2017-05-02

Ku është kështjella e Lekës dhe çfarë perle paraqet Suka e Cermjanit?

Image result for gani mehmetaj

 Nga Gani MEHMETAJ



Suka e Cërmjanit është pika më atraktive jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit- Rrënojat e kështjellës janë dëshmi e një qytetërimi antik e mesjetar.

Kështjella e Lekës është atraksioni tjetër i paparë. Fortifikata malore e ndërtuar në një qafë malore, ku duhet të ecësh së paku një orë këmbë pas katundit të fundit, kontrollon hapësirën nga kufiri imagjinar shqiptaro-shqiptar deri thellë në Rrafshin e Dukagjinit. Sipas arkeologut Haxhi Mehmetaj, me të cilin ishim disa javë në hulumtime, kështjella e Lekës i takon periudhës së antikës së vonë, që dëshmohet me teknikën e murimit me gëlqere e botë të bluar, thotë ai. Askush nuk e di nga cili Lekë e mori emrin kështjella: nga Leka (Aleksandri i Madh), nga ndonjë princ ilir me këtë emër, apo nga Lekë Dukagjini? Arkeologu i Institutit Arkeologjik, H. Mehmetaj e përjashton mundësinë që kështjella ta ketë marr emrin nga princi shqiptar, sepse muret e kësaj kështjelle malore janë së paku 1200 vjet para se të jetonte Lekë Dukagjini. Ndërkaq, emri Lekë, shkurtim i emrit Aleksandër ishte aq i shpeshtë ndër ilirë e arbëror, është i shpeshtë edhe ndër shqiptarë të sotëm, sepse Aleksandrin (Lekën) e Madh, e konsideronin të gjakut të tyre.
Kështjella e Lekës, e ndërtuar në një kodër në pllajën e malit me të njëjtin emër, sipas arkeologut Haxhi Mehmetaj, i takon antikës së vonë. Ka tri fortifikata që e vrojtojnë hapësirën për të ndjekur lëvizjet e armikut dhe për të ruajtur popullatën vendëse nga sulmet. Muret e kështjellës kanë trashësi 2 metra e 60 centimetra, deri në tri metra.
Por biografinë e princit të fortifikatës malore (Lekën) e mbuluan shekujt. Tek-tuk ndonjëri i thotë edhe Kështjella e Kaurit, sepse Leka, princi antik i kështjellës, sipas turqve domosdo kaur duhej të ishte.
Nga Kështjella e Lekës, njëra ndër kështjellat më të mëdha malore, në skajin perëndimor të Rrafshit të Dukagjinit, sipëri katundit Popoc kapet me lehtësi Suka e Cërmjanit, ku është kështjella më e madhe që shtrihet në thellësi të Luginës.
Një kështjellë tjetër e pa hulumtuar, për të cilën nuk dihet asgjë, është Kështjellën e Mbretit, katër orë rrugë të pashkelur malore, tepër të vështira për një njeri të pastërvitur (askush nuk e di e cilit mbret ishte), sipëri katundit Molliq. Kështjella e Mbretit është më e larta në këtë krahinë (970 metra lartësi mbidetare), e mbuluar me shkurre e lisa qindravjeçarë që të zhduket parasysh si në xhunglat e Amazonit. Edhe njohësit më të mirë të terrenit malor nuk mund ta gjejnë e ta identifikojnë, ndërsa pa ndihmën e vendësve është e pamundur.
Të gjitha kështjellat nga Hasi deri në Koshare, kur vrojton nga kullat e fortifikatës, komunikojnë me lehtësi edhe sot me Sukën e Cermjanit, pika më atraktive jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit, mbase në tërë Gadishullin Ilirik. Nga Suka e Cermjanit e kanë kontrolluar hapësirën e rrjedhës së Drinit, por edhe të disa lumenjve të tjerë që derdhën në këtë pellg, ushtarët roje kanë paralajmëruar lëvizjet e armikut dhe janë mobilizuar për mbrojtje.
Arkeologu, Mehmetaj, udhëheqës i ekipit, thotë se pjesa më e madhe e këtyre kështjellave janë të antikës së vonë, të kohës së sundimit romak, disa prej të cilave kanë vazhdimësi edhe në mesjetë, por nuk e përjashton mundësinë që të kenë kryer funksione edhe në parahistori. Muret e tyre janë impozante. Nga kullat e kështjellave mund të ndjekësh edhe sot lëvizjet e njerëzve e të makinave dhjetëra kilometra thellë në horizont pa ndihmën e dylbive.
Nga Suka e Cermjanit vrojtohet në ditë të kthjellëta i tërë Rrafshi i Dukagjinit deri në Prishtinë. Me Kështjellën antike, me shtresimet e disa shekujve, me pamjet përrallore që të ofron visorja mahnitëse, me ujëmbledhësin e Radoniqit, (në ditë vere gjakovarët freskohen), në antikë e në mesjetë e ka kontrolluar një hapësirë të madhe. Rrënojat e kështjellës së Cërmjanit janë dëshmi e një qytetërimi antik e mesjetar. Nga ai qytetërim i braktisur, sot të vret syrin rezervuare të zbrazëta nafte, hekurishte të antenave gjigante, të braktisura, themele betoni të nxjerra nga dheu e të shpërndara gjithandej. Është një shëmti rrëqethëse
Suka e Cërmjanit, një thesar kombëtar, do të duhej të bëhej pika më atraktive. Me investime të konsiderueshme zbulohet perla që do të joshte vizitorë nga e gjithë bota. Aty ku duhej të ishte kështjella e konservuar, me guiden turistike që do të shënjonte kohën kur është ndërtuar, për se ka shërbyer dhe kush e ka sunduar, ta çrregullon imagjinatën xhamia e tyrbja e ngjyrosur, të ndërtuara pas luftës, në mënyrë klandestine, pa leje ndërtimi dhe pa pëlqimin e askujt. Madje, në këtë xhami e tyrbe nuk vjen askush të falet, sepse katundi cermjan e ka xhaminë e vet.
Kështjella e Sukës së Cërmjanit nuk mund të jetë vetëm e Gjakovës, as vetëm e Dardanisë, është pasuri kombëtare shqiptare dhe pasuri e njerëzimit.
Suka e Cermjanit, ashtu si e ka fal natyra dhe ashtu si e ndërtuan ilirët e arbërorët, është bukuri e rrallë, atraksion turistike, me shtresimet arkeologjike, është orë historie që do t’u shërbente brezave kur ua shpjegon Ilirinë e Dardaninë antike, krahinë të Ilirisë. Ashtu si është nuk shfrytëzohet për asgjë dhe nuk i shërben askujt, pos një familje të ardhur nga katundet e Rahovecit pa pëlqimin e katundarëve, me një kope delesh e me një tufë gjedhesh që të duket si ngulim nomadësh aziatik. Të mbërthen vaji kur e sheh katandisen e një thesari kombëtar.
Nga maja e majës së Sukës dikur forcat serbe gjuanin me artileri pikat ushtarake të Parteshit e Kosharës, për të goditur forcat çlirimtare. Në fushat e arat e Cërmjanit ka gjurmë të vendbanimeve ilire në një hapësirë të gjerë, madje është një ngulim i tërë qyteze. Legjenda për macen që ecte nëpër mure nga skaji i qytetit, në skajin tjetër flitet edhe këtu, sikurse në shumicën e katundeve që i vizituam gjatë prillit.
Katundi Cërmjan, sipas gjetjeve arkeologjike, kishte vendbanime parahistorike, por edhe të antikës në disa vende.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...