Haradinaj tha se për ta kuptuar një popull sa mirë i ka punët duhet vizituar shkollat.
“Nga shkolla e kupton se kush është ai popull dhe në çfarë parametrash vepron’, tha kryeministri, duke e vlerësuar rëndësinë e zhvillimit të procesit arsimor në vitet ’90-ta, dhe shtoi se dëshmia më e mirë se jemi një popull vërtetë i suksesshëm është fakti se kemi mbajt shkolla në vitet e ’90-ta në kushtet ku askush tjetër s’do të mundte.
Me këtë rast kryeministri Haradinaj falënderoi të gjithë ata që kanë arritur ta mbajnë arsimin në ato vite, në ato vite të presionit e të mohimit të gjithanshëm. “Faleminderit të gjithëve, mësues, profesor, faleminderit atyre që i kanë lëshuar shkollat, faleminderit çdokujt që ka ndihmuar që arsimi të mbahet gjallë në atë kohë. Edhe sot duhet ta dëshmojmë se jemi po ata që kemi mbajt gjallë arsimin në kohëra të vështira”, tha Haradinaj dhe shtoi se të gjithë duhet ta ndjejmë peshën e përgjegjësisë dhe detyrë e jona është t’i aftësojmë fëmijët tanë.
Duke folur për statusin e punëtorëve të viteve të ’90-ta, kryeministri tha se e kanë obligim në mos tjetër e kanë obligim moral dhe do ta zbatojnë.
Ai tha se partneritetin dhe dialogun që e kanë do ta bëjnë të sinqertë, jo rezultat i kushtëzimeve, dhe presioneve, po rezultat i ndjenjës dhe interesit, që atë nder, atë krenari, atë vlerë e cila është unike në botë, zhvillimi i mësimit në vitet ’90-ta, të shpërblehet në vazhdimësi.
Ndërsa kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj falenderoi të pranishmit për punën e bërë dhe i luti ata që të punojnë më shumë e të flasin më pak.
Ai ka thënë se janë të përkushtuar që arsimin ta zhvillojnë në dy fronte dhe se këtë gjë ata ia kanë borxh atdheut.
“SBASHK-u qysh nga fillimi i saj, para 26 viteve, është angazhuar me tërë mundësitë në dy fronte. Në njërën anë realizimin dhe mbrojtjen e kërkesave të punëtorëve të arsimit të Kosovës, e në anën tjetër duke dhënë kontribut të lartë në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë”, ka thënë Jasharaj.
Avni Ajdini, kryetar i BSKPK-së lavdëroi punën e sindikalistëve para dhe gjatë luftës.
Ai tha se puna e të gjithëve duhet të vlerësohet.
Të pranishëm në këtë Kongres janë edhe përfaqësuesit e sindikatave nga Shqipëria, Holanda, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina.