Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është përkujdesur që në Ditën e Pavarësisë t’i ndajë qytetarët e Kosovës me idenë e tij për një President gjithëkombëtar. Partia më e madhe në Kosovë, LDK, ka quajtur idenë e Ramës si mosrespekt ndaj Shtetit të Kosovës.
Edi Rama ka propozuar një President të përbashkët të Kosovës dhe të Shqipërisë. Këtë ide e ka prezantuar në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në një fjalim të mbajtur në Prishtinë, në objektin e Parlamentit.
Partia më e madhe në Kosovë, LDK, ka dalë kundër një ideje të tillë. Madje, Avdullah Hoti e ka quajtur një mosrespket ndaj Kosovës një ide të tillë të ardhur nga udhëheqësi i Shqipërisë.
“Propozimi i Edi Ramës për president mbarëkombëtar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe NATO”, ka shkruar Hoti, në një reagim në FB.
“Të vetmin institucion të përbashkët që munden me e kriju Kosova dhe Shqipëria në 10 vitet e ardhshme është një “dhomë e lartë e dy parlamenteve” ku do të kishin mundësi me u pensionu të gjithë patriotat e karrierës nga të dy vendet. Për seli mundemi me bisedu. Është Dyzi por edhe Burreli nuk është vend i keq”, ka shkruar Pallaska.
Shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka propozuar një President gjithëkombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.
“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta po pse jo një president simbol të unitetit kombëtarë dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka thënë Rama, në fjalimin e tij.
“Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka shtuar ai.