuar, për t’u kthyer në reflekse të vetvetes në katër elementet të letërsisë moderne të Kosovës.
Prandaj pengesat në leximin e saj në Shqipëri është edhe mendore.
Disa autorë të letërsisë shqipe kanë pasur fatin e leximeve filologjike, që janë përjashtuar deri diku nga kanuni zyrtar, autorëve u ka munguar shpesh humori për lexim simbolik.
Shembujt për ketë janë të shumtë…
Nga poezia e Naim Frashërit është vlerësuar në hierarki ‘Bagëti e bujqësi’ dhe jo ‘Bukuria’ apo ‘Dashuria’, nga Migjeni ‘Poema e mjerimit’ dhe jo për shembull ‘Këngët e fundit’, nga Çajupi ‘Atdheu dhe dashuria’ e jo ‘.
Fjala bije , nëse Bilal Xhaferri, mund të kthehet në letërsinë shqipe.
Pas ndalimit të “Lirishtes së kuqe” më 1967, autori do të botohet në Shqipëri vetëm pas vdekjes me gati 30 vjet diferencë me botimin e fundit.
Autori e kishte përmbyllur rrugën e vet jetësore dhe poetikën e vet, letërsia shqipe në të cilën rishfaqej si autor Bilall Xhaferri kishte ndryshuar krejt, në dukje, po shumë pak në thelb.
Leximi është i vështirë edhe për autorët e sotëm shqiptarë si Agron Tufa, Ilir Belliu, Rudian Zekthi e Parid Teferiçi, pasi në leximet e tyre kërkohet rileximi i modeleve formale estetike, ligjërimore e mbi të gjitha ideologjike të “klasikëve” të letërsisë shqipe.
Derisa vitet e para të shekullit XX sollën vëmendjen nga autori tek teksti letrar - në fillim me formalistët e më pas me strukturalistët, sidomos në periudhën e parë - sot, në shekullin XXI vëmendja e studimeve teorike mbi letërsinë e ka kapërcyer tekstin për të shkuar në skajin e fundit të skemës, tek lexuesi.
Dalëngadalë, koncepti i lexuesit fillon të ndahet nga ai i tekstit e të marrë një status autonom.
Flori Bruqi
No comments:
Post a Comment